Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lutfi Alia: Kastrioti në familjen e Stefë Curanit

| E marte, 07.08.2018, 07:23 PM |


NJË RIPRODHIM I PORTRETIT TË GJERGJ KASTRIOTIT I SHEKULLIT XV, NË FAMILJEN E STEFË CURANIT - SHKODER.

Nga Lutfi ALIA

Gjergj Kastrioti Skenderbeu ishte një ndër figurat më të shquara europiane të shekullit XV. Roli i tij si Zot i Albanisë dhe kryekomandant i ushtrisë arbërore, kontributi në organizmin e rezistencës dhe zhvillimin e luftës kundër pushtuesve osmanë, aktiviteti diplomatik në raportet me fuqitë europiane të kohës, e kishin evidentuar si strateg të shquar politik dhe ushtarak, e kishin bërë të famshëm në rolet e Miles Christi, Athleta Fidei, Soldato di Cristo, Difensore della Fede Cristiana, Difensore della civiltà occidentale, si e kishin cilësuar Papët. Gjergj Kastrioti ishte një personalitet mbinazional, ishte dhe mbetet një mit.

Figura legjendare dhe mitike e Gjergj Kastriotit, ka frymëzuar shumë historianë, kronistë, shkrimtarë, poetë, piktorë, grafistë, litografistë dhe skulptorë, që e kane prezantuar në mijëra vepra, që ruhen me fanatizëm në muzeumet, në pinakotekat, në bibliotekat europiane dhe në disa koleksione private. [1]

Ndër veprat e artit të pikturës të shekullit XV, të realizuara kur Gjergji ishte Zot i Albanise dhe luftonte kundër turqeve, janë portretet origjinale të Gjergj Kastriotit të piktorit albanez (anonim) dhe të Pisanellos në vitet 1449 - 1451, portreti me autor Xhentile Bellini në vitet 1461 – 1463, vepra e Gherardo G. Maffeit e viti 1465 etj, të cilat u riprodhuan besnikërisht nga shumë piktorë të më vonshëm si Rafaele Volterano (1451 – 1522, autori i portretit të Skenderbeut në veprën e Marin Barleci), portreti i Kristofano Altissimo (1552 - 1553, në Galeria Uffizi në Firence), ksilografia e Tobias Stimmer (1578, e vendosur në ilustrimin e veprës së Marin Barlecit të botuar në gjermanisht), si dhe portRetet e piktorëve austriakë (1579 – 1580, në koleksioni e arqidukës Ferdinand II i Austrisë) etj. [1]  Këto portrete, në tërësinë e tyre janë vepra të çmuara, janë një trashëgimi artistike me vlera kulturore dhe historike për vendin tonë. [1]

Gjergj Kastrioti, vazhdimisht ka nxitur kureshtjen e shqiptarëve, që në mënyrë retorike pyesin:

“A kemi në Shqipëri ndonjë pikturë me portretin origjinal të Gjergjit të viteve 1443 - 1468? “

“A ekzistonte ndonjë piktor arbëror, që të ketë realizuar portretin e Gjergjit në vitet 1443 – 1468”?

Për shumë vite, kjo kureshtje e justifikuar mbeti pa përgjigjie, natyrisht për mungesë të dhënash dhe nga mungesa e dokumentave, që të dëshmonin ekzistencën dhe në Shqiperi te një portreti të shekullit XV, kur  Gjergj Kastrioti jetonte dhe luftonte kundër hordhive otomane.

Në vitin 1968, në kremtimin e 500 vjetorit të vdekjes të Gjergj Kastriotit, komuniteti arbëresh i Palermos hapi një ekspozitë me veprat në italisht dedikuar Skenderbeut, si dhe ekspozoi medaljonin me portertin e Gjergj Kastrioti, prodhuar në vitin 1449. Ky medaljon është në pronësi të Muzeut Historik të Zagrebit.[2]

Në vitin 1968, skulptori Odhise Paskali theksonte: “Në atë kohë Shqipërisë i mungonte artisti, që paralel me historinë e Barlecit, të na kishte lënë në trashëgim të çmuar veprën e artit, që të na jepte idenë e Skënderbeut të vërtetë”. [3]

Kuptohet, O. Paskali nuk kishte të drejtë, pasi në muzeume, galeri dhe koleksione të vendeve të tjera, ekzistonin piktura, ksilografi, grafika, medaljone dhe kameo me portretin origjinal të Gjergj Kastriotit, vepra arti të prodhuara në shekullin XV, madje kopje e një nga këto piktura ndodhej në Shqipëri, e ruajtur nga familja shkodrane e Stefë Zuranit (Curani).

Ekzistenca e portretit të kahershëm të Gjergj Kastriotit në Shkodër, u bë i njohur publikisht në vitin 1981 nga shkrimtari Anastas Kondo, në një shkrim të botuar në gazetën “Drita”. [4]

Portreti i Gjergj Kastriotit ishte pronë e familjes të koleksionistit të njohur shkodran Stefë Curani.

Pas vizitës ne familjen Curani, Anastas Kondo jep këtë përshkrim: “Portreti ka përmasat e një ikone 30 x 25 cm, është i punuar me ngjyra vaji në dru dhe jo në kanavacë. Portreti nuk ka emrin dhe as firmën e autorit. Skënderbeu këtu të kujton atë të Firences, të Galerisë Ufici”. [4]

Sipas një dokumenti që kishte pasur familja, portreti konsiderohej autentik, i krijuar nga pozimi drejt-përsëdrejti i Skënderbeut. Sipas familjarëve portreti i ishte dhuruar nga austriakët pas shpalljes së Pavarësi-së së Shqipërisë, në vitet 1913 - 1914. Familjarët pretendojnë se kanë pasur dokumentin e dhurimit, polisën e një pinakoteke vieneze, ku shënohej urdhëri për kaliminventari dhe shprehimisht fjalët “portret origjinal dhe autentik Gjergj Kastriotit i shekullit XV”. [4]

Anastas Kondo, me gjithë dyshimet që shfaq gjatë shkrimit për origjinalitetin e këtij portreti, nga fundi shkruan se ka shumë arsye të supozohet, se ky portret mund të jetë autentik i Bellinit. Ne vazhdim Kondo thekson: “Mos vallë është dita kur Venediku, duke dashur ta kishte mirë me Skënderbeun, e bëri qytetar nderi dhe këtë ditë Bellini e pikturoi?” [4]

Mbështetur në këto arsyetime Kristo Frashëri arrin në përfundimin: “Me këto të dhëna mund të thuhet se ky portret, në shekullin XVI duhet të ketë bërë pjesë në koleksionin e Paolo Xhiovio. Rruga që ai ndoqi nga Muzeu i Komos në atë të Vienës, për ne tani ka pak rëndësi, përderisa kemi rënë në gjurmë të tij dhe kemi në dorë riprodhimin e tij fotografik. Hë për hë, për ne autori i portretit është Xhentile Bellini.” [5]

Historiani Kristo Frasheri, bazuar në këto informacione, e konsideroi kopje e veprës të Xhentile Bellinit dhe e botoi portretin në kopertinën e librit “Skenderbeu – Jeta dhe vepra”, madje e vendosi në krye të gjithë ilustrimeve brenda tekstit dhe përpara tablosë të Kristofano Altissimo, qe ndodhet në Galerinë Ufici si dhe përpara gravurës së botuar në librin e Barlecit.

Historiani Kristo Frasheri veproi drejt duke i dhënë përparësi ndaj gjithë portreteve të tjerë të njohur deri në atë kohë, sepse portreti në pronësi të familjes Curani, na jep imazhin e Gjergj Kastriotit, të pikturuar nga Xhentile Bellini në vitet 1461 – 1463, pra shume vite para portreteve të Kristofanit dhe të Maffeit.

Në entusiazmin e lajmit të botuar nga A. Kondo, disa studiues nxituan ta konsiderojnë portretin vepër origjinale, ndërsa historiani Kristo Frashëri, pas një analize të vëmendëshme dhe kërkimeve akivale, doli me konkluzionin se ky portret nuk është origjinal, por kopje i një prej portreteve të Gjergj Kastriotit, që ndodheshin në Muzeun Perandorak të Vienës.

Në vepren “Skenderbeu Jeta dhe vepra”, Kristo Frasheri shkruan: “Në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (Dosja Nr 42, viti 1914), ruhet një shkresë e Legatës së Perandorisë së Austro-Hungarisë drejtuar Ministrisë së Jashtme të Qeverisë Shqiptare të Princ Vidit më 16 prill 1914, me të cilën i përcillte kopjen e portretit origjinal të Skënderbeut, me lutje që t’ia dorëzonte si një dhuratë nga ana e ministrit të jashtëm austro-hungarez, konti Berchtold, kajmekamit (nënprefektit) të Krujës, me qëllim që ky ta mbante të ekspozuar përherë në zyrën e vet. Në shkresë thuhet se kopja e portretit të Skënderbeut është “riprodhuar me nismën e shkëlqesisë së tij, shefit të seksionit në Ministrinë Perandorake dhe Mbretërore të Financave të Përbashkëta, zotit Ludvig von Thalloczy, sipas origjinalit që tani ndodhet në Vienë, i cili ka qenë pikturuar më 1466, probabilisht nga një piktor venedikas, në të cilin Skënderbeu paraqitet me kostum patrici të Venedikut”. [6]

Nga letra e Legatës Austro-Hungareze, rezulton se portreti që dispononte familja Curani, nuk ishte origjinal, por “riprodhim ... me nismën e shkëlqesisë së tij, zotit Ludvig von Thalloczy”.

Me këtë dokument dëshmohet se Portreti i Gjergj Kastriotit në pronësi të Stefë Curanit, është riprodhuar në vitin 1914. Data e dhurimit kajmekamit të Krujës, është pothuajse e njëjtë me datën, që dëshmojnë familjarët e Curanit. Ka shume mundësi, që në ato kohe të vështira, koleksionisti Stefë Curani, t’ia ketë blerë kajmekamit, i cili ndofta si mysliman, nuk e vlerësoi rëndësinë e portretit, andaj ia shiti Tefës.

Shkodrani Stefë Zurani (Curani) (1865 - 1941), pasi përfundoi studimet në Kolegjin Saverian në Shkoder, vazhdoi arsimimin për histori dhe ekonomi në Vienë. Gjatë viteve të qëndrimit në Vienë, ashtu si të gjithë studentët shqiptarë, krahas vizitave në muzeun Schatzkammer, ku shkonin shpesh për të parë perkrenaren dhe shpatat e Skenderbeut, sigurisht ka vizituar dhe Muzeun Hofburg në Pallatin Perandorak, ku ka parë portretin e Gjergj Kastriotit, pra origjinalin e veprës, andaj ai vetë ishte i bindur se ruante një kopje. Ndofta kjo është arsyeja që në botimin e tretë që i bëri librit të tij në vitin 1939 në Shkodër: me titull “Ndolljet e Shqypnis”, me nëntitull në frontespic:“Prej një Gege që don vendin e vet”, Stefë Curani nuk e riprodhoi portretin që ruante në shtëpi, por vendosi po atë të botimit të parë.

 

 

 

 

Ekzistencën e portretit në familjen Currani e dinin pak persona, kryesisht ishin intelektualë të asaj kohe. Për shumë vite, portreti ndejti ne heshtje, i “ngujum” në shtëpinë e Curanëve.

Njoftimi i Anastas Kondos për ekzistencën e portretit të Gjergj Kastriotit në pronësi të një familje shkodrane, u shoqërua me komente të pakta, më shumë të përshkuara nga skepticizmi, me mëdyshje dhe nihilizëm, se sa nga entusiazmi patriotik. Artikujshkruesit u ndanë në dy grupe, një palë theksonin se portreti ishte origjinal, pala tjeter insistonte se ishte riprodhim.

Studiuesi i artit Ferid Hudhri, thekson se argumentet e trajtuara nga Kondo dhe kryesisht nga histroriani Kristo Frashëri, janë të mjaftueshëme për të na bindur se portreti i Gjergj Kastriotit i familjes Curani, të mos jetë origjinal, por kopje e portretit, që ndodhej në Muzeun e Vienës. [7]

Historiani Kristo Frasheri, pasi u njoh me portretin e Gjergj Kastriotit në familjen Curani, i bindur se në shekullin XVI, origjinali kishte qenë në muzeun e Paolo Xhiovio, thotë: “Rruga që ai ndoqi nga Muzeu i Komos në atë të Vienës, ka pak rëndësi, përderisa kemi rënë në gjurmë të tij dhe kemi në dorë riprodhimin e tij fotografik. Hë për hë, për ne autori i portretit origjinal është Xhentile Bellini”. [8]

Historia e këtij portreti nuk është kaq e ndërlikuar, madje njihet origjina dhe rruga si arriti ne Vienë.

Njoftimin e parë për ekzistencën e portretit të Gjergj Kastriotit në Muzeun e Vjenës e dha Frederick Kenner në veprën: “Vjetari i koleksioneve të Shtëpisë Perandorake. Viena: vellimi XIX, viti 1898, i cili shkruan se në koleksionin e Arkidukës Ferdinand II i Austrisë dhe konti i Tirolit, janë dy kopje të portretit të Gjergj Kastriotit, njëri i pikturuar me profil nga e majta dhe tjetri me profil nga e djathta. [2]

Frederick Kenner mendonte se njeri nga këto portrete ishte vepër e piktorit italian Gentille Bellini (1429 – 1507), i realizuar para vitit 1466, madje ne vazhdim specifikon, se ishte realizuar në 1463, me kërkesën e autoriteteve të Venedikut, kur Gjergj Kastrioti vizitoi Venecian me rastin ceremonisë të shpalljes Qytetar Nderi të djalit Gjoni II Kastrioti. [1]

Kenner shkruan: “Ndërsa portreti i parë ka humbur, i dyti është kopje dhe në regjistrin e Muzeut Perandorak shënohet se ky portret ishte riprodhim i portretit origjinal të mëparshëm. Portreti me profil nga e djathta, është pikërisht ai, që ndodhet në Firence, andaj Ai e quajti “Portreti Fiorentin”. [2]

Pas këtij informacioni, shumë studiues shtruan pyetjen: Si përfunduan dy portretet e Gjergj Kastriotit në koleksionin e Arqidukës Ferdinand II i Austrisë?

Këtë enigëm e zgjidhi studiuesi i artit Franco Minonzio, në veprën “Muzeu i Xhiovio dhe galeria e burrave të shquar, botim i vitit 2004”, i cili shkruan: [4] Nell’ottobre del 1579, Ferdinando II, arciduca d’Austria, ottenne che fosse concesso a pittori da lui inviati di eseguire copie dei ritratti del Museo, destinati ad essere accolti nel castello di Ambras.

Në tetor 1579, Ferdinandi II, arqiduka i Austrisë, kërkoi të lejohen piktorët e dërguar prej tij, të realizojnë kopje të portreteve të Muzeut, të destinuara për t’i vendosur në kështjellën e Ambras”.

Si shihet, F. Minonzio na informon se portretet e Gjergj Kastriotit në Muzeun Hofburg të Vienes, janë riprodhime të portretit origjinal të realizuar nga Xhentile Bellini, i cili ndodhej në muzeun e Paolo Xhiovio në Komo. Riprodhimi i portretit u realizua ne vitet 1579 - 1580  nga piktorët austriakë, me kërkesën e Arqidukës Ferdinandit II i Austrisë, i cili e vendosi në koleksionin e portreteve në kështjellën e Ambras. Interesimi i arqidukës Ferdinandi II për portretet e Gjergj Kastriotit nuk është rastësi, pasi në vitin 1578, Ai kishte blerë nga duka i Urbinos Mario Sforca, përkrenaren dhe dy shpatat e Gjergj Kastriotit, që në ditët e sotme ndodhen në muzeun Schatzkammer në Vienë. [1]

Arqiduka Ferdinandi II i Austrisë, në koleksionin e pasur në kështjellën Ambras kishte përkrenaren, dy shpatat dhe dy portretet e Gjergj Kastriotit, të riprodhuar (kopjuar) nga piktorët austriakë, sipas origjinalit me autor Xhentile Bellinin, i cili e kishte realizuar në vitet 1461 - 1463. [1]

Nga këto fakte, kuptohet se ministri i jashtëm autrohungarz konti Bertchold, kishte kërkuar riprodhimin e portretit të Gjergj Kastriotit, që ndodhej në Muzeun Hofburg të Vienës.

Është e pabesueshme, që Muzeu Perandorak të dhuronte portretin origjinal të Gjergj Kastriotit, por është bindëse rrethana, të kenë lejuar kopjimin e këtij portreti, të cilin konti Bertchold ia dergoi dhuratë kajmekamit të Krujes. Kjo proçedure konfirmohet me shkresën shoqëruese të Legatës Austro-Hungareze ku thuhet: “Kopja e portretit të Skënderbeut është riprodhuar me nismën e shkëlqësisë së tij ... zotit Ludvig von Thalloczy, sipas origjinalit që tani ndodhet në Vienë, i cili ka qenë pikturuar më 1466, probabilisht nga një piktor venedikas, në të cilin Skënderbeu paraqitet me kostum patrici të Venedikut”. [4]

Hartuesi i kësaj shkrese është i pasaktë lidhur me vitin 1466. Atë vit Gjergj Kastrioti nuk ka shkuar në Venecia. Dihet se vizitën e fundit në këtë qytet, Gjergji e kreu familjarisht në vitin 1463. [1]

Gjithashtu, në këtë shkresë ka një ekzagjerim, duke bërë lidhje ndërmjet piktorit venedikas me veshjen e patricit venedikas të Gjergj Kastriotit. Veshjen me mantel të purpurt, Gjergji e ka përdurur shumë më herët, që në vitin 1444, madje çdo vit, Senati Vendikas i dërgonte dhuratë stofin me ngjyrë të purpurt, ndërsa Gjergji, duke ruajtur traditën e të atit Gjon Kastriotit, i dërgonte Senatit dy lepuj dhe dy skiftera. [1]

Kushdo që ka pasur fatin të shohi portretin e Gjergj Kastriotit të familjes Curani, ose fotografinë e këtij portreti, menjëherë konstaton ngjashmërinë me portretin e Gjergj Kastriotit ne Galerine Uffizi në Firence. Tashmë dihet se portreti i Gjergj Kastriotit ne Galeria Ufici, i dedikuar Kristofano Altissimo, në fakt është riprodhuar në vitet 1552 – 1556, sipas origjinalit të realizuar nga Xhentile Bellini në vitet 1461 – 1463, që ndodhej në muzeun e Paolo Xhiovio në Borgoviko të Komos. Te vetmit ndryshime janë se portreti i famil-jes Curani, ka përmasa më të vogla (30 x 25 cm) dhe sfondin ngjyre kafè të errët, ndërsa portreti në Galeria Ufici, ka përmasa afërsisht dy herë më të mëdha (60 x 45 cm) dhe sfondin të zi.      .

Ngjashmeria e ketyre dy portreteve është impresionuese.

Portreti i Gjergj Kastriotit në familjen Curani është pikturuar n? profil nga e djathta, gjysëm bust, me fizionominë e një 60 – 65 vjeçari, me tipare të spikatura të fytyrës, hundëshkabë, me mjekrën të gjatë të thinjur dhe ondulante, me mustaqet e gjata, me sytë e zi, me vështrimin vrojtues dhe mendimtar.

Tipike është veshja me mantelin ngjyrë të purpurtë, me jakën me lëkurë-peliçe dhe qaforen ngjyrë të kuqe, me supjerat me pala, me berretën ngjyrë skarlat e tipit “alla Karamagnola”, nën të cilën duket pje-sërisht buza e poshtëme e kapuçit të bardhë.

Këtë model berrete, tipike e fisnikërisë italiane në shekujt XIV - XVI, e shohim në portrete të tjerë të Gjergj Kastriotit të realizuara në shekullin XV, ashtu si është riprodhuar besnikërisht në tetë medaljonet e viteve 1449 – 1466, në miniaturën e vitit 1465, në një tabllo të vitit 1470, si dhe është përsëritur në mijra piktura, gravura, litografi, ksilografi, skica, tabllo, kuadro dhe afreske të realizuara në shekujt XVI - XX.

Fakti, që modeli i berretës i portretit të parë të realizuar nga Xhentile Bellini, riprodhohet nga shumica aboslute e autorëve të tjerë, dëshmon se piktura e Bellinit ishte baza, nga u frymëzuan piktorët pasardhës.

Nuk është e vështirë të konstatohet, se portreti i Gjergj Kastriotit në Galerinë Ufici dhe portreti i Gjergj Kastriotit në pronësi të familjes Curani, krahas ngjashmerise në prezantimin artistik te portretit dhe të veshjes, kanë te perbashkët një model fillestar, që imitohet e përshtatet sipas aftësive dhe imagjinatës të artistëve te mëvonshëm, ndërkohë që asnjeri prej tyre, nuk e kishte njohur, nuk e kishte takuar, nuk e kishte parë kurrë Gjergj Kastriotin. Ky fat dhe nder e takoi piktorit Xhentile Bellini, i cili realizoi portretin origjinal të Gjergj Kastriotit.

Piktoret e tjerë dhe grafistët e shumtë të shekujve XVI - XX, kanë pasur privilegjin të riprodhonin portretin origjinal të realizuar nga Xhentile Bellini në vitet 1461 – 1463.