Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Uran Ukmehmetaj: Ismail Kadriu - gur themeltar i arsimit

| E hene, 06.08.2018, 08:35 PM |


Në 30-vjetorin e vdekjes

Ismail Kadriu ishte një gur themeltar i arsimit shqip…

Nga Uran Ukmehmetaj, Gjilan

Ismail Kadriu, pedagog e edukator i madh i arsimit, tash e 30 vjet, na mungon. Na mungon dhe, mungesa e tij, po ndjehet jo vetëm në shoqëri, por më së shumti po ndjehet në familjen e tij. Ai ishte një rreze drite e arsimit shqip. Rreze drite që po i mungon jetës arsimore, kulturore dhe institucionale...

Ismail Kadriu, tash e 30 vjet na mungon, por vepra e tij është “gjallë” dhe jeton. Jeton dhe ajo kurrë nuk do të harrohet. Do të përkujtohet dhe  do të nderohet nga të gjithë. Ai na la pas vepra të mëdha tek njerëzit. Ishte qenie e respektuar dhe afroi njerëz. Pati gjuhë të ëmbël komunikuese. Fliste me zë urtaku prej edukatori e moralizuesi. E donin qytetarët, por edhe ai i deshi pa masë ata. Kurrë nuk ua ktheu fjalën, por i respektoi dhe lart i çmoi. Ishte një njeri guximtar. Nuk iu frikësua furtunave të kohës, por gjithnjë bëri zgjidhje dhe faqebardhë. Pra, ky personalitet dhe pedagoj na ishte një rreze e madhe e punës edukativo-arsimore.

Ismail Kadriu, që tash na mungon, u quajt vizionar i qartë, udhëheqës i institucioneve arsimore, por e drejtues të institucioneve kulturore në Gjilan. Emri i tij ishte i lidhur me arsimin dhe jetën kulturore, në përgjithësi. Ai ishte pedagog  me plot kuptimin e fjalës. Ishte një mësues i madh dhe i denjë i popullit. Pse jo? E respektuan i madh e i vogël i Malësisë së Karadakut e më gjerë. Kjo pjesë e vendit, ku punoi e veproi, edhe tash identifikohet me emrin e tij. Ate e njohën dhe e respektuan gjer në momentin e fundit të jetës. Ishte njeri i respektuar dhe jetoi me dinjitet të madh njerëzor. Jo vetëm kjo.

Ai, sa jetoi, punoi dhe kurrë nuk është ndalur për të mirën e popullit. Kudo që punoi dhe veproi, la mbresa të pashlyera tek masa e gjer qytetare. Ishte gojëjtar dhe njerëzit i përvetësonte me fjalë të urta e plot kulturë. Kurrë nuk ndjeu lodhje në punë, por gjithnjë printe  dhe dilte fitues. Qe njeri bashkëpunues me të gjithë njerëzit e mesit ku punoi.

Nga dita e parë me ditar në dorë, ai është treguar një pishtar i madh i arsimit. Edukoi shumë gjenerata, të cilat, sot janë krenari e punës së tij shembujll. Thonë, punën e bëri punë. Qe njeri kryelart, zemërgjerë, i respektuar dhe afrues e bashkëpunues. Por, ja vdekja. Ajo nuk zgjedh njerëz. Ajo e mori para kohe. E, Ismail Kadriun, që sot e 30 vjet na mungon, i cili, sa jetoi, pati ëndrra të shumta për ta quar arsimin shqip përpara. Vetëm njerëzit e mirë i merr natyra para kohe. Ata, me punën e  tyre shembull, lanë mbresa tek  gjeneratat e ardhshme.

Ismail Kadriu është i lindur më, 2 shkurt të vitit 1934 në fshatin Zhegër, komuna e Gjilanit. Mësimet fillestare i mori, në mungesë të shkollës, në mejtepin e fshatit. Në vitin 1948 e vazhdoi shkollimin në Gjimnazin Real shqiptar të Prizrenit, për të përfunduar klasën e tretë në vitin 1950. Në vitin 1951 e ka kryer kursin e Ulët Pedagogjik në Pejë, për të vazhduar në vitin 1953-54 kursin njëvjeçar për mësuesi në Shkollën Pedagogjike të Prishtinës. Provimin profesional për ushtrimin e profesionit të mësuesit e kreu në vitin 1961 në Prizren. Fakultetin filozofik e ka regjistruar në vitin 1962 dhe ka diplomuar në vitin 1964. Studimet në shkallën e dytë i ka vazhduar në Fakultetin filozofik, Dega e Albanologjisë dhe ka apsolvuar në vitin 1966.

Ai, profesionin e mësuesit e ka filluar ta ushtrojë në vitin 1950 në moshën 16-vjeçare në fshatin Stançiq. Pra, me 16 moshë, ka punuar me ditar në dorë si mësues në fshatin Përlepnicë, Cernicë e Zhegër. Prej vitit 1959 e deri në vitin 1962 ka ushtruar detyrën e drejtorit të shkollës fillore në Zhegër. Më 28.VI.1962 nga një proces i montuar politik është suspenduar nga pozita e  drejtorit të shkollës dhe i është shkëputur marrëdhënia e  punës me ndalesë të ushtrimit të profesionit. Në këtë periudhë, i larguar nga puna, me pamundësi punësimi, regjistrohet në Fakultetin Filozofik - Dega e Albanologjisë, për të absolvuar në vitin 1966.

Gjatë vitit 1966-67 filloi të punojë si arsimtar në Gjimnazin "Zenel Hajdini" në Gjilan. Prej vitit 1968 e shohim drejtor i Shkollës fillore " Bashkimi”  në Zhegër, ku punoi gjer në vitin 1976. Në vitin 1976 emërohet si inspektor i arsimit pranë Sekretariatit për Veprimtari Shoqërore    KK të Gjilanit. Gjithashtu, gjatë vitit 1979, ai punoi si sekretar i BVI - së për kulturë të KK të Gjilanit. Në vitin 1982 emërohet Sekretar i Sekretariatit për Veprimtari Shoqërore të KK të Gjilanit. Prej vitit 1985 emërohet në funksionin e drejtorit gjeneral të shkollave të mesme të Gjilanit (QAMO). Në vitet e fundit të jetës, punoi si drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Gjilan.

Për punën e tij 38-vjeçare, në sferat e arsimit, kulturës dhe veprimtarive tjera shoqërore, është dekoruar me mirënjohje më të larta, nga institucionet lokale, komunale, krahinore dhe federale. Është dekoruar me çmimin Post mortum në kremtimin e 50-vjetorit të shkollës fillore “Esat Berisha “ në Llashticë. Në vitin 2004, gjithashtu i është dhënë mirënjohje nga Shkolla fillore “ Agim Ramadani “ në Zhegër. Për nder të 70-vjetorit të lindjes, në vitin 2004, Bashkësia lokale dhe Shkolla fillore “ Agim Ramadani “ në Zhegër i organizoi një manifestim përkujtimor për kontributin e dhënë në arsimim, kulturë dhe veprimtari tjera shoqërore. Jo vetëm kaq.

Ismail Kadriu bëri hapjen e paraleleve të ndara të Gjimnazit “Zenel Hajdini“ në Zhegër, gjatë vitit 1972-1973. Ai ishte iniciator dhe koordinator i aktiviteteve në Drejtorinë e Arsimit në Gjilan, në Gjimnazin “Z. Hajdini”  dhe në Shkollën fillore “Bashkimi “ në Zhegër.

Për Ismail Kadriun, pishtarin e madh të arsimit, shkimtarët dhe shokët e tij, kanë shkruar vepra dokumentare e publicistike. Ibrahim Kadriu, shkimtar, shkroi veprën “Kroi i ilaçit”, ku protagonist i romani është Ismail Kadriu. Mandej, shoku i Ismail Kadriut, Ilaz Jashari, tash në pension, ka shkrua romanin biografik me elemente dokumentare me  titull “Mala”. Para tri vjetësh, Ibrahim Kadriu përgaditi veprën e dytë dokumentare për figurën e Ismail Kadriut me titull “Ismail Kadriu – njeri me vizion të qartë” (2015). Akademik Mehmet Halimi, në shënimin e  tij “Ismaj Kadriu – pishtar i arsimit dhe veprimtar i çështjes kombëtare”, ka shtuar se “...Ismail Kadriu, si pishtar i arsimit dhe mbrojtës i të drejtavë të çështjes kombëtare, shkriu tërë jetën e tij fizike e mendore... për t’i edukuar brezat e popullit të vet, ndaj vepra e tij nuk vdes kurrë, por jeton e frymon, shkëlqen e ndriçon si një yll i pashuar (f.81).

Por, ja jeta kobzezë, e  cila e mori punëtorin, edukatorin, personalitetin dhe njeriun shembullor, Ismail Kadriun, i cili ndërroi jetë në një aksident, më 6 .8. 1988. Tash e 30 vjet më parë. 30 vite dhembje e lot për prindin, arsimtarin, personalitetin e jetës. Ai mbeti në jetë si një gur themeltar i arsimit shqip.

Gjilan, 5 gusht 2018