E merkure, 24.04.2024, 11:56 PM (GMT+1)

Speciale

Gani Luboteni: Ndihmesa e Çabejt në prezantimin e romantizmit në evropën...

E premte, 19.09.2008, 07:18 PM


Eqrem Çabej
Ndihmesa e Çabejt në prezantimin e romantizmit në evropën lindore e juglindore dhe në letërsinë shqiptare

 

Nga Gani Luboteni

 

Eqrem Çabej është njëri nga personalitetet më të shquar të shke­ncës shqiptare, albanologu më i gjithanshëm i këtij qind­vje­të­shi që e thelloi dhe e pasuroi shumë albanologjinë në të gjitha fu­shat e saj: në lëmin e gjuhësisë, e letërsisë, e folklorit, e et­no­lo­gjisë, e historisë e në shumë fusha të tjera albanologjike. Duke pu­nuar me zell e përkushtim të madh, ai, me punimet e tij shke­n­core, arriti të japë ndihmesën e tij të madhe në lërimin e his­to­ri­së së gjuhës shqipe, e të marrëdhënieve gjuhësore të shqipes me rre­thin e gjuhëve indoevropiane dhe ballkanike, prejardhjes së po­pullit shqiptar dhe e gjuhës së tij, e fonetikës historike të shqi­pes, e gramaikës historike, e etimologjisë, tekstologjisë, e ono­ma­stikës, e kulturës së gjuhës, e historisë së letësisë, e kritikës let­rare, e përkthimeve, e folkloristikës, e folklorit, e etnologjisë, e historisë etj. Kështu, fitoi mirënjohje dhe famë jo vetëm në sua­zat kombëtare, po edhe në ato ndëkombëtare, duke për­fa­që­suar denjësisht kombin, kulturën, dhe shkencën tonë, si në tu­bi­met e kongreset shkencore të vendit, ashtu edhe në ato ndër­kom­bë­tare. Falë punës së tij të zellshme, Çabej arriti rezultate shumë të vlefshme, u bë figurë e njohur shkencore dhe gëzoi miradije, res­pekt dhe autoritet të madh, jo vetëm në mesin e shqiptarëve, po edhe në qarqet shkencore ndëkombëtare, me studimet, ta­kimet, lidhjet dhe bashkëpunimin që pati me to vite me radhë.

Meritat dh madhërinë e tij si dijetar e dëshmon edhe ky Simpozium që e organizoi Instituti Albanologjik i Prishtinës, kushtuar 90-vjetorit të lindjes së Prof. Eqrem Çabejt si nismë shumë e qëlluar që meriton çdo respekt, e që, jam i bindur, do të japë ndihmesën edhe të punonjësve tanë shkencorë për ndiçimin e aspekteve të ndryshme të veprës shkencore madhore të tij.

Sikurse shumë e shumë probleme të albanologjisë, që tërhoqën interesimin dhe vëmendjen e këtij dijetari zulmëmadh në fushën e shkencës, ashtu ndodhi edhe me romantizmin, me siguri jo rastësisht. Them jo rastësisht, sepse romantizmi si formacion stilistik dhe si lëvizje kulturore mbarevropiane, që shënon lindjen e një epoke të re dhe një kthesë të rëndësishme në rrugën e zhvillimit të letërsisë dhe të artit në përgjithësi, nuk mund të mbetej larg kureshtjes shkencore të një dijetari të tillë të madh, siç ishte Çabeji.

Prandaj, iu përvesh punës dhe më 1945 shkroi studimin “Romantizmi në Europë Lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare”, i cili doli në ditë më 1994, pas vdekjes së tij[1].

Studimi “Romantizmi në Europën lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare”, ndahet në tri pjesë, pa tituj të veçantë, por me shifra romakë : I, II, III.

Në pjesën I, ai vë në dukje se: “Të dy lëvizjet mendore të mëdha të Europës perëndimore, në shekullin XVI humanizmi dhe renesanca, në lëmën kishtare-religjioze reformacioni dhe kundërreformacioni, në shekullin XIX romantizmi, e si dukje përcjellëse të këtij në fushën sociale politike pasojat e Kryengritjes frënge, midis tyre lindja e nacionalizmi: këto lëvizje të të dy shekujve të mëdhenj ushtruan ndikimin e tyre të thellë në Europë lindore e juglindore dhe kontribuan këtu në mënyrë të fortë për lartësimin e shpirtrave[2].

Pasi trajtohet lindja, përhapja dh zhvillimi i Humanizmit e i Renesansës, ai kalon në shqyrtimin e Reformacionit dhe të Kundërreformacionit, jehonën që patën dhe ndikimin që ushtruan mbi letërsitë e këtyre trevave, duke shkruar, ndër të tjera: “Sa për Gadishullin e Ballkanit, kundërreformacioni..., s’kish pse të ishte i drejtuar kundër kishës së Luterit. Mirëpo, në këto vise ishte shfaqur një armik më i madh, islamizmi. Kjo fe, e mbështetur te armët e një perandorie të fortë, kanoste jo vetëm katolicizmin..., po edhe kishën greke-orttodokse. Detyra e re qe pra këtu ruajtja jo e një kishe, po e krishtërimit mbarë. Edhe këtu lufta u vazhdua ma armët mendore. Po ta shikojmë pra, çështjen në lidhje me këto fakte, atëherë kuptojmë pse monumenti më i vjetri që njohim në gjuhën shqipe, libri i lutjeve të Gjon Buzukut, është i viti 1555, pra i kohës së humanizmit dhe kundërrefomacionit”.

Pastaj, autori vë në dukje sesi i kishte lindur ideja për trajtimin e romantizmit, e veçanërisht për përhapjen e tij në Europën Lindore dhe Juglindore, dhe shkruan:

“Sot e dhjetë vjet kam shënuar shkurtas dhe që atëhere përsërita disa herë që romantizmi, duke dalë nga Evropa perëndimore, u përhap dalëngadalë edhe në Evropën e Lindjes e të Juglindjes dhe se këto vise i arriti pjesërisht pas një ose më shumë se një brezi: ku ky në Perëndim kishte kohë që ishte zhdukur dhe kishin dalë këtu të tjera rryma letrare: realizmi, natyralizmi e simbolizmi.”[3]

Lidhur me përhapjen e romantizmit në letërisnë shqiptare, Çabeji shkruan: “Përsa i takon posaçërisht literaturës shqiptare, tërhoqa vëmendjen, besoj për herë të parë, te karakteri romantik i vjershës së Naim Frashërit dhe këtë anë të veprës së tij e ndoqa shkurtimisht edhe në tiparet e saj të veçanta.”[4]

Pas këtij konstatimi kalon në paraqitjen e shfaqjes dhe themelimit të saj si shkollë në Gjermani që nga fillimi i shekullit XIX, madje edhe para se të dilte emri “romantik”, që në gjysmën e dytë të shekullit XVIII për të shprehur frymën e kohës dhe si atmosferë shpirtërore. Pasi përmend me radhë në Angli peshkopin Thomas Percu, i cili më 1765 botoi këngët dhe baladat popullore skoceze e angleze, më 1770 botimin e “Ossianit” të Macphersonit, i cili, shkruan në stilin e baladave të moçme skoceze, madhëronte botën e zhdukur të heronjve keltë të Mesjetës, gjë që, me përshkrimet e natyrës së Nrodit ndezi shpirtrat e kontinentit, midis të cilëve edhe Geothen e ri, edhe i nxiti kudo poetët që ta imitojnë, pastaj “Mendimet e natës” të Edward Youngut, vepër kjo që i la gjurmët edhe në poezinë vetmitare të Friedrich Holdelinit në Gjermani.

Duke folur mbi ndikimin që ushtroi Rousseau-i me vendosjen e tipit të njeriut të natyrës përballë njeriut të qytetëruar, i cili u bënë jetën sociale një përgatitës i Revolucionit frëng, kurse në letërsi prijësi i një kohe të re, ndërsa për Chateaubriand-in thotë se”... solli në literaturën frënge atë mall për vende të mërguara dhe atë ndjenjë religjioze, të cilat u bënë më vonë pë romantizmin elemente kryesore. Në veprat e këtij shkrimtari na del përpara shtati i atij heroi, i cili, duke jetuar në armiqësi me mjedisin e tij, mbetet përgjithmonë rob i pesimizmit në jetë, i ‘mal du siecle-it.’ Ky hero rron i vetmuar, prandaj edhe romantizmi është poezia e vetmisë. Kështu ky autor me shkimet e tij si dhe me jetën e tij vetë që jetoi u bë modeli i të gjithë brezit të poetëve romanikë të Francës.”[5]

Zanafillën e romantizmit të letërsisë gjermane, Çabeji e shpjegon kështu: “Në Gjermani “ Stum und Drang-u” deshi një përsëtitje të jetës dhe të letërsisë. Më 1778-79 Herder – i botoi veprën Këngë popullore, që e ribotoi më vonë me titullin Zërat e popujve në këngën popullore. Kjo çeli një epokë të re në liteatuë, se tani kënga popullore hyri të bëjë pjesë në të dhe zuri vendin e vet, aq të rëndësishëm sa edhe poezia e arti. Për herë të parë ishin mbledhur këtu këngë popullore frënge, angleze, skoceze, gelike, nordike, skalde, daneze, gronlandeze, lapone, gjermane, lituane, leone, estone, italiane, spanjolle, polake, greke ej., shkurt pra, këngë evropiane si dhjashtë Evropës, si këngë peruane.”[6]

Më poshtë flitet për ndikimin që ka ushtruar Herder-i te kombet e vogla të Evropës Lindore dhe Juglindore, kujdesin që i kushtojnë romantikët mbledhjes së këngëve e të përrallave popullore, frymën romantike të Weterit dhe të Fausit të Goethe-s dhe ndikimin e këtyre dy veprave të tij në personazhin te Iacopo Ortis i Ugo Foscolo-s dhe Manfredi i Lord Byon-it.

Duke folur për zhvillimin e romantizmit në letërsinë gjermane, ai, ndër të tjera, shkruan:

“Jo më kot romantizmi hovin e tij të parë e mori në Gjermani dhe u themelua këtu për herë të parë si shkollë. Kjo puqet me natyrën e këtij kombi dhe me të kaluarën e tij historike. Në këtë vend me lëvizjen e re të romantizmit fillon përgjithësisht edhe një epokë e re artisike e mendore: kështu këtu përkrah literaturës romantike ndeshim edhe një muzikë romantike të rëndësishme dhe një filozofi romantike.”[7]

Si njohës i mirëfilltë i kulturës dhe i letërsisë gjermane, ai bën fjalë me radhë për qarqet si: qarkun e Jenës me vëllezërit Schlegel dhe Tieck-un, që u themelua më 1796, pastaj filozofët Schelling e Schleiermacher, piktorin Wackenroder dhe romantikun më të thjeshtë Novalis. Qarku më i vonë i Heidelbeg-ut u formua rreh Brentano-s dhe Arnim-it, të cilët botuan këngët popullore të moçme gjemane, ku bënin pjesë edhe Eichendorff-i dhe Uhland-i, pastaj vëllezërrit Grimm, etërit e studimit të përrallës.

Duke folur për tipare dalluese të romantizmit, Çabej përmend ndjenjen e të qenit lajmësit e një letërsie të re, kontrastin ndaj poezisë klasike: në Gjermani përkundrejt Schiller-it (sidomos te vëllezërit Schlegel), në Francë kundejt klasicizmit të shekullit XVII e XVIII dhe konstaton se Shakespeare-i dhe poetët spanjollë si: Cervantes –i, Lope de Vega dhe Caldeone de la Barca patën përkundrazi një ringjallje.

Në pikëpamje pozitive, si element të ri, ai merr mallin e largësisë dhe, lidhur me të, shkruan: “Largësia, qoftë largësi në pikëpamje të vendit, qoftë në pikëpamje të kohës, kjo largësi, e cila në të gjitha kohët ka ushtruar magjinë e saj mbi njeriun dhe e ka shtyrë këtë të gjurmojë vise të largëta si dhe epoka të largëta të historisë, është ajo që karakterizon me forcë romantikët, vetëm largësia e mëtejme nëvende si dhe në mote mund të shuante mallin e njerëzve të tillë, të cilëve nuk u mjaftonte kjo botë. Nga kjo shpiegohet largimi i romantizmit në kohë të mesme. Kjo është një epokë, të cilën në viset e Evropës perëndimore e ndjenin si kohën e madhërisë nacionale, sidomos në Gjermani, por edhe në Angli, në Francë e në Itali. Ishullin e largët imagjinar, në të cilin Haine e quajti një herë Bimin, Eduard Morike Orplid, dhe i cili në gojëdhënat e popujve të Nordit rronte me emrin Thule, këtë ishull të përrallshëm mund ta këqyrim si simbolin e mallit romantik. Ky mall projektohet pra në largësi dhe në një largësi të dyfishtë: gjeografikisht priret nga Orienti, në pikëpamje të kohës nga Mesjeta.”[8]

Si një tipar tjetër dallues midis klasicizmit dhe romanizmit., Çabeji përmend kontrastin. Kështu, përfaqësuesit kanë anuar më fort nga bota antike. Duke e zbërthyer edhe më thellë këtë kontrast, ai vë në dukje se ky kontrast përmban në vetvete edhe një tjetër, një kontrast artistik-religjioz dhe shton se: “Kulti i poetëve klasikë për botën antike shfaqet edhe në nderimin e paganizmit antik. Përkundrazi është një gjë e natyrshme që romantikët me dashurinë e Mesjetës lidhën edhe adhurimin e krishtërimit që mbërriti në adhurim të katolicizmit dhe të simboleve të tij. Kjo ndjenjë nuk është një entuziazëm vetëm artisik siç qe entuziazmi për botën pagane. Dashuria që patën romantikët për krishtërimin që prej Chateaubriand-it qe një ndjenjë e vëretetë, një qëndrim shpirtëror. Jo rrallë kjo dashui arriti gjer në ekstazën mistike. Një shkallë e tillë e zjarrit fetar dhe si te Novalis, pemët më fisnike të poezisë.- Këto dhe të tjera nuk formojnë gjithçkanë e lidhjeve që bashkojnë këtë brez poetësh, ndërmjet tyre. T’i këqyrim historikisht, këta janë të gjithë pjella e Rousseau-it dhe e Kryengritjes frënge. Të gjithë panë dhe rrojtën agimin dhe perëndimin më të vonë të një epoke epike-heroike të historisë/ Kjo epokë u mishërua te Napoleoni. Të shikuar nga kjo pikëpamje, të gjithë këta poetë janë Napoleonidë, epigonë letrarë të kësaj figure historike të madhe. Mund të themi se ata vezhduan në poezi epokën e re që pat aguar përmbi Europë.”[9]

Më poshtë, Çabeji vëren se, përveç elementeve të përbashkëta, që i lidhin poetët romantikë me njëri-tjetrin, tek ata vërehen edhe tipare nacionale. Kështu, derisa në letërsinë frënge mbizotëron nota sociale, lufta për idenë e lirisë dhe për të drejtat e njeiut, romantikët gjermanë themelohen më fort në jetën e brendshme të individit dhe kanë për objekt trajtimin e dramës së njeriut përkundrejt mjedisit. Burimin e kësaj note subjektive e gjen në shpirtin nordik, sepse një tipar të tillë dallues ndeshim edhe në letërsinë skanidanve dhe shton: “Veçse te këto konstatohet një ndryshim poetik: Këtu te përshkrimi i jetës së individit dhe i luftës së tij më duket se në trajtimin poetik të lëndës na del përpara forma epike. Ndërsa gjetiu autori zgjedh një periodë të njeriut, atë që atij i duket më e rëndësishmja, dhe këtë period trajton, shkrimtarit nordik i pëlqen të këndojë jetën e njeriut si të tillë që nga fillimi, duke e ndjekur nëpër etapat e ndryshme të saj, gati si një dramë me shkallë kohësore të ndryshme.Kështu që këtu mund ta rrojmë lindjen vetë të njeriut, pastaj jetën e tij dhe së fundi mbarimin.”[10]

Si shembull për këtë prirje përmend veprat narrative të Selma Lagerlöf-it, Sigrid Undset-it, të Knut Hamsunit, kurse në fushën e dramës Perr Gynti-n e Ibsenit. Duke shkoqitur më tej këtë karakteristikë vëren se, me gjithë trajtat e përbashkëta që kanë letërsitë nordike me letërsinë gjermane, prapëseprapë ekziston një dryshim midis tyre sidomos në mënyrën e trajtimit të lëndës poetike, ndryshim ky që, si duket deri më tash ka rënë pak në sy. Mirëpo, “kthimin në unë-n, subjektivizimin refleksiv e kanë të përbashkët të gjitha këto.” (f.nota 11).

Në fund thekson se ky ndryshim nuk duhet të merret si një ndryshim kualitativ, po më fort si një ndryshim tipologjik. Prandaj, duke vijuar më tej shqyrtimin e këtij problemi, shkruan: “Kjo nuk do të thotë se idetë sociale në Gjermani, poezia e unë-s në Francë nuk kanë gjetur kurrkund këngëtarin e tyre; veçse një vështrim historik i të dy literaturave do të vërtetojë përpjesëtimin që vendosëm më sipër. Përveç asaj ky ndryshim nuk duhet marrë si një ndryshim kualitativ, por më fort si një ndryshim tipologjik.”[11]

Duke përimtuar më tej këtë poblem ai konstaton se te romantikët frëngj, me gjithë individualizimin dhe me gjithë distancën nga zhurma e botës, të cilat e shquajnë romantizmin përgjithësisht si lëvizje evropiane, na dalin qartas përpara përpjekjet për idetë sociale e politike dhe shënon: “Misionit të poeti frëng, që përveçse si poet të veprojë si përmirësues kombëtar, i mbeti besnik edhe brezi i romantikëve. Përkundrazi “lulja e rimtë” e Novalisit, simboli i mallit romantik, dhe ‘nota magjiplote me hënë’ e Tieck-ut janë karakteristike për natyrën dhe drejtimin e romantizmit gjerman. Largimi në viset e përrallës e të këngës popullore, të cilat nuk vërehen në romantikën e Francës, janë aq karakteristike për romantikët gjermanë sa është karakteristike për romantikët frëngj lufta për idetë sociale e nacionale”.[12]

Duke shtrirë këtë krahasim në romantizmin anglez, me gjithë mëvetësinë që e shquan, thotë se ai: “bashkon në vetvete që të dyja tiparet polare, të cilat i njohëm më sipër si karakteristike për poezinë gjermane e për poezinë frënge: Endërrimin e qetë e larg nga bota e duan ‘poetët e liqenit’, Goleridge, Wordsworth dhe shokët e tyre, të quajtur kështu nga liqenet e Westmolerandit, buzë të cilave u pëlqente të banojnë.”[13]

Pastaj vëren se dy nga përfaqësuesit më të dalluar të romantizmit anglez, Byron-i dhe Shelley, hyjnë në luftë me një kohë të tërë dh me një mjedis të tërë. Mirëpo, thekson se ky kundërshtim ndaj rrethanave të asaj kohe, që e dallon romantizmin anglez nga romantizmi i viseve të tjera, por, pikërisht karakteri kozmopolit, i cili, për shkak të rrethanave historike u bë një cilësi e veçantë e këtij kombi, që shfaqet edhe te poetët e tij: largimi romantik në vise të largëta të historisë është për Byron-in dhe Shelley-n aq karakteristik sa dhe qëndrimi i tyre i gjatë në Jug, vdekja e tyre në dhe të huaj, vdekja e Byron-it për lirinë e një populli të huaj dhe shton: ”Me këtë mënyrë ky poet u bë idoli dhe modeli i një brezi të tërë ndër poetë të kontinentit – poet europian si mbase asnjë tjetër nga bashkëkohësit e tij. Ndikimi i tij u përhap edhe në atë vend ku ai kaloi vitet e fundit të jetës: në Itali.”[14]

Në fund të kësaj pjese, Çabeji flet përmbledhtas për përhapjen e romantizmit në Perëndim, duke përmendur Spanjën, viset skandinave dhe Rusinë.

Duke bërë fjalë për mënyrën e përhapjes së romantizmit, ai vëren se në Spanjë romantizmi u përhap nga Franca dhe nga Anglia dhe konstaton: “Drejtimi katolik i romantizmit gjeti këtu te ky vend kalimi i katolicizmit një tokë pjellore ashtu si gjetën idetë politike të ardhura nga Franca. Edhe në Portugali shohim ndikimin e romantizmit anglez me Byron-in në krye. Në Veri lëvizja e re shtegtoi prej Gjermanie, që një ndikim i poezisë dhe i filozofisë gjermane. Në Rusi qe sidomos poezia e Byron-it ajo që ndezi shkëndijën te Pushkini i ri. Fryma romantike nga Pushkimi kaloi te Lermontovi, nga Lermontovi te Gogoli. Me këtë shkrimtar literatura ruse nis të ndjekë rrugën e vet, të cilën e pat çelur Pushkini: ajo hyn tek ai shteg i realizmit social, të cilit i mbetej besnike këtej pari dhe në të cilin qëndron origjinalitei i asj. Duhet shënuar se romantizmi në këtë vend zhvilloi dhe një muzikë të rëndësishme.”[15]

Në pjesën e dytë të studimit të tij, Çabeji trajton romantizmin në Evropën Lindore dhe Juglindore si: në Finlandë, në Estoni, në Letoni, në Lituani, në Poloni, në Çeki, në Slloveni, në Hungari, në Rumani, në Bullgari, te grekët, e serbët, te kroatë dhe te sllovenët.

Që në fillim ai i parashtron tezat që do t’i trajtojnë në këtë pjesë të sudimit të tij, të cilat i formulon në formë pyetjesh si vijon:

“Ç’humbi romantizmi nga karakteri i tij origjinal në kalimin që bëri për në këto pjesë të Europës? Cilat anë përkundrazi i zhvilloi në mënyrë të veçantë? Cilat anë të reja i zhvilloi përgjithësisht nga e para fare? Në këtë çështje desha të hyj këtu pak më imtas.”[16]

Gjëja e parë që vihet në dukje është se romantizmi solli në këto vise një agim të letërsisë. Derisa në letërisnë e Evropës Perëndimore ekzistonte më parë një tradië letrare e fortë dhe e gjatë, kështu që në to romanizmi zë vendin e një epoke letrare të mëparshme, ndërkaq në Evropën Lindore dhe Juglindore, duke përjashtuar shkrimet liturgjike, nuk ekzisonte ndonjë letërsi në kuptimin e plotë të fjalës. Madje edhe visaret e poezisë popullore kishin mbetur djerr. Me përhapjen e romantizmit në këto anë filloi interesimi i këtyre popujve për poezinë popullore dhe filloi përlindja e letërsisë së shkruar.

Duke folur për dallimet midis romanizmit të Evropës Lindore dhe Juglindore dhe romantizmit të Evropës Perëndimore, autori thekson trajtën mendore të këtyre kombeve të Lindjes dhe të Juglindjes dhe shkallën e kulturës së tyre dhe konstaton se: “Mungesa e shpirtit spekulativ, e cila i karakterizon këto kombe të mbetura prapa në shumë pikëpamje, pati për rrjedhim që problemet e jetës edhe të shpirtit nuk u bënë këtu aq shqetësues si gjetiu në Evropë”[17].

Këtë bindje të tij e ilustron duke përmendur këto argumente:”... këtu mungon kulti i individit në kontrastin e tij me mjedisin; mungon pastaj largimi i poetit nga realiteti, fluturimi i tij pegasik në kohë të largëta; lumturia në ndjenjë; malli i larguar nga kjo botë, i trupëzuar te lulja e rimtë; jeta në ëndërr, e simbolizuar me natën magjike të ndritur me hënë; ajo ndjenja intime e natyrës që e bën artistin ta ndje veten një me natyrën; kulti i gruas, e cila në Perëndim bash në kohën e romantizmit ka luajtur një rol kryesor (Karoline Schlegel, Mme. De tael, Georg Sand); ndjenja religjioze dhe idealizmi mistik; ironia romantike.”[18]

Duke vënë në dukje pikërisht mungesën e atyre veçorive, të cilat e karakterizojnë romantizmin si të tillë, Çabej vete aq larg sa detyrohet ta shtrojë edhe pyetjen: ”A mund të flitet më këtu për romantizmin?”[19] Dhe i jep të drejtë A. Narciss-it, i cili romantizmin e Evropës Lindore e cilëson si romantizëm realist.[20]

Duke elaboruar më tutje këtë mendim, ai shton se atë që humbi këtu romantizmi në përmbajtje të brendshme poetike, e kompensoi në efekin e ij në pikëpamje sociale-poetike. Pastaj vë në dukje se ideja nacionale që lindi në traullin e Italisë, për shkak se populli italian rronte në robëri, gjeti mundësi së arrijë një zhvillim të vrullshëm në Evropën Lindore dhe Juglindore dhe u bë një nga veçoritë kryesore të çdo poezie romantike dhe shton:

“Kjo rrjedh nga rrethanat historike të këtij trualli. Këtu rronin popuj, pjesa më e madhe e të cilëve kishin vuajtur shekuj me radhë nën zgjedhën e huaj. Për këta, lëvizja nuk qe vetëm një pranverë letrare, ajo u bë pranvera e lirisë dhe e zgjimit të ndërgjegjes së vetvetes. Qëllimi veçanërisht i kombeve të Ballkanit që shkeputja nga blloku osman, individualizimi nacional; kijimi i një shteti kombëtar, i një literature të vet dhe i një gjuhe letrare.”[21]

Mirëpo, vijon më tutje Çabeji, për arsye të shkallës përgjithësisht të ulët të kulturës, së poetit e shkrimtarit i takoi misioni i prijatarit të lirisë: “...i edukatorit politik dhe i apostullit, shpeshherë edhe roli i politikanit. Nuk është çudi që në rrethana të këtilla interesat artistike-estetike nuk e zënë te poeti vendin e parë, sepse këtë e pushton vepimtaria e përjashtme.”[22]

Duke trajtuar pasojat e nacionalizmit që zgjoi romantizmi te popujt e Ballkanit, ai vë në dukje anën e tij negative, sepse kushtëzoi lindjen e shovinizmit dhe shton: “Siç ndodh shpeshherë me kombet e vogla, nderimi i vlerave të polemit të vet pati për pasojë që këto vlera shumë herë u çmuan më lart se ç’duhej. Kjo qe ana negative e këtij zhvillimi; ajo dha shkas më vonë për kërkesa dhe pushtim territorial dhe helmoi kështu në mënyrë të shumëfishtë marrëdhëniet midis kombeve.”[23]

Syrit të tij të mprehtë prej studiuesi, siç ishte Çabeji, nuk shpëtoi dotë as ndihmesa e madhe e romantikëve në lërimin e gjuhës amtare, e cila u manifestua në mënyrë të veçantë në lëmin e studimit të poezisë popullore dhe të folklorit në përgjithësi, për të vënë në dukje pastaj se: ”... me këtë prirje nga kombi romantizmi i Europës lindore i afrohet romantizmit gjerman: në ndryshim me vise romane, në të cilat studimi i poezisë popullore i mbeti barrë një kohe më të vonë, një kohe shkencore. Shkaku i kësaj lidhjeje qëndron te fakti se sidomos në viset sllave e baltike romantizmi për arsye gjeografike hyri kryesisht nga Gjermania. Fryma e Herderit, i cili mund të themi se qe ai që e zbuloi poezinë e popujve të Europës lindore, hyri te këta popuj vetë dhe i nxiti këta të thellohen në poezinë popullore, sidomos në këngë dhe në përralla.“[24]

Si gjuhëtar i mirëfilltë që ishte,ai rrah të gjitha aspektet që kishin të bënin me lërimin e gjuhës së atyre popujve të Evropës dhe vë në dukje se kjo barrë e rëndë ra mbi supet e poetëve të tyre të asaj periode dhe vështirësinë kryesore sheh në përndarjen e këtyre gjuhëve dhe në shkallën e zhvillimit të tyre dhe shton: ”Në pikëpamje gjuhësore Europa Lindore dhe Juglindore është pikësëpari më e përçarë sesa Perëndimi. Këtu në Perëndim disa troje gjuhësore të mëdha ngjatë njëri-tjetrit, atje në Lindje një numër i madh nacionesh më të mëdha e më të vogla, dhe çdo komb me gjuhën e tij të vetën. Këto gjuhë ndodheshin atëherë dhe ndodhen shumica edhe sot në stadin e dialekteve,në përshtatje me gjendjen kulturore-sociale të këtyre popujve, të cilët për një pjesë të madhe nuk përbëjnë edhe një nacion. Detyra qe që ndërmjet këtyre dialekteve njëri të ngrihej e të bëhej gjuha e shkrimit ose që nga disa dialekte të mbruhej një gjuhë letrare; kjo gjë i përgjigjej dëshirës paralele e të natyrshme për një unitarizim në pikëpamje nacionale-politike. Një tjetër vështirësi qëndronte këtu te fakti se këto gjuhë përgjithësisht nuk ishin ende të formuara si gjuhë shteti dhe si gjuhë kulture, dhe pjesërisht nuk janë as edhe sot.”[25]

Duke trajtuar në mënyrë komplekse këtë problem, Çabej thekson se, me gjithë visarin e kulturës materiale, shumicës së atyre popujve u mungonin shprehjet e jetës së një kulture të rafinuar, për të shtuar pastaj se me lindjen e nacionalizmit në shekullin e kaluar ata arritën të kuptojnë se një ndër elementet që përbejnë një komb është gjuha, prandaj:”... iu përveshën me zell lëvrimit të gjuhës amtare. U pa nevoja të kryhej punë pionieri: të çelej pylli i dendur, cungjet e gjalla, të gdhendeshin lëndë e dërrasa dhe këto të lëmoheshin. Është një gjë karakteristike se në këtë punë morën pjesë jo vetëm poetët, shkrimtarët dhe gazetarët, për gjithë shtresa e intelektualëve u bë pjesëtare kjo çështje nacionale. Po të këqyret fund e krye visari i madh i fjalëve që u krijuan rishtas në gjuhën e Europës Lindore dhe Juglindore prej lëndës së parë të gjuhës së vet, atëherë mund të kuptohet përparimi i madh që është bërë në këtë drejtim. Ajo që në Europë perëndimore është përfundimi i një zhvillimi të natyrshëm dhe të ngadalshëm që zgjati shekuj me radhë, këtu u desh të kryhet në disa breza.”[26]

Një veçori tjetër të rëndësishme të romantizmit këtu, të cilën e thekson në mënyrë të veçantë Çabeji, që kanë treguar për çdo elementar kombëtar është”... lavdërimi i së shkuarës së kombit në poezi, mbrujtja poetike e periodave të ndryshme historike të vendit sidomos nga koha e mesme. Kjo pikë është, siç shohim, një tipar të cilin romantizmi i Europës lindore e ka të përbashkët me omantizmin e përgjithshëm europian.”[27]

Si përfundim, ai thekson se literatura që u ngjall në Europën Lindore dhe Juglindore nga romantizmi, zhvilloi kryesisht anën nacionale-politike dhe shton se kjo tendencë përfshiu jo vetëm veprat thjesht letrare, po edhe të gjitha shkrimet, si: “librat shkollore, librat popullore e kalendaret dhe jo më në fund edhe shtypin e shkrimet shkencore.”[28]

Pastaj autori kalon në vështrimin e shkurtër të zhvillimit që mori letërsia në trevat e ndryshme të kësaj pjese të Evropës si: në Filandë, në Estoni, në Letoni, në Lituani, në Poloni, pastaj te çekët, sllovakët, në Hungari, në Rumani, ndër bullgarët, grekët, te sllavët e Jugut si: serbët, kroatët dhe sllovakët, duke përfshirë përmbledhtas përfaqësuesit kryesorë të romantizmit të letërsive të tyre dhe duke cekur më parë edhe ndikimin që patën nga humanizmi, reformacioni dhe kudërreformacioni literaturat e këtyre popujve.”[29]

Në pjesën e tretë trajtohet gjerësisht romantizmi në letërsinë shqiptare. Në fillim, Çabej e njofton lexuesin e studimit të tij se: “Përmbi themelet etnografike-kulturohistorike, që vijnë në konsideratë për gjenezën e kësaj literature, d.m.th. përmbi popullin dhe poezinë e tij, kam folur gjetiu dhe si të tilla atëherë këto: gjeografia dhe karakteri i vendit; emri i popullit; fuqitë centrifugale në historinë dhe karakterin e popullit shqiptar; rryma centripetale të huaja; Shqipëria midis Perëndimit dhe Lindjes; fiset; karakteri konservativ i zonave malësore të anëve; njësia e kombit dhe shpirti i kombit; poezia popullore.”[30]

Duke vijuar shqyrtimin e romantizmit shqiptar, që në fillim ai shtron nevojën e sigurimit të bazës historike të letërsisë shqiptare, duke e arsyetuar kështu: ”Përpara historisë së literaturës shqiptare duhet shkruar historia e Shqipërisë. Kjo duhet të jetë histori e vendit dhe e polenit dhe njëkohësisht një histori e jashtme dhe e brendshme. Me fjalë të tjera një histori e pushtuesve të huaj të vendit dhe një histori e shqiptarëve në qëndrimin që mbajtën m shoqi-shoqin përballë të huajve.“[31]

Pasi thekson faktin se pozita gjeografike në këtë pikë të Adriatikut e ka vulosur përgjihmonë faktin historik të popullit shqiptar, ai vë në dukje lashtësinë e tij në Gadishullin Ballkanik, si stërnipër të fiseve ilire, të pëziera me fise trake dhe konstaton se: “Po të krahasojmë truallin e banimit të ilirëve në kohët historike, të cilët mbanin krejt viset e Lindjes së Adriatikut gjer thellë në Hellas, me tokën ku shqiptarët flasin në gjuhën e tyre, do të shohim se kjo tokë është një vend reduksioni: rezultati i erozionit e i thërmimit të ngadalshëm të zonave të anës. Ky proces është shkaktuar kryesisht nga ndikimet dhe nga pushimet e popujve të huaj.”[32]

Në këtë studim, Çabej flet gjerësisht edhe për ndikimet reciproke në lëmin e kulturës ndërmjet shqiptarëve, grekëve, romakëve, gotëve dhe osmanëve.

Nuk ka fije dyshimi se në këtë studim ka rëndësi të veçantë për letërsinë shqiptare trajtimi i romantizmit tonë, të cilin e gjurmoi me përkushtim të veçantë Çabej.

Pasi përmend në fillim faktin se në shekullin XIX idetë e lirisë, që u përhapën anembanë Europës me Revolucionin Francez dhe me luftërat e Napoleonit, konstaton se ato arritën edhe në Shqipëri. Kështu edhe këtu:”... doli një brez i ri poetësh dhe shkimtarësh, të cilët pas disa shekujsh apatie nacionale dhe pas shkrimeve liturgjike të mëpara, nën shtypjen e lëvizjes romantike çelën një literaturë nacionale. Këtij brezi, ashu siç ndodhi në gjithë Evropën e Juglindjes dhe në kuptimin që përmendëm më lartë, i ra përsipër një detyrë e shumëfishtë: të dalin përpara si poetë dhe si patriotë, të shpallin idenë e lirisë nacionale dhe të bëhen me shkrimet e tyre edukatorët e kombit. Qëllimi qe ky: të përtërihet gjithësia e nacioni, duke filluar që nga alfabeti e gjer te mbrujtja e një gjuhe letrare dhe te formimi i një literature të vet, në lëmë politike, krijimi i një shteti.”[33]

Këtë rol të dyfishtë, sa letrar aq edhe kombëtar, thotë Çabej, e luajtën dy burra: Girolamo de Rada në Itali (1814-1903) dhe Naim Frashëri në vendin mëmë (1846-1900).

Trajtimin e romantizmit shqiptar ai e nis me poetë arbëreshë të Italisë, duke përmendur në fillim të trajtesës meritën që kishte V. Gualtieri, sepse ai qe i pari që vuri në dukje karakterin romantik të poezisë së De Radës, duke e vërtetuar me argumente të hollësishme. Pastaj përmend librin e vet: “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”, në të cilin, në pajtim me natyrën e këtij libri, kishte folur mbi disa veçori romantike të këtij poeti dhe thekson se me këtë rast t’i merrte në shqyrtim këto tipare më për së afërmi, duke plotësuar kështu mendimet e Gualtierit dhe duke i paraqitur ato personale.

Sipas metodologjisë së tij shkencore tashmë të rrënjosur në gjurmimet e tij shkencore, trajtimin e romantizmit në letërsinë arbëreshëve të Italisë e nis me shkuljen e tyre për në Itali që nga koha kur u pushtua Shqipëria nga osmanët, ku shtegtuan pak më vonë shumë arbëreshë të tjerë nga Greqia, sidomos nga Morea dhe me atë rast përmend visarin e pasur të poezisë popullore, që e sollën me vete dhe vë në dukje se:” Kjo poezi popullore shqiptare është një dokument interesant i jetës mesjetare të Shqipërisë, më sakt i jetës paraturke-bizantine dhe i jetës turke të parë. Këto këngë edhe sot janë të gjalla te këta kolonistë. Së bashku me jetën në katund, në ara e në livadhe, me veshjet e grave, me skenat idilike ndanë kroit këto këngë përbëjnë atë magji të posaçme së cilës asnjëiri nga ata që kanë vizituar këo ngulime nuk ka mundur t’i shpëtojë. De Rada rrojti dhe u rrit në këtë mjedis, koloriti etnik i të cilit në shekullin e kaluar ruhej shumë më mirë sesa në kohën e sotme të makinës.”[34]

Çabej përmend edhe interesimin që shfaqi De Rada për këngët popullore, kështu që, bashkë me Niccolo Jeno de Coronei-n, botimi përmbledhjen “Rapsodie d’un poema albanese”, më 1866.

Kurse, duke folur për ndikimin që pësoi ai nga poezia popullore, Çabej shkruan:”... Sidoqoftë De rada e jetoi si artist këtë poezi.

Poezitë e tij ngjajnë sikur të ishin një vazhdim i kësaj poezie popullore, një plotësim, një mbushje e plasave që ky epos (siç e besonte ai për këto këngë) paraqiste pas mendimit të tij. Po t’i krahasojmë të dy poezitë njërën me tjetrën, na bie në sy gjasia e tyre formale: në të dyja shohim të njëjtin ritëm, janë të njëjtat vargje tetë-, shtatë-, gjashtë- dhe pesërrokëshe, të dy poezitë i përshkon e njëjta frymë epike-lirike; në të dyja kallëzimi epik kalon nganjëherë në dialog dramatik, një dukje kjo që është karakteristike për poezinë popullore shqiptare. Edhe figurat e krahasimet që përdor poeti janë sajuar në frymë të poezisë popullore.”[35]

Pastaj ai vë në dukje se te De Rada janë veçori romantike si mbështetja te poezia popullore, ashtu edhe dy tipare të tjera: thellimi në të kaluarën e kombit dhe glorifikimi i Mesjetës.

Çabej vë në dukje si një veçori tjetër të romantikëve edhe rolin që ka luajtur gruaja në jetën dhe në poezinë e tyre. Prandaj, lidhur me të, për De Radën shkruan: ”ai është i pari këngëtar i shpirtit të gruas në literaturë shqiptare. Figurat e tij femërore, që nga bujaresha Serafina Topia gjer te vasha fshatare e thjeshtë, te e bija e Kologresë në veprën e risisë “Milosaat”, janë vizatuar mbase më mirë në veprat e tij sesa figurat e burrave. Kjo i përshtatet përgjithësisht karakterit të poezisë së tij, e cila edhe në veprat epike e dramatike është kryesisht poezi lirike.”[36]

Si tipare të tjera dalluesse romantike, Çabej trajton edhe subjektivizmin, pesimizmin, dashurinë ndaj natyrës që e trashëguan romantikët nga Rousseau-i, pastaj entuziazmin, që ushqenin romantikët për kohë të largëta dhe vise të largëta.

Pasi i trajton në përgjithësi tiparet romantike në veprën e De Radës, ai vë në spikamë edhe rolin e tij si patriot:”Po ky qe edhe patriot dhe si mis i një kombi të vogël të robëruar e ndjeu veten të zgjedhur të punojë edhe në këtë fushë më tërë fuqitë e tij. Poeti si për poezinë popullore u ndez edhe për gjuhë, për dialektet shqiptare të Italisë të shkëputura qëmoti nga trungu mëmë.

Çabej flet edhe pë veprimtarinë e De Radës në lëmin e publicistikës. Kështu, ai, me botimin e fletores L”Albanese d’ Italia, më 1848, u bë themelues i gazetarisë shqiptare. Në vitet 1883-1887 botoi fletroen letrare-politike “Flamuri i Arbërit”, e cila u bë flamur i vërtetë i ideve kombëtare dhe e bëri të njohur çështjen shqiptare anembanë Europës në një kohë kur një veprimtari e tillë nuk ekzistonte as në Shqipëri, as në kolonitë shqiptare në Sofje, në Bukuresht, në Stanboll dhe në Egjipt.

Pasi e trajton gjerësrisht De Radën, Çabej flet edhe për ndihmesën që i dhanë letërisisë shqiptare romantikët e tjerë të kolonive arbëreshe të Italisë si: Giuseppe Serembe në Kalabri, Gabriele Dara dhe Guiseppe Schiro në Siqeli.

Pas shqyrtimit të hollësishëm të romantizmit shqiptar ndër arbëreshët e Italisë, Çabej kalon në trajtimin e romantizmit në Shqipëri, duke përqëndruar gjithë vëmendjen e tij kryesisht mbi Naim Frashërin (1846-1900).

Ndryshimin ndërmjet poetëve arbëreshë dhe Naimit, Çabej sheh në rrethanat gjeografike dhe historike dhe shton: “Në pikëpamje gjeografike pozita e ndërmjeme e Shqipërisë midis Perëndimit dhe Lindjes vetëm ka caktuar rrugën e historisë dhe ka ndikuar në ndarjen e feve : ajo i ka dhënë edhe drejtimin literaturës. Bota romake-katolike dhe bota bizantine kryqëzohen këtu edhe në fushën letrare, herë duke ngadhnjyer njëra mbi tjetrën, herë duke jetuar të dyja njëkohësisht dhe paralel njëra me tjetrën; po më shumë duke u shkrirë në një njësi bashkë me lëndën anase të vendit.”[37]

Çabej prek edhe çështjen se cili ishte burimi i romantizmit të Naimit dhe në ç’mënyrë arriti tek ai kjo poezi : “Në shekullin e kaluar në Greqi si dhe në Turqi e në gjithë Levanten sundonte fryma frënge. Qytetërimi frëng, gjuha e literatura frënge ishin shumë më të forta në këto vise sesa ndikimi gjerman, italian, ose anglez... Fryma frënge në këto vise qe përfaqësuese e kulturës europiane. Ndikimi i saj u shtua edhe nga fakti se kjo frymë që u solli këtyre popujve idetë e kryengritjes frënge edhe idenë e lirisë përgjithësisht si dhe nacionalizmin modern. Naimi e kaloi moshën e burrërisë në Stamboll, ku edhe vdiq. Ai ishte njohës i mirë i gjuhës dhe i literaturës frënge, dhe Voltaire-in e Rousseau-in i lavdëron te Istori e Skënderbeut si lajmësit e ideve të reja. Në këto rrethana ka të ngjarë që poeti shqiptar rymën e re letrare ta ketë njohur nëpërmes të romantizmit frëng. Një indic për këtë mendim e gjejmë te fakti se poezia popullore nuk luan asnjë rol te ky shkrimtar.”[38]

Çabej shtron edhe problemin e përcaktimit të vendit të Naimit në planin e rreshtimit të tij si poet në pikëpamje letrare dhe lidhur me këtë shkruan: ”Naimi hyn në romantizmin e Europës juglindore. Ai si i tillë para së gjithash është një patriot në atë kuptim të përcaktuar më lart për këtë truall të Europës. Naimin njeri dhe poet do ta çmojnë si duhet vetëm atëherë kur krijimin letrar të tij të veshtrojmë nga kjo perspektivë. Poeti e ndjeu veten të dërguar që me anë të fjalës së tij të zgjojë kombin nga gjumi i gjatë i shekujve. Rëndësia e tij qëndron kryesisht këtu, që ai në kohë të sundimit të huaj ndezi pishtarin e lirisë, që e hodhi këtë në literaturë dhe e mbajti ndezur në dorë. Ai përmbushi detyrën që i pat caktuar vetes me cenë të palodhur për krijimin dhe abnegecion asketik. Në të kryer të saj ai derdhi të gjitha fuqitë e tij mendore e fizike dhe në këtë punë shkriu veten në kuptimin e vërtetë të fjalës. Qiriri që ai këndon në një nga vjershat e tij, i cili digjet vetë për t’u ndritur të tjerëve, është një simbol i poetit vetë dhe i veprës së tij: edhe Naimi qe një ditësjellës, edhe si ndezi një ditë që, s’i thotë vetë, t’i jepte vendit të tij të vogël ‘pakëz drië.’[39]

Tema historike ishte një tipar tjetër dallues i poetëve romantikë të Evropës Perëndimore, i romantikëve të Evropës Juglindore dhe të letërsisë shqiptare. Atë e lëroi edhe Naimi në poemën e tij “Istori e Skënderbeut”. Lidhur me këtë, Çabej vëren: ”Kjo prirje na shfaqet edhe te Naimi, por përsëri me nergun (qëllimin ) e caktuar të edukimit etik. Historia sidomos e kombit të vet i dha poetit lëndën për t’i shtyrë të gjallët në vepra nacionale. Kështu shpjegohet që Naimi e mbrujti në një epos figurën e Skënderbeut, heroit kombëtar të Shqipërisë. Ky epos nuk u bë dot epope kombëtare, këtë shqiptarëve ua fali më vonë Gjergj Fishta. Shkaku që ky epos si i tillë dështoi qëndron sëpari natyrisht te fakti që Naimit i mungoi talenti i poetit epik. Kësaj iu shtua poezia perse; se nën ndikimin e kësaj vepre u zgjat tepër.”[40] Pra, këto ishin, me pak fjalë, pikëpamjet e Eqrem Çabejt mbi romanitizmin. Për to mund të thuhen edhe shumë e shumë fjalë, por, për shkak të vëllimit të kufizuar të kësaj kumtese, më se gjysmën e punimit tonë, nuk arritëm ta përfshijmë në këtë punim, prandaj kësaj radhe po e përfundojmë me kaq.



[1] 1.Këtëpunim Çabej shkroi më 1945, kurse doli nga shtypi në shtator 1994, t. 2000 kopje. Verbamundi 1 Estetikë shqiptare MÇM . E përgatiti për shtyp, e bija e Prof.Çabejt – Brikena Çabej. U botua me ndihmën e Fondacionit “Soros”.

[2] Çabej,Eqrem, Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, Tiranë 1994. Romantizmi në Europë lindore e juglindore, f. 69.

[3] Po aty, f. 70-71.

[4] Po aty, f. 71.

[5] Po aty, f. 72.

[6] Po aty.

[7] Po aty.

[8] Po aty, f.73.

[9] Po aty, f.73.

[10] Po aty, f. 74-75.

[11] Po atu, f. 78.

[12] Po aty, f. 78-79.

[13] Po aty, f. 79.

[14] Lidhur me të, Çabej jep në referencë veprën e tij: “Literatura botërore modene, 1890-1931, II, f. 326. Po aty, f. 79.

[15] Po aty.

[16] Po aty, f. 80.

[17] Po aty, f.80-8

[18] Po aty, f. 81.

[19] Po aty, f. 93.

[20] Po aty. F. 93.

[21] Po aty, f. 97.

[22] Po ay, f. 97-98.

[23] Po aty, f. 99.

[24] Po aty, f. 99.

[25] Poaty, f. 101.

[26] Po aty, f. 102.

 

[27] Po aty, f. 79.

[28] Po aty.

[29] Po aty, f. 80.

[30] Po aty.

[31] Po aty, f. 80-81.

[32] Po aty, f. 81.

[33] Po aty.

[34] Lidhur me këtë, shih veprën e cituar të Çabejt, f. 81-93.

[35] Po aty, f. 93. Në referencën e tij, Çabej jep këtë shpiegim: “Këtë e verteton edhe Mali Kokojka, i cili në biografinë e tij Naim be Frashëri, f. 24, ribotim i 1942, flet për gjurmët e Lamartine-it në veprën e Naimit.

 

[36] Po aty.

[37] Këtë N.Jokl-i e ribotoi me përkthimin gjemanisht në revistën “Balkan Archiv”, II, 1926, f. 226-256. Po aty, f. 93.

[38] Po aty, f. 97.

[39] Po aty, f. 98.

 

[40] Po aty, f. 99.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora