E premte, 19.04.2024, 10:10 PM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Edhe Shqipëria dekoron kriminelët e vet!

E hene, 06.08.2018, 07:25 PM


SË FUNDI, EDHE SHQIPËRIA DEKORON KRIMINELËT E VET!

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Që nga Saranda, Vlora, e deri ke Shkodra e Kukësi, Bashkitë Shqiptare kanë dekoruar kriminelët faktikë të Kosovës! Kanë filluar me dekorime pushtetarët lokalë të së majtës, për t`u pasuar nga të djathtët, përkatësisht, Bashkitë me pushtet të PS-së dhe ato të PD-së. Por, të dekoruarit kriminelë, i përkasin vetëm spektrit të majtë të Kosovës. Të dy palët u bënë pjesë e një gare të turpshme, në favorizimin dhe rehabilitimin e krimit dhe të kriminelëve. Ja, deri ku ka arritur degradimi i dy partive qendrore të Shqipërisë!!

Si ndodhi kjo maskaradë panagjerike e zhurmuese, për "heronjtë" kriminelë të Kosovës, tashmë, kuadro të "krahut të luftës", të pa bërë, të fundit?!

Siç thotë gazetarja karizmatike, Kimete Berisha, shqiptarët e Shqipërisë londineze, asgjë nuk bëjnë pa para. Dhe, "komandantët" kriminelë, me gjyqe ndërkombëtare e vendore nëpër këmbë, për afro dy dekada radhazi, paratë i kanë të bollshme. Hajnia zyrtare, e zbutur me termin e huaj - korrupsion -, uzurpimet të pasurive shtetërore e shoqërore, haraçi i përgjakshëm, për të gjitha kategoritë e bizneseve, kontrabanda e bixhozi i egër, i ka bërë milionerë këta bythë-laskuriq të djeshëm. Askush kurrë nuk u ka thënë "puna e mbarë", këtyre leckamanëve të djeshëm dhe bosa të sotëm!

"Komandantët" kriminelë të Kosovës, duke mos pasur origjinë të fisme familjare, hodhën ca pushkë në tym, madje, vranë edhe një policë serb, që tani e festojnë si - epope -, me synimin për të arritur pasurinë e ngutshme. Serbia, nëpërmjet Tiranës zyrtare, social-komuniste dhe Francës aleate e saj, e korruptuan dhe e heshtën UNMIK-un, duke e bërë palë në krime. Buzëqeshja ironike e cinike e Bernard Kouchner-it, përgjaku Kosovën ngeshëm. Dhe, zotëria në fjalë, krimet e LPK-së, ndaj veprimtarëve të LDK-së, i mbulonte me puthjet dhuruese, për "komandantët" kriminelë dhe bandat e tyre, të instruktuara dhe të ushtruara në Shqipëri dhe Francë, për atentatime në pusira, të shqiptarëve që nuk pajtoheshin me ideologjinë sllavo-ruse të tyre.

Pasurimi i përshpëjtuar, me aksion, i "komandantëve" kriminelë, u dha mundësi për të paguar kalemxhinj, për të bërë intërvista-libër, me plot gënjeshtra e falsifikime, duke përvehtësuar edhe luftën e dëshmorëve, të cilët nuk i lidhte asgjë me ata. Ata blenë portale e televizione, që përgadisnin reportazhe, gjoja, për dëshmorët, por, në fakt, flisnin për "komandantët trima", që strukëshin në vende të sigurta, ndërkohë që luftonin ata që nuk arritën ta gëzonin lirinë.

Njollosjes me lakminë e parasë, nuk i shpëtuan as rapsodë të njohur, të cilët edhe këngët, dikur të preferuara për Rugovën dhe heronjtë markantë, i baltosën, duke i bërë pjesë të kengës edhe emrat e "komandantëve" kriminelë, një -tallava- neveritëse.

Kriminelët masiv të Kosovës, kanë qendruar gjithëherë në aleancë të heshtur me njëri-tjetrin. Kur disa syrësh u përballën me gjyqet dhe dënimet, shokët e tyre, që kanë pushtuar shtet e pushtet, u vinin në ndihmë, për t`i liruar dhe rehabilituar. Ishte paraja dhe politika, së bashku, që i "pafajësonin", i lironin "komandantët" e zhytur në krime faktike.

Kosova ishte e vogël për ta mbërthyer gamën e "lavdisë" së tyre, të bëmat, "betejat" dhe "luftërat" e pa data dhe pa vende fushë-betejash! I kemi parë e dëgjuar, se si gazetarët e paguar mirë, i kursejnë "komandantët" me pyetjet, që do t`i nxirrnin bllof, përlavdëraçë pa fije mbulese.

Banditët, kudo i kanë pikëtakimet. Ata e gjejnë njëri-tjetrin lehtësisht. Pazarët në surdinë i gjejnë edhe motivet, për të përligjur dekorimet, edhe pse bartësit e tyre, janë kriminelë me kartelë. Pazari ka kuotë të lartë, por "komandantët", të nisur nga maksima se "qëllimi justifikon mjetet", nuk kursehen. Mjafton që dita dekoruese të jetë sa më e bujëshme dhe e zhurmëshme, që ta marrin vesh miq e armiq se "filan komandanti" u bë "Anëtar Nderi" (ose "Qytetar Nderi"), i "filan Bashkije ose Qyteti", në Shqipërinë Nënë!" Kështu degradoi edhe kjo emërtesë nderuese supreme, njësoj si Hashim presidenti, që shpërndanë dekorata presidenciale, argatëve të tij, fortë të dyshimtë për shumëçka.

Edhe pse Shqipëria është e begatë me kriminelë, të cilët, u shquan për vandalizmin armiqësor, ndaj Atdheut të tyre, duke e përkallë Shqipërinë më 1997, pa kursyer as shkolla, biblioteka, muzeume dhe gjithëçka  të kulturës të brezave shqiptarë, deri tani i kishte heshtur ata, duke u joshur nga pazari i majmë, për t`i nderuar e dekoruar "komandantët" kriminelë të Kosovës.

Personalisht, në cilësinë e gazetarit hulumtues, kam reaguar për këtë shkelje, jo të zakonshme, të protokollit. Dhe, u bëja thirrje Bashkive Shqiptare, të mbajnë njëfarë radhe, njëfarë rregulli, edhe në shpërndarjen e dekoratave. Ndonëse keni zgjedhur një mënyrë unike, dekorimin e kriminelëve, kryesisht, "komandantë" të ideologjisë sllavo-ruse, i dekoroni kriminelët tuaj, vendorë, komandantë të shquar, të skuadrave shkatërruese e përkallëse të Shqipërisë, shefa të skuadrileve vrastare, në ndeshje me bandat rivale, për vjedhje e grabitje të pasurive shtetërore e private, sepse këta të Kosovës nuk i harron Hashim presidenti. Ndonëse vonoi përgjigja, u hatërova, jo pak, pse nuk përfillën këshillën e një burgaxhiu politik, madje, të Burgut të Burrelit, që në botë njihet edhe si "Burgu i Vdekjes"?!

"Sabri selamet" (Durimi shpëtim),- thonë hoxhallarët. Dhe, së fundi, ndodhi "mrekullia!" Shqipëria Nënë nismoi me dekorimin e kriminelëve vendorë. Dhe, përzgjedhja e parë ishte shumë domëthënëse, për të mos thënë unike. Ishte hiç më pak se atentatori i Azem Hajdarit, në hollin e Parlamentit shqiptar, Gafur Mazreku! Bashkia e Hasit e propozon kriminelin e porositur, Mazreku, për "Anëtar Nderi" ("Qytetar Nderi"), për atentatimin e kryetarit të parë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, deputetin e kësaj partie, Tribunin e Demokracisë Shqiptare, Azem Hajdarin!

Ky dekorim është një provokim i rëndë, cinik e kulmor, për të gjithë Shqiptarinë e botës, sepse nderohet me titull të lartë nderi të krahinës së Hasit, një kriminel, që ka atentatuar të parin e Demokracisë Shqiptare, tribunin e përjetshëm, Azem Hajdarin!

Vrasja e Azem Hajdarit, me të drejtë është cilësuar si - Vrasje e Shekullit" -. Madje, është e vetmja vrasje e mirëfilltë politike në Shqipëri. Ndërkohë që, raporti i vrasjeve politike, Shqipëri-Kosovë, është 1 (një) me 1.820 persona!

 

Dëshmitë që faktojnë linçimin zyrtar të Azem Hajdarit

1) Përgjatë fushatave zgjedhore dhe jashtë tyre, kundër Azem Hajdarit u organizuan 4 (katër) atentate. Njëri syrësh ishte edhe ai i pranverës 1998, në Tropojë, kur makinën e tij të blinduar, e goditën 160 plumba. Qe plagosur miku im i studimeve, Bardhyl Pollo, drejtor i RTSH-së, i cili gjendej në të njëjtën makinë me Azemin.

2) Është regjistruar një bisedë zyrtare, në mes të Presidentit dhe Kryeministrit të kohës. I dyti i kërkon të parti, hiç më pak se sa eliminimin fizik të deputetit Azem Hajdarit: "Prania e Azemit në sallën e Kuvendit (Parlamentit), po i jep forcë Sali Berishës, ta marrë fjalën sa herë të dojë dhe të flasë sa të dojë. Po të mos ishte Azemi, Berishën do ta grushtonim, do t`ia ndërprisnim fjalën dhe do ta nxirrnim jashtë". Presidenti aprovoi kërkesën e Kryeministrit, për eliminimin fizik të Azem Hajdarit, duke i thënë: "Bisedojeni çështjen me Ministrin e Brendshëm!"

3) Pazarin për vrasjen e Azem Hajdarit, banda projektuese, e përbërë nga: Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari, Ministri i Jashtëm, Shefi i SHISH-it, e ka bërë me kreun e bandës ekzekutuese, Fatmir Haklaj. Projektuesit zyrtarë, për të humbur gjurmët e krimit të tyre makabër, pas viktimës Azem, donin edhe eliminimin e ekzekutorit Fatmir. Në përpjekjen e parë, nga gjuajta e specializuar, tek një urë, në Tropojë, vritet njëri nga vëllezërit Kërnaja, pjesë e bandës, vëllai i Fatmirit, duke u plagosur rëndë, në kokë, edhe vet Fatmiri. Me gjithë rekomandimin e mjekëve, nuk e nxorën jashtë për kurim, shërim, nga frika e hetimit të mundshëm ndërkombëtar.

Në atentatimin e dytë, në pritë, kur po shkonin për ta uruar Jaho Mulosmanin, për lindjen e djalit, në një pusi-pritë, mbetën të vrarë Fatmir Haklaj, me mikun e tij të bandës zyrtare, Kërnaja, ndërsa Jaho plagoset.

4) Një fakt shumë domëthënës, vetëfolës, se vrasja ishte zyrtare, është se vrasjen e Fatmir Haklaj e bëri pukjani, shoferi dhe badiguardi, truproja i kryeministrit paraprak, i cili, më vonë, do të ekzekutohej me porosi të vëllait të madh të Haklajve.

5) Qysh në minutat e parë të vrasjes, të deputetit Azem Hajdari, lideri i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, denoncoi, me emër e mbiemër, bandën atentatore. Megjithatë, banda e kryesuar nga Fatmir Haklaj, udhëtoi përgjatë asaj nate, me xhipin zyrtar, për në Tropojë. Edhe pse kishte vetëm një rrugë, për në Tropojë, askush nuk e ndaloi bandën vrastare!

6) Shefi i Policisë së Tropojës, Jonuz Hyka, tha se Jaho Salihu ka munguar tri ditë në punë, pikërisht, para dhe ditën fatale, të vrasjes së deputetit Hajdari. Deputeti dhe i ngarkuari me trajtimin e refugjatëve, ikanakëve të Kosovës, Taulanti Dedja, gënjeu me porosi zyrtare, se "Jaho Salihu ka qenë këto ditë me mua në Tropojë!" Qëllimshëm, tropojanin Jonuz Hyka, e dërguan më ngritje, Drejtor të Policisë në Prefekturën e Kukësit. Dhe, pas pak javësh, u ekzekutua në oborrin e shtëpisë së tij, në Bajram Curr, nga përsona të "panjohur!" Pra, ishte një vrasje zyrtare e dëshmitarit potencial Hyka.

7) Vrasja e kreut të pazarit dhe i bandës zyrtare, Fatmir Haklaj, lehtësoi bandën shtetërore, të prirë nga krerët shtetërorë e qeveritarë, për fillimin e gjyqit të - Vrasjes së Shekullit -, Tribunit të Demokracisë, Azem Hajdarit. Tirana zyrtare arrestoi pjesëtarët e bandës: Jaho Mulosmanin dhe vëllezërit Haxhijaj. Ishte një gjyq farsë, për ta përmbyllur, një të fshehtë publike, për të dënuar ekzekutorët, por, jo edhe projektuesit dhe urdhërdhënësit e vrasjes të deputetit Hajdari. Dhe, këta ishin, pikërisht, kupola shtetërore e qeveritare e Shqipërisë, në atë kohë, ndonjë syrësh, edhe në këtë kohë!

Të arrestuarit, jo pse nuk e meritonin ndëshkimin, sepse ata ishin pjesë e bandës edhe në aksionin vrastar, por, pse nuk i shkohej deri në fund gjykimit real, që do të zbulonte krerët projektues të vrasjes, kupolën shtetërore shqiptare.

8) Nderimi aktual i atentatorit të prorositur, Gafur Mazreku, është dëshmi freskuese, se vrasja e deputetit-tribun, Azem Hajdari, është tërësisht politike, është vrasje zyrtare, shtetërore, është linçim, vrasje pa gjyq. Është një çështje që kërkon rigjykim, madje, ndërkombëtar, për ta zbuluar mafijen vrastare zyrtare shqiptare.

Tashmë, shqiptarët e kudondodhur, u bindën, madje, pa hamendje, se krimi zyrtar po mbrohet nga kupola e shtetërore social-komuniste. Dhe - Vitingu -, duhet të fillojë nga krerët politikë, për të arritur ke personeli i drejtësisë, të korruptuar dhe të shantazhuar, nga banda pushtetare dhe bandat e bollshme kriminale shqiptare.

Hurra, shqiptarë! Vazhdoni të dekoroni kriminelët, në Shqipëri dhe Kosovë, për ta faktuar propagandën serbo-sllave, për rrjedhojë, edhe skepticizmin ndërkombëtar, se shqiptarët nuk dijnë të ndërtojnë as shtet dhe as të bëjnë pushtet!!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora