E marte, 19.03.2024, 06:44 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm (5-6)

E diele, 05.08.2018, 10:59 AM


Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 5

Nga Shënimet e atë Gjergjit

Letra e atë Shtjefnit, famullitar në Zllokuqan të Pejës, dërguar ipeshkvit tonë, më cyti të kopjoj kronikat e vjetra e të ndaj pjesët më interesante. Atë Shtjefni kërkonte informacione për një interesim të tij, prandaj i shkruante ipeshkvit: “Imzot, në ndonjanën prej katakombeve asht sarkofagu i mretit. Kam hulumtu gat e gat, kam gjet shumë gjana të vlefshme nga koha e ilirëve, gjyshave tonë. Hasa e mblodha sende të rralla edhe nga mesjeta, kam ba nji muze të vogël, që e ruej me fanatizëm. Po vorri i mretit tonë ma të lavdishëm, nuk me len të qetë. Aq shumë ka mjegullime për te, saqë nuk ia fali vetes, po nuk ia bana hyzmetin kësaj pune. Ju lutem me nepni ndihmën tuaj të çmume, sepse e di se në bibliotekën e françeskanëve ka shënime për këtë punë. Njashtu mund të baheni garantë te Ati i Shejt, që të na e hap bibliotekën...”

Në vazhdim atë Shtjefni i tregonte ipeshkvit sesi i ra trup e tërthorë Shqipërisë nga Shkupi në Shkodër, pastaj tutje në Himarë. Sepse, jo një herë pati vegime sikur Gjergj Kastriotin e rivarrosën: “në bregun e detit Jon, diku në kambë të shkambijve. Kam disa sheja që ma thonë ketë gja, ka disa shpella atje. Jo nji herë shkova në Himarë e Dhërmi, po nuk gjeta ferkem vorri. Më mbërthyn ethet jo pse aventurierë të ndryshëm e lypnin me qiri e me pishë vorrin e më të parit tonë, ata s’e donin për punë plaçke a lavdi, por pse po baheshin pesëqind vjet që askush nuk gjeti shej të tij. Ai la shumë gjurmë, pranej s’ka si të mos e ketë vorrin a shenjat e vorrit diku. Ai la testament për trashëgimtarët e vet, ai testament duhet të gjinet në tokat e Arbnit”.

(Me duhet të shtoj se atë Shtjefnin disa vjet më vonë e vranë në prit xhandarët serbë. Ai nuk e përfilli asnjë rrezik e ndalesë, nuk e kapërdiu asnjë gënjeshtër).

Letra e priftit dardan kurrë nuk mori përgjigje, por mua me mbërthyen ethet e fshehtësisë së këtij varri. Prandaj, i përsërisja leximet e kronikave të vjetra, përpiqesha të gjeja ndonjë fjali që do të ma ndriçonte rrugën, por sikur ngeca në errësirë, në mes një katakombi, i cili fshihte thesare, mbase fare afër meje, kurse unë nuk i gjeja, ashtu sikurse kishin ngecur të gjithë para meje. Asnjë letër nuk më ka intriguar më shumë sesa kjo grishje e atë Shtjefnit. Zekthi më nxiti të rrëmoja ngado që do të shkoja.

Bishtuku i dytë, që ma ndriçoi rrugën e fshehtësisë, ishte raporti i françeskanit, fratit Mhill, drejtuar Ipeshkvisë së Shkupit, shumë vjet më parë:

“Njerëzit bridhnin poshtë e nalt. Niseshin faltoreve të vjetra prej Dodonet te Baba Tomori, masanej ktheheshin nga faltoret e mavonshme. Të vjetrat i lanë shkret, prej faltoreve të reja u zhgënjyen. Druheshin se faltoreve të braktisuna do t’u ketë mbet hatri. Zemërimin e grumbulluen mbrenda si qelbin, kështu që mund t’u hidhnin llavë të zjarrtë. Apo nuk u përvëluen disa herë? Në kulm të hutimit, kur druenin se mos po gabojshin prapë, turma sillej pa Zot e pa atdhe, fenë e moçme e ndalun, të renë nuk e pranun. Ata e paten nji mbret që u printe, ma ha mendja e lypin hijen e tij që t’u rri sipri”.

Frati kërkonte këshillë, më shumë kërkonte ndihmë, sepse donte ta qetësonte turmën e trazuar. “Turma do Zot, ndryshe të përlanë”, shkruante në fund prifti.

Prapë nuk e gjeta përgjigjen e superioreve, megjithëse e kërkova në të gjitha raportet.

Më kishin caktuar të merresha me bibliotekën e Kuvendit, pasi u thashë se jam i interesuar të lexoja kronikat e sivëllezërve që nga raportet diplomatike të Pal Engjëllit, pastaj udhëzimet drejtuar priftërinjve të Arbërisë si të pagëzoheshin të porsalindurit në rrethanat e luftës, e deri te korrespodencat e ipeshkvinjve. Më prisnin një mal me korrespodenca, të shkruara në pergamenë, në lëkurë të regjur e në letra, të mbështjella me lëkurë bualli, po edhe me pëlhurë, të punuara nga punëtoritë e vendit. Më dhanë detyrë të bëja sistemimin e kronikave të vjetra, të cilat u ruajtën në kohë të vështirë në kishat e qytetit e të rretheve. Jam i sigurt se nuk do mërzitesha sikur ta kaloja jetën në këtë ambient, ku librat të grishnin gjithë kohën, kurse dorëshkrimet e vjetra janë trazim që të lënë pa gjumë.

Kështu, pasi iku turku, disa dorëshkrime i mblodhëm nga kishat e vogla të Malësisë e të famullive të lëna pas dore në Rrafshin e Dukagjinit, ku u fut serbi me egërsi; i fshehëm në katakombe a bodrume, sepse kohërat që po vinin ishin të pasigurta. Pushtuesi i velur nga dhuna, po zëvendësohej me një armik mizor që nuk ngopej me vrasje. Raportet e priftërinjve na bënin me dije për mizoritë e pashembullta në tokat shqiptare.

Kohën e pata të kufizuar, prandaj nxitoja si të më ndiqnin prapa. Pas disa javësh më duhej të kthehesha në famullinë e Lezhës ku shërbeja. Koha nuk më mjaftonte as t’i sistemoja si duhet, as t’i kopjoja të gjitha ato që më interesonin. Disa korrespodencave u kthehesha prapë, bashkëjetoja e vuaja me sivëllezërit e mi që vuajtën e hoqën të zitë e ullirit nga Shkupi në Tivar, madje edhe më larg në Nish, ku frati françeskan shkruante në raport sesi e mbajti meshën arbërisht për skizmatikët e gjakut tonë. Ata e dëgjuan fjalën e Zotit në gjuhën tonë pas njëqind vjetësh shurdhërie.

Të përndjekur e të uritur, ata kryenin misionin e vet. Rrallë ankoheshin për kushtet e rënda në të cilat jetonin. Nuk e zinin në gojë asnjëherë frikën nga vdekja e dhunshme, që u rrinte mbi kokë.

Sa herë i nisnin letra Vatikanit, apo Ipeshkvisë më të afërt të Arbërisë, ndërsa një kopje e ruanin në arkivat e tyre, fretërit kërkonin udhëzime për besimtarët e turmën që e bori Zotin: çfarë të bënin? Si t’u ndihmonin? Për këtë arsye i kopjoja të transkriptuara që t’i kuptonte një numër më i madh i lexuesve, sepse kuptimet e disa fjalëve të kohës, sot merreshin tjetër për tjetër. Disa letra i dija përmendsh. Shpeshherë më mbërthente angështia, koha, të cilën e jetonim, nuk dallonte nga koha që e përshkruanin kronikat: gjak e klithma, vrasje e britma. Gjeja ngushëllim në kronikat e vjetra, të cilat ma ofronin zgjidhjen, ose më dërgonin labirinteve të fshehtësisë nëpër shekuj.

Jo një herë ngjarjet e situatat ngjanin, por emri i pushtuesit ndryshonte.

Në një raport të fshehtë frati ankohej për turkun e tartarin që e shkretoi Arbërinë. Frati tjetër shkruante për mizoritë e serbit në tokat që i ripushtoi, kurse herën e tretë, priftërinjtë raportonin për hyrjet e trupave bullgare e greke.

Duke i kopjuar kronikat e vjetra, sepse një pjesë të tyre mora detyrë t’i kopjoja, e rifreskoja kujtimin e kohës së lavdishme të mbretit tonë. Pata tundime, luhatje e shajni. Zoti me ndjeftë, nëse kam blasfemuar apo kam menduar ndryshe nga ajo që e thotë libri i shenjtë. Ndonjëherë pata përshtypjen se lutjet tona nuk i dëgjonte askush. Në atë katrahurë askush nuk e kuptonte ku e kishe kokën e ku këmbët.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 6

Futja e trupave austro-hungareze në Shkodër

Kontinenti i moçëm ziente. Tym e flakë nga të gjitha anët. Britmat e viktimave ta shponin timpanin e veshëve. Nuk e bënte lufta të rrëmujshme botën e vjetër, luftërat ndizeshin e shuheshin prej se u ngjiz njeriu, por luftë e tillë me shtrirje në disa kontinente, nuk u regjistrua në asnjë kronikë nga Straboni e këndej. Aleancat ngjanin të çoroditura: të krishterët çapëlenin të krishterët, me emrin e Krishtit në buzë jepnin shpirt; myslimanët hidheshin me tërbim kundër myslimanëve, “allahu- ekber” u shuhej në gurmaz, përderisa vdisnin pa e kuptuar nga plumbat e kujt ranë. Sigurisht as budistët nuk shkëlqenin nga lumturia. Lajmet nga ku bren miza hekur vinin të turbullta. Çmenduria njerëzore ishte e pashembullt. Dhe s’kishte mekanizëm që mund ta frenonte këtë rrokopujë.

Shqipëria, pjesë e shkëputur e Evropës për kohë të gjatë, megjithëse ende e përgjumur, nuk u kursye nga çmenduria njerëzore. Xanxat e mbërthyen shumë para se të shpërthente Lufta e Madhe. Dhimbjet e rilindjes ishin të mprehta e të përgjakshme. Lufta e çapëlente gjithë kohën. Një herë u gjakos duke e luftuar turkun, që s’i shqitej, herën tjetër u la në gjak kundër armikut të vjetër: serbit e malazezit. Pastaj se nga ia behte ushtria e bullgarit kokëmadh, lakmitar e të vrazhdë, ndërsa skilja e vjetër greke rrinte në pusi, duke pritur orën e ligë të shqiptarëve.

Asnjëherë nuk qëlluan më të çorientuar shqiptarët. Nipat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut nuk arrinin të bënin aleancë me askënd, mu si mbreti i tyre, para katërqind e pesëdhjetë vjetësh. Të vetëm kundër të gjithëve. Ndonjëherë shkonin kundër rrjedhës së lumit, por jo rrallë lumi i rrëmbente me shkumëzim.

Kështu vepruan gjithmonë. Gjasat dëshmonin se kështu do të vepronin edhe në të ardhmen. Në luftë shkonin e nga luftërat vinin, por nuk e merrnin vesh: i dhanë fund së keqes, apo nisnin luftëra të reja! Pas çdo rrëmuje mbanin në mend turbullt flakën e betejës kur bërtisnin sa u hante gurmazi: “urraaa!”, a “mule, mule!”

Me t’u këndellur nga zjarrmia e luftës, e shihnin veten dikush me një shkop thane në dorë, në vend të patericës, tjetri me pushkën e gjatë a pa të, duke ecur zvarrë nëpër shkretëtirat arabe, djerrinat turke e gërxhet shqiptare. Shumë prej tyre nuk ngriheshin kurrë nga fushëbeteja. Shpesh nuk e dinin kundër kujt luftonin, as pse e bënin këtë luftë!

Shqipërisë po ia operonin trupin, mu si gjigantit të fjetur. Pastaj, vendet e gjymtyrëve të shkëputura ia qepnin trash. Kështu, plagët i kullonin qelb, pa u mbyllur asnjëherë. Shqipëria nga një gjigant i fjetur po shndërrohej në një xhuxh të gjymtuar që do të hante veten.

Kur u fashit Lufta Ballkanike, që nisi e përfundoi për të zhvatur territoret e shtetit të dobët shqiptar (që nuk e mbronte as kryeqytetin të cilin e ndërroi disa herë), plasi Lufta e Parë a Lufta e Madhe, sikurse e quanin. Kishte përmasa të frikshme kjo katrahurë. Ushtria e mundur serbe tërhiqej zvarrë nëpër territorin shqiptar me strajca mbi supe dhe me opinga të shqyera. Ushtarët e çartur vrisnin vendës e ua digjnin shtëpitë, thuajse ata ua kishin fajin pse ia mbathën nga shteti i tyre, të cilin ua lanë në dorë austriakëve.

Ushtria austro-hungareze në ndjekje të ushtrisë së parë futej triumfalisht në Shqipëri pa shkrepur asnjë plumb. Të gjithë prisnin zhvillimin e ngjarjeve. Parashikimet ishin të zymta, secili mprehte veshët për të dëgjuar i pari krismat.

Shkodra, qyteti më i madh shqiptar, ziente nga intrigat e legatave të huaja. Politika e madhe për tërë botën bëhej këtu. Intrigat përhapeshin në formë të rrathëve koncentrikë nëpër Gadishullin Ilirik, kalonin Adriatikun, vazhdonin tutje në Itali e në Evropën kontinentale, për t'u kthyer sërish nëpër ngushticën e Jonit, në Greqi, deri në Turqi.

Shkodra qe cak i përplasjeve të interesave të perandorive të mëdha e shteteve të vockla ballkanike, të cilat me vogëlsinë e tyre tregoheshin mizore e të pangopshme ndaj më të dobëtit.

Më dukej vetja i përhumbur në këtë gjithnajë të rrëmujshme. Isha sa një pikë uji në detin tonë që e zhubravisnin të gjithë, pa pyetur askënd dhe pa marrë leje nga askush. Mendoja fatkeqësitë që na pllakosën, vështroja përtej frëngjive të Kuvendit Françeskan, me mendimet e çaprashitura, të cilat nuk zinin vend mu si fluturat kur sillen të shqetësuara rreth dritës e kërcisnin si kokrra kripe.

-Me dhimbsen njerëzit që lindnin e vdisnin pa e kuptuar misionin e vet dhe pa e shijuar jetën, - i thashë më zë të ulët atë Rrokut, si t’i flisja vetes.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora