E marte, 19.03.2024, 10:27 AM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Poezi e dhembjës dhe krenarisë

E premte, 03.08.2018, 07:33 PM


POEZI E DHEMBJËS DHE KRENARISË

(Rexhep Hoxha: “HËNA E ZELANDËS SË RE”, botoi “Piramida”, Prishtinë, 2009)

Nga Adil FETAHU

Rexhep Hoxha është poeti dhe shkrimtari klasik, naimian, i Kosovës. Ai ka më se dyzet vepra të botuara e shumëherë të ribotuara. Është prototip i ndërgjegjës, guximit, moralit, në  poezinë dhe në  letërsinë shqipe. Motivet e poezisë së tij janë njerëzia, burrëria, morali, modestia, përditshmëria, virtytet, veset, shqetësimet, brengat, mllefi poetik-artistik. Flet me gjuhën e zemrës e zjarrin e shpirtit, me një zë origjinal në krijimtari. E thotë troç e jo me dykuptimësi, atë që mendon. Është shkrimar me rrënjë të thella në tokën e Kosovës. Kërkon nga krijuesit dhe nga lexuesit ruajtjën e shëndetit moral të njerëzve, veçmas të poetëve e shkrimtarëve, për të cilët thotë se janë (duhet të jenë) ndërgjegja e kombit. Dëmkos ashpër fodullëkun dhe antivlerat në krijimtari. Me poezitë dhe tregimet për fëmijë, është shkrimtari më i pëfaqësuar në librat e leximit në gjuhën shqipe në Kosovë. Çdo varg i poezisë së tij është ndjenjë për njerëzit, për moralin, karakterin e njeriut, për dashurinë ndaj atdheut e kombit.

Si shumica shqiptarëve të Kosovës, gjatë luftës çlirimtare (1999), edhe Rexhep Hoxha, i ndjekur nga forcat serbe, u detyrua ta lejë Kosovën, të qëndrojë ca kohë në kampet e refugjatëve në Maqedoni, e prej andej të degdiset në Zelandë të Re. Me dhembjen për atdheun dhe njerëzit, atje shkruan përmbledhjen me (16) poezi, të titulluar “Hëna e Zelandës së Re”.

Si një hyrje  poezive të kësaj përmbledhje, autori shkruan: ‘KUJTIME TRAGJIKE’, dhe vazhdon: “Kam mbi tavolinë përmbledhjën e vjershave  Hëna e Zelandës së Re. E shkrova me ngjyra lotësh të Meshin Bej të Oklandit (Meshin Bej, quheka bregdeti i Oklandit, ku autori ka qëndruar si refugjat, v.j.). Thonë se është dobësi të lotojë burri. Do të pyesja: cili nuk derdhë lotë kur ka zemër, por nuk ka fuqi t’i kundërvihet grushtit të rëndë të dhunës?  Nga tytat e autormatikëve të drejtuar në fyt, prej armikut tonë shekullor, detyrohemi t’i lëmë shkret vatrat tona të shenjta; në Bllacë të provojmë tragjedinë e vërtetë të kombit, të shohësh njeriun e pafajshëm të bjerë në nivel të kafshës në atë kamp skllavëror, të lindin fëmijë nën çadra najloni të rrahura prej shirash të pandërprera, të dëgjosh gjëmë të sëmurësh të bartur  me lese në vagona kafshës deri në ferrin e Bllacës, të shohesh kufoma pleqësh e plakash duke i futur në dhe (baltë) si far kafshësh të ngordhura,- sado i fortë të jetë njeriu, është e pamundur të mos i shkojnë lotë pikllimi. Sa fund i zi i erdhi shqiptarit, dëgjohën klithma të fatalitetit, të përpëlitet me shpirt ndër dhëmbë shqiptari në fundin e greminës, pa pasur kënd për ta shpëtuar, është vëretë fundi i zi i shqiptarit. Por, jo, jo! Si prej qielli zbritën vëllezërit shqiptarë të Maqedonisë, të cilët me mish e me shpirtë ndihmuan vëllëzërit e tyre nga Kosova. Nga ferri i Bllacës s’dihej në çfarë ferri tjetër do të shkohej. Mirëpo, bijtë e Iliridës shtrihen në mes asfalti si pengesë e gjallë, për të mos lejuar zyrtarët maqedonas t’i çojnë kosovarët ku të duan shovinistët maqedonë. Tani edhe nga kjo, a është e mundshme të mos vërshojnë lotët e shpresës dhe të besimit në jetë.? Fati e deshti të marrim edhe rrugë të largëta, deri në Zelandën e Re, ku, si thonë, ‘miza brenë hekur’, për të qarë tani edhe për ata vëllezër që na pritën aq mirë dhe u detyruam t’i lëmë. E lam  Kosovën të larë në gjak e lotë, tokën dhe qiellin e saj. Por, e lam edhe Iliridën për të na u kujtuar shqipja e nënës shqiptare, gëzimi i shkollarëve të vegjël që mësojnë nga librat tona. Prej detit të Oklandit, si kujtim m’u shfaq fytyra profetike e Sersem Dede, shqiptarit nga Tetova, për të më njoftuar me jetën dhe shpirtin e shqiptarit të kohës së tij.  Në këtë largësi kaq të madhe nga toka dhe njerëzit e mi, në Zelandën e Re, me gjithë mrekullitë e tokës e të qiellit, të punës e rregullit, zelandezët mikpritës, dhembjet e shpirtit tim i pashita (i qetësova, v.j.) me vjershat Hëna e Zelandës së Re…, vjersha kujtimi të tragjedisë kosovare. E di se nuk ka vjershë që mund t’i shprehë si duhet dhembjet e shpirtit. Këto vjersha do të jenë të dhembshme, se u shkruan aq larg  Kosovës, djepit të shqiptarizmit. (Aucland, 27.X.1999)”.

Kështu, me këtë mallë e me këtë brengë i bënë hyrjen në  vjershat e tij profesor Rexhep Hoxha, që në një mënyrë edhe paralajmëron se çfarë përmbajnë kanë ato, duke filluar prej të parës deri te e fundit, duke shprehur mallin, dhembjen, dashurinë, vuajtjet, brengat por edhe shpresën për Kosovën dhe njerëzit e saj. Që në poezinë e parë, e cila mbanë edhe titullin e librit: Hëna e Zelandës së Re, që ka 40 strofa  katërvargjesh,  e që është si një poemë tragjedie e malli për atdheun,  autori  e lutë Hënën (e Zelandës së Re), të shikojë Kosovën, fshatrat, qytetet, arat, fushat,  malet e ndezura flakë, shtëpitë e djegura shkrumb bashkë me njerëzit brënda.

”Thuaj Kosovës rash në vdigë

Ditën kur e kam lënë,

Mos të më marrë aq për të ligë

Kur të qaj me lotë atë nënë.

Hënë, oj zonjë flokargjende

n’Kosovë ke çka për të parë,

Atje, o zonjë, në ato vende

Ke çka dëgjon për shqiptarë.

Bijë e Diellit, n’Kosovë po dole

Yje t’qiellit s’ke për të parë;

Do të shohësh veç arkivole

Me shqiptarë t’djegur e t’vrarë.

Vazhdon me vargje për gjendjen e llahtarshme të krimeve serbe ndaj shqiptarëve, që ishte metodë për realizimin e synimit të kahmotshëm të të gjitha  sistemeve, regjimeve e qeverive serbe, për zhdukjen e shqiptarëve nga Kosova:

Turmë e pafund mizërie

Nisën rrugës së Golgotës,

Skenë e madhe tragjedie

Para syve të gjithë botës.

Çdogjë në këtë botë e ka fillimin, zhvillimin dhe fundin. Prandaj, edhe synimeve të armikut tonë një ditë u erdhi fundi, falë luftës çlirimtare të trimave të Kosovës dhe ndihmës nga bota demokratike. Dhe poeti thotë:

Mirëpo, koha zonjë hapësire

Fatnjeriun që ka në dorë,

Ja  la puplat përskaj bire

Çdo barbari shpirtmizor.

Vie dita rrufeja krisë

Përmbi kokën e barbarit

T’pendohet demon i zisë

Se çka i bëri shqiptarit.

Duke i kënduar lirisë, në strofën e fundit të kësaj poezie të gjatë, autori shprehë uratën e bashkimit kombëtar, me vargjet:

Balli yt i bardh si nur

Shkëlqeftë mbi faqe të dheut;

U bekoftë nën një flamur,

Flamurin e Skënderbeut.

Duke “i kënduar”rinisë kosovare, për heroizmin e treguar në luftën kundër pushtuesit barbar, në poezinë Rinia e Kosovës 1998, ndër të tjera, autori thotë:

Mendova me zemër t’plasur

Shkoi Kosova pa rini.

Por, jo, n’zemër paska pasur

Zjarrin e shenjtë për liri. (…)

Kur mbet Kosova jetime

Iu ndal kënga e gëzimit,

U çue n’këmbë rinia trime

Me flamurin e kushtrimit.(…)

Rini, nderin e flamurit

E shpëtove prej barbarit;

Tregove besën e burrit

Fisnikërinë e shqiptarit.

Në poezinë Nëna drenicake autori tregon një ndër shumë realitetet që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës, kur  janë vrarë,  masakruar apo djegur  për së gjalli nga disa vëllezër e anëtarë tjerë të familjes, po barbari nuk kursente as fëmijë, as gra as pleqë:

Nëna Salë martire

Lindur për havanë,

Katër djemë i rriti,

Të katër ia vranë.(…)

Kositet prej plumbash

Të një shkau prej Vrrake,

Trimja e Kosovës,

Nëna drenicake.

Sot në Meshin Bej

Me zemër në vajë,

E këndoj një lutje

Për shpirtin e saj.

Çdo mërgimtar ndien mallë për vendlindjen, atdheun, po për poetin, shkrimtarin e njeriun i cili tërë jetën dhe veprimtarinë e tij ia kushtoi vendit të vet, përparimit, arsimit dhe edukimit, siç ishte profesor Rexhep Hoxha, fjalët sado të zgjedhura  qofshin, vështirë se mund ta shprehin mallin që ndien. Autori jeton në Prishtinë, një kohë të gjatë ishte profesor në Shkollën Normale, dhe çdo ditë pune e përshkonte në këmbë rrugën prej shtëpisë deri te shkolla, në Gërminë pitoreske. Mallin e tij për Kosovën, për Prishtinën, për Normalen, e shpreh në poezinë Malli:

Kur lëshohem në tokë,

Shpirti më bën broh,

Qiellin e Kosovës,

Vallë a do ta shoh.

A e shoh pranverën

Tjetër në Prishtinë;

Lisat e Taukbashqes,

Taslixhen, Gërminë.

A e shoh Normalen

Atë kujtim të bardhë,

Ku jepja mësime

Vjet e vjet me radhë, etj.

Pas poezisë lirike Trëndafilja, edhe një poezi tjetër e mallit për Kosovën, në të cilën tregon se kur e nxorën barbarët prej shtëpisë së tij, duke ia vu armët në gjoks, i dukej si një ëndërr e trishtuar, por ishte realitet. Sa qëndori në Zelandë, kur dëgjoi lajmin se u çlirua Kosova, nuk mund ta besonte, i dukej sikur është ëndërr, sepse çlirimin e saj e kanë ëndërruar shqiptarët brez pas brezi, shekuj me radhë. Dhe këtë “ëndërr” të çlirimit të Kosovës, autori dëshiron ta shijojë sa më gjatë, dhe ja si e thotë në poezinë Ëndrrat :

Tani këtu n’Okland të detit,

Kur dëgjoj për Kosovë t’lirë,

Në jam ëndërr i them vetit,

Po rri n’gjumë, e kam më mirë.

Një poezi tjetër, Flamur flakë, o Flamur trim,   ia thurë Flamurit kombëtar, për të cilin kanë sakrifikuar e dhanë jetën shumë veta, brezpasbrezi,  për të valuar i lirë në Kosovë:

Valo,o flamur lirie

Qiellit të lirë t’Arbërisë;

Valo se tash të ka hije

I bekur prej Perendisë.(…)

Sa shqiptarë falën jetën,

N’beteja me gjak u lave;

Për ty nëpër lufta mbetën,

U dergjën n’ burgjet sllave.(…)

Sikur të dëshironte të bënte një simetri midis poezisë Hana e Zelandës së Re  dhe asaj Dielli i Kosovës, të dy poezitë kanë nga dyzet strofa. Në poezinë Dielli i Kosovës, autori përmes vargjeve tregon për krimet serbe në Kosovë, vrasjen e njerëzve si t’ishin krimba, djegëjen për së gjalli brënda shtëpive, varret masive, mbushjen përrojeve me kufoma të vrarësh:

Kur Kosova ndizet flakë,

Mbarë katundet mbulon timi,

S’mbetet vend pa u përgjakë,

Njeriu vritet sikur krimbi.

Kur të rinj për varre nisën,

Djegur gjallë nëpër dhoma;

Gra, fëmijë e pleq kërdisën,

Mbushën përrrojet me kufoma.

Po në këtë poezi autori ia qanë hallin Kosovës edhe për kohën e pasçlirimit, kur liderët e partive politike harrojnë hallet e vendit të djegur e shkatërruar e të popullit të përgjakur e të varfëruar, por vrapojnë pas pozitave, kolltuqeve e privilegjeve për vete e për njerëzit e vet:

Oj Kosovë moj zanë jetike,

Shpirti i bardhë pa të keqe,

Nisën partitë politike

Për ty të bëjnë pazarllëq.(…)

Të gjithë liderët rend e rend

Me huqe e me truqe/,

Kosovën s’e kanë në mend,

Se kanë mendët në kolltuqe, etj.

Në poezinë Mërzia, autori flet më tepër për vetën e tij, që i degdisur si refugjatë përtej detesh e oqeani, atje “ku miza brenë hekur”, ndjehet si i ngratë, një zero e gjallë, apo një hije për t’u tallë me te, dhe e thërret poezinë, së cilës nuk iu nda kurrë, që t’ia hjek pak mërzinë:

Jetë o jetë, o moj murdare,

Si u largove prej tanesh;

Humba të mos gjindem fare

Përtej detesh, oqeanesh.

Pra, t’lutem, moj Poezi

Që kurrë nuk t’u ndava dot,

Më hiq sonte këtë mërzi,

Që m’uli krejt në lot.

Ndihem veç sa një bos dheu,

Një hije sa për t’u tallë;

Mërzia që më rrëmbeu,

Më bëri zero të gjallë.

Në poezinë Vdekja e Ramiut, autori shpreh ndjenjën e dhembjes për një njeri të mirë, Ramiun nga Poroji (Maqedoni), atë njeri të fjalës, që aq shumë ishte angazhuar për t’i mbajtur e qetësuar refugjatët nga Kosova. Dhe këtu poeti e qorton vdekjen, pse a s’gjeti tjetër për ta marrë, por e mori Ramiun:

Po sa ka Kosova

Dykëmbësha si derra,

Gjarpinj e miskoja

E shpirta me ferra.

Po sa endën tokës

Rrenca dhe pisa,

Patriotë që shitën

Me fjalë e me plisa.

Një poezi tjetër nga kjo përmbledhje, Vdekja e të burgosurit politik, autori ia kushton heroit Metush Krasniqi, të cilin regjimi serb e burgosi shtatë herë, dhe e dërmoi fizikisht deri në vdekje, por kurrë nuk mund e theu shpirtërisht. Përkundër torturave çnjerëzore që i bënin në burg, Metushi kurrë nuk e tradhtoi asnjë nga shokët e ilegales. Si pasojë e torturave fizike, vdiq (15.10.1986) vetëm gjashtë muaj pas lirimit nga burgu:

Vdiq me zhig i lumi

Në një kohë të nxir/,

Pa e parë së gjalli

Kosovën e lirë.

Besnikëria e burrit

Në burgje sa  hjeku,

Shpirtin e lirisë,

S’doli kush t’ia preku/

Tematika e poezive të Rexhep Hoxhës në këtë përmbledhje është e shumëllojshme. Në poezinë Vallja kozake, përqeshë rrahagjoksin, kapërdisjen dhe “trimërinë” serbe gjatë bombardimeve të NATO-s (1999), kur mblidheshin turma në urën mbi lumin Sava, në Beograd,  gjoja se nuk i frikëson asgjë; këndonin e vallëzonin në stilin kozak, se sa ta kenë Rusinë, s’ka kush ç’iu bënë, por kur shohin se si raketat po hidheshinn mbi Beogradin:

Pa mend marrin ikën

Si macat e hinit,

Për të gjetur ndokund

Farë bire të minit.

E kësaj tematike, të kapërdisjes së serbëve, se s’i frikësohen as NATO-s,  dhe  miteve  për Kosovën si djep i Serbisë,  është edhe poezia tjetër në vazhdim: Forca e të ligut, por:

Pas një kohe të shkurtër

T’fjalëve t’mikrofonit,

U shafitën shkijet

Si kullë prej kartonit.

Poezia tjetër, Sersem Dede, i kushtohet një pesonaliteti të shekullit 16, Sersem Dede, themelues i Teqes Bektashiane në Tetovë, që ishte filozof dhe poet i madh i poezisë lirike arabe, persiane dhe turke, me cilat i këndonte jetës dhe luftës kundër së keqes e padrejtësive. Edhe kjo poezi është e gjatë, ka 40 strofa. Në këtë poezi, autori thotë se duke menduar për Kosovën atje larg, në Okland, i “shfaqet” fytyra e Sersem Dedes, i cili i fliste për kohët e shkuara, për njerëzit e mirë e të këqij që i ka (pasur) secila kohë,  për fatin dhe jetën e njeriut,  që situata e hedhë edhe përtej detrave e oqeaneve, për dashurinë dhe për të gjitha ato që ai u kishte kushtuar poezitë e zhanreve të ndryshme (kaside e gazelle):

Kur isha njeri në tokë,

Unë Sersemi nga Tetova,

Një shenjtëri që m’hyri në kokë,

Me kaside e përshkrova…

Ç’fola dikur për të nxira,

Edhe sot flitet në botë,

Si të këqia si të mira

Janë të shkrira në një gotë…

Me të thënë këto fjalë,

Sersem Dede humbi n’ deti;

Gjithë muaji m’u bë halë

Duke folur vetmeveti.

Në dhe të huaj, përtej detrave dhe oqeaneve, poetin e merr malli edhe për macën, Manushën, që kishte lënë në Prishtinë. Atje përditë sheh një macë, që i ngjante Manushëssë tij, por që nuk i afrohej kur e ndjell “mac, mac”, sepse ajo nuk e di këtë gjuhë, dhe vetëm kur mësoi prej dikujt ta thërret në gjuhën e “saj”, Keti, i afrohet. Poezia e fundit e kësaj përmbledhje mban titullin Keti, që ka 5 strofa, dhe në strofën e fundit poeti shkruan:

O Zot i madh, na ruaj,

Na ruaj mendët në kry,

Kur ndodhesh në vend të huaj

Edhe macja luan me ty.

Në faqën e pasme të kopërtinës së fundit, jep një klithje a kushtrim, për luftën për çlirim e bashkim kombëtar, me titull Re lotësh, të shkruar në vitin 1995: O si s’linda poet si një Tyrte, t’ua ndezja zemrat njerëzve të fjetur, të ngriheshin në këmbë për të thirrur : Kosovë e bekuar, ke edhe bijë të vëretë, që s’e kursejnë gjakun për shpirtin tënd. Ngrihe ballin tënd kenar drejt qiellit të jetës.Ti je vet e drejta e bijëve tu me shpirt të vrarë, e baballarëve me plagë të pashëruara, e nënave me sy të skuqur nga lotët, e motrave të veshura në të zeza për  vëllëzërit e masakruar, e fëmijëve me buzë të çara nga uria. Sa bijë tu, Kosovë, vdiqën me zhig të madh për të parë të lirë, pa iu plotësuar ëndrra shekullore për të parë valimimin e flamurit me shqipen dykrenare në hapësirën e qiellit tënd të errësuar me re lotësh. Sa shqiptarë, me zemër të thyer muarën rrugët e trishtueshme të mërgimit. Lanë vatrat e tyre stërgjyshore për të lënë eshtrat nëpër vise të tjera kombesh të hueja. Si ushtarë të huaj, shekuj me radhë ëndërruan të jenë ushtarë në uniformë të Kosovës, roje besnike dhe e disiplinuar e trojeve të shenjëta. Ëndërruan bijtë e shqipes, shekuj me radhë, të jenë mbrojtës trima të kufijëve shqiptarë, ushtarë të pashëm e krenar të Gardës Kombëtare. Kosovë, nënë, klith me jehonë qiellore – Shqipëri. Fjala jote e drejtë është e drejtë e fëmijëve tu, që ke lindur. Do të vij dita kur e drejta ka për t’iu shëruar shpirtërat. Atëherë do të shkëlqejnë edhe më bukur yjet për të ndritur fytyrën tënde, që të shohin qartë fëmijët e tu se çfarë nëne të mrekullueshme kanë, për të cilën duhet dhënë edhe jetën, duhet shkrirë shpirtin dhe zemrën.

Poezitë e kësaj përmbledhje lexohën me ëndje, pavarësisht se lexuesi mund të ndjejë dhembje dhe ta kaplojnë emocione. Fatin e autorit, të statusit të refugjatit, e kanë përjetuar qindra mijëra shqiptarë të Kosovës, prandaj  duke lexuar këtë dhe kujtuar dramën tonë, shumëkush mund ta gjejë ngjajshmërinë me situatën e vet që ka përjetuar. Por, vuajtjet e përjetimet tragjike, askush nuk mund t’i rrëfejë si poeti, që është mjeshtër i fjalës së shkruar, sikur është profesori Rexhep Hoxha.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora