E marte, 19.03.2024, 03:05 AM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm (1-2)

E merkure, 01.08.2018, 07:55 PM


Gani Mehmetaj:  Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 1

Zgjimi nga kllapia

Lekë Drini, i kërrusur mbi tavolinë, për të satën herë nxirrte nga sirtari dokumentet, bënte krahasimet, ndiqte me vëmendje kronologjinë e hulumtimeve, por prapë i shpëtonte ndonjë detaj. Kur mendonte se e kapi të padukshmen, e zbërtheu enigmën, u fut në zgorin e misterit që e linte pa gjumë, i dilte befas një detaj i ri, nxirrte krye ndonjëherë hamendësimi përmbysës.

Vrushkulli i dritës që binte furishëm mbi pjesën e errët, përnjëherësh shteronte, për t’ia lënë vendin errësirës së pafund që e acaronte. Ngrehina e tij shkencore, e projektit më të madh të jetës, e ndërtuar me mund, sikur lëkundej. Kishte kohë që merrej me teza e hamendësime për varrin më të famshëm e më të fshehtë jo vetëm në Arbëri.  Kaloi disa dimra të gjatë e të zymtë mbi dokumente, libra e shqyrtime, kishte përtypur edhe libra të tillë që e bënin të shpërvilte buzët me ndjesinë e shijes së ndotur që s’e kapërdinte. Me materialet mbi tryezën e punës bënte monolog, u hakërrohej pa zë autorëve që nxirrnin në pah mendimin ndryshe, duke i kundërshtuar; i tumirte kur e mendonte se ia lehtësonin rrugën e ndriçimit të fshehtësisë, thuajse karriera e tyre shkencore varej nga tumirja a hedhja poshtë e tezave që shtronin.

Arkeologu që po shkelte në të pesëdhjetat, ndërtoi teorinë e vet vite me radhë, por sa e lexonte një hamendësim tjetër, në mungesë të fakteve të reja nga terreni, sikur lëkundej, i nisnin mëdyshjet e sikletshme, të cilat dikur e djersinin, endej poshtë e lartë nëpër zyrë. Gjithnjë kishte dyshuar, ishte në rrugë të mbarë, apo duhej t’ia niste nga fillimi.

Koha e trazirave i jepte vrull pune, sepse jeta sociale e rruga nuk i ofronte asgjë, përkundrazi e bënin të mblidhej kruspull si kërmilli, herë në zyrën e Institutit, herë në dhomën e punës në apartament. Askush nuk i bënte presion të dilte sa më parë me teorinë e re, sepse në këtë rrëmujë askush nuk ia kishte nevojën, aq më pak dikush do të merrej me varre e me të kaluarën, kur e tashmja i bluante. Por vazhdimi i trazirave po e largonte nga ëndrra e fillimit të hulumtimeve, të mbetura në gjysmë. Nuk donte ta besonte se më askujt nuk do t’i shkonte nëpër mend financimi i projektit të lënë në gjysmë.

Atëbotë, kur filluan hulumtimet arkeologjike, e rrëmbyen emocionet, iu hapën horizontet, shpresonte se do të zbulonte gjëra, të cilat do ta tronditnin opinionin. Pastaj, befas, hulumtimet u ndërprenë... Dolën punë më të ngutshme, u tha nëpër korridore të errëta të një ministrie.

Një hije dyshimi ra mbi të gjithë. Thuhej se qarkullonte një letër e brendshme. Pastaj nisi të pëshpëritej për një kafkë të gjetur. Ku e gjetën kafkën nuk e përcaktonin, as nuk e thoshin kafka e kujt mund të ishte. Pastaj çdo gjë ra në heshtjen torturuese. Fshehtësia u bë edhe më e madhe, kur i tërhoqën të gjitha pajimet nga terreni. Hulumtimet ndërpriteshin. Errësira e mbuloi pjesën që mendohej se u ndriçua, apo se do të ndriçohej.

Trazirat nisën ta zhvlerësonin punën e tij. Nisi fushatë kundër së kaluarës së lavdishme, e cila përbaltej nga të gjitha anët, ose edhe më keq, barazohej me baltakun e pesëdhjetë vjetëve të fundit. Të vdekshmit kërkonin llogari nga të pavdekshmit pas pesëqind vjetësh. Në mllefin e tyre sikur donin t’ua rrëmonin varret, t’ua lëkundnin eshtrat e t’u hakërroheshin: pse na ngarkuat me lavdinë, të cilën nuk e mbanin as nuk e përballonim!

Marrëzira të tilla do të dëgjonte deri në pakufi, sikur të mos paraqitej plaku si të dilte nga fshehtësia e shekujve. Paraqitja e tij ia ndryshoi jetën.... Ai hyri papritmas në zyrë, ndërsa hapjes së derës i parapriu trokimë e lehtë:

-Jeni ju Lekë Drini, arkeologu? - nisi me pyetje, duke e zhbiruar me shikim shpues e të përqendruar.

Ai ende pa e marrë veten nga futja e bëftë e të panjohurit, plaku vazhdoi:

-Zef m’thrrasin, rrnoj në Lezhje. Kam një porosi për ju.

Plaku i tregoi se kohë të gjatë kaloi në Shkodër. Ndërkaq, erdhi t’i thoshte se e ruante një dosje të vjetër. Donte ta dorëzonte në vendin e sigurt dhe te njeriu përgjegjës.

-Nuk i dihet, kohë të liga po vijnë, – i tha plaku.

Burri i moçëm druante se peshtafi me dokumentet e çmuara mund të humbte apo të binte në duar të gabuara. Dy herë i ofroi Leka të ulej, por plaku shtatgjatë e thatim, me flokë të thinjur e tipare të mprehta, nuk e refuzoi, por nuk u ul. Qëndronte në këmbë, vështronte kohë pas kohe librat e radhitura e artefaktet e shpërndara mbi tavolinë, në dysheme e në rafte. Mahnitej me to, por e frenonte veten të mos pyeste as të mos hapte gojën nga habia.

I pamësuar me mënyrën e tillë të komunikimit, Lekë Drini e shikonte me habi. Nuk priste që një plak kokorosh t’ia behte në zyrë, t’i tregonte se mbante gjëra të çmuara dhe, njëkohësisht, të mos pranonte të ulej. Kur ia përmendi për herë të dytë gjërat me vlerë, Leka nuk e besonte se ende mbeti diçka nga e kaluara që nuk e rrëmbyen hajdutët e aventurierët.

Ato ditë zbuloheshin e rizbuloheshin artefakte, të cilat më vonë dilnin kallpe, mu si antikat egjiptiane që falsifikoheshin në punëtori të prodhimit serik, ndërsa shiteshin kinse për origjinale, kështu që e mori me rezervë çdo gjë që ia thoshte ai. Megjithatë  burri i moçëm, i veshur mirë e me kujdes, nuk dukej mashtrues, nuk kërkonte lekë.

-Asht nji dorëshkrim i vjetër afër Kishës së Shna Ndout, - tha i qetë ai, - noshta të intereson.

Arkeologu si të qëndronte para një shtatoreje antike, e shikonte me interesim, pa i kthyer përgjigje. I bënin përshtypje tiparet e rregullta, sytë ngjyrë kafe që e shikonin ngultas. Mbeti si hut. Dikur plaku e pa me mëdyshje, mos u fut në vend të gabuar. Megjithatë, sqaronte detaje të tjera, të cilat gjithnjë e më shumë ia mbushnin mendjen Lekës, pos pamjes së mysafirit që rrezatonte vendosmëri.

Dita po shuhej. Rrezet e fundit të diellit të qershorit binin për së kithi në pezulin e dritares. Fjalët e fjalitë e plakut i rridhnin të ngadalta, të qeta e të njëtrajtshme si të qëndronin pezull në ajër e pastaj të vazhdonin tutje. Kishte kohë që  nuk e kishte dëgjuar këtë të folme të veçantë si të vinte nga koha e Budit e Bogdanit. Sa herë fliste plaku Zef, i cili kohë pas kohe përpiqej të fuste fjalë të gjuhës letrare, tingëllima i vinte nga thellësia e shekujve, një tingëllimë burrërore dhe e prerë.

Derisa Leka përpiqej të shkëputej nga ngjyra e zërit të tij, ai për t’i vënë kapak bisedës i tha se duhej të vinte në kishë, javën e ardhshme, ditën e Shna Ndout.  Që nga aty do ta orientonte më tutje. Nuk e zgjati më shumë, ia dha adresën, ku mund ta gjente, e përshëndeti me një “tungjatjeta” të thatë si të qe shkarkuar nga një barrë e rëndë. Iku ashtu si erdhi: i ftohtë e i largët.

Gani Mehmetaj: Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik (Zhvarrimi) 2

Fshehtësitë e Shna Ndout

Kumti që ia dha e ardhja e papritur e trazuan një kohë të gjatë pasi iku. S’dinte si ta merrte ofertën e tij, por për asnjë çmim s’do ta refuzonte.

Arkeologu ishte i sigurt se fashikullin me pergamenat plaku nuk i ruante në kishë, sepse kishat e vjetra, të rrënuara a gjysmë të rrënuara, u bënë pre e plaçkitjeve, bastisjeve e hulumtimeve të aventurierëve. Një kishë, për të cilën mendohej se ishte rrënuar e harruar fare, përnjëherë dilte në faqe të parë të gazetës e në lajmet qendrore të televizioneve, ku thuhej se u plaçkitën gjëra me vlerë. Mediet nisnin akuzat ndaj institucioneve të shtetit e të policisë, ndërsa një ditë më vonë dikush kapej në kufirin shqiptaro-grek me ikona, libra të vjetër e shandanë të çmuar. Të nesërmen nuk dihej ç’u bë me ato ikona e shandanë, u kthyen në kishën e plaçkitur ose dolën jashtë shtetit. Heshtej si të mos kishte ndodhur asgjë.

Plaku që i erdhi në zyrë sigurisht ishte lodhur nga lajmet e nga tensioni i vazhdueshëm, prandaj vendosi t’ia dorëzonte gjërat e çmuara, në mënyrë që të flinte i qetë pas një periudhe të gjatë frike e pasigurie.

Leka nuk e qartësonte nga e vlerësoi plaku se ishte pikërisht ai që duhej të merrte përgjegjësinë e peshtafit me dokumente, por nuk ishte vështirë të binte në sy se Zefi ende i druante policisë, sidomos i ruhej shërbimit të fshehtë. Shumë më vonë Leka do ta kuptonte arsyen e kësaj frike, ashtu sikurse do ta kuptonte pse e shikonte sikur e kishte nën vëzhgim, thuajse mos ishte arkeologu pjesë e një përbetimi të fshehtë.

- Sigurimi zhduku shumë njerëz e shumë gjana me vlerë, - i tha plaku para se të dilte.

Ai ia shpjegoi se materiali i ruajtur përbëhej nga disa fashikuj dorëshkrimesh të vjetra, në pergamene, të mbështjella në peshtaf. Në një rast, në fillim të bisedës, ia përmendi se françeskanët trazimet e kohës i përjetësuan në letër për t’ua lënë brezave. I bënte përshtypje mënyra e shprehjes së tij figurative, kishte diçka poetike e epike në mënyrën e prezantimit: një shtatore që ecte.

Derisa fliste, plaku i shikonte këpucët se mos lanë gjurmë në qilimin e zyrës, megjithëse të përdorura një kohë të gjatë, këpucët mu si pantallonat e hekurosur, i mbante të pastra. Se si dukej me këmishën e bardhë me jakë të vogël, ndërsa mangët e palltos nuk ia mbulonin kyçet e dorës.

#

Lekë Drini mbërriti në kishën e Shna Ndout një ditë para festës. Donte të qetësohej e të meditonte i lirë, pas trazirave që ia acaruan nervat. Gjithnjë e kishte pëlqyer natyrën. Ndërkaq, kisha u rindërtua, por atij nuk iu dha asnjëherë ta vizitonte. Pamjet e terrenit të thyer e të heshtur sesi ia ngjallnin pamjen e plakut fjalëpakë. U nis të takonte priftin, një rishtar të sjellshëm, i cili e priti më dashamirësi, sikur ta dinte që më parë se do të vinte. Jo një herë iu forcua kjo bindje, ndërsa prifti i drejtohej me titullin akademik, “profesor”. “Athua ta ketë informuar plaku?”, mendoi derisa kuvendonte me priftin.

Natën e bëri në qelën bri qelës së fratit. Në terrin burg, me këngën e gjinkallave sesi e ndiente veten, i ndikuar nga filmat klasikë. Imagjinonte një frat të moçëm, bashkëkohanik të Bogdanit, me flokë të thinjur e kurriz të shtrembëruar, duke shkruar në pergamenë. Fytyra e fishkur e lëkurës së zbehtë të bardhë t’i lëbyrte sytë. Dielli nuk e kishte përkëdhelur kohë të gjatë. Priftin plak sa më shumë që e mbërthente zemërimi, aq më shpejt i lëvizte dora mbi pergamenë. Bishtin e patës e mbante për së kithi, e ngjyente në mereqep, në një ngjyrë të errët. Duke shkruar parafytyronte turmën e trazuar, për të cilën duhej të raportonte në Ipeshkvi.

Ai ua kërkonte ndihmën superiorëve, në mënyrë që turmën, e cila u fut në qytet, pas disfatës së turqve e tartarëve, ta orientonin. Një herë nisën të digjnin sarajet e turqve, të cilët ia mbathën, pastaj mësyn faltoret e tyre. Dikur sekush u doli para, ua mbajti një fjalim të zjarrtë, që i la pa mend. Turma u shpërnda pa dhunë e pa britma.

Këtë pamje ia ringjallte një raport i françeskanit rilindës, dorëshkrimi i të cilit qe ruajtur në arkiv. Gjumi e zuri me turmën, e cila shkrihej në pamjen tjetër të detit të trazuar...

Grumbulli i njerëzve, e ngjashme me atë që e shqetësonte priftin e moçëm, të fanitjes së tij, i ngjitej kodrës në pelegrinazhin e përmotshëm. Ata nuk dukeshin të trazuar dhe as të zemëruar, më shumë ecnin si të shkonin në piknik me strajca në duar apo çanta hipish. Çfarë i cyste? Kureshtja e kotësia. Kërkonin veten apo Zotin që e braktisën para shumë vjetësh? Donin ta mësonin kush ishin. Mbase ishte e njëjta turmë që e ndeshi kohë më parë në një faltore pagane, derisa hulumtonte me ekipin e arkeologëve tumat ilire.

Dy vjet më parë në një faltore paleokristiane, turma u bënte homazhe gërmadhave. Mbase ishin njerëz të tjerë, po aq laramanë, sa kjo që ngjitej me nxitim kodrës së rrëpinjtë. Turma në festa të tilla shtohej e zvogëlohej, varësisht nga nami që gëzonte faltorja. Lexonte në gazeta se faltoret, dikur të zbrazëta, mbusheshin plot. Njerëzit luteshin në delir për të kaluarën e për të tashmen, u shtronin shenjtorëve kërkesa nga më të çuditshmet si të qe fjala për lutjet që ua drejtojnë pushtetarëve: t’u gjenin punë bijve të tyre, t’u ndihmonin me dokumente udhëtimi që të iknin jashtë shtetit, t’i bënin të pasur, sepse boll vuajtën në varfëri etj.  Pjesa tjetër e turmës vazhdonte në mënyrën e vjetër të lavdërimit të shenjtorëve me grushte: “rroftë a poshtë!”, si dikur udhëheqësve, të bindur se me britma euforike do ta zbusnin zemërimin e Zotit.

Turmat laragane lëviznin nga një qytet në tjetrin, mblidheshin, gumëzhinin, brohorisnin, dëgjonin fjalimet e zjarrta, u duartrokisnin folësve, dëgjonin premtime të serta, entuziazmoheshin dhe secili pastaj ikte në hallet e veta.

Ishte e çuditshme se si i krijonin vendet e pelegrinazhit ballkanasit. Sajonin legjenda e vende të shenjta nga betejat e humbura. Turqit e shpifën mitin me të brendshmet e sulltan Muratit, që sipas legjendës i groposën në Fushën e Mëllenjave. Serbët krijuan historinë e vet me kontë e princër, të cilët sipas këngës të sajuar pesëqind vjet pas betejës, pësuan disfatë në të njëjtën fushëbetejë. Ndërkaq, vërtetësia e kësaj ndeshjeje në mes të tre-katër popujsh asnjëherë nuk u dëshmua me fakte arkeologjike: armë, eshtra të vrarësh, kuajsh, shenja faltoresh, kodërvarre etj.  Shqiptarët nuk e bënë një vend të përhershëm pelegrinazhi as me heroin më të madh që e patën, emri i të cilit e ndriçoi si meteor Evropën. Mezi i përmendin heronjtë që luftuan, por nuk fituan. Nuk ua falin disfatën. Prandaj betejën të cilën ballkanasit e tjerë e ngritën në kult, bën kushtrim, grishje për pushtime, luftëra e krime të mynxyrshme, shqiptarët e përmendin kur nuk patën shtegdalje tjetër: në ndonjë këngë pikëllimtare, me zë të ulët.

Kohëve të fundit sikur janë zgjuar nga kllapia, kërkojnë vend pelegrinazhi të përhershëm, të vetëdijshëm se një kohë të gjatë iu falën faltoreve të huaja, brodhën kotnasikoti.

Nga kotësia e pritjes Leka analizonte psikologjinë e turmës, aq e zhurmshme që nga mesjeta. Ajo të merrte në qafë po mori mbrapshtë, bëje mrekulli po të dije ta orientosh. Me turmën u morën edhe priftërinjtë françeskanë, kronikat e të cilëve erdhën si jehonë e largët e një kohe të turbullt. Por ai erdhi me një mision të caktuar, e jo të analizonte turmën, pjesë e së cilës do të bëhej pas disa orësh. Prandaj priste më padurim dorëzimin e dorëshkrimeve të vjetra, për të cilat hamendësonte.

Trazimin ia nxiti plaku thatim e kokorosh që ia bëhu disa ditë më parë në zyrën e tij në Institut. Një kohë të gjatë u çmësua nga turma. Në manifestime e parada nuk mori pjesë që nga rënia e komunizmit. Turma e frikësonte.

Mëngjesi i qershorit shkëlqente nga rrezet e diellit në qiellin pa re. Poshtë kodrinës vargani i pelegrinëve si zvarranik parahistorik ecte ngadalë brinjëve të kodrës nëpër dhiare. Ngjiteshin në heshtje me këmbënguljen e thneglave. Pastaj humbën nga sytë. Rruga gjarpërore i shpinte në majë të kodrës, ku i priste një kishë e vjetër, që e mbështillnin legjenda të shumta, të vjetra e të reja. Kur e rinovuan kishën, me të u rinuan edhe legjendat, të cilat ngatërroheshin në kohë, një ndodhi e re përzihej me një ndodhi të vjetër, kalorësi me vraçin ngatërrohej me shoferin e “Mercedesit”. Nuk dihej kujt i doli para shajnia që e grishi të mos e harronin vendin e shenjtë: kalorësit të vraçit apo shoferit të benzit.

U këndell nga përhumbja, hapësira përreth u mbush me burra, gra e fëmijë, me zhurmërimën e tyre shumëngjyrëshe. Së shpejti do të fillonin lutjet e pëshpëritjet. Njerëzit ngulfateshin nga hallet e stresi. Ata shpresonin se ky vend do t’u ndihmonte. Sekush e përhapi se heroi i mesjetës dikur i qe afruar kësaj kishe, u lut, duke e kërkuar ndihmën e shenjtorëve për betejën e nesërme. Të nesërmen ushtria e tij e mundi armikun, thuhej në legjendë.

Derisa të përfundonte pelegrinazhi, qetësia drithëruese e faltores së vjetër do të bëhej copë-copë. Zërat e tyre e prishnin qetësinë shekullore. Asnjëherë nuk e qartësonte: u faleshin këta pelegrinë shenjtorëve që u besonin, apo donin të krijonin kulte të reja. Kujt i besonin ata? Një kohë të gjatë askush nuk guxonte të përmendte, të kalonte apo të shikonte nga kjo kishë e faltoret e tjera, askush nuk guxonte të fliste, madje as të lutej fshehurazi. Me zhurmën e tashme sikur donin ta plotësonin boshllëkun e gjatë.

Ai tërhiqte këmbët zvarrë nëpër barin që fëshfëriste nën këmbë, duke u drejtuar nga një dhomë e vogël e errët me një si tip frëngjie që shikonte nga ana tjetër e luginës. Aty do ta kalonte pasditen. Dje brodhi nëpër rrënoja. Nga kureshtja profesionale krahasonte shtresimet e mureve, themelet e ndërtimeve të faltoreve të dikurshme, kërkonte ndonjë shenjë dalluese, jo rrallë rrekej të gjente  katakombet, sepse dihej se kishat në rrethanat në të cilat u ndërtuan, fshihnin brenda themeleve katakombe e kanale nëntokësore, që i shpinin në lumë ose drejt greminave.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora