Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Reshat Kripa: Le të hapen dosjet

| E hene, 30.07.2018, 06:06 PM |


Reshat Kripa

 

DY POEZI

 

      SHKRETËTIRË

 

Ditën rri menduar, natën rri pa gjumë,

Zemra turbulluar, nuk e di as unë.

Hidhem e përdridhem, mendjen vras më shumë.

Të gjej të vërtetën, kur punët venë lumë.

 

Dua që të shkruaj, dua që të flas,

Dua që të ndihem, dua të thërras,

Sado që mundohem , sado që bërtas,

Hap pas hapi ndeshem, male rrugës has.

 

Zëri im i dobët, zëri im i fortë

Ngjan si pëshpërimë, ngjan si zë i kotë,

E mbulojnë atë, zhurmë zërash plotë,

Zërat e çakejve, që sundojnë në botë.

 

Janë po ata zëra, shumë kemi dëgjuar,

hosana t’u bëjnë, idhujve dështuar,

Idhujve të kohës, kohës perënduar,

Idhujve  përçmuar, plot me turp mbuluar.

 

Këta shakaxhinjë, oh të përparimit,

Si ç’i quante Noli, pjellat e mashtrimit,

Vallë si nuk skuqen, në pellg të mjerimit,

Ku kanë hedhur veten, turpi njerëzimit?

 

Si nuk kanë sedër, kur thërrasin haptas,

Ca janë  të djathtë, të tjerë janë majtas,

Ca janë zhonglerë, klloun ecin praptas,

Kudo vjellin vrerë, me turpin  janë baras.

 

Në këtë kaos, këtë vend të nxirë,

Nga këta “bandillë” këta “xhevahirë”,

Zërat tanë të fortë, zërat tanë të mirë,

Zërat tanë të lirë, zë në shkretëtirë!

 

Vlorë, nëntor 1994

 

LE      HAPEN   DOSJET

 

Le të hapen dosjet, gjithë po thërrasin,

Kush e kush më shumë, korbat po kërrasin,

Korbat e pabesë, korbat shpirt të zi,

Thua të  jenë engjëj, apo faqezinj?

 

Çirren dhe bërtasin, zihen edhe shahen,

Të gjithë përgjërohen, në fund të qetë ndahen,

S’kanë shpirt as zemër, s’kanë as moral,

Janë vetëm hiena e kufomë e gjallë.

 

Si kufomë e gjallë, ishin edhe dje,

Duke brohoritur, për njerëz pa fe,

Duke vrarë e prerë, duke masakruar,

Popullin e gjorë e zemër lënduar.

 

Rri edhe vështroj, këtë komedi,

Luajtur nga mjeshtra, të bardhë dhe të zi,

Dua që t’i pyes, ku ishit ju vallë,

Gjithë këto vite, si nuk u bëtë gjallë?

 

Kur neve kërkonim, donim drejtësi,

Ju rrinit të heshtur, s’ndihej asnjeri,

Kur për kriminelët, kërkonim ndëshkim,

Ju përsëri heshtnit, ju vetë ishit  krim.

 

Pelerina juaj, e kuqe me gjak,

Nuk e mbulon dot krimin tuaj aspak,

Kështu s’mund të shkoni, kurrë në Europë,

Doni kartën tonë, sot ne jemi zot.

 

Ne ju njohim mirë, mjaft keni gënjyer,

Shpirtin tuaj të zi, ne kemi urryer

Mos na rrini pranë, nuk ju do njeri,

Se fisnikëria, s’ju pranon tani.

 

Vlorë, shtator 1995