Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Resmi Osmani: Andrea dhe Helena (8)

| E diele, 29.07.2018, 08:09 AM |


ANDREA  DHE HELENA-8

Novelë nga Resmi Osmani

Vazhdimi

26

Pas kthimit nga Berati Andrea priti edhe ardhjen e ambasadorëve që kishte nisur në dyert e mëdha të arbërisë.Pasi u njoh me kumtet e tyre,tok me Niketën,  thirri “Keshillin e te urtëve” dhe pleqësinë e qytetit të Krujës.

Lufta ishte te pragu.S’ishin lajme që vetëm i sillte era. Me retë e errëta të vjeshtës po dyndeshin si një mynxyrë retë e luftës.Lufta kishte fytyrën e carit te Serbisë,Stefan Dushanit, egërsinë e barbarisë që po turrej për zaptime e zotrime,ëndrra e vjetër për të pushtuar Durrësin e për të dalë në det.Synonin  gjithçka që s’ishte e tyrja, me makutërinë e grabitjes dhe rrënimit me zjarr e hekur, me gjak e dhunë, për të vënë nën skllavëri Arbërinë.Këtë luftë s’do ta kishin dashur kurrë, por armiku kishte ardhur te pragu. Mbetej vetëm qëndresa, s’kishte më anjë hap prapa.Tërheqja ishte tradhëti! Në u dashtë të vdisnin, do të vdisnin,jo në shtratin e shtëpisë, por në fushën e luftës, në mbrojtje të vendit, mallit e gjësë, jetës  dhe nderit të nënave dhe motrave, pleqve dhe fëmijëve. Më mirë nën dhe e me nder, sesa mbi dhe e me turp. Me trimëri dhe besim te Zoti dhe njeri-tjetri, arbrorët ia kishin dalë edhe në luftra të tjera dhe me armiq po kaq të egër.

Në këtë luftë, nuk mund të shkonin të vetëm dhe vështirë se mund të fitonin të vetëm.Lukunia e ujqërve serbë e  shumtë dhe e panumurt,e kishte më të lehtë ti gllabëronte të vetëm. Andrea i vuri në dijeni për bisedimet e vështira me Muzakën në Berat, por që më në fund ishin marrë vesh. Do t’u printe ai vetë me të tre djemtë dymijë luftëtarëve, që do t’i pajiste e armatoste me harxhet e tij, do të dërgonte ndihma dhe armatime në skelën lumore të Pirgut, ngaku do ti merrnin anijet që ti sillnin në kepin e Rodonit. Ishte një ogur i mirë: formimi i një lidhje të vogël të Arbërorëve përmbi lumin Vjosë e deri në veri. Me ushtri, sipas premtimeve të dhëna ambasadorëve, do të ishin pjesëmarrës, sipas mundësive dhe fuqisë  edhe Dukagjinët, Blinishtet ,Zahariajt e Danjës dhe Gropajt.

”Serenissima” Republika e Venedikut, nuk premtonte ndihma, ruante asnjëanësinë dhe paqen me serbët. E gjithë ushtria do të ishte nën komandën e princit Luigj d’Anzhu, pjesmarrja e të cilit ishte me pesëqind trupa të zgjedhur napolitane,  trupat e çdo principate do të priheshin nga kapedanët e saj. Gjith e gjithë, në fushën e luftës, arbërorët do të hidhnin dhjetë mijë ushtarë, nga këta gjysmat principata e Arbrit. Pas këtyre kumteve,këshilltarët dhe qeveritarët morën porositë e përgatitjeve.

Lufta ishte shpallur. Nga kancelaria u nisën letrat me shpalljen e luftës dhe thirrja drejtuar vendit. Kështjella lajmëroi kështjellën me gjuhën e flakëve, kalorësit-kasnecë zunë turravrapin, ushtuan brirët dhe tupanët,thirrja kushtrim ” burrë për derë”ushtoi grykave të maleve e luginave, jehona e saj shungulloi në gjithë hapësirën, hyri në çdo vatër e ngjalli në shpirtëra guxim e trimëri.

Arbëria thërriste. Thirrja e saj ishte si ajo e nënës. E si mund të mos i përgjigjesh thirrjes së saj?

Bariu la grigjën dhe krrabën e rroku armët, bujku shkrehu pendët dhe la parmendën, prindërit u ndanë nga fëmijët, dhëndurrët nga nuset, djemtë kërkuan bekimin e prindërve. Ashtu si rrëketë që rrjedhin nga malet dhe pllajat në prrenj e mbushin lumenjtë, burrat dhe djemtë e arbrit, zbritën nga malësitë dhe bjeshkët e Dukagjinit dhe Kelmendit, Matit,Martaneshit Shën Palit dhe Shëngjergjit,të tjerë nga fusha ilirike e anëdeti dhe mbushën aradhet luftarake. Në shpirt kishin dashurinë për vendin dhe trimërinë për t’i dalë zot atij.

Në Fushë-Prezë dhe Kashar,u ngritën lëmenjtë e përkohshëm të grumbullimit dhe organizimit në njësitë luftarake: kalorës, këmbësorë heshtëtarë, harkëtarë e hobetarë. Vendi ushtonte nga thirrjet e atyre që sterviteshin në artin e luftimit, shungullimi i çelikut të shpatave dhe mburojave. Oficerët ngulmonin:sa më shumë djersë në stërvitje, aq më pak gjak në luftë. Të vrasësh, ta mposhtësh armikun, por vetë të mos vritesh, se lufta nuk bëhet vetëm me hekur, ushta e shigjeta, por edhe me zemër, me guxim , trimëri dhe zgjuarësi…..

Erdhi koha e nisjes.

Në kishën e Shën Eleuterit, të mbushur cit, u mbajt një meshë dhe u bekuan armët e arbërit

Ndarja përherë është e dhimbshme. Andrea dhe Niketa po përcilleshi nga Helena, Angjelina Dhe qytetarë të shumtë që u uronin fitore dhe kthim me shëndet. Konti Andrea Topia, i veshur i tëri me armor, i shëmbëllente Helenës me personifikimin e perëndisë s ë luftës, luftëtar I fuqishëm dhe i bukur: Përkrenare e çeliktë që ndrinte me reflekse mavi, këmishë-rrjetë me hallka të hekurta, supore e kollçinj bronzi, mburoja ku ishte ngallmuar një luan argjendi e stemës së Topiajve,shpata e rëndë varur në kocaqe të shaëls.

Helena, me të dy djemtë kapur për dore, përjetonte dhimbjen e ndarjes.

- I dashur, ruaje veten: për mua, djemtë tanë dhe Arbërinë-në zërin e saj kishte mallëngjim tronditës e një dridhje nemitëse.Çasti ishte i rëndë, me peshën e jetës. Po nisej për në luftë, por a do të kthehej vallë? O Zot mëshirëmadh!- Do të lutemi e falemi për ju, që të dilni faqebardhë e të ktheheni shëndoshë. - Sytë iu rrëmbushën me lot. Sido që u përpoq ta mbante veten, zëri dhe fjalët e tradhëtonin.

Andrea, u përkul dhe e puthi në ballë.

Kali, që ndjenten mbi shpinë peshën e të zot, me padurim për t’u nisur, shkrofëtinte dhe çukërmonte kalldrëmin. Kalorësi ia liroi frerin dhe ai u nis. Pas i shkonte Niketa,  flamurtari dhe truprojat e trimat. Kruja i përcillte njëhershe me krenari,shpresë, urimin për fitore por  dhe dhimbje.

27

Ushtritë ndërluftuese u qëndërzuan në veri të rajonit të Zetës,  aty ku përfundonte fusha dhe nisnin kodrat e më tej malësia. Serbët e kishin ngritur lëmin rrëzë kodrës. Në jugë të lëmit seb, rridhte një lumë që buronte nga alpet, me shtrat të gjerë e brigje të ulta por me pak ujë, por lehtësisht i kapërcyeshëm. Shquheshin mirë shatorret me ngjyra, midis tyre ajo e princ Simon Uroshit, vëllait të mbretit Stefan Dushan, që i printe ushtrisë në këtë betejë.Në breg të lumit, midis shelgjishteve kishte zënë vend pararoja serbe.

Arbërorët e ngritën lëmin në fushë, aq larg sa shihej me sy qëndërzimi i armikut.Konti Andrea Muzaka, i rrahur në artin e luftës me despotët e Bizantit, dha porosi për ngritjen e lëmit: rrethimin me hendek të thellë, me pahi drurësh me majë të vendosur pjerrtas, me portë të rëndë trarësh të fortë.

Kur ra mbrëmja, nata ishte e freskët dhe në të dy lëmenjtë u ndezën qindra zjarre,sit ë kishin zbritur yjet nga qielli. Teksa luftëtarët  e lodhur darkuan me ç’kishin marrë me vete, dhe ranë në gjumë, prijësit u mblodhën në kshillin e luftës, në shatorren e princit Luigj d’Anzhu.Përveç princit anzhuin kontit Andrea Topisë dhe të vëllait Niketës, ishin aty Llesh Dukagjini, Gjon Balsha, Gjin Blinishti, Dhimitër Matrënga, Vlash Zaharija dhe oficerë që komandonin njësitë luftarake.Të heshtur e të vemendshëm prisnin fjalën e princ Luigjit,që i takonte si përfaqësues i mbretit, vassal të të cilit ata ishin. Pas tij për nga numri i ushtarëve ishte konti Andrea Topia, për nga mosha dhe përvoja konti Andrea II Muzaka, por gjithkush kishte se ç’të thoshte për deri sa do tu printe luftëtarëve të tij në luftë.

Bëheshin dhjetë mijë luftëtarë, prej tyre një mijë kalorës, pjesa tjetër këmbësorë, heshtëtarë, harkëtarë e hobetarë. Pesqind ushtarë napoletanë ishin hoplitë të armatosur rëndë. Sipas njoftimeve të zbuluesve, në anën serbe bëheshin pesëmbëdhjetë mijë, ndër ta dymijë kalorës. Armiku kishte epërsi në numur. Princi Luigj, i ri,, i hedhur, i paduruar, i etur për lavdi,  që i vrundullonin ndjenjat e luftës së pritshme, me krenarinë dhe zulmën e gjakut të tij fisnik , shfaqi mendimin që sulmi të bëhej të nesërmën, sapo të binte agimi, pastaj bëri vendosjen e trupave dhe radhën e sulmit. Ai do të printe me hoplitët e tij.

Muzaka dëgjonte në heshtje,por një buzëqeshje nënçmuese i endej në cepat e buzëve.Ky princ i ri,që cicërinte, iu duk si një zog pushverdhë që ka ende mbi krye ceflën e vezës nga ka dalë! Ia njihnin fisnikërinë dhe sërën e lartë por jo mënçurinë dhe trimërinë. Ato mbeteshin për t’u provuar. Ai e mori fjalën pas princit.

-Shkëlqesia juaj, nderimet dhe respektin më të thellë për personin tuaj dhe atë që përfaqësoni, por me lejën tuaj, do të shfaq një mendim që bie ndesh me atë të shkëlqesisë Tuaj. Ne nuk do të sulmojmë. Me numrin më të pakët të ushtarëve, do ti shpiem drejt vdekjes. Do të mbrohemi. Lëmi ynë është i ngritur dhe forcuar mirë. Do të presim deri sa serbët të humbin durimin dhe të na sulmojnë. Në sulm e sipër, ne brenda ledheve të kampit do t’i godasim, dërrmojmë dhe thyejmë eshtrat e shfarosim me shigjeta, ushta dhe gurët e hobeve. Kur vrulli i tyre i sulmit të ketë rënë e thyer,kalorësia jonë , e prirë nga Konti Topia , e fshehur në pyll, do të sulmojë nga jashtë pas krahëve.Kur armiku të nisë tërheqjen, ne do të dalim nga lëmi dhe do të sulmojmë në ndjekje e sipër.Hoplitët tuaj dhe këmbsoria jonë do të hyj mes tyre si pykë dhe ti ndajë më dysh. Çeta kalorësish dhe këmbësorësh do të sulmojnë nga krahët duke msyrë lëmin e armikut pa i lënë kohë të gardhohet.

Prijësit e tjerë e dëgjonin me vëmendje. I dhanë të drejtë. Ashtu u vendos.Princi Luigj, i mbetur i vetëm, iu bind shumicës.U rishikua edhe një herë rendi I vendosjes së ushtrisë. Vlash Zaharia,hodhi mendimin e nxjerjes së çetave pararojë në breg të lumit për të pritur dhe penguar sulmin dhe mori përsipër ta bënte me ushtarët e tij.

Princi serb Simon Uroshi, vëllai i carit Stefan Dushan, shkonte me shpresë se arbërorët do të msynin kampin e tij, dhe aty ai do t’I dërrmonte në atë farë feje që të dridheshin kur t’i kujtonin emrin. Por kishin kaluar dy dit dhe arbërorët s’kishin dalë nga lëmi i tyre, përveç çetave të harkëtarëve në breg të lumit dhe patrullave. Ata siç duket prisnin. Uroshi e hubi durimin. Thirri në shatorren e vet gjeneralët dhe oficerët.Ushtria po dembelosej e po humbte durimin. Sulmi do të bëhej të nesërmen me të lindur dielli. U shpalos taktika e luftës: sulm I shpejtë, i rreptë si stuhia, asgjësues, me të gjitha forcat. U ndanë detyrat.  Porosi e veçantë:

-Vrisni krerët. Një ushtri pa krerë është si trupi pa kokënuk ecën dot dhe rrëzohet! Princin Luigj d’Anzhu, që është nipi i mbretit Robert të napolit dhe gjendet mes arbërorëve, e dua të gjallë. Ai vlen sa gjith ushtria e tyre. Zoti na e bëftë mbarë.U kthefshim me fitore!

*    *   *

Sokëllinë trompetat me thirrjen për luftë, gjëmuan tamburet që drodhën ajrin mëngjesor, shungulluan dhe rrapëllinë armët, përplasja e shpatave me mburojat përzjehej me thirrjet e ushtrisë për fitore. Serbët nuk përdorën befasinë dhe fshehtësinë, por sulmuan zhurmshëm e në shumicë, për ti kallur frikë, panik dhe mpirë trimërinë e armikut.Sulmonin në front të gjerë. Ushtat, mburojat, përkrenaret dhe flamujt e luftës ndrinin nën diellin që sapo ishte ngritur në lindje.

Vlash Zaharia me çetate pararojës në breg të lumit, priti sa këmbsoria dhe kalorësia të mbërrinte në bregun tjetër dhe të hynin në ujë për tu hedhur më kët’anë. Harkëtarët u bënë gati. Kur hynë në rrezen e goditjes, harqet u shkrehën, shigjetat vërshëllyen si gjarpër. Në anën serbe ranë të goditurit e parë. Lumi u përgjak. Ushtria u step dhe u praps, por gjëmuan tamburet dhe thirrjet e luftës për të bërë përpara. Kur shkrehën gjithë shigjetat, çetat e pararojës së arbërorëve zhveshën shpatat dhe rrokën ushtat, por Zaharia nga frika se mos rrethoheshin dhe griheshin nga armiku, dha urdhër për tërheqje. Pa hyrë në luftim trup me trup dhe pa pësuar ndonjë dëm ata u tërhoqën me rregull dhe hynë brenda lëmit të fortifikuar.

Në lëmin e arbërorëve u dha kushtrimi. Ushtarët zunë ledhet, përforcuan portat. U gatitën katapultat gurhedhëse. Harkëtarët zunë vend pas pahisë së trarëve. Para se të msynte ledhet, armiku duhet të kapërcente hendeqet e thellë. Oficerët dhe prijësit, hynë mes ushtarëve në vendkomandat e tyre. Kur hordhia serbe hyri në rrezen që i hanin shigjetat, harkëtarët, nën komandë të Muzakës, shkrehu harqet. Mijëra shigjeta majëmprehta kobtare, fluturuan rrufeshëm.Në aradhen serbe u dëgjuan britma dhimbjeje dhe në fushë ranë të vrarët dhe të plagosurit e parë, por kjo nuk e paksoi guximin dhe egërsinë e armikut. Duke u mbuluar me mburoja, në grupe të vogla bënë përpara. Prapa tyre vinin xhenjerë me trina dhe litarë. Gjin Blinishti dhe i vëllai Progoni, e kuptuan manevrën e serbëve: trinat do ti përdornin si ura për kapërcimin e hendekut, kurse litarët me leqe për të shkulur trarët e gardhit mbrojtës. E përqëndruan goditjen mbi ata grupe sulmuesish. Litarët që u hodhën mbi trarët e pahisë, i prenë më shpata, pa arritur që serbët ti shkulnin. Ndaj sulmuesve breshëri i shigjetave, ushtave dhe gurëve të hobeve, bënë dëm, plagosën për vdekje dhe u thyen eshtrat. Sulmuesit u prapsën. Plojë e madhe po bëhej në dy portat e hyrjes, që mbroheshin nga napolitanët. Të mbuluar me mburoja dhe lesa të thurura me purteka, ata  vunë në lëvije dashin e rëndë dhe goditën portën, por ajo i përballoi goditjet e para. Princ Luigji, urdhëroi përdorimin e gurhedhësve(katapultave), që ishin pjesë e tyre e armatimit. Gjylet e gurta, fluturuan me vrull dhe ranë mbi turmën e sulmuesve të portës. Të vrarët u bënë pirgje. Turri i serbëve u ndal përkohësisht, por erdhi një valë tjetër e pas saj një tjetër. ishin mizëri, të egër e mizorë. Goditjet mbi porta nuk rreshtnin, një pjesë e hendekëve u mbushën, armiqtë synonin të hapnin një shteg dhe të suleshin brenda lëmit, por mbrojtësit, me ushta, shigjeta dhe shpata i zbrapsën. Vendi u mbush me kufoma. Nga përpjekja e zgjatur, të dy palët u raskapitën. Sebët u tërhoqën për rigrupim të forcave, humbjet e tyre në njerëz ishin më të shumta nga sa i kishin menduar. Arbërorët mblodhën të vrarët e tyrë dhe tërhoqën të plagosurit.

Kishte kaluar mesdita.nga ana e prasme e lemit të arbërorëve  u shkëput një kalorës që mori udhën drejt pyllit.I çonte nje porosi kontit Andrea Muzaka. Kishte ardhur çasti i sulmit të kalorësisë, prapa shpinës së serbëve. Qindshet e kalorësve, të hapur për luftim, u derdhën në shpinën e pambrojtur të kundërshtarit dhe filluan të grijnë me shpata. Nga britmat e luftës, shungullimi I armëve dhe rënkimi I të plagosurve dhe atyre që jepnin shpirt, serbët u tërhoqën nga sulmi mbi lëmin arbëror.Andrea Muzaka,Llesh Dukagjini, Gjin Blinishti, Dhimitër Matrënga dhe prijësit e tjerë që atë  kishin pritur, urdhëruan të happen portat dhe ushtoi thirrja “Mbi ta burra!” Dallga e papërmbajtur e këmbsorisë u derdh mbi serbët. Në qendër luftonin napolitanët e armatosur rëndë. U printe mbi një dori të zi  princi Luigj d’ Anzhu. Majtas e djathtas ishin Muzaka dhe Dukagjini.Luftohej trup me trup: ushtat shponin, shpatat prisnin, topuzët dërrmonin eshtrat e thyenin kafkat.Serbët nuk i qëndruan dot dallgës së furishme të sulmit. Pyka e këmbësorisë dhe hoplitëve e ndau më dysh ushtrinë armike e cila kishte rrezik të rrethohej pasi nga krahët ishin turrur Vlash Zaharia dhe Dhimitër Matrënga , ndërsa kalorësia i erdhi në ndihmë luftëtarëve të qëndrës.Andrea, në një dorë shpatën, në tjetrën ushtën, godiste sa majtas djathtas,kali çante me gjoks këmbësorët.Në atë luftë trup me trup ,ku secili luftonte trimerisht për jetën e tij, Andreas i zuri syri një grumbull serbësh dhe hoplitësh që kacafyteshin rreth trupit të rrëzuar nga kali për tokë  të Luigj d’ Anzhusë, mund edhe ta vrisnin ,por e donin të gjallë.Andrea u sul mbi ta,shpata e tij ra si rrufeja, sulmuesit u sprapsën, hoplitët e ngritën prijsin e tyre.

-Princ je plagosur?

-Desh Zoti jo! Kont, më shpëtove.Jetën ta kam borxh ty!

-Kont, ruhu, të është qepur pas një kalorës që të të vrasë.E sheh, është ai me kalë të zi, ka një copë herë që s’të ndahet-e paralajmëroi truproja Deda.

Kalorësi si ta kishte kuptuar që e kishin diktuar, u turr mbi Andrean,ushta e tij plagosi kalin në gjoks dhe kali u rrëzua, andrea brofi në këmbë dhe u mbrojt me shqyt,kalorësi serb ngriti shpatën dhe do t’a kishte vrarë, por deda me një gjuajtje të shpatës, i preu krahun që ra përdhe tok me shpatën, pastaj me një goditje tjetër e çau ne sup gjer në gjoks. Serbi u plandos pa frymë, por këmba i mbeti në yzengji dhe kali e tërhoqi zvarrë.Andreas i prunë një kalë tjetër.

Sulmi në qëndër dhe nga krahët i çau serbët më dysh.Nuk I qëndruan dot furisë së arbërorëve dhe nisën të tërhiqeshin, por  me rregull e duke luftuar. U hodhën matanë lumit. Arbrorët nuk e ndalën vrullin. Armiku e braktisi në panik lëmin e ngritur rrëzë kodrës dhe mori arrati8në drejt maleve. Në lëmin serb u kap shatorrja e princit Urosh plaçka e luftës dhe thesari i ushtrisë, që do të ishte i mjaftueshëm për të shperblyer luftëtarët.

Kur dielli ishte ndaj të perënduar, prijsit arbërorë I bënë një shqyrtim fushës së luftës.Pamja ishte tronditëse: fusha ishte mbjellë me kufoma dhe e larë me gjak.Luftëtarët e rënë e kishin trupin të mbushur me plagë, ishin rrëzuar me pozicione të ndryshme dhe trupat e tyre ishin shformuar ashtu siç i kishin detyrur dhimbjet ne çastin e shpirtdhënies. Në sytë e tyre të ngrirë e si të  xhamtë, drejtuar qiellit pasqyrohej dhimbje njerzore e çasteve të mbrame.

U tërhoqën trupat e të vrarëve dhe të plagosurve. Andrean e pushtoi ankthi dhe një parandjenjë e kobshme. Niketa nuk po dukej në rafhët e oficerëve dhe komandantëve.Atëhere ai filloi ta kërkojë midis të vrarëve. E njohu nga veshja. Gjoksin e kishte të mbushur me plagë vdekjeprurëse. Kishte vdekur duke luftuar ballas e trimërisht. Ndjeu ti therte zemra dhe  në fyt iu mblodh lëmshi i dhimbjes. I mbylli sytë dhe e mori para duarve duke ecur i perhumbur. Niketa kishte rënë dëshmor. Familja e Topiajve kishte paguar haraçin e gjakut që i takonte Arbërisë.

Kishte qënë një ditë prove, pjesë e historisë së shkruar me gjak. Të rinjtë ishin burrëruar e  trimëruar , trimat ishin khyer në luanë.Arbëria kishte zot. Ishte fituar një betejë, ujku serb ishte tërhequr për të lëpirë plagët, por jo për të harruar zakonin. Lufta do të ishte e gjatë. Cari serb, Stefan Dushani , nuk do të tërhiqej e të gjente prehje derisa të formonte me zjarr e hekur  perandorinë e tij të madhe.

Vijon

Korrik 2018