E marte, 19.03.2024, 11:53 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Amor

E diele, 29.07.2018, 10:15 AM


AMOR

Nga Elvi Sidheri

Të gjithë kemi qenë të dashuruar në jetë.

Bëhet fjalë kështu për ato shikimthet e turpshme të kopshtit, teksa përvidheshim me bishtin e syrit, faqeve të shoqkave, të cilat ku i dihet, me ato ndjesi të atëhershme, edhe donim t`i ledhtonim të paktën.

Sepse, thonë të moçmit, dashuria nuk njeh moshë, s`kerkon limite, zhbën tabu e fyen normat e imponuara të një inteligjence përherë prapambetëse ndaj botëkuptimit bashkëkohor.

Por çdo analize e tillë do ishte veç fjalë e zbrazët në mendimin e një fëmije zemër-rrahur, ndoshta një djali te cilit dikur 8-vjeçarja i tingëllonte thelbësisht "boring", e tillë sepse "në jetë ka mjaft më mirë për të bërë"!

Ah sikur të ishte kaq e thjeshtë!

Sikur aty në klasë të mos ishte edhe AJO!

Po, sepse në jetë "biri im" (skenë klasike filmi, ku babai i mëson botën tonë të vështirë, birit akoma buzequmështor), në këtë jetë që na ka falur Zoti, për ne është gjithmonë nje AJO aty rrotull!

Kështu për ne meshkujt pertace, mundet që të jetë gjetur medikamenti mrekullibërës, për të na shtyrë të frekuentojme ambiente për të tjera aspak tërheqëse si: shkolla, gjimnaze,universitete shumëvjecare, ku edhe po paguam qimet e kokës, sërish do praktikonim po të njëjtën "orëlënie" si në adoleshencë.

Po ja që në ato banka dikur të shkarravitura me gozhdë a thonj njerëzorë, ato sipërfaqe dërrase që kanë mbajtur stoikisht emrat tanë në kurriz, aty janë mbështetur edhe krahët e tyre, duart që ngaherë kemi ëndërruar të shtrëngojmë.

Doçka të lëmuara, floçka ende të gjata, të porsakrehura gërshet nga gjyshe zemërbuta a mama thellësisht dyshuese ndaj atyre hapsirave shkolloro-shoqërore ku do te gjendeshim edhe NE!

E kush tjeter veç nesh? - Djemkave futbolldashes, lekëpakët e matematikëurryes, që orët mësimore i vlerësonin vetem nga sasia e shikimeve të shkëmbyera me shoqkën e rastit.

Shoqe, sepse atëherë "e dashura" interpretohej prej nesh mendërisht si një fjalë e përmasave gjigante, që vetëm një ëndërr e bukur nate vere (konkurrente e denjë e koleges Shakespear-iane), mund ta formësonte plotësisht tej secilit kufi të guximit tonë ende të mitur!

E vërtet, imagjinata jonë shkonte pikërisht si këto fjali të gjata.

Ajo ndizej në shkëndija të zjarrta të buzëqeshjeve të saj në orën e parë, flakëronte si muret e Kartagjenës që sokëllinin tmerrin e kordhës Romake, dhe skenat e filmit te rradhës me Shpata na ringatërroheshin habitshëm me shkrepëtimën që çante qiellin akoma të zymtë të emocioneve tona, kur një fjalë e saj e ëmbël pagabueshëm, na drejtohej NE!

Sepse Ne, ne të kundërt të çdo mendimi a më mirë "Paragjykimi popullor", nuk ishim jo vetëm të prapambetur mendërisht, siç 117% e prindër-vëllezërve tanë do kishte menduar, por aq më pak zemërgurë ndaj ndjenjave a mospërfillës ndaj asaj, sublimes "Dashuri".

"El Amor", pra!

Dolëm këtu në këtë shteg hispanik, domosdo sepse bota fjalës Spanjishte i jep një peshë specifike, qe vetëpërfshin, ngërthen në vetvete njëkohësisht çdo atom sensualiteti, epshi e terheqje fizike që goja njerëzore të ketë ditur të shqiptojë ndonjëherë.

Por ishim ende larg përdorimit të gjuhës Njerkë (të huaj) në tentativat tona belbëzuese të joshjes "me zë" të seksit tjetër.

Po ndërkohë kishim fituar një tjetër njohuri themelore në jetë.

Dijeninë "sine qua non", te ekzistencës të një seksi... tjetër.

Sepse per Ne, seksi e njëkohësisht seksi tjetër, ishin e mundet të jenë edhe sot e kësaj dite, sërish po... tjetër!

Një pikë kjo e dhimbshme për një mashkull që nis te zbulojë seksualitetin në shtratin e lindjes, kur vetëshihet i zhveshur, skuqur si spec djegës, qaraman e mbi te gjitha i varur me një kordon tek një FEMËR!

S`do mend si do vazhdojë jeta me tej.

Te mos harrojmë detajin fillestar, ndërsa trupi gjykues merr në shqyrtim provat dhe këqyr vendngjarjen, për të përcaktuar para publikut (mjekë, prindi-nënë e tromaksur nga lindja, prindi-baba i tromaksur nga tromaksja e prindit-nënë e prindërit e prindërve që shijone skenën dhe birbon e ri të porsaardhur në jetë), për të qartësuar pra seksin (s`na ndahet kjo fjalë) e femijës.

Ky kordon ombelikal, mbetet nevojë elementare për Ne e mundet të kalojmë jetën në tentativë për ta rilidhur me fatkeqen femër të radhës.

Sepse femra ndoshta çlirohet, shpëton kur e këput dhe atë lugatin e vogël, atë qenien e babëzitur, e hedh jashtë barkut të saj të gjorë, pas 9 muajsh "sfiltës".

Por çdo birbo, e veçanërisht ne meshkujt, del të qemë mësuar mirë aty brenda.

Ohoho, ngrohtë, pozicion komod, lëng i butë, ushqim gratis, i zgjedhur, kur na vjen uria lëshojmë edhe ndonjë shkelm (habiten pastaj për botën maskiliste), flemë sa na e do kokrra e qejfit.

Ç`do njeriu, sidomos kur është mashkull, më tepër?

Një ndeshje të mirë futbolli do thoni ju?

E drejtë!

Por ka gjithmonë diçka që mungon, ndryshe jeta s`do bëhej interesante.

Edhe ne meshkujt, eventualisht një ditë na vjen turni (i treti, më i vështiri përgjithësisht) të dalim nga barku mikpritës mëmësor.

Dalim sepse një dashuri e pamatë na thërret.

E para dashuri që njohim, nje vel përkujdesje, dhënie e përkushtimi total, që do të paragjykojë çdo tip tjetër dashurie po femërore që do kemi fatin të njohim në jetë.

Sepse mundet që përherë, pandërgjegjshmërisht të jemi në kërkim të po asaj dashurie unike, të pakushtëzuar që na është falur që ditën e parë të jetës.

Sepse ajo do mbetet idealja.

Atë, ndër të tjera do kërkojmë, do i futemi edhe shkretëtirës me kokë lart për ta gjetur njeriun që personifikonte Dashurinë për NE.

Sepse ne meshkujt, habitshmërisht jemi "dashuri-thithës".

Sfungjerë të vërtetë në këtë fushë.

Kemi një serbator të pambushshëm me Dashuri!

Gjithmonë kërkojmë ta furnizojmë, ta kemi në gjendje pune, e duam me rezerva te plota, të na dalë për gjithë udhëtimin jetësor, nuk kemi te ngopur.

Ndodh kjo sepse ne meshkujt jemi shëmbëlltyra e Njerëzimit pas-Neanderthal e këtej.

Ne shfrytëzojmë cdo resurs (dashurie) siç ben njeriu me Natyrën, e kurrë s`na mjafton.

Jemi bletë në kërkim të nektarit më të ëmbël, e fatmirësisht fruti i i këtij fluturimi tonë të vazhdueshëm nëpër lulet e dashurisë, janë dashuriçkat tona.

E për t`u kthyer gjuhës, edhe unë po përdor fjalën "e huaj" për t`u shprehur për dashurinë.

Sepse ndër të tjera, mashkulli ka historikisht nevojë për fjalë të stërholluara e libra, vargje e lumenj proze për t`u shprehur.

Ne meshkujt preferojmë t`i biem gjatë, thurim e këndojmë këngë të cilat një femër nuk ka nevojë t`i dëgjojë për ta kuptuar cfarë duam.

Ajo gjithmonë e di çfare një mashkull donte te thoshte që para se ta kompozonte këngën e saj.

Ajo kërcen nëpër strofat që ai krijonte, tingëllonte më bukur se çdo notë e lindte me poezinë e tij ende të papërfunduar!

Sepse ato janë ne vrullin e penës së poetit, krijimtarinë e rioshit, panoramën e syrit të piktorit, në limfën e gjeniut.

Qysh nga nata e kohëve, ne meshkujt shkruajmë edhe fundja tërthorazi për ato.

Ç`kënaqësi do ishte për Ne një libër i madh i pa rënë nën sy femërore?

Një kontinent i ri për të cilin ato s`kanë dëgjuar?

Një stoli e artë që për to s`ka shkëlqyer a një ditë pa to e aguar?

Ato ndoshta jane dita jonë e Ne nata ku Ato ngrysen, Ne retë e Ato rrezet që tokën e ringrohin pas shiut tonë.

Kjo është e do mbetet historia, ndoshta gënjejmë veten, por është gënjeshtra më e ëmbël që një mashkull mund të thotë, përherë.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora