E premte, 19.04.2024, 12:16 PM (GMT+1)

Mendime

Gani Mehmeti: Varret meritojnë lapidar

E merkure, 25.07.2018, 08:12 PM


Fshati Pakashticë e Epërme

VARRET, DIKUR FANTAZMA, MERITOJNË LAPIDAR

Nga Gani Mehmeti

Mos i bini andej, mos iu afroni atje atyre varreve!

Pse ...?! – pyesnim ne, por përgjigje nuk merrnim  dot. Mjaftonte ajo “mos”  dhe ne nuk guxonim as t’u afroheshim varreve, as të pyesnim dy herë se përse dhe të kujat ishin ato dy varre. Pse nuk po merrnim përgjigje se të kujat ishin ato varre, ne nuk kishim shtruar as pyetje tjera që po na rrinin në kokë! Nga kjo, po krijonim në kokat tona gjithçka: Varre përbindësh, mos  janë vallë? Varre  këso ose aso fare... por nuk ia dinim assesi realitetin. Nuk po guxonim as mes shokësh shumë ta diskutonim, po mbillnin frikën në ne se përse nuk duhej ditur!

Na ishin bërë varre fantazmë, dhe, gjithçka po fantazonim rreth tyre, pa ditur shpjegimin.

Përse nuk ka edhe varre tjera aty? Si është e mundur të jenë vetëm dy varre? Çka do të thotë kjo? Përse nuk varrosen as sot të tjerë aty? Po, mirë që qenkan dy varre dhe bisedojnë mes vetes e nuk e lënë njëri-tjetrin të frkësohen e të mërziten – mendonim ne, si fëmijë,  se edhe të vdekurit bisedojnë kur janë afër!

Me kaq sikur kishte përfunduar gjithçka. Askush asnjë fjalë për to. Për një kohë ishte kurreshtja jonë të mësonim diçka për to, por askush as edhe një fjalë të vetme nuk na e thoshte për to. Di, se edhe bagëtinë, mundësisht, nuk i linin të afroheshin  tek ato dy varre ! Dhe, për ne mbetej diçka e pazbuluar. Nuk dinim se përse nuk kishte përgjigje. Nuk dinim as prej nga ishin ata që ishin varrosur aty. Po mendonim gjithçka: se ato varre mund të ishin të dy njerëzve profetër, të dy njerëzve të çmuar, të dy njerëzve që ndoshta nuk kishin lënë të keqe pa bërë... Ne kështu po na dukeshin  ato dy varre, sikur ishin edhe monumente historike, ndoshta, që askush nuk guxon t’i prekte, ndoshta ishin varre magjike, dhe, ku ta dimë se çka do të të gjejë po iu afrove atyre, ndoshta, ndoshta, ndoshta … mbeti me ndoshta dhe, dikur - sikur u mësuam me të pashpjeguarat e kohës e na u hoq kurreshtja, u largua interesimi për të mësuar më shumë për to, sa edhe u harruan… !

Nuk e di për të tjerët, por, vërtet unë kisha harruar se ekzistojnë më këto varre... Jo për diç tjetër, por nga vetë vendi ku ishin ato, ne po largoheshim dita-ditës prej tyre. Po, sepse ato dy varre ishin jo larg stacionit të xhandarmërisë, që ishte atje, lart në Kodër të Stanicës, siç po thuhej në gjuhën e pushtuesit, që ne, aso kohe nuk po guxonim as ta quanim stacion të xhandarmërisë, sepse kishte një kuptim të kohës kur populli shqiptar ishte  maltretuar, rrahur e vrarë; kur populli shqiptar ishte ndjekur nga trojet e veta dhe po dëbohej për në Turqi, Shqipëri e kahmos tjetër, vetëm të hiqej sysh nga Kosova, nga serbët, malazezët e maqedonët... Kjo farë e keqe e ardhur, nuk po mund të duronte faren e vendit, po donte të shtrinte lirshëm rrënjët e veta të pa rrënjë, duke shkulur rrënjët e vjetra e autoktone të një fare tjetër që ishte aty prej kur ishte krijuar vetë bota, vetë rruzulli tokësor.

Sa herë po i binim rrugës kah stacioni i xhandarmërisë, kur  ktheheshim nga shkolla për në shtëpi, sepse andej ishte rruga më e kullueshme, kur ishte koha me shi ose kur po shkrihej bora, andej ishte rreze se e kishte shpinën të kthyer nga veriu e kullohej edhe terej toka shpejt, e ne nuk na dilte lloqi përmbi opinga.

Këtë rrugë e quanim Rrugës kah Stacioni Policor, se tani, nuk po guxonim t’i thoshim rruga kah Stacioni i Xhandarmërsië. Dhe, atje, si në lindje të varreve  ishte edhe ndërtesa dykatëshe e xhandarmërisë në kodrën e ngritur të fshatit nga ku vrojtoheshin shumë fshatra të tjera me qëllim të sundimit më lehtë, e cila si e tillë, me shtypjen që kishte bërë ndaj popullit shqiptar, po mbillte frikë sa herë që shqiptarëve u shkonin sytë në të, dhe sikur u thoshte: Hej, unë këtu jam. Ashtu si ua kam bërë  këtyre që i kanë varret këtu afër meje, ua bëjmë edhe ju! Kujdes, mos ngrini krye se ju gjen edhe ju kështu...!

Deri sa aso kohe isha fëmijë dhe kishte mbetur pa e zbuluar se kush ishin varrosur në ato varre, u zbulua tani,  duke lexuar “Kujtime për Lëvizjen Kaçake”  të Prof. Dr. Liman Rushitit, mund të them pas 60 vitesh.

Arif Parduzi në këtë kohë ishte gjallë dhe largohet. Sherifi i plagosur dorëzohet. Bali Hetemi prej Kërrpimehe edhe ky dorëzohet , të cilët i dërgojnë në stacionin e xhandarmërisë në Krypimeh e që po atë natë, Bali Hetemi varet në burg me rrip që e kishte me vete. Një farë Milloshi i Pakashticës që ishte xhandar i vret të dy vëllezërit Pardyzë – Sherif dhe Rexha,  varret i kanë afër stacionit të xhandarmërisë. Kjo ishte pranvera e vitit 1919. Me këtë rast janë vrarë  Idrizi i Sejdisë prej Dobërdoli që ishte xhanar, një poruçnik Petar Mlladenoviq i xhanarëve i cili u vra  në malin e Ahmetit dhe Emin Lepajës prej Dobratini. Me rastin e ndjekjes të kaçakëve, në Letanc xhanarët vrasin shumë shqiptarë të cilët hasen në rrugë pa kurrfarë faji[1].

Pra, në kêto dy varre qenkan Parduzët: Sherifi e Rexha, që neve nuk po guxonin të na tregonin se kush ishin aty të varrosur dhe përse e nga kush ishin vrarë e varrosur aty.

Edhe tani, kur  mësova se të kujat janë këto dy varre, unë pyes veten: vallë, deri aq thellë paska hyrë frika ndër shqiptarë, sa edhe të mos guxohej të tregohej e vërteta e këtyre varreve ? Vallë, përse nuk e dinte dikush, qoftë edhe nga fëmijët e Parduzve, me disa prej të cilëve ne ishim në shkollë, sepse atëherë nuk ishte një kohë e largët prej ngjarjeve tragjike të popullit shqiptar që kishin ndodhur? Mund të themi se kishte vetëm dyzet vite. Për ato dyzet vite  kishte njerëz të gjallë që kishin përjetuar ato tragjedi, ndoshta kishin vëllezërit e tyre, kushërinjtë apo edhe kushdo qoftë nga fshatarët.

Eh, tani që e mësova, përse të mos e mësojnë edhe të tjerët !

Tani që e mësova, nëse janë ende ato varre atje, propzoj që të mos mbesin enigmë, por të rregullohen, të ngritet një  lapidar i lartë, shumë i lartë, dhe po në atë lapidar të shkruhet  historia e tyre tragjike dhe e shumë të tjerëve.

Eh, Parduzët ! Pse, kush janë këta?

Parduzët janë ata që u dëbuan disa herë nga vendi i tyre. Fillimisht u dëbuan në vitet 1877-1878 nga vetë fshati i tyre me të njëjtin emër që e mbajnë edhe këtu, nga fshati Parduz i Toplicës. Ata ishin ende me shpresën se një ditë do të kthehen në vendin e tyre, kur po përjetonin ndjekjen tjetër, të cilët po përpiqeshin ta kundërshtonin, që  në vend të ikjes kishin zgjedhur QËNDRESËN, qëndresë që  i çoi në varr! Po, ani, më mirë në varr e në vendin tënd, se sa të jetosh larg vendit tënd! Kështu kishin menduar ata dhe kështu kishin vendosur ata, prandaj u flijuan me masat më çnjerëzore nga jonjerëzit, nga gjakpirësit e popullit shqiptar.

Më në fund, këto varre, tani e tutje kanë emrat e njerëzve që mbajnë përbrenda:

Njëri është i Sherifit e tjetri i Rexhë Parduzit!

Përndryshe, Parduzët i kanë varret në lagjen e tyre, krye Dardhishtës, në kodrën mes Lumit të Parduzve në Pakashticë dhe Grykës së Sylevicës[2].

Sherifi i Hazirit e Rexha i Kamerit të Parduzve, mbasi ishin vrarë nga forcat serbe, këta nuk i kishin lënë as t’i varrosnin në varret e tyre, por i kishin varrosur pa ceremoni, si kaçakë, aty, jo larg Stacionit të Xhandarmërisë, për çka nuk e dimë as shkakun, nëse nuk e kishin për shkak të mllefit pse ata ishin ngritur kundër regjimit serbosllavë!

Sot do të ishte mirë t’u ngritet një lapidar i lartë këtu dhe të shkruhet për ta, pse e meritojnë, që brezat e ardhshme të mësojnë vuajtjet e shkaktuara prej serbëve, të cilët bënë çmos ta zbrazin Kosovën nga shqiptarët.


[1] Prof. Dr. Liman Rushiti :  Kujtime për Lëvizjen Kaçake, Prishtinë  2003.  Faqe  20.

[2] Fshati Pakashticë gjendet pak si në veriperëndim të Llapit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora