E marte, 19.03.2024, 02:56 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Kthimi i Albatros Rexhajt

E diele, 22.07.2018, 10:34 AM


Kthimi i Albatros Rexhajt

Nga Elvi Sidheri

Kur një shkrimtar mungon prej kohësh nga kërshëria e lexuesve të tij, atëherë fjala “Kthim” shndërrohet në sinonim krejt të natyrshëm për të përshkruar takimin e tij të sërishëm në dimensionin e botimeve, aty ku në fund të fundit, e ka vendin gjithësesi.

E sakaq, kur romani i tij i radhës, pas një shkëputje të gjatë, titullohet pikërisht “Kthimi”, rrjedhimisht ekuacioni letrar merr zgjidhjen optimale, duke u jetësuar në përpjestim të drejtë me pritshmëritë e lexuesve për një krijim të munguar, që përfundimisht gjen dritën e përvijimit në mënyrën më të natyrshme.

Botimi i këtij libri është pra, ashtu si krejt faza krijuese e tij, një fryt i vetvetishëm i tërë rrugëtimit ekzistencial të vet shkrimtarit, Albatros Rexhajt, që ndër vite, vijon të arrijë në vazhdimësi, të ofrojë risi për publikun shqiptar, duke ditur përherë t’i kapërcejë kufijtë jo vetëm administrativë mes shteteve shqiptare dhe trojeve ku jetojnë shqiptarët tjetërkund, por edhe veçanërisht barrierat mendësore, që shpeshherë vetëcungojnë diapazonet e sendërtimit të letrave shqipe.

E në këtë rrugëtim, romani i ri Kthimi, përbën në mos “Turning Point”, pra pikën e kthesës së shkrimtarit, atëherë gjithësesi përfaqëson pa mëdyshje një hap të mëtejshëm në evoluimin darvinian të species shkrimtareske shqiptare, në mëtimin, gjurmimin dhe kërkimin për një shtjellim të mëtejshëm të letërsisë në trajta, subjekt e karakteristika shqiptare, pa e shkëputur aspak atë (siç rëndom ndodh me romanin shqip) nga universi i letërsisë botërore.

Duke e ndërfutur e ndërthurur rrjedhimisht letërsinë shqiptare të lëvruar nga autori i Kthimi dhe plot romaneve të tjera më përpara (Zonja Z, Edith, Rebelimi i Lulus, etj), në rrjedhat e letërsisë më të spikatur bashkëkohore.

Letrat shqipe fatmirësisht gëzojnë një shumësi lëvrimesh edhe në ditët e sotme, ashtu si në të shkuarën, por letërsia e Albatros Rexhaj dallohet pikërisht për ngulmimin në qëmtimin pas të resë, të pashtjelluarës, çdo tipari që nuk është shfaqur gjer më sot në gjirin e romanit të shkruar e menduar në gjuhën shqipe.

Nuk mund të mohohet se çdo kulturë, gjuhë e komb, ka nevojë për një shkrimtar që ngërthen shpirtin e së resë, guximin e përçapjes përtej botëkuptimeve të mirërrënjosura letrare dhe normave të ngulitura nga koha dhe tradita; për njerëz që e shohin letërsinë si një mundësi për të ngritur ura të reja nga ku të përçohet lidhja krijuese mes paraleleve ku mbruhet letërsia, brenda dhe jashtë suazave të një gjuhe, duke u puqur me rrezatimet e artit të të shkruarit në çdo kënd të botës.

Sepse letërsia do shqyrtuar gjithnjë në një këndvështrim gjithëpërfshirës, duke e konsideruar domosdoshmërisht edhe letërsinë shqipe, si pjesë përbërëse të pandashme nga horizontet ku nuk perëndon asnjëherë dielli në botën e romanit anembanë Europës, ku gjallojmë edhe artistikisht ne shqiptarët, por edhe përtej kontinentit tonë të moçëm.

E në këtë pikëpamje me rëndësi thelbësore, letërsia e Albatros Rexhajt mishëron saktësisht një nga këto shtigje të rralla ku letrat shqipe përputhen më së miri me letërsinë e huaj bashkëkohore.

Përmes stilit modern e mendjehapur me të cilin janë menduar, krijuar e sjellë për lexuesin librat e këtij shkrimtari; përmes qëndrimit të pakompromis të autorit ndaj kurtheve të vetëgjymtimit të veprës së tij, duke mos pranuar t’u përshtatet cungimeve të mendësisë së kalbur që shpesh cënon edhe vlerat më të epërme të librit shqip, por në veçanti përmes një synimi të përhershëm për të arritur më fisniken, cilësoren dhe largpamësen duke përdorur një gjuhë të qartë, një gjykim të kthjellët dhe duke mbajtur në vijimësi një afri të mirëfilltë me nevojat, ëndjet dhe prirjet e lexuesit.

Pikërisht këto veti e bëjnë letërsinë e Albatros Rexhajt kaq të çmuar për letërsinë e sotme shqipe, dhe romani i tij i ri dëshmon sërish bindshëm këtë fakt të pamohueshëm, që mund të shkruhet në shqip në një mënyrë moderne, të paepur, duke mbetur gjithmonë vetvetja, një shkrimtar i ditëve të sotme shqiptar, kosovar, qytetar letrar i botës.

Dhe romani Kthimi, ju fton ta lexoni për të gjetur arsyet edhe të këtij frymëzimi të autorit; për të gjetur rrënjët e apatisë së kryeqyteteve tona, gjurmët e kryeneçësisë së shpirtërave të pamposhtur krijues, që nuk dorëzohen para cektësisë dhe mediokritetit të stolisura me pekulet e kamjes përçmuese, dhe shtysat e kërkimit të burimit të çiltërsisë krijuese, përkundër gjithçkaje e gjithkujt, duke qenë gjithnjë besnik ndaj vetes dhe lexuesit.

Prandaj do lexuar ky liber.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora