E shtune, 20.04.2024, 02:48 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Kanal Televiziv për Mërgatën

E merkure, 04.07.2018, 07:59 PM


NGA TAKIMI NË DYSELDORF PËR KANALIN TELEVIZIV PËR MËRGATËN

(Parlamenti i Republikës së Kosovës i jep fuqi ligjore themelimit të Kanalit Televiziv për Mërgatën)

Në Klubin Ekonomik (Wirtschaftsclub) të Kompanisë Ecolog të familjes Destani, që kishte krijuar kushte ideale për takim e punë, u mbajt takimi i radhës në mes të Këshillit Nismëtar për Kanalin Televiziv për Mërgatën dhe një delegacioni nga Parlamenti i Kosovës, përkatësisht nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media. Përfaqësuesit nga Komisioni Parlamentar, kryetari Nait Hasani dhe deputeti Milaim Zeka e koordinatorja Drita Morina dhe përfaqësuesit e Këshillit Nismëtar të ardhur nga Gjermania (Ragip Ramaj, Jetmir Bexheti, Sebastian Nuiqi, Dr. Eduart Kaca, Dr. Fadil Miftari, Megi Maas Shala, Bekim Gashi, Dalip Kryeziu, Gani Krasniqi, Bahri Tahiri, Muhamet Bytyqi), si dhe nga Austria (Hazir Mehmeti) e Zvicra (Nazmi Jakurti), diskutuan, por dhe debatuan, gjerësisht për nevojën dhe mundësitë e themelimit të një Kanali Televiziv për Mërgatën.

Udhëheqësi i delegacioni parlamentar, z. Nait Hasani, informoi Këshillin Nismëtar për KTVM se Parlamenti i Kosovës iu ka qasur seriozisht kërkesës së mërgimtarëve për kanal të veçantë televiziv dhe tani paragrafi 4, neni 6 i Ligjit për transmetuesin publik të Kosovës, i cili hyn në fuqi nga 1 janari 2019, mundëson dhe ligjëson themelimin e kanalit për qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës e që do të jetë Kanali i 5-të i RTK-së.

Kjo informatë dhe ky vendim tani më i rregulluar me ligjin për Transmetuesin Publik të Kosovës, u prit shumë mirë nga ana e Këshillit Nismëtar për KTVM.

Në vazhdim u zhvillua një debat i gjerë për të gjetur modalitetet e themelimit të kanalit për mërgatën.

Gjithsesi pika më e nxehtë e debatit ishte ajo që edhe është pritur: financimi i këtij kanali televiziv. Këshilli Nismëtar kërkoi që koordinator e financues i KTVM të jetë themeluesi dhe financuesi i Transmetuesit Publik të Kosovës (RTK-së), pra Parlamenti i Republikës së Kosovës, që do të ishte edhe financues i këtij kanali.

Deputet nga Parlamenti i Kosovës ishin të mendimit se financimin duhet ta marrë mbi vete vetë mërgata sipas formave qe i zgjedh vetë, meqë ky kanal do të jetë kanal i mërgatës dhe në shërbim të mërgatës. Pra, aq sa financon do të ketë edhe minutat për transmetim, qoftë edhe transmetim 24 orësh.

Në fund të takimit u vendos që takimet të vazhdojnë në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup me pjesën shqiptare të institucioneve në Maqedoni, por dhe me personalitete dhe afaristë të suksesshëm në diasporë.

Këshilli Nismëtar për KTVM falënderon Parlamentin e Republikës së Kosovës, në veçanti kryetarin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, z. Nait Hasanin, për angazhimin e tij që ky kanal televiziv për mërgatën të futet në një paragraf të veçantë (paragrafi 4, neni 6) të Ligjit për Transmetuesin Publik të Kosovës, me çka edhe mbajti premtimin që delegacionit nga mërgata i dha në Prishtinë në takimin e majit 2018.

Njëherit, Këshilli Nismëtar për KTVM shpreson se me autoritetet përgjegjëse të institucioneve të Republikës së Kosovës, do të gjejë një mirëkuptim dhe zgjidhje adekuate edhe për financimin e këtij kanali televiziv.

Në fund, Këshilli Nismëtar mori vendim që të krijohet një komision profesional për përgatitjen e projektit final për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën.

Nga  Këshilli Nismëtar për Kanalin Televiziv për Mërgatën



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora