E diele, 15.09.2019, 09:03 AM (GMT+1)

Reportazh

Durrësi

E shtune, 19.02.2005, 11:48 PM


Durrësi, metropoli më antik
Thuhet se Ciceroni nuk deshi më të studionte në Dyrrahun e vjetër, pasi qyteti ishte shumë i lëvizshëm dhe i zhurshmëm, kështu vajti në Apolloni. Durrësi është i tillë edhe sot. Edhe pse nga vetë durrsakët përkufizohet si “qyteti ku nuk ndodh asgjë” pasditet e verës janë të zhurmshme dhe plot njerëz. Gjurmët e metropolit antik gjenden kudo në Durrës dhe kjo pjesë e vogël toke ruan ende një pjesë të historisë tonë dhe botës së vjetër. Vetëm 30 minuta larg kryeqytetit bregdeti i tij tradicionalisht ka qenë shtëpia e dytë e tiranasve ndërsa vitet e fundit po kthehet në vendpushimin e preferuar edhe nga shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë. Është e lodhshme në fakt gjithë rrëmuja e krijuar nga invesitmet më të fundit në këtë bregdet, por llogjika na bën të shpresojmë se gjithë ai invesitm do të sjellë frytet e veta ndoshta për disa vjet. Pothuaj i papërballueshëm është kontrasti mes të cilit jeton ky qytet: rrënojat antike mes pallateve parafabrikat të socializmit, arkitektura intaliane e disa rrugëve dhe ndërtesave, pluhuri i rrugëve tipike shqiptare, dhjetra pallate të reja (të bukura dhe të shëmtuara), plazhe ranore, mbushur me turistë, plehrat dhe gardhet ndarëse të atyre që tani zotërojnë nga një rrip rëre dhe deti.

Brenda në qytet
jeta ka një ritëm më të qetë sesa në plazhin e mbipopulluar. Përgjithësisht restorantet dhe lokalet janë përqëndruar te shëtitorja kryesore “Taulantia” : profili i klientelës që presin këto lokale dallohet që pa hyrë brenda. Kështu mund të gjeni atë që ju përshtatet më shumë. Më të rinjtë zgjedhin Torrën, nga veranda e të cilës mund të shijosh një perëndim magjik. Atmosfera në këtë vend është tipike verore, muzika e lartë dhe të rinjtë që e frekuentojnë bëjnë të duket një nga lokalet më të preferuara. Më tutje ndodhen edhe “London Tower” një nga lokalet më të reja në këtë zonë, me një mobilim shumë të veçantë dhe kuzhinë të zgjedhur, ka rënë shpejt në sy si një nga vendet e zgjedhura brenda qytetit. Ndër specialitet e restoranteve në Durrës, është guzhina italiane, sidomos picat. Kështu pak më tutje, në të njëjtën rrugë ndodhet edhe piceria “4 Stinët”, një nga krenaritë e durrsakëve. Vetëm brenda në qytet mund të egzistojnë mbi 10 piceri, të standarteve të ndryshme. Më të shtrenjat ndodhen në shëtitoren kryesorë të qytetit.

Plazhet e Durrësit
shtrihen nga Kepi i Rodonit deri te Shkëmbi i Kavajës: rrethuar nga pemë. Natyraliteti i këtij vendi ndoshta po zhvlerësohet dita ditës për shkak të rrëmujës së ndërtimeve të fundit. Megjithatë nga vizitat e fundit që kemi bërë në këto plazhe mund t'i përshkruajmë vetëm me një fjalë: mbipopullim! Turistët më të shumtë, sipas statistikave janë kosovarë.

Mund të thuash se zonat e plazheve ndajnë të njëjtën pastërti të rërës dhe ujit të detit, por gjithsesi zonat e pushimit dallohen nga shtrenjtësia e hoteleve apo restoranteve ndërtuar shumë afër plazhit. Komplekset e mëdha të pushimit janë disa dhe përfshijnë: hotele, restorante, pishina, qëndra argëtimi dhe lojrash të ndryshme. Këto janë edhe hotelet më të shtrenjta në Durrës, edhe pse brenda tyre mund të gjesh dhoma me çmime të ndryshme. Në Hotel “Florida” mund të marrësh një dhomë të mirë për mesatarisht 3000 lek nata, ose një dhomë jo shumë të mirë me katër shtretër për 1000 lek nata. Disa hotele të tjera nuk e përdorin këtë praktikë dhe nuk lëshojnë dhomat vizitorëve të rastësishëm, pasi duan të ruajnë një klientelë fikse me të ardhura të sigurta si: “Belinda”, “Pameba”, “Benilva” etj.

Hotelet më të lira, ndërsa vijon përgjatë rrugës së plazhit janë të dallueshme që nga emrat e tyre; disa nuk kanë asnjë tabelë treguese, por janë fort të dallueshme ngritur rradhë buzë detit. Dhomat mund t'i gjeni për shumë lirë edhe sa për të kaluar natën, gjithsesi në shumicën e rasteve dhomat janë të pastra dhe me kushtet minimale. Përsa i përket restoranteve, emrat e hoteleve të mëdha ofrojnë ushqim të mirë, sidomos të guzhinës italiane dhe gatimeve të detit. Restorantet popullore me emra patriotikë janë gjithashtu të shumtë, por nuk është e garantuar cilësia dhe pastërtia e ushqimit.

Pishinat për modë apo nevojë?
Komplekset e mëdha turistike si “Pameba”, “Belinda”, “Adriatiku” ofrojnë edhe pishina, të cilat frekuentohen shumë pavarësisht çmimeve të kripura (700-800 lek për person), pasi uji është i pastër dhe mjedisi më i zgjedhur.

Pistat
Janë të famshme Pistat në plazhin e Durrësit: në darkë ato kthehen ne salla vallëzimi mbi det. Në plazhin Iliria gjenden dy pista: e Vogla dhe e Madhja. Pasi perëndon dielli buza e detit trasformohen në një shëtitore dhe pistat në këtë plazh janë dy nga vendet ku ndalojnë pushuesit gjatë darkës. Pista e vogël është një mjedis i hapur dhe i këndshëm, ndërsa e Madhja është më e populluar.

Në plazhit Teuta, ndodhet “breshka” ose një Pistë tjetër e vogël, ku ka një lokal dhe restorant. Në darkë aty shkojnë më shumë turistët e ardhur nga periferite dhe mjedisi është tipik. Një tjetër me një emër shumë ekzotik është ndërtuar në plazhin e Currilave dhe funksionon si një disko e madhe. Mjedesi është modern dhe muzika komercale: latine, hip-hop etj.

Festat verore në Durrës
Gjatë verës organizimet festive janë të zakonshme: zakonisht ato kanë profile të caktuara të muzikës, mjedisit dhe çmimesh. Zakonisht këto festa organizohen në fund-javë, pasi vizitorët më të shumtë vijnë nga kryeqyteti. Ato mund të zhvillohen në plazh, ose në afërsi të Malit të Robit.

Durrësi, i zbuluar
Është e rëndësishme ta shohësh këtë qytet në kompleksitetin e vet, sepse kështu mund të shijosh atë çfarë ofron vërtet. Zbulimet më të rëndësishme dhe më të shumta arkeologjike në Shqipëri ndodhen sigurisht në Durrës dhe këtë sezon veror ndoshta ia vlen më shumë ta shfrytëzosh qytetin për turizëm arkeologjik apo kulturor, sesa për plazhin e tij. Mund të shpenzosh disa ditë duke vizituar rrënojat, mozaikët, kishat dhe xhamitë në këtë qytet. Disa nga vendet për t'u vizituar janë:

Anfiteatri
Ndërtitmi i përket shek I, II të erës tonë. Për nga madhësia mund të krahasohet me anfiteatrin e Polas apo Pompeut. Ka formën eklipsi dhe një kapacitet prej 15-20 mijë spektatorësh, fakt ky që dëshmon popullsinë e madhe të Dyrrahut antik. Brenda tij janë galeritë, tepër interesante për t'u vizituar sidomos për mozaikët dhe teknikën e veçantë të ndërtimit.

Bukuroshja e Durrësit
Rezarta, bukuroshja e Durresit
Sipërfaqja e mozaikut ka trajtën e një eklipsi me diametër; i madhi 5.1m dhe i vogli 3m. Në qendër është një figurë shumë e veçantë gruaje, më një qëndrim munumental, flokë të verdha, baluket e vogla i rrinë si kurorë dhe mbi to dallon një diademë në formë spirali me ngjyrë të zezë. Punimi i veçantë dhe shumë delikat, sidomos fytyra ëngjëllorë e gruas, e ka bërë këtë mozaik shumë të famshëm, duke e kthyer në një nga simbolet e qyteti antik. Nëpërmjet linjave të zeza dhe gri evidentohen qartë konturet e hundës, mjekrës, syve dhe gojës. Mozaiku ka një punim tepër të veçantë: është ndërtuar me gurë të vegjëll zalli natyral shumëngjyrësh të vendosur mbi një shtresë llaçi dhe është një nga shembujt më të vjetër të kësaj mënyrë të të bërit art, zbuluar deri në kohën tonë. Ky mozaik ndodhet edhe në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Banka e Shqipërisë
Ndërtesa ndodhet në një nga rrugët kryesorë të qytetit: arkitektura e veçantë e dallon menjëherë, sidomos statuja ilire e vendosur në ballin e ndërtesës.

Xhamitë e Durrësit
Dy më të rëndësishmet janë Xhamia e Madhë dhe e Vogla “Faith”. E para është ndërtuar në vitet 30 dhe është xhamia e dytë më e madhe në Ballkan. Gjatë revolucioneve kulturore socialiste kjo xhami u dëmtua por pas viteve 90 u rikonstruktua sërish, duke marrë pamjen e dikurshme: sot këtu kryhen ritet fetare nga shumë myslimanë shqiptarë. Ndër të tjera zhamia është edhe një vend i mësimit të kulturës dhe fesë muslymane. Ndërsa Xhamia e Vogël është shumë më e vjetër, është ndërtuar rreth 500 vjet më parë. Dokumentet e vjetra tregojnë se xhamia është ndërtuar mbi një kishë të vjetër bizantine dhe është një momumet historiko-kulturor tepër i rëndësishëm i qytetit.

Muzeu Arkeologjik dhe Muzeu Etnografik
Muzeu Arkeologjik dhe ai Etnografik janë shumë interesantë për t'u vizituar. I pari është ndërtesë moderne dhe mban brenda rreth 18000 objekte arkeologjike të fondit themeltar të ekspozuara. Muzeu Etnografik ka një pamje krejtësisht tjetër: ndërtesa është prej guri dhe ndjesia e familjaritetit kur hyn brenda është e menjëhershme. Oborri dhe dekorimet tradicionale shqiptare të bëjën të ndihesh sikur je në një shtëpi të vjetër shqiptare, shpesh punonjëset e Muzeut, ulen në hijen e shkallëve dhe ngjajnë me nuset e shtëpisë. Atmosferën e krijojnë edhe punimet e traditës të vendosura shumë natyralisht në 5 dhomat e katit të dytë të muzeut.

Restorantet
e mira dhe relativisht të shtrenjta janë ato që gatuajnë ushqime deti, sidomos në zonën e Vollgës janë përqëndruar disa të tilla, si “Orienti” ; “London Tower”; “Kështjella” ose në Currila ndodhet një nga restorantet më të njohura “Aragosta”, “Camel”. Ndërsa në plazh më të rregulltat janë “Green Park” , “Canal Grande”, “Benilva” (në afërsi të Shkëmbit të Kavajës); “Belinda”, “Anë Deti” (Golem).

Hotelet ndahen në “shumë të shtrenjta” dhe “normale”. Më shumë hotele të llojit të parë janë të përqëndruara në Golem ose në plazhin Iliria. Hotelet më të lira janë ato më pronarë shqiptarë jashtë kufijve, të dallueshme nga emrat e qyteteve prej nga vijnë, si Tetova, Gjilani, etj.

Varri i shenjtë dhe mozaiku përmbi… (Zbulimi i Sali Hidrit)
Toka i di të gjitha sekretet! I fsheh dhe i ruan brenda saj, deri sa vjen momenti që t'i shfaqi sërish. Toka i lidh njerëzit nëpër shekuj; si gjenet që trasmetohen nga brezi në brez, përcillen njëlloj edhe historitë njerëzore. “Në 4 tetor, vitit 1981 ora 4 e pasdites, zbulova i vetëm gërshetin e parë të mozaikut të Arapajve, në Bazilikën e Shën Mëhillit. Për rreth 8 orë nuk ia thashë asnjeriut këtë …” thotë arkeologu dhe historiani Sali Hidri, aktualisht drejtori i Muzeut Etnografik në Durrës.

Saliu (63 vjeç) ndodhej në zyrën e tij, brenda Muzeut Etnografik, ulur përballë një makine shkrimi, kur u takuam. Vitet e fundit ai nuk ka pushuar së shkruari libra, mbi njerëzit dhe historinë e Durrësit. “Unë vetëm kam shkruar këto vitet e fundit” thotë ai gati me duf, sikur tastet e makinës së shkrimit të ishin lidhur me pulsin e këtij burri, ende shumë energjik, pavarësisht peripecive që i pati rezervuar jeta. “Në '74-ën në filluam gërmimet e para në kodrat e Mëhillit. Atëherë aty, mbi kollonat e vjetra jetonte një plakë në një kasolle. Ne gërmuam rreth kasolles dhe gjetëm muret e para të Bazilikës” tregon Hidri. Aty ndalon së foluri dhe më jep një nga librat e tij, për të më treguar vazhdimin e historisë. Nuk më thotë arsyen, por një vit pas zbulimit të Hidrit dhe bashkëshortes së tij, atë e largojnë nga Durrësi dhe e çojnë të punojë nëpër fshatra. Kjo histori e prek; ai ul sytë dhe diçka thotë për jetën dhe njerëzit e këqinj që takojmë gjatë saj.

Por është zbulimi i tij që e frymëzon vazhdimisht; përmendësh fillon të më shpegojë sesi është i ndërtuar mozaiku. Një skulpturë plastike dekorative, me përmasa 66x29 - mozaiku është një punim tepër fin. Sipas Hidrit, mozaiku ka temë fetare kristiane: në qendër të tij qëndrojnë figurat e dy barinjve njëri me shkop në dorë ndërsa tjetri me një litar, të cilët simbolizojnë kishën dhe kujdesin e saj për besimtarët. Figurat e qenit dhe bagëtive janë vendosur pranë tyre. Tre kuajt, (i bardhë, i zi dhe ngjyrë hiri) simbolizojnë tre kuajt e apokalipsit. Mozaiku, nuk ka vetëm funksion dekorativ për Bazilikën, pasi nën të është zbuluar një varr; eshtrat e gjetura tregojnë se aty janë varrosur një grua dhe një burrë. “Unë mendoj se varri duhet t'i përkiste njerëzve shumë të njohur dhe të respektuar, nga banorët dhe kisha. Ndaj ky vend kosiderohej i shenjtë”, thotë Hidri.

Muret më të vjetra të Bazilikës, i përkasin periudhës së Justinianit (shek.6) dhe që nga ajo kohë e deri në ditët tona, kodrat e Shën Mëhillit, konsiderohen si vend i shenjtë. Aty janë gjetur edhe tyrbe, që do të thotë se edhe në kohën e pushtimit osman ky vend ka funksionuar si faltore, ndërsa sot në dritaren e ngushtë të varrit të vjetër njerëzit e zonës kanë ndezur qirinj.

“Si në asnjë vend tjetër të rajonit, në Shqipëri monumentet shpirtërore janë ruajtur si të tilla, vetëm janë transformuar për t'i mbijetuar kohës”, thotë arkeologu.

Kështu, nisi gjithçka me një varr, që u shenjtërua. Në shekuj shumë njerëz do jenë ulur në gjunjë, pranë atyre rrënojave, kanë hedhur monedha dhe kanë bërë sakrifica që lutjet e tyre të dëgjoheshin. Thuhet se perandori Aleksandër është fshehur në tempullin antik; thuhet se tempullit i kanë vënë zjarrin dhe brenda tij kanë vdekur të djegur shumë njerëz. Në shekullin XX, pikërisht në vitin 1974 arkeologu Sali Hidri me gjashtë punëtorë të tjerë, hoqi dheun dhe zbuloi majën e Bazilikës së vjetër, i cili ndoshta është zbulimi më i madh i jetës së tij. Toka ruan zinxhirin e historisë dhe Hidri që e nxorri nga dheu, është i lidhur me të pazgjidhshmërisht.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT