E premte, 19.04.2024, 11:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Ardian Ndreca: Rrënojat e Abacisë së Shirgjit dhe shpëtimi i tyne

E hene, 15.09.2008, 12:36 PM


Ardian Ndreca
Rrënojat e Abacisë së Shirgjit dhe shpëtimi i tyne

Nga Ardian Ndreca

Edhe pse ndodhet pak kilometra në jugperëndim të Shkodrës, buzë lumit Buna që e ka gërrye pa pra dhe i ka zhvatë pjesë të randësishme të saja, abacia e Shirgjit dhe Bakut, ka mbetë jo si monument i randësishëm i Mesjetës sonë, por si monument i paaftësisë së shtetit shqiptar me ruejt dhe me shpëtue dëshmitë historike me randsi kombtare. Pse asht me randësi shpëtimi i asaj çka ka mbetë prej abacisë dikur zâmadhe të gjithë asaj treve? Pushtimi osman, për arsye që dihen, ka sjellë me vete zhdukjen e nji pjese të madhe të monumenteve tona të kulturës. Për shembull nji pjesë e madhe e kapiteleve, kolonave, statujave të mermerta të Apollonisë u dogjën për me ba gëlqere prej feudalëve që ndërtuen sarajet e tyne bri fushës së Myzeqesë. Gurët dhe materialet tjera me vlerë historike të tempujve, kishave e deri edhe rrugëve antike u përdorën për ndërtime të mavonshme. Ky tërbim ndaj kulturës së hershme solli me vete nji vorfnim të madh të shenjave të dukshme që dëshmonin bazat e vjetra të popullit tonë. Abacia e Shirgjit i kushtohet shenjtënve Shirgji (Sergius) dhe Baku (Bacchus) e asht mbarështrue për shekuj rresht prej murgjve benediktinë, atyne që i dhanë nji pamje qytetnije Europës dhe që themeluen qytete dhe qendra të banueme. Kjo abaci nuk ishte e vetmja në Shqipninë mesjetare. Simbas historianit kroat Milan Sufflay kishte edhe abaci të tjera të randsishme si ajo e Shën Palit në Pult, e Shën Sofisë, e Shën Gjonit afër Drishtit, abacia e Shën Kollit në derdhje të Bunës, e Shën Aleksandrit në Malin e Shenjtë, Shën Maria në Nderfandena etj. Shenjtnit Shirgji e Baku janë martirë sirianë e na çojnë në shekujt e parë të krishtënimit në qytetin sirian Rusafa. Ndoshta prej ketëj edhe origjina e legjendës së Rozafës, bile në nji biografi të Stefan Nemanjes (1215) përmendet “Qyteti i Rosafit”. Kisha e Shirgjit asht ndërtue prej Helenës, mbretneshës së Serbisë, Dukles, Albanisë, Dalmacisë etj. në vitin 1290. Helena ishte katolike franceze, bijë e mbretit të Bizantit Balduinit II de Courtenay, perandorit të Konstantinopojës dhe ishte martue me mbretin Stefan Uroshin I. Nji mbishkrim që ruhet edhe sot në Muzeumin Kombtar dëshmon kontributin e saj dhe të djemve në ndërtimin e kishës abaciale: “Kujtoju o Zot për shërbtoren tande Helenen, mbretneshen e Serbise, Duklës, Albanisë, Chilmiae-s, Dalmacise dhe zonave bregdetare, e cila bashkë me t’bijtë, mbretnit Urosh e Stefan, e ndërtoi rishtas ketë kishë, për nderin e të lumëve martirë Sergjit dhe Bakut dhe e përfundoi krejtsisht në vjetin 1290”. Ishte po mbretnesha Helenë e cila ndërtoi kishën e parë të françeskanëve në Shkodër rreth vitit 1288. Fra’ Giovanni prej Plan de Carpino, me t’u emnue kryeipeshkëv i Tivarit në vitin 1248, vëren At Marin Sirdani, mendoi që me anë të françeskanëve me i vu nji pritë sllavizmit dhe bizantinizmit në Arbní, tue organizue arbnorët për me shpëtue fenë dhe atdheun e tyne. Në këtë përpjekje mbretnesha Helenë luejti nji rol të posaçëm. Helena e shtëpisë Anzhù (Hélène d’Anjou) me ndamjen trish të mbretnisë serbe mori nën sundim pjesën bregdetare tue përfshi edhe Shkodrën, ku simbas kronikave u ba murgeshë në monastirin e Shën Kollit. Po në këtë mungadë u varros mbas vdekjes së saj me 8 shkurt 1314. Nji mbishkrim i dytë ndodhet në Muzeumin popullor në Shkodër dhe flet për punime mirëmbajtëse që bani në këtë kishë djali i vogël i Helenës, Stefan Uroshi II Milutin, në vitin 1318. Dokumente apokrife e çojnë datën e themelimit të abacisë në vitin 1100. Nji biografi apokrife e perandorit Justinian e përmend ketë si ndërtues të saj. Në Shirgj, simbas dokumenteve të kohës, organizohej nji prej katër panaireve ma të mëdhaja të rajonit, për këtë arsye panairi i “S. Sergii de Zenta” që mbahej me datën 7 tetor për nder të festës së pajtorit, ishte i njohun në mbarë brigjet e Adriatikut. Kjo ndodhte mbasi Buna ishte e lundrueshme me anije të relativisht të mëdhaja deri në at’ liman e kjo gja ndihmonte tregtinë dhe lëvizjen e mallnave. Në vitin 1399 pranë abacisë, në nji ishull në Bunë, ndodhej edhe nji magazinë e madhe krype. Prej atje eksportohej sasia ma e madhe e saragave për në Itali, siç dëshmon edhe nji dokument i vitit 1302. Me pushtimin osman dhe me valën e shkatrrimeve që pësoi vendi, Shirgji do ta humbte pak nga pak randësinë dhe limani do të zhvendosej në Obot. Në relacionin e vitit 1611 Marin Bici flet për shkatrrimet që kishin ba pushtuesit osman në at’ kishë: ata, dëshmon Bici, i kishin nxjerrë sytë figurave të shenjtënve dhe kishin ba damtime të tjera, tue thye e tue prishë mbishkrime e pllaka. Në vitin 1671 pullazi i kishës rrezikonte me u shembë. Në vitin 1684 Bogdani tregon se kumbonët ishin groposë në dhe. Farlati gjithashtu flet për at kishë. Disa dokumente flasin se kumbonët e kishës si edhe orenditë e çmueshme ishin groposë në hapsinën mes saj dhe kishës së shna Prendes (Venerandës) që ndodhet relativisht afër. Degrand flet për tepricat e afreskeve që mujti me pa para vitit 1901, figura shenjtënsh me mjekër të zezë e disa mbetje tjera afreskesh. Në kohën e vizitës së konsullit austriak Ippen muri i majtë dhe absida e elterit kryesor ishin të rrëzueme në rrjedhën e Bunës. Asokohe kishin mbetë në kambë tre prej mureve perimetralë, e Ippen dëshmon së për ndërtimin e saj nuk asht përdorë mermeri, por guri i gdhendun, përdorimi i të cilit alternohet me shtresa tullash, mënyrë tipike kjo për stilin bizantin të kohës. Kisha kishte tri navata dhe tri absida. Gjatësia e saj ishte 30 metër ndërsa gjanësia 10 metër. Ishte e naltë 15 metër e muret, sikurse thamë, ishin të afreskueme. Kishte edhe nji kumbonare të hijshme. Në vitin 1790 ipeshkvi shkodran Frang Borci në nji letër drejtue jezuitit G. Coletti në Venedik, i cili mblidhte materiale për veprën shumëvëllimëshe «Illyricum Sacrum», vlerësonte kishën e Shirgjit si ma e bukura në të gjithë Shqipninë. Orbini tek historia e tij e Sllavëve dëshmon se në at’ kishë janë varrosë disa princa të Duklës: Mikeli (1100), Vladimiri, Draginja i varrosun me nderime prej Radosllav Ivaniqit rreth vitit 1140. Kurse Ippeni vërente se në fund të ‘800 e në fillim të ‘900 mbrenda rrënojave të kishës varroseshin të krishtenët e fshatit Shirgj, të cilët tregonin se kur hapnin vorret për të vdekunit e tyne ndeshnin në mozaikun e shtrojës së kishës. Kisha e Shirgjit na dëshmon se të krishtenët e Shqipnisë veriore nuk ishin ba ortodoks prej ndikimit sllav, mbasi prania e murgjve benediktinë përjashton këtë mundësi. Bile Sufflay tek vepra e tij “Serbët dhe Shqiptarët” citon nji letër origjinale të vitit 1166 që flet për kishën e Kotorrit ku përmenden abatët e monastirit të Shirgjit mbi Bunë. Në po at’ letër mbi titullin abat, që asht nji titull i Kishës romane katolike, nji dorë ka nënvizue dy herë dhe ka shkrue termin arkimandrit, që i përket kontekstit sllavo-ortodoks. Me sa duket lufta mes dy riteve, mendësive e deri diku edhe dy etnive zhvillohej edhe në arkivat ku ruheshin dokumentat historike. Përkatësia katolike e familjeve patrice të Shqipnisë veriore në ‘400 si edhe lidhjet e tyne shpirtnore me Romën, nuk do të na lejonin për shembull të spekullonim tue e shkrue emnin e Gjon Kastriotit në formën pangjashme «Joan Kastrioti», mbasi kjo del jo thjesht si nji hamendje gjuhsore, por shpall nji tendencë të pahijshme që i ka rranjët te ndonji Tomko Marnavic që e shkruente historinë tue pasë veç entuziasëm etnik! Si do t’ju tingllonin emnat: Joan Muzaka apo Joan Buzuku? E pra janë shumë afër në hapsinë dhe në kohë me të ashtuquejtunin «Joan Kastrioti»! Përmendim këtu en passant se Milan Sufflay shkruen se në Krujë me ardhjen e Anzhuinëve në vitin 1272 merr fund influenca greke dhe dekretet e Papës qysh në vitin 1319 quejnë prijsat e familjeve princnore të Muzakajve, Matarangvet, Arianitve, Blinishtëve, Jonimëve “dilecti filii” (bij të dashun) e “viri catholici” (burra katolikë). Prandaj vetëm nji fantazi e sëmurë mund të nxjerrin në ‘400 në Krujë nji «Joan Kastriot»! Aq ma tepër që qysh në vitin 1281 ndeshim në dokumente emna me trajta shqiptare: «ducam Gjinium Tanuschum Albanensem» e kjo traditë vijon me «U doni Gjoni, i biri i Bdek Buzukut» në 1555 deri në ditët tona. Në abacinë e Shirgjit, në abacinë e Shën Gjonit në Shtoj, në Rashë, në Shas, në Danjë kishte kisha katolike të ritit latin e influenca e Romës vijoi e pandërpreme gjithë Mesjetën e vonë. Asht e vërtetë se në Arbninë e asaj kohe ka pasë ngulime e teprica fisesh serbe, morlake, bullgare, vllahe apo edhe osete, prej Osetëve të Kaukazit që erdhën si mercenarë në kohën e Uroshit II e u vendosën në rrethinat e Shkodrës – por për hatër të tyne s’mund ta përmbysim historinë, pse qenja dhe roli i tyne mbetet anësor dhe i papërfillshëm gjatë ndryshimeve epokale që përjetoi Arbnia.

* * *

Tue u kthye tek rrenojat e kishës së abacisë së Shirgjit theksojmë urgjencën e ndërhymjeve në këtë objekt. Këto vitet e fundit, falë interesimit të vazhdueshëm dhe pasionit të deputetit të zonës, z. Tom Doshi, janë ba inspektime dhe janë krye punime që mund të konsiderohen si të përkohshme për zgjidhjen e gjendjes në të cilën ndodhen rrënojat e abacisë. Por ende ka nevojë për nji projekt bonifikimi të zonës dhe për nji kalendar të qartë punimesh dhe gërmimesh rranjësore. Duhet sa ma parë nji komision i përbamë prej inxhenjera ujnash për studimin e punimeve në bregun e Bunës, prej arkeologësh të Mesjetës dhe historianësh të po asaj periudhe si edhe specialistash në fushën kishtare etj. për me studjue dhe për me nisë gërmimet sistematike në atë objekt me randsi të madhe për historinë tonë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora