Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tefik Selimi: Tekiu, shkrimtar i madh i qëndresës

| E premte, 29.06.2018, 08:42 PM |


Në 7-vjetorin e vdekjes

Tekiu na ishte një shkrimtar i madh i qëndresës sonë historike...

Nga Tefik Selimi

Krijuesit e mëdhenj nuk vdesin. Ata janë të pavdekshëm. Janë të “gjallë” dhe përherë përkujtohen dhe nderohen. Pse jo? Vetëm ata e kanë hijeshuar botën më ndryshe se të tjerët. Ata dhe vetëm ata janë më të privilegjuar se të tjerët. Janë pavdekësia e qenies sonë historike... Jo vetëm kaq.

Teki Dervishi (1943), na ishte njëri nga  shkrimtarët më të njohur tek ne në Kosovë. Ai ishte emër dhe zë që nuk do të duhej të harrohej. Ai bëri vepra të pavdekshme. Vepra e tij ishte e është edhe sot një zë kryengritës. Ajo ishte vulë e njeriut qëndresë.

Kur erdhi kumti se ka ndërruar jetë, Teki Dervishi, shkrimtar, sikur u shua një meteor. Dhe, ishte një meteor që rrezatoi me veprat letrare të tij. Ky kumt erdhi si vettima nga qielli i kthjellë. Ra pa pritur mbi shkrimtarin Teki, i cili, tërë jetën ia kushtoi kombit dhe popullit të tij liridashës.

Tash e 7 vjet më parë na mungon Teki Dervishi, shkrimtar numër NJË. Një emër i madh i letrave tonë. Çdo kund flitej e përflitej se Teki Dervishi na mungon. Tingujt e tillë mortor na lanë pa fjalë.  “A mud  të ndodhë kjo?! Si ngjau kjo vdekje tinzare? Ishte vdekje e papritur dhe para kohe.

Tash e 7 vjet më parë u gjenda në redaksinë e gazetës “Bot sot”. E pyeta I. (Morina) për Tekiun se si e ka gjendjen. Idrizi më tha se, e ka gjendjen jo mirë. Fjalën “jo mirë” e mora me rezervë. Nuk kaloi kohë, Tekiu ndërroi jetë. Ai sot e 7 vjet na mungon. Nuk është më në zyren e tij të vetme. Aty ku e kishte kompjuterin, tika-tukën, gotën dhe cigaret, tymin e duhanit...

Edhe në atë mbyllje, ai shkruante bukur me një stil të veçantë prej publicisti e shkrimtari. E lakmoja për ato shkrimet që i krijonte për të përditshme në rubrikën “Sheshi në sirtar”. Bënte akuza të “forta” ndaj të gjithëve. Ishin ato shkrime me plot argumente dhe, pas atyre shkrimeve, sikur lexuesi e ndjente vetën për gazetën “Bota sot”.

O, Zot!, si nuk ia fale edhe pak ditë (e vite) këtij njeriu të dijes e të lapsit?! Pse? E dij, shkrimtarët vijnë e shkojnë, por si Teki Dervishi, pak vijnë e pak mbesin. Duke shfletuar gazetën e 20 prillit të këtij viti (2011), në faqe 5, Tekiu shkruante kështu në rubrikën “Sheshi ...” e tij “Nuk janë kundër Kosovës, por janë kundër shqiptarëve!”

Autori, T. Dervishi, tash i ndjerë (i qoftë lehtë dheu!), kritikonte të gjitha strukturat nga lart e poshtë. Këtë s’mund ta bëjë asnjë gazetar, por vetëm Ai me atë gjuhë të mprehtë të Fishtës apo të Konicës. Ishte, por ai sot na mungon dhe ka  shkuar në përjetësi. Na mungon shumë, shumë...

Teki Dervishi, tash i ndjerë, e kam lexuar edhe në  revistën “Jeta e re”. Aty ai ka botuar pjesë nga romanet e tij, por ka botuar edhe drama, reportazhe e poezi. Ishte më i lexuari prej shkrimtarëve. Atë kohë, shkruante Rexhep Elmazi, poet nga Gjilani, shkruante Beqir Musliu, po ashtu nga Gilani, një figurë e madhe e artit letrar. Por, ja këta dy shokë të Tekiut, mungojnë. Tash na mungon edhe Tekiu, shok i ngushtë i autorëve të cekur. Karshi tij, sikur jemi të vegjël dhe ngurrojmë. Ia themi këto fjalë se e kemi dashur dhe e kemi lexuar me ëndje. Na la ta përkujtojmë për një apo dy arsye të mëdha: se ishte njeri i qëndryeshëm, i atyre kazamateve të  rënda serbe, por edhe ishte shkrimtar që la gjurmë të pashlyera në letrat tona.

Por, sa herë dilja nga redaksia, së paku ia hapja derën për ta parë e nderuar me një fjalë: “Mirë dita, z. drejtor!” Ma kthente dhe e mbyllja derën. E lakmoja si shkrimtar e publicist. Ia doja lapsin e “fortë”! Por, e doja forcën e shkrimit të tij. Ishte dhe mbeti Njeri Qëndresë. I përballoi furtunat e kohës dhe kurrë nuk u gjunëzua.

Teki Dervishi u lind në Gjakovë më vitin 1943. Pas shkollimit fillor, ai i ra në sy regjimit serb të asaj kohe dhe u burgos e u dënua që në moshën 17-vjeçare, ku vuajti dënimin disavjeçarë në burgjet serbe. Teki është ndër të burgosurit më të rinj shqiptar që vuajti në burgun famëkeq jugsollav në Goli Otok.

Teki Dervishi gjatë gjithë jetës së tij u muar me shkrime letrare e publicistike. Është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi, drama. Është autor i romaneve: “Pirgu i Lartë”, 1972, “Padrona”, 1973, “Skedarët”. 1974, “Herezia e Dervish Mallutës”, 1981, “Palimpsest për Dush Kusarin”, 1993. I përmbledhjes së tregimeve: “Etje dhe Borë”, i vëllimit të poezive “Nimfa” 1970, “Shtëpia e Sëmurë” 1978, “Thashë” 1981, “Nimfa” 1986. Ka botuar edhe këto drama: “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi”, 1979, “Bregu i Pikëllimit”, 1985, “Pranvera e Librave”, 1990, “Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit”, 1990, “Kufiri me atdhe”, 1996, “Vojceku”, 1996, “Eshtrat që kthehen vonë”, 2000, “Nesër nisemi për Parajsë”, 1999, “Ku është Populli?”, 2003 si dhe i veprës me ese e kritika mbi teatrin “Qan e qesh Talia” 1978.

Teki Dervishi ishte ndër themeluesit e gazetës që u angazhua në gazetën kombëtare “Bota sot” që prej themelimit të saj. Ishte ndër të parët që krijoi stafin e parë të redaksisë së gazetës "Bota sot". Ai ishte redaktor, kolumnist dhe së fundi drejtor i përgjithshëm i gazetës. Varrimi i Teki Dervishit u bë në vendlindjen të mëdha në Gjakovë, më 2011.

Vepra e tij është jo vetëm një art i rrallë i letërsisë, por është një lloj dokumenti i papërsëritshëm i letrave tona. Kur e patëm lexuar romanin e tij “Palimpsest për Dush Kusarin” (1993), e ndjeva vetën të vogël. Një vepër që më la mbresa të shumta në jetë. Por, edhe kur e  ligjëroja në orët e mësimit jetën dhe veprën e shkrimtarin tonë, Teki Dervishin, së pari një orë më shkonte duke folur për qëndresën e tij si njeri nëpër ato burgje e torurime nga agjentët serbë. E rrëfeja zhvarrimin e Pjetër Bogdanit (1689), kur zemërkëqinjtë e marrin dhe e lënë kufomën e autorit (P. Bogdanit) mbi tokë për ta zhdukur pa gjurmë eshtrat e tij. Shkollarët u bënin sy e vesh për ato ngjarje të dhimbshme të historisë e të figurave tona kombëtare. Ja, madhështia e një krijuesi! Ja, lapsi i tij – Dritë e Qëndresë kohe e jete... Ai e pati lapsin më të fortë se arma. Lapsi i tij ishte armë, top e çdo gjë tjetër për kundërshtarin... I tillë ishte shrimtari ynë i madh, Teki Dervishi, një njeri i qëndrësës sonë historike. Ai na është i “gjallë” dhe i pavdekshëm me ato vepra të shumta e të çmuara të letësisë sonë shqipe.

Vërtet, Tek Dervishi na ishte dhe mbeti një shkrimtar i madh i qëndresës sonë historike e kombëtare...

Gjilan, 28 qershor 2018