E merkure, 24.04.2024, 10:56 AM (GMT+1)

Mendime

Baloku dhe Morina: Përrallat e Dr. Ibrahim Rexhajt

E hene, 25.06.2018, 07:44 PM


Reagim ndaj të pavërtetave të shkruara nga gjinekologu Ibrahim Rexhaj, në librin e tij autobiografik, kundër disa intelektualëve të Pejës.

PËRRALLAT E DR. IBRAHIM REXHAJT NË LIBRIN E TIJ AUTOBIOGRAFIK

Shkruajnë Ryzhdi Baloku dhe Nexhmedin Morina

Për ta kuptuar lexuesit se për çfarë bëhet fjalë, në pika të shkurtra do ta kthejmë kujtesën në vitin 1999, atëherë kur okupatori serb i dëboi qytetarët e Pejës nga shtëpitë e veta dhe i drejtoi ata në dy kahe, një pjesë kah Qafë Morina për në Kukës, e tjetrën masë të njerëzve kah Rozhaja për në Ulqin.

Pas sistemimit të qytetarëve të Pejës në qytetin e Ulqinit, një numër i madh familjesh të dëbuara paguanin qira. Ishte krijuar një situatë amullie në raport me trajtimin humanitar të këtyre njerëzve të dëbuar.

Duke e parë këtë situatë që ishte krijuar, një grup intelektualësh nga Peja, u mblodhën dhe formuan Këshillin humanitar që do të ishte zëri i të dëbuarve në këtë qytet, por njëkohësisht do përkujdesej edhe për ta.

Sipas aktit themelues shihet se ky subjekt kishte emërtimin: "Këshilli për koordinimin e punëve humanitare për nevojat e të dëbuarve me dhunë nga territori i Kosovës".

Me dt.15.05.1999, pas një debati të gjerë nga të pranishmit, zgjidhet kryesia prej 13 anëtarësh, si vijon: Prof. Nexhmedin Morina-Kryetar, Feti Islami ecc. i dipl.-Nënkryetari i parë, Bekë Zeka ing.-Nënkryetari i dytë, Ryzhdi Baloku ecc. i dipl.-Sekretar, Profesori dhe Regjisori Selami Taraku - Zëdhënës, si dhe anëtarët e Kryesisë: Prof.dr. Ali Sylqa (asokohe magjistër); Ferid Gjikolli-avokat; Dr. Mahir Morina-mjek specialist; Mustafa Radoniqi-avokat; Gani Kelmendi-avokat; Hadi Doda-K.L.P; Ibish Hoti-avokat; Halil Sylejmani-K.L.P.

Vlen për të cekur se në fund të këtij akti themelues shkruan: "Këshilli do të filloj me punë pas njoftimit dhe dakordimit të subjekteve të lartpërmendura (fjala është për UNHCR dhe pushtetin lokal të Ulqinit), dhe se puna e tij do të pushojë me prajtjen e arsyeve për të cilat është formuar”.

Veprimtaria e Këshillit humanitar ka qenë shumë e frytshme në realizimin e synimeve për ta ndihmuar popullatën e dëbuar nga Kosova e cila ka qenë e vendosur në Ulqin.

Për veprimtarinë humanitare të këtij Këshilli do të hartohet një libër në trajtë monografie, sepse puna e tij nuk mund të përshkruhet me pak fjalë.  Pra, qëllimi i botimit të librit nuk ka me qenë vetëm pasqyrimi sinoptik i punës e i veprimtarisë atdhedashëse të njerëzve vullnetarë, të cilët e kishin dhënë mundin e tyre mendor e fizik pa kurrfarë kompensimi në kohërat më delikate, para, gjatë dhe pas dëbimit të popullatës shqiptare prej shtëpive të veta në vitin 1999, që asokohe u sistemuan në qytetin e Ulqinit, por edhe për ta demantuar këtë shpifje që u plasua nga personi i panjerëzishëm, kinse në Ulqin ishte themeluar "Qeveria" e cila do ta udhëhiqte Pejën pas çlirimit.

Në faqen 519 të librit autobiografik të Dr. Ibrahim Rexhajt nga Rugova e Pejës, shkruan: "Në ndërkohë u informuam se ishin mbledhur një grup aktivistësh partiakë për të bërë planin e kthimit. Bile, disa morën guximin ta quanin veten kryetar të qytetit të Pejës nga LDK, si Prof. N.Morina e B.Zeka dhe M.Radoniqi nenkryetar, sekretar R.Baloku dhe pos tjera nga aktivist të LDK dhe disa aktivist të Fondit Humanitar të Natasha Kandiqit, avokatë, të cilët pas pajisjeve me lap-top dhe rrogave të "majme", raportonin në selinë e kësaj qendre në Beograd, kurse, familjet e tyre i kishin dërguar në perëndim, si Holandë dhe në vende të tjera".

Nga emrat e prezantuar të cilët e përbenin Këshillin e cekur, shihet qartë se të përmendurit nuk kishin të bëjnë fare me LDK-ën siç i prezanton Ibrahim Rexhaj, por ata ishin një spektër i gjerë intelektualësh. Mandej në përshkrimin e cekur më lart nuk prezanton asnjë dokument apo emër të personit që e paska informuar, por ato i shpreh si fjalë rrugësh pa kurrfarë përgjegjësie për atë që e shkruan. Pastaj, sipas aktit themelues Këshilli i cekur e ka pushuar veprimtarinë në atë moment kur Kosova është çliruar, mu ashtu siç shkruan edhe në aktin e cekur: "... puna e tij do të pushoj me prajtjen e arsyeve për të cilat është formuar", pra puna e tij kishte pushuar në Ulqin, e jo siç shkruan Ibrahim Rexhaj. Pra, me të kthyer në Pejë të gjithë anëtarët e Këshillit iu kanë kthyer punës në profesionin e vet.

Shpifja, dezinformimi dhe përhapja e kësaj propagande nuk ishte bërë gjatë qëndrimit në Ulqin siç e paraqet gjinekologu Ibrahim Rexhaj, por menjëherë pas kthimit në Pejë, nën pretekstin se themeluesit e saj kanë pretendime politike. Prezantimi i kësaj shpifjeje si e dëgjuar, ka për qëllim denigrimin e punës jo vetëm të Këshillit humanitar, por edhe të atyre veprimtarëve që e themeluan atë subjekt në atë qytet.

Pas analizimit të pasojave të mundshme që mund të rrjedhshin nga shpifja e përmendur, pa mëdyshje del se sajuesi i saj ka kontribuar tërthorazi edhe në tentimin për të sjellë ngatërresa me pasoja vëllavrasëse, po që se nuk ishte intervenuar në momentin e duhur dhe dokumentuar e kundërta e asaj gënjeshtre që ishte plasuar në qarqet e caktuara brenda "Prefekturës" së Pejës, menjëherë pas çlirimit të Kosovës.

Është interesant fakti se si ajo rrenë u plasua shpejt, por edhe u demantua shumë shpejt në atë kohë, mirëpo si për çudi pas 18 vitesh një përqafim të asaj thashethemnaje e bën pa kurrfarë dëshmie në librin e tij mjeku Ibrahim Rexhaj, i cili mbështetet kryekëput në shpifjen e dëgjuar, e që nuk e përmend emrin, madje as inicialet e personit nga i cili e ka dëgjuar atë shpifje.

Autori i këtij libri, për ta lartësuar veten si njeri të mirë e patriot, së pari tenton t'i denigrojë kolegët e profesionit në aspektin kombëtar, një gjë të tillë e bën, në përpjekje që t'i paraqesë si karrieristë veprimtarët e Këshillit të cekur humanitar.

Të gjitha këto insinuata, z. Ibrahim Rexhaj i pasqyron në librin e vet të pavlerë, të cilin kryekëput e mbështet në përrallat e sajuara, me fjalë rrugësh e pa kurrfarë dëshmie, andaj nga kjo arsye, kolegët e tij të punës kanë ngritur kolektivisht kallëzim penal për shpifje kundër tij, në cilësinë e autorit të librit. 



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora