E enjte, 28.03.2024, 05:23 PM (GMT)

Mendime

Azgan Haklaj: Babai i luftës Bacë Hilmi Haradinaj

E hene, 25.06.2018, 04:31 PM


Babai i luftës Bacë Hilmi Haradinaj

In memorium

Nga Azgan HAKLAJ

Mijra vetë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, Çamërisë, Diasporës erdhën me një frymë te kullat legjendare të Haradinajve për t’i dhanë lamtumirën e fundit të zotit të kësaj shtepie që e ktheu atë në kala qëndrese Hilmi Haradinaj.

Burrat e mëdhenj i kanë dy jetë.

Njërën toksore e tjetrën në panteonin e lavdisë së kombit, atje ku prehen përjetësisht dhe e gdhendin emrin e vet me germa të arta në historinë kombëtare.

Një fat të tillë pati kreshniku i Dukagjinit, Kosovës dhe shqiptarisë Bacë Hilmiu.

Ndërroj jetë në vitin Jubilar të Heroit Kombtar Gjergj Kastrioti (Skenderbeu), 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,në vigjilje të Fiter Bajramit.

3000 vjet më pare, profeti Abraham bëri besëlidhje me Zotin.

Ai ia çoi Krijuesit të gjithësisë për flijim të birin e tij të vetëm Ismailin.

Në mijëvjeçarin e tretë të historisë sonë, Hilmi Haradinaj bëri besëlidhje me Atdheun dhe flamurin me bekimin e Zotit.

Kur e thirri Atdheu, ai zbriti si matador në fushëbetejë me bajlozët e zi të Serbisë së bashku me djemtë e tij trima.

"Ju ishit themeluesi i UÇK-së, berthama e saj", iu drejtua Presidenti i Kosovës z Hashim Thaçi në ceremoninë mortore para mijra vetëve Bacës Hilmi, mbështjellë me flamurin kombëtar, për të cilin kanë luftuar brez pas brezi Haradinajt.

Bacë Hilmiu i lëshoi kushtrimin Gllogjanit e Dukagjinit për t’u ngritur në kembë pë lirinë, Flamurin Kombtar, nderin dhe dinjitetin e një populli të kërcenuar me vetë ekzistencën e tij nga spastrimi etnik, vrasjet, dhuna dhe genocidi i kasapit të Ballkanit, Millosheviçit.

Liria e Atdheut ishte feja në cilën ai besonte me fanatizëm.

Flamuri Kombtar, tempulli para të cilit perkulej me një nderim profetik.

Patriotizmi ishte ideologjia e vetme e rrënjosur brez pas brezi nga burrat e shquar që nxori kjo derë fisnike.

Baca Hilmi së bashku me veprimtarin e madh të çeshtjes Kombtare Zmajl Haradinaj janë mentorët e përcjelljes tek Luanët e Haradinajve të patriotizmit, nacionalizmit, evokimit të historisë së lavdishme, luftërave të pergjakshme për liri e pavarsi, si dhe përgatitjes psikologjike e ndërgjegjësimin e vazhdimit të misionit të mbetur përgjysmë.

6 shekuj me parë stergjyshërit e tij i percollën Prijësit e tyre Pjetër Shpanin me tre djemtë dhe Lek Dukagjinin për në Kuvendin e madh të Lezhës ku fisnikët shqiptarë u besëlidhën me arkitektin e nentorit të parë dhe themeluesin e Shtetit të Përqendruar Arbëror Gjergj Kastriotin.

Ata luftuan përkrah Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti në Epopenë e ndritur të Arbërit, i cili vrau kuçedrën aziatike dhe triumfoi ashtu si Shën Gjergji, emrin e të cilit mban.

Ashtu si Moisiu me shkopin magjik ndau detin e udhëhoqi hebrejtë drejt Tokës së Premtuar, edhe Gjergji ynë me shpaten e tij çliroi popullin e vet nga vargonjtë e kuçedres aziatike dhe u bë urë lidhëse me përendimin.

Ishte ky kushtrim i të parëve, vetë thirrja e Atdheut që i ngriti si Ante në kembë Hilmiun- Ramushin, Shkelzenin-Luanin- Enverin-Dautin- Nasimin , deri tek Frashëri e Hima, dëshmori 14 vjeçar.

Në kembë u ngriten djemt e Atdheut nga mbarë hapsira shqiptare me devizën:

" Një Komb një qendrim"

Me betimin:

" Për Kosovën jap dy jetë

Vdekjen time e vras vetë"…

Në kembë u ngritën djemt e rritur në kullat legjendare të Kosovës, të Jasharajve, Shabani- Hamza, Komandanti legjendar Adem Jashari , Femih Lladrovci, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Bedri Shala, Bekim Berisha, Agim Ramadani, Mujdin Aliu, Muj Krasniqi, Adrian Krasniqi,vellezërit Gursel e Bajram Sylejmani, Njazi Azemi, e mijra djem e vajza që kishin vendosur për të dhënë jetën për misionin e madh, çlirimin e Kosovës.

Këto beteja ngjasonin me luftën e Davidit me Goliatin, si Leonidha kundër persëve të Kserksit, beteja të pabarabarta, epike e heroike deri në fitore.

Trimëria dhe fisnikëria ishin binomi që udhëhoqi Bacën Hilmi këtë burrë fisnik e patriot të pashoq.

Pushka e trimit e ndera e bujarit nuk ndalen thuhet në anët tona.

Bujaria, bukëdhenia e mikpritja janë vyrtyte biblike dhe dekoratat më të larta që burrat e mëdhenj i marrin në jetën tokësore.

Në Iliadën e famshme të Homerit trevat tona të lashta Iliro- epiriote janë skalitur me germa të arta këto cilësi të rralla të racës njerëzore.

Sofra e Haradinajve ashtu si e Jasharajve, Boletinëve, Zogollëve nuk janë ngritur kurrë.

Qindra e mijra shqiptar luftëtar të lirisë kanë patur nderin të jenë miq në Kullën zëmadhe të Haradinajve.

"Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut thuhet në Kanunin e Lek Dukagjinit", të cilin Baca Hilmi e njihte dhe praktikonte mrekullisht.

Nderimi për të vdekurin është njeri nder kodet më të lashta e fisnike të racës tonë.

Në rastin e Hilmi Haradinajt e të burrave të permasave të tij nderimi e dhembja shnderrohen vetëvetiu në një moment reflektimi, në një besëlidhje të heshtur për të ecur në gjurmët e tyre, si një peng nderimi për veprën e tyre të shquar.

"Burrit të madh kurrë nuk i humb zani" thotë një varg i kengës kushtuar Rilindasit Europian, shpirtndriturit Pjetër Bogdani.

Miku ynë i madh e fisnik Hilmi Haradinaj ka nderruar jetë, ose më saktë ka kaluar në përjetësi.

Ai nuk do të harrohet kurrë sepse e paharruar dhe e pavdekshme është Epopeja e luftës çlirimtare të Kosovës ku ai dhe djemt e tij luajtën një rol të dorës së parë.

Kjo familje deshmorësh e gjeneralësh ka humbur prijësin fisnik, zemër madh e të urtë të saj që sfidoi vdekjen disa herë.

Kjo familje ka humbur burrin që siç thotë kenga e Boletinit:

" Ka dhanë prova ku jep burri".

Baca Hilmi ishte luftëtar i pamposhtur, qëndrestar i paepur.

Ai përballoi me stoicizëm rënien heroike të Luanit, Shkelzenit, Enverit, plagosjet e Ramushit e Dautit.

Renien e Himes 14 vjeçarë.

Humbjen e Shqipdonit të vogël humbjen e veprimtarit të madh Zmajl Haradinajt.

Burgosjet e padrejta e të gjata të Ramushit e Dautit, të cilët triumfuan me të drejtën Hyjnore, duke çertifikuar kauzën e drejtë të UÇK-së së lavdishme për çlirimin e Kosov?s.

Pa u shëruar akoma nga plagët e vjetra djemt e Bacës Hilmi detyroheshin ti shtrëngonin ato e të dilnin në fushëbetjë përballë bajloz?ve të makinerisë ushtarake serbe si dikur Gjergj Elez Alia përballë bajlozëve të detit.

Bacë Hilmiu ishte energjia frymëzuese e qendresës për finalizimin e kauzës.

Dita e vdekjes për luanët e maleve është e veçantë, sepse tregon përmasat e vërteta e madhështore të veprës të tyre.

Shkrimtari i madh Viktor Hygo thotë në një maksimë:

"Dua të bej një vepër në shërbim të Atdheut pastaj le të vdes". Udhëheqësi i operacionit overlot që zbarkoi në Normandi me një milion ushtarë dhe ndryshoi fatet e Luftës së Dytë Botërore, Presidenti i SHBA-së Ajzehauer, kur po ndahej nga kjo botë tha:

" Mjaft punova për Amerikën, tani po më thërret Zoti".

Ju bëtë një vepër të pavdekshme në sherbim të Atdheut Baca Hilmi, prandaj mijra shqiptarë nga mbarë hapësira etnike kanë ardhë për të nderuar si Krushk të parë të lirisë.

Ata solidarizohen në heshtje me fjalën e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë z Lulzim Basha tek të drejtohet:

"Mos rri shtrirë Baca Hilmi! Çohu, priju fisnikëve në Odën e madhe të miqve, siç u ke pri gjithmonë në kohë të mira e të vështira, në morte e gëzime".

Levizja nga era e flamurit që kishte mbështjellë trupin tend na kujton lisin e Dodonës qe fliste nepermjet gjetheve.

Edhe ju nëpërmjet palëve të flamurit, sikur na përcillni mesazhin e vazhdimit të misionit për realizimin e ëndrrës, finalizimit të shtetit komb të shqiptarëve.

E kishte të veshtirë ta mbys dhimbjen Ali Ahmeti në fjal?n e tij për të thënë lamtumirë, por e gjen forcën, sepse krenaria për veprën tënde eshtë më e madhe se dhimbja.

Faik Doda rrënqethi turmat e njerëzve tek fliste me patetizëm për veprën tuaj dhe familjes tende.

Bashkim Ramosajt i dridhet zëri, se nuk e beson se po na thua lamtumirë.

Nuk të sheh dot të shtrirë.

Rifat Jashari dridhet i tëri nga dhimbja tek përshendetet me ty.

Nuk të thotë dot lamtumirë.

Simboli i farkëtuar në në kudhrën e qendresës, Ramush Haradinaj tha me dhimbje dhe emocionoi numrin e madh të njerëzve të cilët përlotën:

"Gjithmonë luftove me vdekjen plak dhe e vrave atë.

Kurrë nuk na u ndave në beteja, kurse sot na duhet të ndahemi".

Turma e stërmadhe e njerëzve të shëmbëllen me një kurorë gjigande në mes të cilës qëndronte arkivoli që mbante trupin e këtij burri vigan të Kombit.

Përtej në horizont janë kurorat e majamaleve të Alpeve madhështore të Dukagjinit, të cilat mbajnë zi për birin e tyre, i cili ju doli zot në sa e sa beteja.

Të gjithë pjesëmarrësit perkulen me nderim para jush në nderim të veprës tuaj në sherbim të Atdheut.

Ju u nisët në rrugën pa kthim e të përjetshme të lavdisë.

Me jetën tuaj të dytë do t’i shërbesh Atdheut dhe Kombit Shqiptar, sepse je shndërruar në simbol dhe emblemë të patriotit dhe atdhetarit të madh.

Simbolet janë të shenjta dhe të pavdekshme, të gjithëpranuara dhe udhërrëfyese në rrugtimin historik të kombeve.

Lamtumirë miku ynë i madh!

Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Pushofsh në paqe dhe amshim!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora