E enjte, 18.04.2024, 07:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Bukurije Bushati: Mall e dhembje

E diele, 24.06.2018, 11:00 AM


Bukurije Bushati

MALL E DHEMBJE

Këto ditë më ranë në duar poezitë e poetit Sabit Abdyli, që po bënte gati për të dalë para lexuesit edhe me një libër të tretë me poezi, ku do të përfshinte edhe poezi nga dy librat e botuar më parë. I lexova me vëmendje, edhe pse i kisha lexuar herë pas here të postuara në profilin e tij në fb. Sabiti është emigrant në Zelandën e Re dhe ashtu si çdo emigrant, nëpër poezitë e tij tërheq tegelin në shiritin e kohës malli për vendlindjen, dëshira për të prekur edhe një herë fëmijërinë, rininë , mllefin deri në përmasa revolte dhe gjithçka që e lidh me ëndrrën e tij, prej nga u detyrua, si edhe shumë të tjerë, të largohet fizikisht por jo shpirtërisht.

Lule maji

Në oborr të shtëpisë,

bari i harlisur.

......

Një ftua, dy mollë.

Rrushi i ramë për tokë.

......

Sabiti, dikur profesor në Kosovë jepte mësime në shkollat që mbanin gjallë gjuhën, traditat, atdhedashurinë, sot pensionist ecën bregut të oqeanit me vështrimin drejtë kryqëzimit të meridianit me paralelen e këtij globi ku gjendet Kosova e tij e mallit.

KËNGË KURBETI

Gurit i bie dallga,

Guri kryeneç,

S’lëkundet dot nga vendi,

I fortë në vend të vet.

Barkën muhaxhir,

Dallga nuk e njeh,

Kurdo e fut në thellësi,

Kurdo e përplas në breg.

Në vëllimin me poezi të tij, ka data e ngjarje të ndryshme. Është një arkiv, ku ai me kujdes ka ruajtur pjesëza të jetës, të cilat e prekin herë pas here, si duke ia shtuar mallin edhe duke e nxitur të shkruajë diçka për to. Është mosha kur vitet ngrenë gradaçielën në trupin tonë dhe e bëjnë shpirtin më të ndjeshëm. Madje ndonjëherë ai (shpirti) ndjehet fëmijë në çiltërsinë e të shkruarit. Ja si shkruan Sabiti;

NËNËMADHJA

Shtëllungë leshi në furkë,

Të tashmen tjerrë,

Kujtimet në bosht mbledh e dredh,

End në tezgja kuq e zi,

Jep dorën e parë në shtëpi.

Me këngë aromë ftoi e molle,

Përkund nënëmadhja ardhmërinë,

Endet nëpër kënga e legjenda,

Kudo prek Shqipërinë.

Kemi gjëra të përbashkët ne emigrantët. Mallin që na djeg, kujtimet që na ulen në netët e gjata dhe herë - herë edhe ai qortim që i bëjmë vetes për largimin, për mosarritjen e bërjes së diçkaje që e dëshirojmë, por që nuk mundemi. Më ra në sy këtu poezia e tij ku qorton veten e degradimin moral e shpirtëror të njerëzve tanë të cilët nëpërkëmbin interesat e kombit;

KOSOVË

Çfarë lesh burri jam unë, Kosovë!

Mërzitem për ty, kam mall, dhembje.

Dhe forcë të të mbroj s'kam.

Medet, racë e jotja të nëpërkëmb,

Qençe, pamëshirë!

Nga emigrimi ndjente ai dhimbjet e kosovës nën peshën e Serbit. Ia skuqte syrin çdo pikë gjaku martiri dhe sytë hidhte qiellit të shihte shqiponjën për t'ia ndjerë plagën, por për t'ia parë edhe guximin. Harronte ku ishte dhe vargje shkruante bregut për dashurinë e tij të madhe e të thellë sa vetë oqeani.

ZOG I KOPSHTIT TIM

Ditë e përditë,

Me këngë zbraz mllefin, dashurinë ...

Në çaste terri e drite.

Pikturon me zë:

......

Dhembjet në ardhjen e pasardhjen e lirisë,

Kthimin e madh, orën e bardhë,

Ikjen e natës, qershor '99!

Fati ynë si edhe fati i popujve të tjerë të merrnim udhët e mërgimit. Plagë kjo që gjen veten në shumë poezi poetësh emigrant. Në këtë vëllim më ra në sy edhe poezia e komunikimit mes të emigruarve dhe atyre që mbeten në vendlindje. Me një gjuhë dhe stil të thjeshtë po aq shpirtëror, që e bën aq prekëse në thirrjet me emrat e bukur shqiptar që mbajnë fëmijët, e përshkruan këtë Sabiti në poezinë:

TELEFONATË

Alo xhaxhi

Vlera jam unë

Këtu në Gjermani.

Babi dje me ngjyra blu,

Vendlindjen pikturoi.

Zgjimi, përballë tij,

Petalet e luleve,

në kopështin e shtëpisë,

I ngjyros kuq e zi.....

Alo xhaxhi

Vlera jam unë.

Sot fillova të qëndis një Flamur.

Alo xhaxhi

Të ngujuara fjalët

Pse i ke?

Në Zvicër Halla,

Në djep të Kosovës,

Bekimit ninulla shqip i këndon.

Në këto emra është ëndrra e Kosovës, shpirti e guximi i saj. Jam rrënqethur teksa e lexoja këtë poezi, detajin e gjetur bukur në të, që do të tregojë gjithnjë kohën kur ishim shqiptar jo vetëm në gjak, në atdhedashuri, mikpritje... por edhe në emra!

Është e larmishme tematika në këtë vëllim me poezi që tregon copëza jete nga Kosova të përjetuara nga poeti. Ai i kundërvihet tradhtisë, pazarllëqeve që bëhen në kurriz të kosovës, të popullit. Ai din të paraqesë saktë fytyrën e vërtetë të serbit dhe e ndjen deri në palcë dhimbjen e Kosovës që bëhet edhe dhimbja e tij. Poeti din t'i gëzohet lirisë. Ngre në pejdestal trimat e Kosovës, i radhit yje në qiellin e saj dhe ndjehet krenar.

Me stilin e tij të çiltër e bën lexuesin të përjetojë ato momente që përshkruhen vargjeve, të përjetoj dhimbjen, dashurinë, mallin, krenarinë... gjithçka zë vend në këtë vëllim.

E lexova këtë vëllim poezish dhe njoha diçka më shumë nga kosova, njoha më nga afër shpirtin e poetit dhe ua lej ju lexues të humbisni në to, të bëni një udhëtim vargjesh nëpër Kosovën e bukur, të mallit, të dhimbjes e të dashurisë...

Bukurije Bushati, Frankfurt



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora