Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Fra Ndue Vila nuk u dorzue

| E premte, 22.06.2018, 07:30 PM |


FRA NDUE VILA NUK U DORZUE

Nga Fritz RADOVANI

24 QERSHOR 1879

Oroshi i Mirditës së armëve të vjetra dhe të pakthyeshme të Atyne Maleve të mbushuna me heroi trima, i fali Kuvendit Fretenve një nga Martirët e nderuem dhe besnik deri në diten e vdekjes Fra Ndue VILEN. E njoha në vitin 1951, kur shkova tek Kisha Françeskane e Gjuhadolit me i ndihmue Meshë At Marjan Prelës...

Fra Ndou ishte një Burrë i shkurtë, i pafjalë, i heshtun dhe me një ecje të kujdesëshme, që shihej gjithnjë në orët e caktueme kur shkonte me i ra kumbonëve të Kishës. Shihej se kishte vështirsi në ecje, po nuk mund të kuptohej nga ne fëmijët kurr vuejtja që Fra Ndou kishte kalue pak vite perpara në hetuesinë e degës së mbrendshme të Shkodres në netët e mnershme të mesit Nandorit 1946, kur krimineli Zoji Themeli me Pjerin Kçiren, dy katila të pashpirtë i kishin shkue tek banesa ku flente per me i kerkue çelsat e Kishës per me futë arkat e armëve nder Elterë, bash ato ditë kur kishin arrestue fretnit At Donat Kurti, që ishte Drejtor i Gjimnazit, dhe Provinçialin At Mati Prennushi, me 15 Nandor 1946, të dy të njohun per qendresë e guxim të veçantë. At Donati u ndodh në Drejtori të Gjimnazit kur shkuen me e arrestue, dhe porsa i pau katilat e sigurimit të shtetit hyni në zyre dhe doli tek dera me çekiq në dorë e kur xhullijtë po afroheshin me armë në dorë, tue kujtue se At Donati don me u vetmbrojtë, At Donati u ul dhe me çekiq theu copa e grima vulen e Gjimnazit, tue ua pre perfundimisht rrugen e fallsifikimit të dokumentave.

Dy netë mbas, pra me 16 Nandor, Fra Ndou i kishte mësheh çelsat e Kishës dhe u thonte katilave se, “unë nuk i kam mbajtë kurr çelsat, prandej as, mos i kerkoni tek unë!”...

Nuk i besuen fjalës së Tij, po e moren dhe e masakruen në sigurim, aso kohe tek shtëpia e Pjeter Çiurçisë. Edhe pse flitet pak e aspak edhe per Fra Ndoun, dihet e sigurtë nga ata që e kanë pa me sy të varun aty nder ullinjë që pak janë torturue si e sa Fra Ndue Vila... E ato masakra i kanë vazhdue deri kah viti 1950, kur u sëmurë per vdekje...

Po, çelsat nuk i dorzoi se, nuk i dorzoi deri në vdekje!  Ka vdekë me 4 Maji 1956 pranë Vllazenve të vet, që nuk i preu në besë kurr, tek Kuvendi i Fretenve tek Arra e Madhe..

Asht kenë vorrosë në Vorrezat e tyne tek Kisha e Fretenve, dhe pësoi fatin e Tyne në vitin 1968, kur i tretne Eshtnat e Tyne në lumin Drinaz, pranë Urës Bahçallekut, me vendimin e drejtuesëve të “Revolucionit Kultural 1967”... Vrasësit e të vdekunve!

Vitët e fundit të jetës Fra Ndou shpesh persëriste: “Gjithë jeten time nuk njoha asnji Frat budallë, ishin Burra. Besë e Bujari e shperndanin kudo venin kamben e tyne me sandale.

Armët në Kishë i kanë futë vetë ‘ata’, se mi kanë kerkue çilsat mue e nuk ua dhashë...”

Vertetë që ka kalue kohë e gjatë dhe ajo ma e keqja që po na shoqnon në jeten tonë, edhe pse nuk e duem aspak asht “harresa”! Veprat e dobta ose edhe ata të kqijat, asht tue u punue vazhdimisht me ua lidhë gryken e thesit... “Mësheftësia dhe harresa” janë motrat e bakëqijve, që mbas vitit 1944, nuk dinte njeriu kujt me i vue gishtin per Burrni!

Mirditori i Oroshit Fra Ndue Vila e mbylli jeten e Vet me nder e Burrni.

Historia e pergjakëshme dhe njëherit e lavdishme e Françeskanëve të Shqipnisë, ka fillue njëheri me ardhjen e Tyne në Shqipni. Asht shumë interesant perkushtimi i Tyne në Trojet e Arbërit, ku me një zell e dashuni të pakufi Ata ngulitën nder zemrat e trunin e Shqiptarëve Formulen e pavdekshme nder shekuj “Fe e Atdhe”...E vdekja ishte si me le!

Këte e provoi Ajo Derë që shihni foton e saj nalt... Asht Dera e Burgut të Kishës! Ishe i vogel kur shkojshe me Nanen time tek Ajo Derë...E, Ajo Derë më tregoi komunizmin!

Fatkeqsisht, një kopje të çelsave të Asaj Derë të ngjitun me Kishen, prej ku u shkonte tek menca e Kuvendit, ose tek dera e kompanjelit të Kishës, e kishte kuzhinjeri Martin Tarri, i cili nga frika ua dorzoi oficerave të sigurimit në darkë me daten 16 Nandor 1946.

Atë natë mbasmesnate në të dalun të dritës së datës 17 Nandor, ngjau tragjedia e madhe e Kishës Fretenve, ku sigurimi i shtetit i drejtuem nga Zoji Themeli, Hulusi Hako, Dilaver Sadiku, Ali Xhunga dhe Pjerin Kçira me grupin e hamajve t’ arkave me armë, mbushën Elterët me ato armë, tue fillue nga Elteri i Shna Ndout...Ku shperndahej “Buka e Shna Ndout” e që agjenti Pjerin Kçira, e njihte ma mirë se të gjithë tjerët... Prandej edhe e vrau Ajo Bukë, per të cilen e pat paralajmërue me daten 15 Nandor, kur Dul Rrjolli me Pjerin Kçiren i vune prangat Provinçialit t Françeskanve At Mati Prennushit.

Armët u patne futë nder disa Kisha dhe çela Klerikësh Katolik në Veri të Shqipnisë, dhe mjaft prej Tyne u pushkatuene nga shteti diktatorial i terroristit Enver Hoxha, i cili me ata armë zbatoi urdhnin e shokut Stalin, të cilin e njoftoi pernjëherë per zbatim urdhni.

Gjithë Ai Kuvend në oborr ka një pemë blini... Ai bli asht dishmitar i masakrave që ka perjetue per sa vjetë e vjetë me Fretnit e Shqipnisë të gjakosun, të varun në degët e tija..

Ai Kuvend punoi per shumë shekuj per Shqipninë Europjane. Pikrisht sot, asht tue u punue per shkatrrimin perfundimtar të Asaj Ideje që sllavokomunistët me tradhtarët e vendit, po kerkojnë groposjen e Shtetit Shqiptar, tue hapë dyert e shkombtarizimit!

Kjo veper tradhtare dhe antifetare ndaj Klerit Katolik në Shqipni, ishte edhe dëshira e shumpritun e komshijve sllavo komunist të Titos, që per sa e sa shekuj u perpoqën dhe e vazhdojnë perpjekjen e tyne antishqiptare edhe sot per zhdukjen nga harta e Ballkanit të Shqipnisë së Shkambijve të Herojt të Perjetshem Gjergj Kastriotit Skenderbeut.

Melbourne, 22 Qershor 2018.