E enjte, 28.03.2024, 10:43 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Frymë Lufte

E premte, 22.06.2018, 08:17 PM


Frymë Lufte

Nga Elvi Sidheri

Nëse do ta kishim menduar ndonjëherë se përshkrimin ndoshta më realist dhe asnjëanës për Luftën e Kosovës do ta bënte një i huaj, padyshim që do të qemë habitur fort.

Por kjo e vërtetë është aq e mirëqenë saqë nuk ndryshon dot, dhe për ta dëshmuar më në vijimësi këtë pohim, mjafton të lexoni librin “Fryma e Luftës” të autorit Roland Bartetzko, dhe çdo përfundim në të cilin do të dilni veç ka për ta pohuar këtë gjë.

Në çdo konflikt fundja, aq më tepër në një zhvillim me aq sfonde e pasoja tragjike, aq të mbrujtur në dhunë shekullore e histori të dhimbshme si Lufta e Kosovës për liri, pra jo vetëm e ndërlidhur ngushtësisht me Luftën e vitit 1999, nevojitet një sy i stërvitur me të tilla ngjarje me përmasa madhore, por njëkohësisht edhe i pavarur dhe objektiv, që arrin të fiksojë dhe ngulitë aspektet më thelbësore të konfliktit dhe t’ia përçojë paskëtaj këto imazhe, copëza ngjarjesh, jetë personazhesh, krisma e gjëmime, brezave të tashëm e të ardhshëm.

Një lloj vëzhguesi praktikisht, rol që përgjithësisht e mbulojnë gazetarët e huaj që merren me mbulimin mediatik (të shkruar apo pamor) të Luftës, por që në rastin tonë specifik të këtij libri, mishërohet krejt natyrshëm nga vetë autori i këtij libri, Roland Bartetzko.

Autori vjen pra, në një rol të vyer pikërisht për shkak të shumësisë së efekteve të rolit të tij në Luftën e Kosovës (njëlloj si në rastin e Luftës së Bosnjes më parë).

Është një rol vullnetari në luftë, për më shumë, vullnetari që gjithnjë vendos të luftojë, të rrezikojë jetën e vet, duke luftuar në krahun e duhur, me kroatët e Bosnjes në fillim dhe më pas në krahun e shqiptarëve të Kosovës, që ngrihen në luftë të armatosur për t’i dhënë fund shtypjes shekullore serbe, të keqpajisur me logjistikë ushtarake, armë dhe furnizime, por të shtyrë nga një vullnet i paepur për të flijuar gjithçka për hir të lirisë së mëmëdheut në rrezik.

E pikërisht në këtë mjedis të përflakur, ku gjasat e ngadhënjimit janë kaq të imta, kridhet autori i këtij libri, bëhet pjesë e luftës, përpjekjeve mbinjerëzore për liri dhe i shkon gjer në fund çlirimit të Kosovës nga pushtuesi shekullor.

Në këtë mënyrë, autori vetvetiu ngërthen në vetvete dy aspekte themelore për tërë rrugëtimin e kësaj faze çlirimtare të Kosovës; ai është njëkohësisht një vullnetar i huaj që lufton, shpesh në kushte ekstreme krah bashkëluftëtarëve të tij shqiptarë, në radhët e UÇK-së, por sakaq ai bëhet qoftë edhe padashur, një vëzhgues në terren, një dëshmitar i okular i dorës së parë, krejt realist dhe i besueshëm si pakkush tjetër, i krejt rrjedhës së kësaj lufte, vetëmohimit të civilëve dhe luftëtarëve shqiptarë, dhunës brutale serbe, e gjithçka tjetër me vlerë madhore për përshkrimin me vërtetësi të skajshme të kësaj lufte.

Sot ndërkaq, në momentin e botimit të këtij libri dhe tanimë që mundësia për ta lexuar këtë libër i ofrohet më në fund lexuesit shqiptar, autori i tij merr edhe një tjetër tagër final, atë të shkrimtarit që me ngjyrime të gjalla, realizëm, gjuhë të përzgjedhur dhe metodikë të përkryer, i shton epopesë së kësaj lufte kaq të drejtë të shqiptarëve të Kosovës, edhe një lartësim në rrafshin letrar.

Ky nuk është një ditar lufte, as një përshkrim i thatë ngjarjesh, aq më pak ndonjë paradë bëmash apo gjërash të ngjashme.

Autori përkundrazi arrin plot sukses të na shpërfaqë malet e ndezura nga qëndresa shqiptare e UÇK-së dhe breshëri i predhave serbe, stoicizmin e popullatës civile për të mos lëshuar vatrat e veta amtare, dhunën e verbër serbe, ndërhyrjen qiellore (në të gjitha kuptimet) të NATO-s, vuajtjet, mohimet e gjithçka tjetër, në një mënyrë thjesht të përkryer, falë përvojës së tij vetjake në fushëbetejë, por mbi të gjitha falë penës së tij prej një autori të pjekur, që di t’i ndajë emocionet nga ftohtësia që nevojitet për të mundur të shkruhet me shkëputjen e duhur emotive një libër i këtij kalibri.

Është një libër i shkruar së pari në anglisht, por që duket sikur të jetë menduar për të arritur drejtpërdrejt në ndërgjegjen e çdo shqiptari, të Kosovës e jo vetëm, si një dhuratë e paçmuar e një njeriu që Kosovën e ka vërtet fort përzemër.

Mbetet veç ta lexoni dhe shumë prej jush të gjeni veten aty.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora