Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Viron Kona: Ç`më thoshte babai...

| E merkure, 20.06.2018, 07:29 PM |


Viron Kona

 

Ç`më  thoshte babai...

 

“Besnikëria  e verbër,

është armiku më i madh i së vërtetës.”

                                           Anonim

1.

Babai më thoshte mos u merr me politikë,

zgjidh një rrugë tjetër më të thjeshtë në jetë,

nuk mendoj se politika është një gjë e keqe,

por shpesh zhvillohet si një luftë e vërtetë.

 

Në politikë hyjnë shumë njerëz të mirë,

por gjatë rrugës disa s`di pse ndryshojnë,

bëhen kameleonë e humbasin njerëzinë,

aftësohen si t`gënjejnë e si t`mashtrojnë.

 

Politikanët  merren me qeverisjen e njerëzve,

disa tregojnë zotësi dhe veten sakrifikojnë,

por mes tyre harlisen lirshëm dredharakë,

që, për privilegje, deri dhe vendin tradhtojnë.

 

Herë - herë ata më ngjasojnë edhe me ujqërit,

ngjasojnë dhe me dhelprat hileqare e çakejtë,

ata duan t`u ngjajnë edhe luanëve mbretëror,

që copat më të mëdha për vete rrëmbejnë.

 

Në politikë “hajduti thërret kape hajdutin”,

atje “sy më sy” ta bëjnë “të zezën të bardhë”,

atje vështir të dallosh “engjëllin nga djalli”,

atje “rërën e rrugës ta shesin për farë...”

 

Politika, o bir ngjason me ajsbergun,

i cili vetëm pjesën  më të vogël tregon,

ngjason dhe me hënën e shndritshme,

që faqen e “e errët”, e fsheh, e maskon.

 

Në politikë kërkohen fajet vetëm tek të tjerët,

rrallë gjen atje njerëz, që marrin përgjegjësi,

ka nga ata që, ndërsa  sot të duartrokasin,

nesër t`godasin, sikur s`kanë t`bëjnë me ty.

 

Shpresoj ti e di që historinë e bëjnë heronjtë,

por janë politikanët që frytet e saj përvetësojnë,

janë ata që bëjnë ligjet nga duhet t`anoj drejtësia,

janë ata që me fatet e popullit luajnë e spekulojnë.

“Ti që për gjë tjetër i zoti s’je,

mbamë në kurriz se mirë e ke.”

Francisko Goja  3)

 

Në politikë o bir veprojnë “ligje” të fshehta,

e keqja të vjen nga se pret e nga çdo anë,

kujdes kur ngjitesh n`shtigje t`rrezikshme,

se, po t`shkau këmba, e ke humbur davanë.

 

Besoj ke dëgjuar  për “kutinë e Pandorës”,

t`mbushur me fatkeqësi,t`këqija e intriga?

Atë “kuti të zezë, “trashëgim” nga lashtësia”,

sipas interesit e hap dhe  e mbyll politika.

 

2.

Por meqë ke vendosur t`merresh me politikë,

t`këshilloj t`jesh vetvetja e të jetosh me nder,

e, nëse t`japin n`përdorim një shpatë n`dorë,

përfytyroje tek vetja tehun e saj të mprehtë.

 

Mos iu beto për besnikëri liderëve t`gabuar,

që vënë e heqin maskat si aktorët e lashtë,

mos bjerrë në kurthet e tyre të rafinuara,

kur t`vërtetat i mbulojnë me zift dhe baltë.

 

Largoji nga vetja nepërkat dhe sharlatanët, 

gjarpërinjtë, krokodilët, kodoshët e të tjerë,

rruhu nga merimangat e zeza dhe oktapodët,

mbroji të dobëtit, bëje luftën tënde me nder.

 

Mos harro asnjëherë dhe historinë  Ikariosit,

që babai e këshilloi të mos fluturonte aq lart,

sepse dielli do t`i shkrinte dyllin e  krahëve,

por ai s`e dëgjoi dhe, ra në detin me dallgë.

 

3.

Më thoshte babai mos u merr me politikë,

sepse udhëheqësi të do pas si “qen” besnik,

sikur njëherë t`mos “lehësh” pas avazit të tij,

ai t`hedh tej si një leckë,t`bën copë dhe çikë.

 

Ai të do si vegël, si “mish për top” e ushtar,

se është vet zot, komandantë dhe gjeneral,

do që t`i bindesh verbërisht “si urdhëron!”,

kërkon t`bëhesh spiun, i përulur e trutharë.

Pieter Bruegel  “I verbri udhëheq të verbrit”,1568

 

Mbase ke dëgjuar o bir për atë “të verbrin”,

 që udhëhiqte n`shtigje ca t`verbër të tjerë?

Ai i vërtiste ata në rrëpira e rrugë t`errëta,

derisa një ditë i hodhi në humnerë...

 

Më thoshte babai...