E premte, 29.03.2024, 07:30 AM (GMT)

Kulturë

Dukagjin Hata: 'Në Itakë kthehen vetmitarët'

E merkure, 20.06.2018, 06:17 PM


“Në Itakë kthehen vetmitarët”

Nga Dukagjin HATA

Rruga për në këtë vis mrekullor, që miku im tipologjikisht, në romanet e tij e  e ka etiketuar Ndore, duket sikur kalon nëpër kthesa e labirinthe përralle. Eshtë një udhëtim i vështirë drejt vetë shpirtit të bukurisë alpine shqiptare, të lënë në heshtje dhe harrim.

Rruga për në Lurë kalon përmes peripecish itakiane, nën troshitjen e makinave të larta që gërhasin si azmatike, për shkak të gropave të thella e të zgavruara trishtueshëm, ku vdiret vëmendja e kalimtarëve. Po udhëtoj drejt njërës nga krahinat më të bukura të sijudhesës ballkanike, ku kanë shkelur mbretër e perandorë, udhëtarë të shquar, piktorë e poetë eremitë, diplomatë e turistë të gjithëfarshëm.

Llesh Doçi, drejtori i shkollës së mesme “Dom Nikoll Kaçorri” Lurë vështron përpara, i menduar, teksa i grah makinës. Ka njëzet vjet që është kthyer në vendlindjen e tij, në Lurë, bashkë me muzat e tij poetike dhe letrare. Gjithë pasioni i tij është përqëndruar në këtë “hise të diellit”, për të dijësuar dhe edukuar brezin më të ri lurian, tek doket dhe zakonet e Dheut, që i ka qëmtuar grimca grimca dhe i ka bërë pronë të Institutit të Gjuhësisë dhe Fakultetit të Shkencave Filologjike. Bashkëpunimet e tij me Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj dhe të tjerë linguistë të shquar është pjesë e angazhimeve të tij që nuk kanë të sosur, për të ngritur në piedestal “perlat e harruara” të kulturës së nëndheshme luriane.

Mësues i pasionuar, drejtor shkolle i përkushtuar, poet, shkrimtar, Lleshi është  i përkushtuar Lurës, në vahdën e paraardhësve të tij, të derës së Doçëve të treqind duvakëve, ku burrat e dheut lurian i dhanë karar të sfidojnë pashain turk, të sfidojnë vetë perandorinë më të madhe të kohës. Kështu, në vend të treqind vajazave luriane për ushtarët e Pashait turk, u nisën treqind djem luftëtarë, të veshura si vajza dhe i treguan vendin otomanit.

Më 1908, Kolë Bibë Doçi hapi shkollën e parë shqipe në Lurë,e cila u bë kulla e dijes luriane.Kolë Bibë Doçi i ri, në gjurmët e të parëve të tij, është kryeplaku i Lurës dhe tenton të promvojë vlerat e derës, fisit dhe botës luriane.

Ishte viti 1914, kur Profeti i madh i shqiptarizmës, Homeri shqiptar, At Gjergj Fishta erdhi mik në kullën e Doçëve dhe gjithë natën, në kullën trepodëshe, ushtoi kënga e çiftelia për nder të mikut të shquar.Apostulli unik, I mrekulluar nga çka pa dhe cka dëgjoi në këtë kullë buajre e qëndrestare tha, se në Lurë takova plakun filozof autodidkat.

Për dyzet vite, mësuesi i parë në Lurë pas Çlirimit ishte Halit Gjon Doçi, veprën e të cilit do ta pasonte Dedë Doçi, mësues i përkushtuar dhe vizionar.

Dinastia e mësuesve dhe intelektualëve të derës së Doçëve vazhdon edhe sot dhe kjo bujtinë, kjo ftesë e hapur për mikpritje dhe dashuri njerëzore, është pjesë e kësaj historie, pjesë e kësaj sage.

Lleshi ndihet jo vetëm krenar për këtë trashëgimi, por edhe i obliguar, për t’u kapur fort pas fjalës e punëve të mbara, që të mund të bëjë sa më shumë për Lurën e tij dhe lurianët. Ai ia ka vënë shpatullat punës, që në Lurë brezi më i ri lurian të edukohet me frymën e dijeve bashkëkohore, të marrë e të japë me vlerat e qytetërimit shqiptar dhe botëror.

Në mbrëmje vonë, fare vonë, kur të tjerët flejnë, ai bisedon me yjet dhe shkruan në vetmi të plotë, duke thirrur në kujtesë bëmat e të parëve të tij. Llesh Doçi është autor i katër librave të botuar dhe i disa librave në proces botimi dhe konkretisht ka botuar librat me poezi “Dhimbje kontemporane” dhe”Bota mbi një rrotë”, librin me tregime “Neurozë alpine” dhe romanin “Deputeti”.

Veçoria kryesore e aktit të tij letrar është vështrimi vertikal estetik, narracioni implusiv dhe poetika drmataike, ku thellësia është caku i tij dhe gjuha e nëndheshme, gjuha e ajzbergut, gjuha “nën mutaf”, gjuha  e kodifikuar, alergorike, simbolike;  është materia estetike, figurative, nëntekstuale që nën mbulesën e saj fhshe thesaret e një shpirti të pasur dhe një letrari me botë të tejndezur shpirtërore.

Poezia e Lleshit është poezia e një lirizmi të hollë e spontan, i gjendjeve dehëse e trallisëse, ku natyra dhe shpirti njerëzor shkrihen në një dhe kumtojnë një botë të tejndezur pasioni lirik dhe narrativ.

Doçi duket se nuk ka pikë sforcimi e shtirje kur merr penën për të shkruar; ai thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së tij, pjesëton e shumëzon çastin në kohën e përditshmërisë, duke na dhënë me një muzikalitet aq të ëmëbël e aq të dëlirë vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e trallisëse…

Ai e zhvendos kamerën poetike nga tradicionalizmi në modernizëm e postmodernizëm; poeti me origjinalitetin e zërit të tij, me tonet aq të ndjeshme e kumbuese deri në dehje, me lirizimin dhe spontanitetin e tij, e pasuron “shpërpush” dhe e shkund nga “monotonia” këtë traditë, duke e pasuruar poetikën e tij me imazhe dhe struktura të reja kontemporane.

Ajo që në të vërtetë përbën individualitetin e poetit është freskia e motiveve, marrja e “lëndës së parë” poetike  nga jeta e gjallë njerëzore, nga raportet e unit të tij me kohën dhe bashkëkohësin dhe jo nga skemat libreske, ndikimet dhe spostimet akrobatike, siç bëjnë një duzinë poetësh, që nuk shkruajnë veteveten, nuk janë vetvetja, por ndihen të kompleksuar nën hijen e të tjerëve.

Poezia e tij nuk vjen nga shtampat deklerative, nga agjustimet dhe ilustrimet rozë të realitetit, por nga një njohje e thellë e objektit poetik, nga fuqia e ndjenjës dhe intensiteti i emocionit, që vë në lëvizje turbinën e mendimit për të prodhuar energjinë poetike, që na vjen me anë të vargjeve të ndjerë e të ngrohtë, plot ritme e temporitme të brendshme.

Doçi është poet i kërkimit të thellësive jo i sipëfaqeve të lëmuara; ai është një bard i jehonave të unit të tij, të cilin e integron në epokën globale të përditshmërisë, me dhimbjet, trillin, mallin, idilin, vuajtjen, mungesat, zhvensdosjet fizike dhe shpirtërore, të kohëve dhe hapësirave, nën harpën e një muzikalitetii të tejndezur lirik.

Poeti e tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të njohur përjetimesh, por mënyra se si ai vështron në këta hullinj është befasuese; duke sjellë ritme dhe melodi të hazdisura e trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete.

Ky shpalim i poetit, sjell me vete një aromë të veçantë poetike, risinë e riciklimit të bukurisë, si një kumt ndjellës drejt harmonisë dhe përsosmërisë, në kufijt mes realitetit të rëndomtë që ushtron presion dhe ëndrrës së kulluar, si produkt i mirëfilltë poetik. Në këtë vijë poeti mbjellë farë ëndërrimesh, dhimbjesh, malli, ëndërrimi, flirti, magjijimet e ditës dhe mëkatët e natës, përmallimet e Lurës dhe “muzgjet e veshur me buzëqeshje të shtirura”një minbotë të pasur e të pastër, që është një ftesë për ta vizituar në çdo kohë…

Një kërkim vertikal në shpirtin eAlpeve shqiptare dhe të vetë lirisë, bën autori në vëllimin me tregime “Neurozë alpine”, ku nga vetë titulli metaforik del në pah thellësia e depërtimit në plagët e shpirtit të sëmurë të bashkëkohësit të autorit, një bashkëkohësi e vetërrethuar me vetmi e fiksacione, me implulse të pakontrolluara dhe që shpesh aktivizohen në akte deliri, keqbërje dhe devijimi të skajshëm.Është një ftesë që autori bën konfigurimit të shpirtit njerëzor, idilit, mungesës, mallit, ankthit, vetmisë, dashurisë, trillit etj.

Shkrimtari i bën një autopsi estetike realitetit postkomunist, traumave që vijnë ngae kaluara e afërt, raporteve të shthurura të individit me veteveten, me botëne tij të brendshme dhe me të tjerët.  Duke e vështruar nën një optikë të tillë një autor si LLesh Doçi mund të konstatosh që në këndvështrimin e parë, horizontal, se kemi të bëjmë me një poete të mesazhimit të beftë, të sinkronit të përvojës së jetës njerëore, të një uni që shkrihet me fatin kombëtar, me historinë dhe përditshmërinë e botës shqiptare. Shkrimtari ishullin e tij mitik, Edenin e tij ku ndihet mirë dhe në këtë ishull ajo nuk ndërton një kullë të fildishtë, vetmia dhe izolacioni, por ndërton mijëra ura dashurie për tek njerëzit, pë rte koha e saj dhe bashkëkohësit.

Romani “Deputeti” transfiguron një realitet të vrazhdë e grotesk ku vërtitet politika dhe politikanët shqiptarë, me një gjuhë të latuar e të zhdërvjellët stilistike dhe figuracion të rrëmbyer, me një psikanalizë estetike ku shpëfaqen raportet e politikanit me vetveten, me votuesit, me kohën dhe bashkëkohësit. Llesh Doçi I ka ofruar një dimension estetik e njerëzor jo vetëm Lurës e Dibrës, ku bën pjesë ndër shkrimtarët, poetët dhe linguistët më të zellshëm e më në zë, por gjithë letrat e reja shqipe, ku emri i tij hyn denjësisht dhe me kontribute reale.

Llesh Doçi është një krenari për Lurën dhe Dibrën, një kreanri për arsimin në Lurë, të cilit I ka dhënë jetë dhe frymë, për vetë letrat e reja shqipe, të çliruara nga jashtësitë dhe dogmat, duke qenë një model I shkrimtarisë së që përcjell të vërtetat e kohës dhe të bashkëkohësit me zemër në dorë.

Lura është për autorin Edeni dhe Itaka e Premtuar, pika më e lartë e botës, ku autori mbledhë pikë pikë esencën e parfumit dehës me emrin dashuri dhe gjithë këtë thagmë magjepsëse e projekton dhe e ndërton me fantazi e realizëm në veprat e tij letrare.

M’u fanit ai vargu shijehollë i Kavafis: “Në Itakë kthehen vetmitarët” dhe mu duk sikur ishte shkruar posaçërisht për mikun tim Llesh Doçi. Sikur I shkonte profilit të tij prej qëndrestari. Po, sepse, siç thotë pak a shumë një tjetër ikonë, Borges, ndërkohë që vetmitarët tentojnë të krijojnë një botë më të mirë, turmat, në artikulimet e tyre laragne, sipas skemave bardhë e zi  “Rroftë dhe “Poshtë” zhbëjnë gjithçka me lehtësinë e shpërdorimit të gjithçkaje dhe kështu vazhdon kjo lojë pambarmisht në këtë botë krejt të papërkryer…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora