E marte, 19.03.2024, 01:58 AM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Magjia ka zbritur në Volorek

E marte, 19.06.2018, 08:03 PM


MAGJIA SI FLOÇKA E UJËRAVE KA ZBRITUR NË VOLOREK (DRILON)

NGA PËLLUMB GORICA

Unë e di se kush vjen në Pogradec nuk mund të mos largohet edhe pa shijuar vizitën  në Volorek (Drilon), se është sikur të mos kesh ardhur fare aty dhe bukuria të është vjedhur prej syve. Kjo sepse është një nga perlat më të bukura turistike të Natyrës shqiptare, që dikur ishte një “mollë e ndaluar” për këdo, veç jo për pushtetarët e sërës së lartë dhe tashmë tërheq çdo ditë me qindra vizitorë, të dashuruar me të.

Panorama tërheqëse dhe piktoreske e Volorekut të krijon një kënaqësi të veçantë. Sigurisht të pushton një ndjenjë ndryshe, me kërshëri tundimi, kur kthehesh këtu pas shumë vitesh. Kemi pasur rast të vizitojmë shumë herë në fillim të Viteve ’90, ndaj edhe shumëllojshmëria e kujtimeve dhe të asaj kohe, kaq natyrshëm, të rrjedh si ujëvarë, por mjediset kanë ndryshuar në përshtatje me ndërtime të reja. Ato, edhe pse me nota optimiste për një turizëm elitar, po shpërfytyrojnë jo bindshëm panoramat e bukura, të cilat humbasin vlerat dhe mund të kthehen në antivlera duke i shkatërruar. Aty vështron një përzierje e vorbullës, të asaj që ne i themi zhvillim në emër të progresit me betonizimin pa kriter të ndërtesave e cila nuk duhet të ketë vend në asnjë mendim tolërant.

Voloreku shtrihet pranë liqenit, me valët i numëron pa u lodhur në breg, si një shushurimë e lehtë dhe ndodhet  pak kilometra nga qyteti i Pogradecit,  aty ku simbolet e reja të zhvillimit modern; pallate shumëkatshe me konstruksione të ndryshme arkitekturore, skulptura, parqet, shatërvanë, rrugë të shtruara me standarte, të rrethuara nga të dy anët me blirë e drurë decorative që ndërthuren me ndërtime të vjetra. Pogradeci njihet për shpirtin e veçantë poetik dhe liqenin, i cili jo vetëm për forcë të zakonit, që nuk shprehet me fjalë, është një lloj pasqyre për bukurinë e tij. Duke shkuar përtej pikëpamjeve gjuhësore, banorëve u pëlqen ta emërtojnë “gjoli“, duke ruajtur autoktoninë e vjetër shqipe të kësaj fjale. Por, më shumë njerëzit e këtij qyteti gjuhën e kanë të ëmbël dhe mburren me këtë pasuri shpirtërore e poetin Lasgush Poradeci, që derdhte në vargje emrin “liqeri”, të cilët identifikojnë njëri-tjetrin, si një binom i trupëzuar. Duke kundruar liqenin që llokoçit lehtë në breg valët, që aq bukur i këndoi Lasgushi dhe të përkëdhelur nga flladi i Malit të Thatë fytyrat emocionohen e të kumbojnë vargjet e tij, ku ai ka derdhur dhimbjen për plagët e nositit:

 

“Un’ ik liqerit zemërak

Fatlum dh’ i pastër si zëmbak,

Po zemra ime kullon gjak:

 

Se vijnë-urtuar zogjtë-e mi,

Dh’ u jap ushqim me dashuri-

Një dashuri për llaftari.

 

Liqeri i shkretë e rrit tallazin porsi det

E shpirtin duke më përcjellë më thotë se:

Ah! Shih sa është i thellë

Ky gjiri em që të patë pjellë”

Voloreku, që ekspozon një panoramë magjepse, si një poezi a telajo e pikturuar me ngjyra drite, si një kartolinë shumëngjyrëshe, të jep një ndjesi mjaft pozitive, me privilegje të së bukurës. Të shprehesh me shumë fjalë e gjithë ndjenja, gati i dalldisur, të rrëmbejnë fluturimthi e befasishëm dhe të pushtojnë aq shumë panoramat qetësuese, të parkut të vogël, i mbushur me drurë të lartë dekorative dhe me shtrirje përgjatë ujërave të qeta e të kristalta, si loti i syrit zbritur nga burimet e malit të Thatë. Kundërmimi erëmirë i luleve, romantika mahnitëse, sa reale, aq edhe e ëndërrt, mërmërima e lehtë e flladit dhe varkat e vogla, si mbi një shilarë natyror, në sipërfaqen e kthjellët, (shto këtu spektaklin e pllaquritjes së mjellmave me përplasjen e krahëve të gjatë mbi ujë, ku valët e lehta që linin pas, përplaseshin në brigjet, por edhe të peshqve, aq sa marrin shikimin e vizitorëve të shumtë) me simfoninë e cicërimave të zogjve nëpër pentagramet e pemëve, të bëjnë të ndjehesh i dehur nga kënaqësia.

E shijon më bukur prarimin e magjishëm të kësaj Natyre, kur edhe

Dielli i Verës, me ndriçimin vezullues, derdh rreze, të cilat, teksa përthyhen në ujrat e reflektojnë mahnitjen e dashuruar të kësaj bukurie të papërshkruar. Ndaj, me syrin e memories së aparatit fotografik, e përjeton këtë Natyrë dhe shushurimën e patrajtshme të gjallesave natyrore, së bashku me freskipuhizën që rrudhos ujërat.

Si një perlë, Voloreku në çdo stinë pret e përcjell pushues të shumtë, të cilëve u pëlqen të kalojnë çaste në qetësinë e tij, jo vetëm në pranverë, ku trëndafilat e parfumosin, apo në Verën e praruar nga rrezet e diellit; Vjeshtën me larminë e ngjyrave dhe freskinë, që të ledhaton butësisht; por edhe në Dimrin me bukurinë e veçantë të bardhësisë verbuese të borës, si një këmishë dhëndri e vello nuse. E zbukurojnë këndshëm edhe bar- kafetë, restorantet e hotelet, që i japin atij një pamje të gjallë e gazmore dhe të afrojnë meny tradicionale (dhe atë që është me rëndësi), përkujdesjen e veçantë. Dhe gumëzhin nga lëvizjet e vizitorëve, të apasionuarve të përhershëm të tij, që i bëjnë miqësi, të shijojmë me ecjaket pastërtinë, ngjyrat, qetësinë, flladin e përkëdheljen e pllaquritjen e e ujërat të kristalta. Qëndrojmë ca çaste aty e nuk ja shkulim sytë pamjes së tij tërheqës e mbi të gjitha ulur diku në bar- kafetë duke ‘’kuvenduar” me gota vere për të shijuar peshkun e famshëm Koran.

Voloreku është pra, një poezi që meriton të interpretohet. Dhe s’ka si të ndodh ndryshe në këtë perlë magjepse të natyrës shqiptare që gjithkush e viziton, gjen dhe Parajsën e shpirtit të munguar!...




(Vota: 11 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora