E premte, 19.04.2024, 12:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Bashkim Shehu: Poeti martir Havzi Nela

E diele, 17.06.2018, 11:51 AM


Kryetari i bashkisë Kukës Bashkim Shehu me vëllain e poetit Havzi Nela

Fjala në ceremoninë e vendosjes së bustit të poetit martir Havzi Nela, në Kukës me 12 qershor 2018

Nga Bashkim Shehu - Kryetar i Bashkisë Kukës

Faleminderit gjithe qytetarëve të pranishëm, shkrimtarëve të njohur që e lartësuan ceremoninë tonë, gjithë të ftuarve, faleminderit që jeni këtu.Falemionderit përfekt, deputetë, këshilltarë bashkiakë.

Të nderuar pjestarë të familjes e të afërm të poetit Havzi Nela.

Unë kam qenë 10 vjeç kur e kanë varë në litar poetin Havzi Nela me 10 gusht 1988.

Si 10 vjeçar nuk di të flas për republikën e litarit në qafën e kundërshtarit të partisë shtet, për republikën e pushkatimeve të kundërshtarëve politikë, për republikën e burgosjes e internim dëbimeve, për republikën e diktaturës së urisë.

Por arrij ta kuptoj e besoj se ndërsa Havzi Nela tundej në litar, shqiptarëve u merrej fryma, u ngushtohej laku në fyt, u kërcisnin eshtrat e duarve e të mendjes nga shtërngimi i prangave të diktaturës komuniste që ishte çmendur e dehur në marrëzi.

Sot 40 vjeç, unë ndjehem shumë mirënjohës ndaj Havzi Nelës sepse ai vuri kokën në

themelet e lirisë e demokracisë që kemi sot. Besoj se çdo shqiptar që e shijon lirinë i është mirënjohës sepse është i ekzekutuari i fundit me varje ne litar në shesh në gjithë Europën në emër të lirisë.

Havzi Nela është mësues i madh i lirisë, do të mbetet në historinë tonë dhe do të lartësohet përditë e më shumë sepse ai na mësoi e do të na e mësojë gjithmonë kundërshtimin, na mësoi të themi jo, na mësoi të guxojmë, të mos i themi të bardhës e zezë e të zezës e bardhë. Na mësoi se liria ka çmim dhe sa më i lartë çmimi i saj aq më sublime e madhështore është ajo.

Faleminderit për mësimet e mëdha Havzi, faleminderit në emër të gjithë banorëve të

Bashkisë Kukës dhe gjithë njerzve të lirë.

Havzi Nela tashmë është bërë ndërgjegje, ndërgjegjia jonë. Përditë e më shumë do të bëhet krenari për njerzit që jetojnë në këtë qytet, për gjimnazistët që do të dalin nga gjimnazi i Kukësit që mban emrin e tij.

Falë tij, falë sakrificës së tij sublime, falë guximit e krenarisë së tij, Kukësi është në hartën e botës si qytet i poetit të varur. Bota ka qytete poetësh të pushkatuar, të vdekur burgjeve, të masakruar, por Kukësi është qytet i poetit të varur Havzi Nela.

Duke filluar nga sot Kukësi ka bustin e Havzi Nelës pranë shkollës me emrin e tij.

Duke filluar nga 10 gushti 2018, do të jetë e rindërtuar shtëpia e Havziut në Kollovoz dhe

do të bëhet shtëpi muze e vizitueshme nga cilido.

Falenderoj gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rrallë për ne dhe historinë tonë.

Duhet të flitet gjatë për njerzit që kanë kontribuar në 3 dekada për Havzi Nelën.

Në shenjë nderimi do t’i përmend me radhë: Shukri Nela, vëllai i Havziut që ia ruajti si amanet fletoret me poezi. Pa poezitë që ka ruajtë Shukriu nuk do të ishte ky që është Havziu.

Profesor Shefqet Hoxha që shkroi libër dhe organizoi ceremoninë shtetërore të rivarrimit të Havziut;

Studiuesi Nazif Dokle që u mor me shkrimet e Havziut.

Shkrimtari Petrit Palushi për botimin e librave për Havziun.

Gjithë autorët që kanë bërë shkrime për Havzi Nelën shkrime që do të përfshihen në një botim special me esetë që do të lexojnë sot shkrimtarët e ftuar.

Falenderojmë Presidentin Sali Berisha dhe Bamir Topi që ia dhanë poetit Havzi Nela titujt më të lartë të nderit që ka vendi;

Të përndjekurit politikë të vendit që vendosën bazorelievin e Havziut ne murin e gjimnazit;

Skulptorin Ilmi Hoxha që bëri bustin.

Kukësi tashmë përveç se qytet i qëndresës së madhe të 1912, përveç se qytet i mikpritjes së madhe dhe kandidat për Nobël në 1999, është edhe qytet i poetit të varur në emër të lirisë, të fjalës së lire.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora