E premte, 19.04.2024, 07:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Nebi Dragoti: Si nuk bëj shok një politikan!?

E merkure, 13.06.2018, 07:33 PM


NEBI DRAGOTI

SI NUK BËJ SHOK NJË POLITIKAN!?

Satirë- humor

Më shkon ndërmend, po nuk kam marrë guximin t’ua shpreh kërkesën për shoqëri? Si? Si? Për këtë, fundja, nuk kam as turp e nuk më vjen rënd se politikanët i kanë xhepat plot, xhepat e rënduar sa s’u grisen, sa nuk u lehtësohen duke ngrënë e duke pirë, e duke bërë qejf plazheve edhe nudo, e duke bredhur botës, siç i thonë fjalës, qejf, o qejf, o qerrata, jetë, o jetë, demek, si në përrallë e kaluar përrallës. Më besoni: këtu asgjë nuk shtoj e zbukuroj! Tregohem realist e kaluar realistit. Politikanët kanë rroga të majme, pa le edhe burime të shumta kanë dhe e kalon shprehjen:” Në mos rrjedhtë, pikon”. Si nuk po e bëj kërkesën që dhe unë të kem, të më ndihmojnë, sepse kam edhe shtatë a tetë vepra për t’i botuar, që më kanë ngelur, se s’kam me se t’i botoj. Më shkon ndonjëherë mendja t’i bëj kërkesë Ministrisë së Kulturës. Edhe ëndërr më del kjo dëshirë. Këtu kam besim se edhe lexuesi, që po ma meson hallin, do të ndërhyjë si ndërmjetës lidhjeje shoqërie me ndonjë politikan, se, fundja, edhe lexuesit do t’i vijë keq për hallin që kam. E, këtë hall mos e pastë kush! Si nuk po bëj shok një politikan?! Ishalla, ishalla, me të marrë vesh këtë njoftim do të vërshojnë kërkesat e politikanëve për të më bërë shoqeri. Pa le, pa le, apo nuk i kemi me shumicë politikanët hajdutë (më falni për fjalën, se nuk desha t’i akuzoj e t’i prek në sedër), se këta edhe drejtësinë e kanë futur në thes. Kanë nga dy e tre vila, makina lluksoze, paguajnë shërbëtore nëpër shtëpiat e tyre. Kanë toka e ç’nuk kanë. Prapanicën e kanë rehatuar mbi pupla. Kanë ora e varëse floriri e gjera të shtrenjta e që unë asgjë, asgjë nuk kam, veç një pensioni që as për bukë thatë nuk më del. Halle, halle, halle. Dhe unë ,këtu, më kuptoni, nuk e kam vetëm për hallin tim, por edhe për hallet e të tjerëve. Ah, si nuk bëj shok një politikan?! Ah, ah, ah,!...

DY TREGIME

1. KATËR QEPË

Katër qepë, se aq donte. Me to bënte dy herë gjellë dhe s’ka pse mirrte më tepër, se edhe për të paguar aq lekë kishte. Pra, edhe punë lekësh.- Më jep një qese të vockël, - iu drejtua shitësit në moshë të thyer. – Jo, po more më shumë të jap qese. Qe kjo përgjigja që mori gruaja. Edhe pse vlera e qeses ishte e papërfillshme, debatuan të dy. – Merri, futi në xhep ose mbaji në dorë. Pashë se nuk kishte asnjë xhep në veshjen e saj. Mua m’u ndez nga brenda një humor, saqë edhe buza m’u vesh në gaz, Ndjenja e kurrnacërisë dhe babësisë së tepruar i shtohej këtij shitësi plak edhe pse fitimin e biznesit e kishte shumë të mirë. Katër qepë: dy në njërën dorë dhe dy në dorën tjetër u largua nga dyqani gruaja…

2. DY PLEQTË

Çift ideal, ideale tërë jetën bashkë i shihje rrugëve të qytetit. Ecnin me të njëjtin ritëm, bisedonin qetë-qetë duke dëgjuar vëmëndshëm njëri-tjetrin. E pse mos t’i kishje zili? Një jetë ka njeriu për të jetuar. E pse mos të jetojë si njeri? Njeriu as i merr e as i jep jetë njeriut; veç, ama, dashuri, respekt, përkujdesje i jep. U pleqëruan të dy në harmoni e mirëkuptim të plotë: burrë e grua gazmor, të urtë, të ditur, shembull për t’u ndjekur. Nuk po i shoh më të dalin bashkë rrugëve të qytetit tonë. E shoh gruan vetëm. Sekush e merr me mend se çfarë mund të ketë ndodhur. Qoftë larg e keqja!...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora