E premte, 29.03.2024, 04:39 AM (GMT)

Kulturë

Shefik Shkodra: Kënga e mjeshtrit

E merkure, 13.06.2018, 06:00 PM


KËNGA E MJESHTRIT ME PËRVOJË DHE TALENT

Një libër i ri, i ngadalshëm deri në botim, po me një përpikëri në finalizimin e vet. Një punë e tillë bëhet nga dashuria me energji poetike individuale. E kjo e përtërinë vetë autorin dhe i jep mundësinë për kënaqësi çastesh lexuesve, si melodi e prajshme që e përjeton njeriu për pushim.

NGA SHEFIK SHKODRA

Nebih Bunjaku:  ELEGJIA E QYQES

Është një përmbledhje me më tepër se gjashtëdhjetë poezi, të renditura në tri cikle. Nuk i ka mbetur borxh asnjë lexuesi të cilitdo nivel arsimimi e informimi që të jetë, e goditur në mënyrën më të përsosur, nga ky krijues i disa përmbledhjeve të deritashme shumë energjik në krijimtarinë e tij. Po kjo poezi s’është veç për argëtim. Shtresohet shkallë-shkallë si petale lulesh prej historisë, filozofisë së jetës, dashurisë, sociales dhe qërohen nga një lëvore shumë e hollë. Porosia është shumë e qartë dhe e shkurtër. Edhe muzika e rimës dhe ritmit e bën të lehtë për ta lexuar dhe për ta kuptuar. Dhe është me shumë interes për lexuesit vlera historike, dashuria e njeriut për njeriun, si dhe nëma e një rrugëtimi që nga kohërat e kamotshme e  deri më sot në rrafshin kombëtar. Duke filluar nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, hyrje e këtij libri, krye-hero kombëtar, i cili për shekuj nxiti shqiptarët për bashkim dhe çlirim të tokave...Hero që e njohu e tërë Europa dhe i ngriti përmendore në qendrat më të njohura deri më tash. Ai ishte dhe mbeti për gjeneratat bashkëkohëse për frymëzimin e rinisë dhe atdhetarëve në përgjithësi. Kjo figurë ishte hije që të gjithë shqiptarët të tuboheshin rreth tij dhe flamurit kuq e zi. Këto ishin elementet kryesore për një ecje të drejtë, sidomos nga shek. i XIX e këtej. Po ishte dhe është nxitje në çdo kohë për të luftuar për liri. Me flamurin kuq e zi dhe me Skënderbeun u mbështet edhe atdhedashuria e qytetarëve tanë dhe dhanë jetën për çlirimin e Kosovës edhe në luftën e fundit të Kosovës.

Portrete historike e kulturore

“Magmë vullkani”, është cikli i parë, një reflektim nga pasqyra e leximit dhe përjetimet e Nebihut. Janë përkushtime serioze për ngjarjet dhe personazhet kulturore e historike, kryesisht të epokës tonë. Atë që përjetuam dhe, në një mënyrë ende jemi duke e ndier atë atmosferë si një zagushi tej mase në stinën e nxehtë. Këto përkushtime janë jo veç të sinqerta e me një angazhim të veçantë, por edhe të mbushura me një frymë humanitare, duke i mbështjellë bukur me cipen e figurave estetike letrare. Janë këto poezi jo veç krijime letrare, por edhe shenjë të skalitura të figurave të një niveli të lartë, të cilat do të duhej të bëheshin shumë popullore në meset tona të përditshme, sidomos për brezat e sotshëm, kështu si thuhet për Shotë Galicën: “naçallnikun në zyrë të vet/në Mitrovicë me plumb e vret” (Zanë  e malit, 13). Në poezinë “Dragoi i Kikës”, na paraqitet një luftëtar i Lidhjes së Kaçakëve, në fillim të shekullit njëzet, i cili kishte lidhje me krykaçakun Azem Bejta. Ai me shokët e vet mori borxhin në këtë anë: “Folenë në Kikë ka një drangua/është Poliçka e Lotë Vakut/aty pranë në Mriz të Zanave/gurgullon dhe Kroni i Lakut”. Se aty kishte lindur ky trim me shokë, i cili në luftë me Koicën ia nxjerrë nga kthetrat femrën shqiptare të grabitur. Një përkushtim gjithashtu mjaft i spikatur është për Mulla Idriz Gjilanin, një hero nga Anamorava, luftëtar i patrembur dhe komandant i njësive vullnetare, në malet e Gallapit, gjatë Luftës Dytë Botërore. Të tilla përkushtime ishin edhe për Salih Bunjakun, dëshirë e të cilit si të shumë të tjerëve, i mbeti porosia për të tjerët, ‘t’i trokasin në varr kur të çlirohet Kosova’, pasi vetë nuk mundi ta shohë këtë vend të lirë. Pastaj për Jusuf e Bardhosh Gërvallën e Kadri Zekën, të cilët ia përkushtuan jetën e tyre Kosovës; gjithashtu për prof. Latif Berishën, njëri prej viktimave të agresionit serb në Luftën e Kosovës (1999), një tjetër poezi për Ismet Qorrajn dhe varg për shumë të tjerë, si për Hysni Dautajn, Xhevit Ahmetajn, Vaçe Zelën, si zëri më i tëholluar i këngës popullore shqiptare: ‘një avion mbushur rënkim/dhimbje solli në shpirtin tim/mbi re të zeza qe fluturimi/solli dallëndyshe shtegtimi/aterroi në pistë  pikëllimi/për një grusht dhé mallëngjimi’ (f.35); një përkujtim për poetin e njohur shqiptar, Dritëro Agollin; për djalin e ri, Astrit Deharin; për Muharrem Kastratin, pinjolli i familjes shumë atdhetare, koleg i punës me autorin; për migrimin: “grimca-grimca shkapërderdhet/i rëndon në shpirt mjerimi/nuk sheh dritë në fund tuneli/ia zënë frymën hajnia e krimi”, (Migrimi i Atdheut – anti poezi, 44). Të ngjashme poezi e me këto nota kemi dhe të tjera.

Dashuria – vijimësia e jetës

Kush dashuron, nuk ka kohë të plaket. Ai është rezistent edhe i moteve të liga. Kështu, poeti mbështetet në poezinë. Ai me atë matet dhe harrohet me kënaqësinë e krijimit...Atij kur i vjen ftohtë e ngroh me këngën e vet në vetvete. Ankohet e gëzohet, krejt nëpërmes fjalës...

Cikli “Në vazo malli”, është pra kjo një enë, të themi për gjëra të çmueshme, ku poeti i ka mbyllur të gjitha ato ndjeshmëri si lulet, e të cilat do t’i hedhë publikisht, atëherë kur u vjen koha. Kultura dhe imagjinata e Nebih Bunjakut, ka bërë që të na dhurojë këtë vepër poetike, si një violinë e dalluar me jehun e saj tingëllues, në mesin e një orkestre të shumëllojshmërisë së veglave. Këtu do të hasim si një buqetë lulesh të freskëta vargjet erotike, shumë ngashënjyese, jo vetëm për diksionin, por edhe për bukurinë e vjershës, ndërtimin e saj: “harku i vetullës krah – shqiponje/si perlë malli varur mbi sy/poshtë qerpiku si pendë korbi/kurmit tënd i fal hijeshi”, (Zanë e mallit, 55).  Shihet se janë përdorur mjaft figura stilistike dhe me ndikim të poezisë popullore, që janë bukur të peshuara e madje të qëlluara: “Ylber shpirti hiret e tua/për një puthje më djeg malli/magmë vullkani n’zemër time/po t’jem akull më djeg zjarri” (Magmë Vullkani, 57), e fuqishme shumë kjo figurë, ‘po të jem akull më djeg zjarri’, si një antitezë e Petrarkës, e cila është mjaft funksionale. ‘Helenës së Trojes: ‘Në barkun e Kalit-këmbëkryq tradhtia/-Nata e Bartolomeut hyri në Trojë’, një përzierje dashurie e tradhtie, një rrezik i prognozuar apo i vërejtur kaherë, është kjo shprehje  metaforike në këto vargje, të cilat në një mënyrë e zbulojnë këtë lloj tradhtie që njëherë ishte e skutuar e e ëmbël. Të gjitha ndjesitë dashurore jetojnë në vete, si: ‘tatuazh në shpirt e zemër/zjarr që djeg si furrë/vulë e ëmbël dashurie/që nuk fshihesh kurrë’ (f.73). Megjithëse, i vetëdijshëm se ka arritur tashmë në moshë, autori nuk dëshiron që ta marrë  harresa: ‘Buqetën e dëshirave/venitur nga malli/s’e mbulon harrimi/asnjëherë për së gjalli’. Vargu i këtij këngëtimi vijon: “si meteor në qiell dashurie/hyre n’ëndrrën time/të mos shuhesh kurrë/të lutem me përgjërime” (Parajsë ëndrrash, 59). Përveç kujtimeve në retrospektivë, autori vë në spikamë edhe dashurinë e njeriut, e cila është e pashmangshme bashkë me shpresën, të cilat do të “vdesin të fundit”. Dhe parajsa krijohet edhe në këtë jetë, po ëndrrat janë konglomerat edhe të dashurisë e vitalitetit. Ato janë refleks i ëndjes dhe përjetimit poetik të Nebih Bunjakut.

Mallkimi vertikal e horizontal

“Elegjia e Qyqës”, është cikli i tretë me të cilin emërtohet e gjithë përmbledhja, ky emër sipas një poezie, shumë e çmueshme, me një simbolikë, krahasim, personifikim etj., që vë në pah personazhe e tablo të jetës së përditshme: e mira dhe e liga, dy paralele që janë kurdoherë të pranishme në jetë. Dhe këtë tufë poezish e përshkon herë-herë një ironi e satirë e hidhur në kuptimin e përgjithshëm shoqëror. Tash poezia e parë me të njëjtin titull – ‘Elegjia e Qyqes’ më duket se është realizimi më i mirë jo veç në këtë cikël, dhe e ka merituar kështu që të titullohet krejt libri. Legjenda për qyqen është e gjerë dhe e gjatë, por edhe figurë stilistike, në këtë rast e poezisë së Nebihut, mjaft e qëlluar. Vërehet një sugjerim metaforik. Kjo poezi si një enigmë është shumëdimensionale, që shpeshherë ajo e lehta të del më e vështira: “Këto ku-ku-të e tua/kurrë s’patën mbarim/ca muaj kanë pushuar/për ty kam shqetësim” (Elegjia e qyqes,91).  Kuptimi i kësaj është mikro, duke u nisur thjesht nga qenia personale, por këtu e hetojmë edhe atë dimensionalen e shtrirë në tërë aktet kombëtare. Si shpend, kënga e saj është mallkim nga një perceptim i realitetit dhe i realitetit  nëpër kohë e breza. Kështu për gjithë kontekstin e ciklit dhe të kësaj përmbledhje. ‘Ku-ku-të’ më parë, kur i dëgjojmë në pranverë, që në këtë stinë është e destinuar të lëshojë atë zë shumë nostalgjik, trishtues nganjëherë, është vetmia e jo konvencionalja,  trokitje në zemër –  vaj. Një shprehje kotësie. Një nëmë e vajtim pa një direktivë të caktuar, që i ka zënë të gjitha brezat deri në këtë shekull, madje për gjithë njerëzimin. Ajo kudo lëshon vezë të përziera me vezë të zogjve tjerë...Asnjëherë në çerdhe të vet. Më në fund ngjashmëritë e proceseve natyrore e shoqërore janë të pranishme edhe te pjesa kombëtare shqiptare, qoftë në hapësira të kufizuara, qoftë në atë të përgjithshmen. Është nëmë. Është përsëritje nëpër pranvera. Madje, jeta është e tillë për të gjithë, por varet kush si e përjeton dhe e interpreton. Pra, kjo shprehje del nga personaliteti i ngritur me kulturën e përgjithshme dhe me ndjeshmëri të veçantë, të cilin e  përshkon një melankoli me një tis prekës në stinën e moshës, për të cilën jemi të gjithë të vetëdijshëm. Edhe gjendja e përgjithshme e grupeve shoqërore që dalin jashtë normave njerëzore e që shkaktojnë dhembje e mallkime, një shkretim i ndonjë vendi, pa njerëz, pa kafshë mbetur në heshtje, si në një botë tjetër, aty dëgjohet vetëm ky zë i mallkuar – qyqja me nëmë që dëshiron vetmi e vajtim. Ky personifikim i perceptuar me ‘ku-ku-të’ e qyqesh lë në qenien tonë një përjetim rrëqethës. Mund të gjendemi të gjithë në momente të caktuara në pozitë që do ta lakmonin këtë zë, kur e adhuron këtë melodi, duke të përshkuar një pesimizëm. Në të njëjtën kohë, vetëdija dhe arsyeja e njerëzore do ta refuzojë me përpjekje që ta largojë sa më shumë këtë patetikë...

Në vijim shpalosim edhe  të tjera ligjërime nga kjo përmbledhje me motive sociale për kohën, si: ‘Udha për askund’, ‘Jetë misterioze’: E ëmbël si mjalti/kush di ta shijojë/e hidhur pelin/kush s’di ta jetojë’. Pastaj, ‘Shpirti në grila’: ‘a ka fund kjo botë mistike/ku  të gjesh veç pak pushim/edhe kur trupi të shpihet/shpirti gjithmonë n’izolim’.  Sipas poetit, liria është e kufizuar sërish. Nuk ka pushim shpirti. Gjithnjë në ngarendje për të gjetur shtratin e qetësisë. Për figurat – njeri, që shqetësojnë me sjelljet dhe veprimet e tyre, si: ‘Spiuni’, ‘Mendësia e kameleonit’, ‘Hajni vjedh shtëpinë e vet’: ‘mu në grykë ka kapur shtetin/vjedhje të reja realizon/nuk i shkon mendja të gjorit/populli hesht por nuk harron’, (101). Ankesa tjetër: ‘Pse liria sot loton’;  ‘Loti i reve’; ‘Kortezhi i kujtesës’; ‘Kur çirren maskat’; ‘Lojë me flamuj’; ‘Balsamosje ëndrrash’; ‘Tartabiqe’; ‘Udha për askund’: Sa perverse jeta/si një leckë pa vlerë/me gomë t’i fshin gjurmët/kështu ka qenë çdoherë’ (120). Këtu na bien në sy edhe personifikimi i ‘Majmuni’: ‘ka vendosur të koritet/dy gurë bashkë s’i lë askund/sikur demi në lëmë bërlyket/krimi i tij nuk paska fund’(124). Pra, është një apo disa majmunë, të cilët janë tërbuar dhe si kafshë që nuk komunikon me njeriun e vështirëson mbarëvajtjen e jetës së shoqërisë në rrethin ku gjendet. Kjo është shumë e dhimbshme. Shkatërron të lashta, pasuri të gatshme për jetën e njerëzve, por edhe si tillë, merr edhe jetë të këtyre njerëzve. Në këtë radhë hyjnë edhe ‘Kuvendi i Xhunglës’, e ‘Dy armiq të ligj’, e cila është poezia e fundit e kësaj përmbledhje mjaft simpatike dhe e çmueshme.

Përfundim

Shpeshherë aktivitetet e shprehura si enigmë, apo mistere të shpjegueshme dykuptimësi e më tepër përgjatë gjithë kohës, janë shprehje e një filozofie të kësaj bote që njeriu e adhuron shumë. Vërtet janë  tema e motive të poetit Bunjaku, që na turbullojnë mendjen me shëtitë e tij nga fillimi e deri në këtë epokë. Fija e këtij lëmshi është e pa përkufizuar dhe e pambarim. Autori me një pjekuri e gjakftohtësi, nga horizontalja niset nga zeniti apo riniset me shqetësimet e tilla. Një ikje kohe gjithnjë në lëvizje. Shumë herë i pakënaqur e i papërfillshëm nga mese të ndryshme apo i paleverdishëm, për aq sa ka bërë dhe aq sa vlen (cilido qoftë prej njerëzve) duke u skajuar e margjinalizuar veprimtaria e tij prej servilëve në shoqëri.

Nebih Bunjaku, është njohës i mirë i letërsisë klasike shqiptare, duke filluar nga bejtexhinjtë, rilindësit e njohur te ne, si dhe i letërsisë popullore shqiptare, e cila është shumë e çmueshme. Ky ka mundur t’i asimilojë njohuritë më të mira nga burimet e tilla, por edhe përvoja jetësore e ka pjekur e forcuar shprehjen artistike letrare. Dhe për këtë mund të thuhet se, është njëri prej poetëve bashkëkohorë, i cili dallon me gdhendjen e lëmimin e vargut, me stilin e me një rimë e ritëm të katërvargëshit. Mund të krahasohet me njërin prej rilindësve shqiptar më i njohur e më i shquar në këtë pikëpamje, Ndre Mjedën, për zgjedhje dhe saktësi të figurave e shprehjes në përgjithësi. Ky poet e njeh bukur gjuhën e shkruar, prandaj gjuha si e tillë na ka dhënë mundësinë e të shprehurit relativisht bukur në krijimtarinë letrare!

Në këtë përmbledhje është përdorur një fjalor mjaft i begatshëm. Krejt shqip. Emërtimet e cikleve janë shprehje të zgjedhura poetike. Kjo i ka ndihmuar librit që të jetë edhe më atraktiv dhe i përshtatshëm për lexim. Ato na dalin edhe si figura stilistike, si: zanë e malit, magmë vullkani, vetullhollë, princeshë e shpirtit, mimozë ëndrre, parajsë ëndrrash, trokitje në shpirt, rrezja e diellit, dhuratë një ëndërr, zemra proteston, me postën e zemrës,udha për askund, etj.

Pra, vitaliteti i personit, në këtë rast i poetit të përmbledhjes ‘ELEGJIA E QYQES’, imagjinata e begatshme pa harruar racionalizimin e shprehjes, koshienca dhe kalitja në shkrimet poetike, kjo përmbledhje është një kurorëzim i krejt asaj që na ka dhuruar deri më tash ky poet. Na mban shpresa se pas këtij vëllimi do të kemi rastin edhe diçka të tillë të lexojmë nga ky autor.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora