E premte, 29.03.2024, 12:19 PM (GMT)

Kulturë

Bajram Canameti: Një vlerë e shtuar

E marte, 12.06.2018, 05:58 PM


NJË VLERË E SHTUAR NË KUOTAT E LETËRSISË MONOGRAFIKE

Për monografinë”Elez Hoxha ,misionar i përjetshëm” të Qazim D. Shehut

NGA BAJRAM CANAMETI

Pas një përvoje të gjatë në fushën e kritikës letrare,të poezisë dhe tregimit,Qazim D. Shehu vjen me këtë monografi për klerikun e shquar, Elez Hoxha.Në boshtin e librit mbështillet fryzmëzimi i sinqertë i autorit të librit në trajtimin e e protagonistit të veprës, duke e ngritur në art figurën e tij përmes hulumtimit.Ai ka ndërtuar një arkitekturë që të befason dhe rrëmben duke e parë jetën njerëzore të  klerikut të ndërlidhur në shumë rrafshe të veprimtarisë së tij,ndaj ndjejmë flladin e kësaj jete,madhështinë e diturisë dhe të mirësisë që shkojnë bashkë.Të ngjan se ndjejmë gurgullimën e gurrave,flladin e bjeshkës,cicërimat e zogjve,vërshëllimën e pishave,udhëtimin e banorëve.Një simfoni e jetës njerëzore dhe fetare e patriotike bashkë.Kleriku dhe mësuesi ishin dhe mbeten dy figura të shkrira,të lidhura si lulja me frutin,si buka me brumin.Fjala e tyre besohej dhe jepte energji,rrezatim dhe dituri.Ata mbeten shërbëtorë të përjetshëm të njerëzimit.Këta dy intelektualë të kohës qëndrojnë krah njëri tjetrit me modestinë dhe madhështinë e të diturve ,duke dhënë mesazhe drite,duke mbjellë dije në harkun e një kohe të etjes për dritë.

Fjala e matur dhe e gdhendur,stolisur me kolorit të pasur ,ndriçon personazhin historik.Autori fjalës i jep jetë dhe krahë duke zgjeruar hapësirën e mendimit nëpër vite.Me stil ,autori konturon realitetin,dramacitetin e tij,duke e marrë gjithnjë spunton nga Migjeni,Nënë Tereza dhe gjithë ato të ndodhura që përcjellin jetën e klerikut të nderuar,që shoqërohen me dashurinë e pakufishme të komunitetit për të.Interpretimi artistik i tyre e bën librin  sa konkret, aq filozofik, sa historik aq artistik.Paragrafet shfaqen si një mozaik ku gjallon estetika ,ndërsa arkitektura  e ndërtimit me kualitet përcjell një befasim të këndshëm.Ngrohtësia dhe gjuha e zhdërvjelltë me peshë në ide,shto këtu edhe një pjesë me art të gjuhës së fshehur në popull,të mban të tendosur, sa detyrohesh ta rilexosh edhe një herë librin.Kjo gjuhë e pasur,përimton dhe ndjek rrjedhat e jetës së klerikut dhe patriotit,demokratit dhe eruditit Elez Hoxha..Origjinaliteti,mendimi i pasuruar në shprehje, hedh vështrimin në jetën e nëntë dekadave të protagonistit të librit duke e sjellë pranë lexuesit.Me punë hulumtuese nga arshivat dhe bisedat me njerëz nga banorët e Pukës,ai sjell myftiun  si një figurë rrezatuese me vlera të freskëta.

Autori nxjerr në pah mësimet e tij në edukimin familjar,shoqëror.Familja mbetet themeli,bërthama,qendra ,baza dhe niveli i shoqërisë,pra,insitucioni më i rëndësishëm i njerëzimit.Mësimet e Elez Hoxhës ishin një shkollë e madhe në atë komunitet.Ai vlerësonte nanën si mësuese e parë e njerëzimit,ndërsa botën e fëmijëve e quante botë e të pafajshmëve.Hafizi i porosiste prindërit që të jenë të hapur e të butë,komunikues e mësues të duruar në edukimin e fëmijëve.Ai ishte i lidhur ngushtë me Migjenin,duke shpjeguar se arsimi feja dhe shkenca janë rrënjët e moralit,dijes dhe kultures,që fillojnë me jetën e njeriut, deri në mbarim.Teologu i lartë ishte figura numër një e kohës,ndaj nderohej dhe dëgjohej me vëmendje si një gojëtar i artë dhe  këshilltar i besuar.Bota pa fëmijë nuk ka dashuri,ajo është si një pranverë pa lule,si natë pa yje,si një ditë pa diell.Ai porosiste komunikimin e butë dhe rolin e brezave e quante pasuri të çmuar për edukimin ,ndërsa nderimin e prindërve detyrë fisnike.Këto e të tjera autori i shtjellon përmes fjalës së tij ,duke vendosur në kurorën e protagonistit të tij si gurë të çmuar diamanti gjithë ato tipare që ai i kishte me shumësi të çmuara.

Ai shkrin fjalën e zgjedhur me fisnikërinë e personazhit të veprës në ritmikën e rrjedhshmërisë së rrëfimit,me muzikalitetin e ndjenjës si një metaforë e shpirtit njerëzor.Duke lexuar librin ndjehesh i rrethuar nga zëra të kohës,si një kor fisnik,nga simbolika e hollë e hirëplote e kuvendeve,ngjarjeve,bamirësisë,shuarjes së konflikteve të hasmërisë dhe kaltërsinë e pishave.Thith ajrin e maleve dhe dëgjon hapat e jetës bashkë me brengat e saj.

Autori jep energjinë e fshehur me syrin e një analisti,del dhe shkrihet me jetën e personazhit nëpërmjet faktit dhe imagjinatës krijuese.Kjo bën që libri të zerë një vend të merituar në radhën e letërsisë eseistike,monografike,në lëndinën e letërsisë shqiptare,si një libër që lexohet me një frymë dhe konturon e gdhend portretin e njeriut-emblemë e patriotizmit dhe e fesë islame.Në libër janë “ftuar” një numër autorësh të japin përshtypjet dhe kujtimet për Elez Hoxhën si:Hafiz Sabri Koçi,Haxhi Fejzi Zaganjo ri,Dom Xhovani Fiochi,Adriatik Kallulli.Afrim Krasniqi,Astrit Kuçi,Ndue Cara,Pjetër Dema,Tonin Deda,Fran Vukaj,Sulejman Sula,Ibrahim Hamza,Dedë Përshpali,Muharrem Neziri,Mark Mesuli, të cilët kanë qenë  në detyra të ndryshme institucionale dhe,  në lidhje me Hafizin ,ruajnë kujtime mbresëlënëse.Arkitektura e librit ndërtuar me kujdes në përshtatje të idesë duke e pasur atë si forcë gjeneruese të  frymëzimit këtë synon:ta japë Elez Hoxhën si misionar të fesë,qytetërimit,lirisë dhe prosperitetit,si njeri mendjekthjellët e largpamës, që di të kapë situatat dhe të frenojë marrëzinë e tyre përmes durimit dhe arsyetimit.I lindur dhe rritur në kohë të vështirë,por i shkolluar me një arsim solid dhe duke patur fatin të njihet me mjaft protagonistë të shquar,Elez Hoxha diti të përfitojë prej tyre po edhe t`u imponohet atyre  me hijen e ndritshme të personalitetit të vet.Ky përvijim mesazhor  është një tjetër rrjedhë e narracionit që çon ujë tek  lëndina e fjalëve.Po kështu, autori ka ditur që ta shkrijë këtë rrjedhë në gurgullimën narrative kur duhet që, hap pas hapi ,në një koherencë të studiuar të japë njëherit jetën e një njeriu veprimtar shoqëror e politik,që nuk ka drojë të hyjë në aksion edhe pse shkel çdo ditë në një zonë të minuar  nga rrethanat kundravajtëse.Si vizionar ai e kupton se njeriut, krahas fesë i duhet të shkundet nga topitja  shekullore,nga një ngërç i kodifikimit zakonor dhe të kapë  caqet e së resë.Kështu ai bëhet një misionar shoqëror dhe një intelektual i klasit ,po njëherit një psikolog dhe diplomat që i duhet ta peshojë fjalën  me kujdes dhe ta thotë e gdhendë në sensin e duhur.Ai u bë një tribun popullor që e tha fjalën në kuvende dhe në oda burrash,prandaj poeti pukjan Ndrec Mustafa do të thurë për të vargjet:”Meritë e Pukës dhe e tij/që rrinë bashkë kishë e xhami/portreti i tij ma fort shndriti/kur Nanë Terezën doli e priti/Ai vdiq po u ngjall apet/Elez Hoxha,Puka thërrte/Thërrasin burrat nëpër oda/po ku je o Elez Hoxha”Këto vargje prekëse japin në mënyrë të sintetizuar udhëtimin kohor të imazhit të tij në një trevë të caktuar,vlerën e aktivitetit të tij që bëhet burim frymëzimi edhe për kohërat e mëpastajme,ngrenë lart kujtesën popullore për njerëz të këtij formati që i dolën zot dhe drejtuan popullin në situata të vështira. Autori ,Q.D.Shehu ka ditur të japë pikërisht këtë,por edhe të përimtoojë të gjitha të dhënat e personalitetit të tij,prirjet(Elezi si piktor,gjuhët e huaja,prirjet e tij për t`u marrë me aktivitete të përditshme në dobi të punës,letrat e shumta që shkroi deri tek Ajzenhaueri,përgjegjësia ndaj problematikave sociale dhe politike, vuajtja e dënimit si i burgosur politik,vetëtërheqja para kataklizmit të prishjes  së institucioneve fetare më 1967,hovi dhe entuziazmi kur erdhi periudha e demokracisë,me një intuitë të mprehtë kur duheshin kapur tendencat më përparimtare të kohës në ndërrime epokash dhe kthesash të mëdha,gjithnjë pa e humbur besimin dhe cilësitë e malësorit tipik të Veriut shqiptar që dallohen për pastërtinë sinqeritetin dhe besën).Autori Shehu ka shkruar një libër me një frazë të rrjedhshme që ngjyroset shpesh emocionalisht përmes figurave,të ndarë me kapituj duke ndjekur rendin kronologjik të një jete dinamike,një libër që synon thellësinë e përshkrimit dhe forcën e detajit duke i vendosur përshkrimet  në kufirin e  duhur sa ata të lejojnë edhe për interpretime dhe përfundime filozofike,duke mundësuar kështu përmes një proze dinamike e të këndshme  të japë thellësinë e perceptimit dhe njohjes së një personaliteti të rëndësishëm të Pukës në shekullin e njëzet  e fillim shekullin njëzet e një.Dhe kësaj ia ka arritur me punën e vet.Duke ndërtuar mjaft kapituj dhe duke ftuar mjaft të tjerë si dëshmues kohorë autori ndërton një tekst të hapur edhe kur sjell mjaft referenca dhe paralelizma  apo thënie të ndryshme që vijnë në ndihmë dhe përshtat logjikës së tekstit.Narrativa kërkon herë arsyetimin e ftohtë dhe faktin e ngjeshur e të zhytur në sharmin e vërtetësisë,po edhe poetikën e hollë të shpirtit njerëzor që  autori i këtij libri di t`i shtrojë me delikatesë dhe njohuri po edhe me kujdesin e studiuesit skrupuloz.  Libri vjen si një dhuratë për lexuesin,duke qëndruar me dinjitet në bibliotekën e kujtdo.Vjen me dritë dhe finesë lakmuese.Udhë të mbarë këtij libri…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora