Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

| E marte, 12.06.2018, 08:39 PM |


ERDHI E SHKOI EDHE 140-VJETORI I LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT

Nga Frank Shkreli

Në pritje të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 Qershor 2018), muajin që kaloi botova një shkrim modest me titull, “Na ishte një herë Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, ku e kisha filluar artikullin duke theksuar se, viti 2018 është shpallur zyrtarisht, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, si “Viti i Gjergj Kastriotit-Skendërbeu”, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes.  Por, që ky vit shënonte gjithashtu edhe 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duke shpresuar se një përvjetor i tillë i rëndësishëm duhej të festohej me një pjesëmarrje mbarëkombëtare dhe me dinjitetin kombëtar që meriton.

Ka kaluar pothuaj gjysma e vitit dedikuar Heroit Kombëtar dhe vihet re se shumë pak, ose pothuaj aspak aktivitete me rëdnësi të jenë shënuar deri tani në kujtim të këtij përvjetori, në trojet shqiptare.  Mund të jem gabim -- isha shprehur tre javë më parë -- por më duket se për 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, hiç e hiç, të pakën deri tani as nuk është përmendur fare.  Duke shpresuar kundër shpresës, kam shkruar se patjetër diçka to të bëhej në mënyrë më të organizuar mbarëkombëtare për të kujtuar me dinjitet dhe ashtu si i ka hije 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor, 2018.

Në të vërtetë, më 10 qershor aty në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit u mbajtë një ceremoni me rastin e 140-vjetorit të saj, ku mori pjesë Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i dhënë këtij momenti historik një karakter kombëtar dhe e ngritën në një nivel të merituar me pjesëmarrjen e këtyre dy udhëheqsve të lartë shqiptarë.  Duket se Zotërinjtë Meta dhe Haradinaj bënë aq sa mundën me këtë rast.  Por, në Prizren, ku ishin paraparë të mbaheshin aktivitetet kryesore me këtë rast, mungonin shumë përfaqsues të politikës shqiptare, përfshirë Presidentin e Kosovës, Z. Hashim Thaçi dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama, të cilët e shënuan këtë përvjetor vetëm me nga një përshëndetje të shkurtër në rrjetët sociale.  Fatkeqsisht, organizimi jo i mirë i aktiviteteve të këtij përvjetori në Prizren-- për të cilin u ankua vet Kryeministri i Kosovës Haradinaj -- lente shumë për t’u dëshiruar.  Aq sa vëmendjen kryesore nga ky aktivitet në Prizren e tërhoqi më shumë se prania dhe fjalimet e dy udhëheqsve të lartë shqiptarë të pranishëm në atë ceremoni, Presidenti Meta dhe Kryeministri Haradinaj -- ndërhyrja jashtë programit zyrtar, e një zonje e cila me këmbëngujen e saj, tërhoqi interesimin e medies dhe të publikut, ndërkohë që u përpoq të thonte fjalën e vet me këtë rast, gjë që nevojiti intervenimin e vet Kryeministrit Haradinaj, që ta largonte nga podiumi.

Kisha shkruar muajin e kaluar, se duan e s’duan sot sllavët e turqit, na ishte dikurë (140-vjetë më parë) Lidhja historike Shqiptare e Prizrenit e cila meriton të kujtohet, jo si një relikë nga historia por në mënyrën më dinjitoze, sidomos në këtë kohë të turbulltë tranzicioni nepër të cilën po kalojnë shqiptarët, për t’i treguar botës, se nëqoftse nuk na bashkon asgjë tjetër, atëherë Lidhja e Prizrenit, në këtë 140-vjetor, duhej të shërbente dhe të kujtohej nga të gjithë së bashku, si një pikë referimi për të sotmen dhe për të ardhmen e shqiptarëve.  Kjo fatkeqsisht nuk ndodhi ashtu siç meritonte 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit!

Ngjashëm deri diku me situatën e sotëme, ndërkohë që jemi dëshmitarë të lojrave dhe influencave të të huajve mbi fatin e Kombit, autoritetet shqiptare të Lidhjes së Prizrenit 140-vjet më parë, pas vendimeve të padrejta në kurriz të shqiptarëve të Kongresit të Berlinit dhe të fuqive të mëdha të kohës, megjithë vështirsitë e shumëta politike dhe ushtarake me të cilat përballeshin, u mblodhën të vendosur dhe të bashkuar për të luftuar në mbrojtje të interesave tokësore të shqiptarëve dhe të interesave të kombit në përgjithësi.  Për tu përballur me sfidat e asaj periudhe, aty kishin marrë pjesë së bashku, përfaqsues nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim -- për herë të parë ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe -- për të biseduar mbi fatet e Kombit, siç theksoi edhe Presidenti Ilir Meta në fjalën e tij me këtë rast. “Krijimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte vazhdim i Lidhjes së Lezhës të krijuar nga Gjergj Kastriot –Skënderbeu, shekuj më parë dhe shënonte në vetvete një kulminacion të rizgjimit dhe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare për të shpalosur identitetin kombëtar dhe politik të Kombit tonë, për të legjitimuar aspiratat e tij për shtet-formim dhe për t’ia bërë ato të ditura të gjithë botës”, ka theksuar Presidenti shqiptar, Z. Ilir Meta në fjalimin e tij në Prizren, me rastin e  140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare.  Ndërsa Kryeminsitri i Republikës së Kosovës, Z. Ramush Haradinaj u shpreh se, “Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte frymëzim për të gjitha përpjekjet tona për liri e pavarësi! Me Presidentin shqiptar, Ilir Meta, dhe me bacën Rifat, sot bashkë në përkujtim të 140-vjetorit të kësaj ngjarjeje historike”.

Edhe mesazhi i atij shkrimi, muajin që kaloi, ishte që të kujtohej kjo ngjarje e madhe historike për Kombin Shqiptar, 140-vjetë më vonë, si një frymëzim edhe për brezat e sotëm dhe të ardhmen të shqiptarëve -- me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit, në vend të shfaqjeve të egoizmave politike dhe interesave ekonomike, të klasës aktuale politike të shqiptarëve.  Por, pritshmëritë që kisha një muaj më parë, për një kujtim më dinjitoz mbarëkombëtar, në kuptimin e vërtetë të fjalës, të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit javën që kaloi, fatkeqsisht më duken sot më tepër si një retorikë e shterpët nga ana ime, se sa një realitet për të cilin mund të ëndërrojmë.

Ia kisha mbushur mendjen vetes se 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sidomos në 550-vjetorin e Gjergj Kastriotit Skenderbe, do t’i mblidhte të gjithë burrat e burrëreshat shqiptare nga të gjitha trojet – pa dallim, si dikur motit -- për të festuar solemnisht dhe për të kujtuar me entuziazëm, të gjithë së bashku, njërën prej ngjarjeve më me rëndësi të historisë së Kombit.  Me shkrimin e muajit të kaluar, me jehonën që Poeti i Kombit, At Gjergj Fishta i kishte bërë Lidhjes së Prizrenit, kushtuar “Krenëve të Shqyptarisë”, pritsha siç duket më kot, që në 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përfaqsuesit aktual politikë të Kombit shqiptar, të gjithë së bashku, të pakën për një ditë, do linin mënjanë grindjet dhe konfliktet politike – të frymëzuar nga ky përvjetor – do të shpalosnin një ndërgjegje më të pastër kombëtare, pa të cilën tashti është e qartë për të gjithë, se nuk mëkëmbet as Shqipëria as Kosova – veças as të bashkuara.  Pritsha me shpresë se ky vit, kushtuar 550-vjetorit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që erdhi dhe shkoi -- në vend të pakënaqësive dhe ndasive politike aktuale -- do të na frymëzonte, do të na i ngrohte dhe jo të na i ftohte zemrat dhe shpresat tona për një të ardhme më të mirë dhe më të bashkuar për të gjithë shqiptarët në trojet e veta.