E shtune, 20.04.2024, 10:53 AM (GMT+1)

Mendime

Shatri: Si i kujtoj unë atdhetarët Krasniqi dhe Dumoshi

E diele, 10.06.2018, 11:31 AM


Si i kujtoj unë atdhetarët Metush Krasniqi dhe Ismail Dumoshi

Nga Muhamet Emin Shatri

“Sa dobi u sjell anijeve feneri i një limani, aq dobi u bie bashkatdhetarëve  të vet një njeri i urtë, i matur e zemërmirë!” (Sami Frashëri)

Sot, në shenjë nderimi e miradije, po i them dy-tri fjalë për kreun e Lëvizjes Kombëtare Demokratike të Kosovës, Metush Kraniqin, për intelektualin dhe atdhetarin e shquar, Ismail Dumoshin, si dhe për disa miq e shokë të brezit tim, të dëshmuar për angazhime në të mire të çështjes kombëtare, pasi zotët tanë ilirë më kanë përgatitur thirrjen për të shkuar tek ta në mbretërinë e tyre hyjnore e ndoshta nuk do kem afat qe ketë ta bëjë në ndonjë jubile apo datë  të shënuar të jetës dhe të veprimtar se tyre.

Ishte vjeshtë e vitit 1972. Atëbotë doli Letra e Josip Broz Titos dhe e Byrosë Ekzekutive për gjendjen në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë. Ishte kjo kohë kur kreu partiak po ballafaqohej më Lëvizjen Masive në Kroaci, që udhëhiqej nga Savka Dapçeviq Kuqar, ndërsa në Serbi nga Llatinka Peroviq. Kjo Letër e Titos në Kosovë u shfrytëzua nga forcat dogmatike dhe shoviniste serbe për të qëruar hesapet me intelektualët shqiptarë, sidomos me mësimdhënësit e devotshëm që angazhoheshin për avancimin e statusit të Kosovës dhe për barazinë e shqiptarëve me popujt e tjerë në Federatën jugosllave.

Në frymën e Letrës së përmendur, në nëntor të vitit 1972, pasi nuk arritën të më përjashtonin në organizatën bazë të Lidhjes së Komunistëve (LK) në Gjimnaz, më përjashtuan më vendim të Komitetit Komunal. Kjo nënkuptonte, para së gjithash, edhe largimin nga puna. Më akuzonin se “kam nxitur romantizmin nacional”, se “jam përpjekur të formoj një lëvizje masive” (sipas shembullit të Kroacisë) dhe “formacione gjysmë ushtarake me nxënësit dhe rininë”; që si këshilltar i Kuvendi Komunal, bashkë më Sadik Bytyqin, mësimdhënës i gjeografisë, Isa Rexhën, punëtor në Shtëpinë e Shëndetit në Istog, dhe këshilltarë të tjerë “kishim formuar një lloj opozite, që e sfidonte haptas pushtetin e asaj kohe”.

Ishte shumë e rëndë, madje tepër e vështirë për mua që ta lëshoja Gjimnazin dhe të ndahesha nga nxënësit, të cilët më respektonin, ndoshta, më shumë sesa që e meritoja. E kisha veçanërisht vështirë të shkëputesha nga nxënësit e paraleles ku isha kujdestar  klase, të cilët kishin vendosur që ta bojkotonin mësimin, madje edhe ta braktisnin shkollën nëse do të më largonin nga procesi edukativo-arsimor. Mezi arrita t’i bindë se duhet ta vazhdojnë mësimin dhe iu premtova që, sapo të më jepej mundësia, do të kthehesha sërish në mesin e tyre.

Edhe prindërit e përjetuan rëndë largimin tim nga puna dhe vendlindja. Në skamje e me shumë sakrifica më kishin dërguar në Gjimnazin e Pejës. Prandaj, pasi e kreva atë shkollë, në pamundësi materiale për të vazhduar shkollimin, u punësova si mësues, kurse Fakultetin- Degën e Historisë e kreva me korrespondencë. Prindërit e moshuar bashkë me axhën dhe gruan e tij, që ishin kujdesur aq shumë për mua po i lija vetëm. Po të mbetesha pa punë, vështirë do ta kishin për t’i vazhduar studimet edhe tre vëllezër e tri motra që ishin regjistruar në Fakultet, e aq me tepër pasi nuk u jepnin bursa dhe kredi. Krahas kësaj, për prindërit dhe familjarët fshati ynë Tomoci, i dëgjuar për njerëz të urtë e punëtorë, por edhe atdhedashës, ishte një Kosovë apo dhe Shqipëri në miniaturë për të cilin edhe ne fëmijët e tyre duhej të punonim dhe të flijoheshim. Ata insistonin, me të drejtë, që të mos largoheshim prej andej, të mos i lenim vetëm për të gjallë. Megjithatë, kur kuptuan se me çfarë ndeshtrashash po ballafaqoheshim, na lanë amanet që, edhe pas vdekjes, eshtrat tanë t’ia kthenim vendit ku kemi lindur, në mënyrë që të preheshin pranë eshtrave të tyre e të gjyshstërgjyshërve tanë.

Mora rrugën për Prishtinë, duke shpresuar në lidhjet që kisha krijuar gjatë një viti sa pata punuar në Shkollën Normale të Prishtinës. Atje kam pasur nderin që të njihem me veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Metush Krasniqin, të cilin të gjithë e thërrisnim Baca Metush. Ai në atë kohë punonte si referent për çështjet e nxënësve në Shkollën ë Mesme Teknike të Prishtinës. Aty punonin edhe disa shokë të mi, si Zymer Neziri, i cili në vjeshtë të vitit 1971, bashkë me Muhamet Tërnavën u pranuan asistentë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në vend të Zymerit në Shkollën e Mesme Teknike ishte pranuar shoku im tjetër, Isa Demaj, veprimtar i kreut të organizimit të Demonstratave më 1968 në Rrafshin e Dukagjinit. Derisa punoja në Shkollën Normale, kisha njohur gjithashtu djalin e madh të Bacës Metush, Xhevatin, mësimdhënës i historisë.

Sapo arrita në qendër të Prishtinës, fati e deshi që në hotelin e atëhershëm ”Union” ta takoja Bacën Metush. Derisa po pinim kafe bashkë, i tregova arsyen pse kisha ardhur në Prishtinë. “Ma merr mendja se do t’ia bëjmë qarën kësaj pune! - më tha me një zë të qetë e fare të sigurt. “Xhevati punon, jo vetëm në Normale, por edhe në Qendrën Teknike Shkollore në Obiliq (tash Kastriot). Ti zgjidh ku të pëlqen më shumë!” Më mahniti me qëndrimin e tij. E shikoja me plot admirim. Në sytë e tij lexova vlerësimin që kishte për mua. “Baca Metush, unë nuk kam mbetur për të zgjedhur!” – iu përgjigja. “Atëherë, pra, po zgjedh unë për ty! Ti do shkosh për të punuar në Qendrën Teknike Shkollore të Obiliqit (Kastriotit), sepse atje e kemi drejtor Ismail Dumoshin, por ka edhe një rreth atdhedashësish të fortë. Jam i bindur që edhe Xhevati im do të pajtohet që t’i lëshoj orët e lëndës së historisë që i mban atje. Fundja, punën e Xhevatit lërma mua! - më tha Baca Metush. Nxori lapsin dhe, në një letër të vogël, ia shkroi Ismailit porosinë, përkatësisht rekomandimin që të më pranonte në punë. Menjëherë u nisa për në Kastriot me shpresë, por edhe më ndrojtje. Si do  të më priste drejtori dhe a do me pranonte në punë? Kur hyra në zyrën e tij, Ismaili u ngrit në këmbë dhe u përshëndet me mua thua sikur të ishim njohur vite më parë, ndonëse ne nuk ishim takuar as njëherë. Më bëri përshtypje të veçantë mënyra e komunikimit. Ishte njeri me kulturë, shumë i afërt dhe i përzemërt. Kur e kuptoi arsyen pse kisha shkuar, pa e zgjatur shumë më tha: “Do të  pranojmë në punë se s’bën, por formalisht duhet të shpallim një konkurs lokal me kohëzgjatje prej pesë ditësh. Megjithatë, ti prej sot je i pranuar mësimdhënës në shkollën tonë!” E falënderova nga zemra, por ma ndërpreu menjëherë: “Kjo, më tha, është krejt e panevojshme. Falënderim për mua do të jetë vetëm angazhimi yt në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri!” Kurrë deri atëherë nuk kisha përjetuar pritje dhe trajtim më bujar e më njerëzor.

Vlen te theksohet se Ismail Dumoshi si drejtor dhe veprimtar vlerësonte se arsimimi i njerëzve është krah i fortë i thellimit të qëndresës dhe vetëdijes kombëtare. Prandaj punoi me përkushtim që të arsimojë punëtorët, të cilët për një kohë të shkurtër morën përgjegjësitë dhe u bënë shumicë drejtuese në Kombinatin e Kastriotit (Obiliqit). Ky aktivitet bëhej sa për ta ngritur cilësinë e nxënies së dijes aq edhe për të parandaluar ardhjen e punëtorëve nga Serbia të cilët, kinse ishin më të kualifikuar prandaj do t’i zinin vendet e punës të punëtorëve nga Kosova dhe viset tjera shqiptare. Dhe jo vetëm kaq, të ardhurit paguheshin më mirë duke u bërë menjëherë shefa te reparteve dhe shesheve të punimeve. Për të evituar këtë, së bashku me stafin arsimor, përpos ligjëratave plotësuese, organizoi edhe provime kualifikuese për të gjithë punëtorët nga Kosova, Mali i Zi dhe Kosova Lindore. Ishim qindra punëtorë që u kualifikuan dhe u diplomuan në këtë formë.

Këtu do të bëj një digresion të vogël sepse më duket se është rendi të shtoj edhe diçka. Ismail Dumoshi, me angazhimin dhe autoritetin e tij, kishte punësuar në Kombinatin Xehetaro-Energjetik të Kastriotit edhe pjesëtar te familjeve te persekutuar nga pushteti i asaj kohe. Kështu ishte rasti me Faik Krasniqin, djalin e veprimtarit të guximshëm të çështjes kombëtare, Aziz Zhilivodës, i cili, për shkak të ndjekjeve që i bënte UDB-a jugosllave, ishte arratisur në Shqipëri, shumë herë kur vinte ilegalisht në Kosovë për të zhvilluar veprimtari antijugosllave. Me sugjerimin e Metush Krasniqit, djali i vllait të Aziz Zhilivodës, Ahmet Krasniqi ishte regjistruar ne Akademinë Ushtarake për t’u përgatitur që ti dalë zot vatanit kur do të vinte koha. Edhe unë si kryetar i Këshillit të Emergjencës për Suedi, të formuar për të mbështetur Luftën Çlirimtare të Kosovës, kam pasur nderin ta takoj në Zyrën e Kosovës kolonel Ahmet Krasniqin, ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Republikës së Kosovës në ekzil, të cilin antikombëtarët e vranë në midis të Tiranës.

Krahas meje, në Qendrën Teknike Shkollore të Kastriotit u pranua edhe mësimdhënësi i gjeografisë, Hasim Dërmaku që vinte nga një vëllazëri e dëshmuar për qëndresë kundër pushtetit serb nga anët e Dardanës (ish Kamenicës). Edhe drejtori atdhedashës i Shkollës Tetëvjeçare të Kastriotit, Tahir Alia, që ishte në lidhje të ngushtë më Ismail Dumoshin, kishte pranuar në punë, ose, më mirë të them, kishte strehuar disa nga shokët dhe bashkëvendësit e mi, si: Isa Demajn, Xhemajl Gashin, Ramadan Blakajn, Binak Ulajn, Ibrahim Rugovën, Isa Zymberin e të tjerë. Kjo dëshmon se Ismail Dumoshi dhe bashkëveprimtarët e tij kishin si mision për të ndihmuar të gjithë ata që mbaheshin në shënjestër të organeve të pushtetit për shkak të angazhimeve të tyre në dobi të çështjes kombëtare.

Ismail Dumoshi shoqërohej më shumë më mësimdhënësit, si: Hysen Rakovicën, Hilmi Morinën, Qamil Hasanin, Hajdar Pecin, Shaip Fazliun, Halil Vllahinë, Reshat Kadriun e Ekrem Bislimin, por i vlerësonte edhe të tjerët, që ishin të përkushtuar për çështjen pedagogjike-kombëtare. Edhe kjo është pikërisht një prej karakteristikave të burrërisë dhe të bujarisë së tij. Mua nuk ma zinte për të madhe që shoqërohesha më shumë me Izet Gashin, mësimdhënës i gjeografisë, tek i cili shkoja shpesh sepse  ai, por edhe familjarët e tij, më nderonin shumë, sidomos i ati, axha Ibrahim, por edhe vëllezërit e tij. Për mua familja e Izetit ishte pikë referimi edhe për faktin se xhaxhai i tij, Salih Kollu­dra-Gashi kishte qenë luftëtar i dalluar dhe udhëheqës i forcave vullnetare që kishin luftuar në mbrojtjen e kufijve etnikë (1941-1944) kundër sulmeve çetnike dhe kundër forcave partizane-çetnike serbe më 1945, për ripushtimin e Kosovës dhe instalimin e regjimit komunist. Duke qenë se konsiderohej dhe ndiqej si “armik i shtetit e popullit”, ai u detyrua që, nëpërmjet Greqisë, të dalë në Turqi, ku prej andej ka vazhduar veprim-tarinë  në dobi të çështjes së atdheut e kombit të vet.

Organet e pushtetit të Istogut, kur kanë kuptuar se jam punësuar si mësimdhënës, menjëherë kanë kërkuar nga drejtoria e shkollës që të më largojnë urgjentisht, sepse, sipas tyre, isha i papërshtatshëm ideologjikisht për t’i arsimuar dhe edukuar brezat e rinj. Ismail Dumoshi i ka pritur me gjakftohtësi të gjitha këto kërkesa, prandaj, duke qenë njeri i ekuilibruar shpirtërisht dhe kurajoz, nuk ka dashur të më shqetësojë asnjëherë. Mbaj mend vetëm një rast më ka thirrur në zyrën e tij dhe ma ka komunikuar përmbajtjen e shkresës që vinte nga organet e komunës së Istogut, ku kërkohej largimin tim i menjëhershëm nga procesi edukativo-arsimor me arsyetimin se e indoktrinon rininë dhe nxënësit më nacionalizëm ekstrem. Pasi e lexova shkresën, Ismaili e grisi copë-copë dhe e hodhi në shportë, duke më përsëritur atë që ma kishte thënë Baca Metush: ”Askush nuk ka për të të nxjerrë nga ky “istikam” derisa të jetë Ismail Dumoshi më shokë!”

Duhet të shtoj se Ismail Dumoshin e respektonin të gjithë, nxënës e mësimdhënës, pa marrë parasysh nacionalitetin. Ai ishte njeri shumë i afërt dhe drejtonte shkollën më një mjeshtri e takt pedagogjik shembullor. Dallonte shumë nga drejtorët burokratë e servilë, të cilët ishin dorë e zgjatur e pushtetit. Më dukej sikur në Shkollën e Ismail Dumoshit kishte një liri shpirtërore dhe një frymë më liberale që nuk e hasje në asnjë shkollë tjetër në Kosovë. Qëndrimi i drejtorit Ismail më kujtonte Isa Boletinin, për të cilin kisha lexuar se si, pasi e kishte çliruar Pazarin e Ri dhe Mitrovicën nga pushteti xhonturk (25. VII. 1912) dhe donte të mësynte drejt Prishtinës, kishte urdhëruar që të hiqeshin trekëmbëshat nga sheshi i qytetit. “Në ditën e lirisë”, kishte urdhëruar kryekomandanti i shqiptarisë, ”duhet të jenë të gjithë të lirë!” Kështu, edhe unë ndjehesha i lirë në Qendrën Teknike Shkollore të Kastriotit pas përndjekjeve dhe gjithë asaj që kisha përjetuar vite të tëra me radhë. Megjithatë, siç theksova në fillim, nuk vonoi shumë dhe situata ndryshoi. Zbatimi i Letrës së Titos, po vazhdonte me të madhe në Kosovë. Ishin përjashtuar nga puna, kryesisht nga arsimi, “brezi 68”, i njohur si brez i demonstratave për kushtetutë, republikë e vetëvendosje. Por, përjashtoheshin nga puna edhe veprimtarë nga brezat e mëparshëm të Lëvizjes Kombëtare. Kishin pësuar shumë arsimtarë të shkollave fillore, por edhe atyre të mesme. Përkundër këtyre trysnive, qëndresa vazhdonte. Për shembull, në mars të vitit 1973, një qëndresë e tillë u bë në Shkollën Teknike të Prishtinës. Në krye të saj qëndronte Metush Krasniqi. Ndaj tij dhe tre arsimtarëve të lëndës së gjuhës dhe letërsisë shqipe: Isa Demaj, Nuhi Veselaj e Mehmet Rukiqi, u morën masa për t’i përjashtuar nga puna. Bacën Metush e kanë mbrojtur me guxim në Pleqësinë e Shkollës arsimtarët Enver Mehmeti dhe Blerim Peja. Komiteti Komunal u detyrua që të vërë masa të dhunshme administrative në Shkollën Teknike të Prishtinës dhe kështu përjashtoi nga puna Metush Krasniqin, Isa Demajn, Vesel Nuhiun dhe Mehmet Rukiqin. Më sipër vjen konstatimi i qëndrueshëm se Metush Krasniqi ishte shtylla kryesore e Lëvizjes Çlirimtare të Kosovës, i cili bashkërendonte aktivitetin e tij me Ismail Dumoshin dhe veprimtarë të tjerë të shquar. Bacën Metush e goditën në vlugun e kësaj fushate antishqiptare, mirëpo ai shëmbëlleu në mbarë Kosovën me qëndrimin e tij. Në të njëjtën kohë organet e pushtetit komunist e goditën edhe Ismail Dumoshin, një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Bacës Metush. Me 13 mars 1973, Komiteti Komunal i Prishtinës mori vendim për përjashtimin e tij nga radhët e LKJ-së, ”pasi ishte konstatuar se ai vetëm verbalist i kishte pranuar qëndrimet e LKJ -së, ndërsa në praktikë, në jetën e përditshme, me sjelljet e veta nuk kishte dëshmuar se është ithtar i kursit të ri të LKJ-së”.

Pasi me rastin e përjashtimit të tij, Ismaili nuk kishte qenë prezent, me çka ishte bërë lëndimi dhe mosrespektimi i Statutit, ”Komiteti Komunal i LK-së në seancën e mbajtur me 11 qershor 1973, në praninë e Ismailit përsëri e shqyrtoi situatën në Qendrën Shkollore Teknike dhe pastaj mori vendim që Ismail Dumoshi të përjashtohet nga LKJ”.

Me këtë vendim nuk u pajtuan asnjëra nga organizatat bazë të LKJ, ajo e Qendrës Teknike Shkollore dhe e Shtëpisë së Kulturës. Në mbrojtje të Ismail Dumoshin ishin të gjithë anëtarët e kolektivit, të gjithë nxënësit, shumica dërrmuese e anëtarëve e LKJ-së, shqiptarë e të tjerë, vetëm 4-5 veta serbë, boshnjakë etj. votuan për përjashtimin e tij. Megjithatë, vendimi i Komitetit Komunal u imponua në mënyrë arbitrare dhe Ismail Dumoshin e larguan nga posti i drejtorit, duke e sistemuar në një vend të thjeshtë pune në Kombinat. Për Ismailin ishte satisfaksion i madh që kolektivi e mbrojti më aq vetëmohim, duke çmuar lart vlerat morale e njerëzore të tij. Në vazhdim janë paraqitur probleme edhe me zgjedhjen e ushtruesit të detyrës së drejtorit. Askush nuk donte ta zinte vendin e Ismail Dumoshit. Kishte rrezik që të na dërgonin një drejtor të dhunshëm. Prandaj Ismaili dhe shumica e kolektivit këmbëngulëm që për ushtrues të detyrës së drejtorit të caktohej pikërisht miku i tij i ngushtë Qamil Hasani, profesor i gjuhës shqipe nga Presheva.

Më zgjedhjen e Qamil Hasanit, kolektivi sikur u lehtësua pak. Edhe unë sikur ndihesha mirë, sepse edhe drejtori i ri ishte burrë i pathyeshëm e atdhedashës. Ai prej fillimit e dinte punën time dhe më kishte mbështetur vazhdimisht. As tek ai nuk pinë ujë shkresat urgjente e urdhëresat e Istogut, madje ai, për shkakun tim, ishte konfrontuar me disa prej tyre që i kishte takuar rastësisht në Banjë të Vrajës në Serbi. As Qamilin nuk e lanë gjatë në këtë detyrë. Pa u mbushur gjashtë muaj edhe atë e larguan. Pas tij deshën të na impononin një Nazmi Reçicën, por kolektivi nuk e pranoi. Si thotë një fjalë e urtë popullore: “Ik prej ujkut, tesh në ariun!” Na sollën për drejtor Millan Përkaj, mësimdhënës i historisë, i cili bashkë më prof. dr. Ali Hadrin e kishte shkruar një doracak të historisë së popullit shqiptar dhe kjo sikur më jepte shpresë se ky nuk do të na dilte hardak. Por na doli madje edhe gjemba. Kolektivi ynë, megjithatë, e tejkaloi edhe këtë lëngatëPas largimit të Millan Perkajt, të cilin kolektivi nuk e donte, ushtrues i detyrës se drejtorit u caktua Hashim Sadiku, sekretar i Organizatës Themelore të LKJ -së. Hashimi ishte burrë i vendosur dhe parimor, i cili më doli në mbrojtje kur donin të me linçonin sërish. Pas Hashim Sadikut, drejtor na erdhi Ramadan Latifi, që ishte burrë me integritet dhe u vu në mbrojtje të kolektivit. Kështu ishte puna deri në gjysmën e dytë të vitit 1977, kur organet e pushtetit kishin vendosur që të me largonin patjetër nga procesi edukativo-arsimor. Por nga kjo situatë e palakmueshme më nxori akademik Ali Hadri, i cili me rekoma­ndi­min e  profesorëve nga Tirana, Arben Puto, Ste­fanaq Pollo dhe Zija Xholi, tek të cilët i kam ndjekur ligjëratat në studimet pasuniversitare, nga fundi i vitit 1971, më pranoi në Institutin e Historisë, për çka i jam shumë mirënjohës (Për këtë më hollësisht një herë tjetër).

Kur jam tek kontaktet me atdhetarët e shquar si Ismail Dumoshi, konsideroj se duhet të shtoj edhe vazhdimin e kontakteve me Metush Krasniqin. Rasti e deshi dhe shkova për të banuar bashkë me familjen time në shtëpinë e mikut tim të shtrenjtë, prof. dr. Ramiz Abdyli, tek i cili kam banuar pa kompensim. Në atë shtëpi Baca Metush ishte mysafir i shpeshtë dhe shumë i nderuar. Ai ishte shumë i afërt me Ramizin. Shtëpia e Ramizit ishte strehë edhe për shumë hallexhinj, sidomos nga viset Lindore të shqiptarisë. Ajo njëkohësisht ishte pikëtakim i shumë veprimtarëve të Lëvizjes Ilegale të Kosovës, Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Ramizi mbante kontakte edhe me disa veprimtarë në botën e jashtme, siç ishte rasti me mikun tim, Sadri Mulajn nga Arbana (ish Orrobërda), me qëndrim të përkohshëm në Zvicër. Ardhja e Bacës Metush e bënte shtëpinë e Ramizit një nyje të fortë të lidhjeve e të këmbimit të mendimeve. Aty vinin edhe kolegët e Institutit: Feh­mi Rexhepi, Jusuf Bajraktari etj. Ndërkaq, brenda kësaj strehe të pashoqe veprim­ta­rësh ba­nonin vëllezërit Bajrami e Rexhepi dhe bashkëvendësi i tyre, Talati, të cilët, krahas vendosjes a strehimit si në shtëpinë e vet, patën komoditet për të zhvilluar veprimtari ilegale atdhetare. Këtë kuadër e plotësonte edhe veprimtari dhe ish i burgosur politik, Sejdi Kryeziu, që banonte në atë lagje, i cili brengosej shumë për nipin e vet, Hyda­jet Hysenin që e kishte në burg shumëvjeçar. Te familja bujare e Ramizit bënin konak edhe prin­dër nga trevat e ndryshme të Kosovës dhe më gjerë, të cilët shkonin për t’i vizituar djemtë e tyre nëpër burgjet e ndryshme të Jugosllavisë dhe ish të burgosur nga viset e ndryshme shqiptare. Aty na vizitonte herë pas here profesori i nderuar Zekeria Cana, i cili i ishte shumë mirënjohës Ramizit për faktin se ai kishte marrë guxim që të shkruante recensione shumë afirmative për veprat e tij. Theksoj me këtë rast se, pas burgosjes së Metush Krasniqit dhe studentit Bajram Limanit, asnjë nga rrethi ynë nuk pati ndonjë pasojë si rrjedhojë e kontakteve me ta. Konsideroj se e gjithë kjo i bën lidhjet tona shumë specifike dhe të pashembullta. Kjo i bën nder të veçantë Metush Krasniqit, të cilin e keqtrajtuan mizorisht deri në vdekje, por që nuk e dorëzoi asnjë nga anëtarët e organizatës së tij. Nderi e respekti i takon edhe të riut Bajram Limanit, bashkëvendës i Ramizit cili, edhe pse e keqtrajtuan tmerrësisht e çnjerëzisht, nuk nxori asnjë nga shokët e organizatës së tij dhe nuk na implikoi as ne të tjerëve që ishim në vëzhgim të përhershëm nga Sigurimi i Shtetit.

Ndërkaq, duhet të shtoj edhe një herë se miku i shtrenjtë i Metush Krasniqit, Ismail Dumoshi, ndonëse lëngonte nga një sëmundje e pashërueshme, asnjëherë nuk u ligështua. Përherë ishte optimist dhe me humor të mirë. Kushëriri i imi, Abdullah Shatri, atë kohë student në Zagreb, më tregonte se, kur me një grup kolegësh kishte shkuar për ta vizituar Ismailin në spital, ishte habitur për kurajën dhe qëndrimin e tij stoik. Ai ishte befasuar këndshëm kur Ismaili i kishte treguar se ai njihte një Shatër tjetër që pushtetarët istogas e kishin dëbuar dhe që ishte punësuar në shkollën ku ai kishte qenë drejtor, pa i treguar fare se ai më kishte pranuar aty.

Ismail Dumoshin e kanë çmuar shumë edhe bashkëvendësit e mi në Istog e rrethinë. Ata e nderonin si njeri krejt të veçante dhe të pashoq. Në Stacionarin e Banjës së Pejës i rrinin gati dhe kujdeseshin shume për të. Dallohej për këtë Ramë Azem Mulaj, një djalë i ri dhe shumë i guxim­shëm që punonte në Zyrën e Pranimit të mysafirëve dhe pacientëve. Rama rridhte nga një familje e njohur atdhetare nga Arbana (ish Orrobërda) afër Banjës, të cilit gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës forcat paramilitare serbe ia masakruan babë Azemin dhe djalin e motrës Asllanin në moshën 16 vjeçare dhe dhëndrin Azem Sefaj. Tokën dhe shtëpinë ua kishte konfiskuar pushteti në kohën e Jugosllavisë së Vjetër dhe ata kishin mbetur në rrugë të madhe edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, ai më prindër, vëllezër e motra jetonte në një shtëpizë që ua kishin lënë në shfrytëzim në oborrin e Xhamisë banorët bujarë të katundit Kaliçan. Përkujdesja e Ramës për Ismajlin më bënte të ndihesha mirë pasi Ramën e kisha vendas dhe mik dhe ai këtë angazhim e bënte edhe për hatrin tim.

Duhet të vihet në dukje se Ramë Azem Mulaj kishte mirëpritur dhe ishte kujdesur në mënyrë të veçantë edhe për intelektualë dhe veprimtarët të shquar, si: akademik Ali Hadrin, Gazmend Zajmin, Esat Mekulin, Ramiz Abdylin, Mustafa Hoxhën, Shemsi Reçicën  e të tjerë. Por Rama sikur nuk kënaqej më kaq. Ai i kishte thënë Ismajlit, të cilin e respektonte më shumë se askënd tjetër në këtë botë, se donte të bënte diçka më shumë, por nuk dinte se si. Dhe Ismajli i kishte thënë Ramës se edhe kujdesi për njerëzit e sakrificës, por edhe për të tjerët, pa dallim, ishte një vepër humane e atdhetare shumë me vlerë. Prandaj, ky sugjerim i Ismail Dumoshit i ishte ngulitur fortë në mendje dhe në shpirt. Dhe kjo rezultoi me angazhimin edhe më këmbëngulës të tij për vendosjen në Stacionar dhe shërimin e demonstruesve të plagosur e të keqtrajtuar të vitit 1981, nga viset e ndryshme të Kosovës; të një grupi të demonstruesve të Vranjevcit të Prishtinës dhe të minatorëve grevistëve më 1990. Por kjo punë shumë domethënëse e Ramës nuk do të mund realizohej pa mirëkuptimin e drejtorit dr. med. Rasim Hoxha, emigrant nga Shqipëria, të pjesës më të madhe të personelit shëndetësor, tekniko-administrativ dhe të mirëmbajtjes së Stacionarit.

Sigurisht, për të mos e lënduar Ramën, pasi nuk kishte odë për mysafirë, Ismajli nuk pranoi të vinte as tek unë në fshatin Tomoc, ndonëse babai e nëna insistonin që ta çoja në shtëpi si njeriun që m’u kishte gjetur në ditët më të vështira. Edhe daja Haxhi (Gjocaj nga fshati Kovragë), që ishte i një dere të dëgjuar e shumë bujare, zot i një kulle krenare trekatëshe, ku ka qëndruar madje edhe Isa Boletini dhe miqtë e mysafirët të dëgjuar, por edhe nevojtarët pa plang e shtëpi, priteshin e nderoheshin pa u pyetur se kush ishin dhe nga vinin, më qortonte shpesh pse nuk ia sillja në konak atë burrë të dëgjuar...

Nëna ime e ndjerë ka gatuar bukë (ndonëse rriste tetë fëmijë dhe jetonim në varfëri të skajshme) dhe ka shtruar vazhdimisht sofrën e bujarisë për të afërm, miq, dashamirë, por edhe  për nevojtarë e kalimtarë qe i nxinte puna në rrugë. Kur u rrita unë, angazhohej e besa lodhej edhe më shumë sepse ia shtova një gjene­ratë mysafirësh. Megjithatë, ajo dukej sikur nuk ndalej kurrë. Shpesh më kishte dëgjuar tek flisja me admirim për Ismail Dumoshin, prandaj, për ta nderuar si shok të djalit të saj, disa herë i ka përgatitur ushqime tradicionale, të cilin ia dërgonim në Banjë të Pejës (kur vinte për kurim) herë unë e herë vëllai më i ri, Nexhati. E daja Haxhi, gjithnjë duke u nisur nga motivet e mësipërme, i ka dërguar disa herë pemë, shalqinj e perime tjera, që ishte një praktikë e nderimit të njerëzve të rrallë e të çmuar, por edhe të afërm njëkohësisht.

***

Krejt në fund, do të doja të theksoj se unë nuk po arrij të gjej fjalë adekuate për të përshkruar tërë madhështinë, bujarinë dhe shqiptarësinë e Bacës Metush (Krasniqit) dhe të Ismail Dumoshit, këtyre burrave ndër më të vlershmit që ka lindur Kosova dhe mbarë shqiptaria. Vdekja nga  torturat më mizore e Metush Krasniqit dhe shuarja e hershme e Ismail Dumoshit shkaktoi dhem­bje të madhe, jo vetëm për familjarët e të afërmit, për të gjithë ata që i kishin njohur dhe patën nderin të punojnë dhe të veprojnë më ta, por edhe për gjithë shqiptarinë. Ikja nga kjo botë e njerëzve shumë të dobishëm e të shquar është gjithmonë e parakohshme. Shkuarja në amshim e Metush Krasniqit dhe e Ismail Dumoshit ishte e parakohshme sepse ishte humbje e madhe për Lëvizjen tonë Kom­bë­tare të asaj kohe. Emri dhe veprat e tyre e stolisin një fragment të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare, me fletëdafinën më fisnike që kishte nxjerrë në ato vite shqiptaria.

Me shumë konsideratë dhe falënderim të përmotshëm për Bacën Metush dhe Ismail Dumo­­shin, njerëz, miq, pedagogë dhe apostuj të shqiptarisë së kohës së tyre, emri dhe vepra e të cilëve do të rrojë sa do të këtë shqiptarë mbi dhe. Falënderim i thellë për kolegët e miqtë  e respek­tuar të Qendrës Teknike Shkollore të Kastriotit, të cilëve u mbetem borxhli për jetë të jetë-ve.

Malmo, Suedi, 10 maj 2018



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora