E marte, 19.03.2024, 11:15 AM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Nobelisti racist e fashist, Ivo Andriç

E shtune, 09.06.2018, 06:37 PM


NOBELISTI RACIST E FASHIST, IVO ANDRIQ

Shkruan Adil FETAHU

Programet serbe  për zhdukjen e shqiptarëve dhe zhbërjen e shtetit shqiptar

Pjesa më e madhe e elitave inelektuale serbe, prej gjysmës së shekullit 19 e deri në fund të shekullit 20, mbetën me obsesionin e Serbisë së Madhe, me dalje në det dhe me shtetin e tyre etnikisht të pastër. Jo vetëm se këtë e kishin preokupim dëshirash, veçse edhe u angazhuan maksimalisht për ta realizuar ëndërrën e tyre, duke hartuar plane, programe, elaborate, memorandum, për mënyrën se si të arrinin qëllimin. Intelektualë e politikanë të rangut më të lartë:  kryetarë shteti, kryetarë qeverie, kryetarë të akademisë,  ministra, ambasadorë, peshkopë, shkrimtarë, shkencëtarë, kryetarë partishë politike dhe nga të gjitha strukturat e shoqërisë, të kishës dhe të shtetit të Serbisë, gjatë tërë kohës vepruan, punuan, përhapën idenë, arsyetuan, propaganduan dhe ushqyen popullin e tyre me idenë e krijimit të Serbisë së Madhe përmes pushtimit të tokave të popujve fqinjë, në rend të parë atyre shqiptare, por edhe të tjerëve. Pretendimet e tyre “i asyetonin” me të drejtën historike, etnike, ekonomike dhe morale, gjithnjë duke u bazuar në mitet e vjetra e të reja, në mashtrime, gënjeshtra, në trashgëiminë e një perandorie mesjetare, që s’e kanë pasur kurrë, në përkrahjen e madhe të Rusisë, dhe jo vetëm të saj.  Synimet për Serbinë e Madhe dhe pastrimin etnik, e intensifikuan edhe në dekadën e fundit të shekullit 20, kur shkaktuan katër luftëra të përgjakshme: e nisën në Slloveni, vazhduan në Kroaci, Bosnje dhe përfunduan në Kosovë.

Se sa u kushtonin rëndësi programeve për Serbinë e Madhe, të ilustrojmë me fjalët e tyre. Ideologu e “babai” i kombit, Dobrica Qosiq (në vitin 1992) deklaronte “Inelektualët serbë janë para një sfide të re historike, të bërjes dhe shpalljes së programit nacional”,  gjë që nëkuptonte programin e Serbisë së Madhe. Kolegu i tij, akademiku  i shartuar serbo-malazez, Vasilije Krestiq (1992) thoshte: “Programet nacionale janë ‘acta secreta’, për të cilat duhet të dijë vetëm rrethi më i ngushtë i udhëheqësisë”.  Ndërsa filozofi e ideologu tjetër, funksionar i lartë i partisë së Millosheviqit,  Mihajllo Markoviq (1994), konsideronte se “Programi nacional është vepër e disa personaliteteve të ditura dhe përgjegjëse, nga radhët e intelektualëve dhe politikanëve”.

Programet dhe elaboratet për Serbinë e Madhe, qofshin ato të hapura apo të fshehta, kishin karakter hegjemonist, gjithnjë për pushtime të reja; karakter nacionalist, për krijimin e shtetit etnikisht të pastër njënacional serb; dhe karakter klerofashist e racist, duke mos toleruar popuj të etnive as religjioneve tjera brënda shtetit të tyre. Të gjitha ato përshkoheshin me koncepte nacionaliste e raciste dhe ushqenin popullin serb me mostolerancë dhe me urrejtje kombëtare e fetare, gjuhësore e kulturore kundrejt popujve tjerë, veçmas kundër shqiptarëve si komb, dhe kundër myslimanëve si religjion.  Janë shumë programe, elaborate, plane, memorandume të kësaj natyre të autorëve serbë, duke filluar nga programi nacional-shtetëror i Ilija Garashaninit, “Naçertanije” e (1844); Plani i shpërnguljes së shqiptarëve nga rrethi i Toplicës (1877/78), Plani i Vlladan Gjorgjeviqit (1906);  Hartat etnografike dhe arsyetimi i daljes në det, të Jovan Cvijiqit (1906, 1909, 193, 1918);  elaboratet e Vasa Çubrilloviqit (1937 dhe 1944); Marrëveshja Jugosllavi-Turqi për shpërnguljen e myslimanëve (1938); “Aide memoire” (Përkujtuesi) i Ivo Andriqit (1939); Elaborati i Ivan Vukotiqit (1939); Programi i çetnikëve i Stevan Moleviqit e Drazha Mihajlloviqit (1941); Memorandumi i Akademisë së shkencave dhe Arteve të Serbisë (1986); Yu-programi dhe Programi i Serbisë për “Paqe, Liri, Barazi dhe Prosperitet në Kosovë e Metohi” (1990); deri te Plani i luftës “Patkoi” (1998) për zhdukjen fizike, shpërnguljen dhe përzënien e të gjithë shqiptarëve prej Kosove. Në këtë shkrim do të trajtojmë vetëm Elaboratin e shkrimtarit, nobelistit serbo-boshnjak, Ivo Andriq, se si e ka menduar  dhe arsyetuar ai zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe copëtimin e ndarjen (zhbërjen) e shtetit shqiptar, në prag të Luftës së Dytë Botërore.

Elaborati i Andriqit për zgjidhjen e çështjës së Kosovës dhe për copëtimin e shtetit shqiptar

Në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore, Ivo Andriq (1892 - 1975),  ishte në pozitë të zyrtarit të lartë të Qeverisë së Serbisë. Millan Stojadinoviq ishte kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme, ndërsa zëvendës-ministër i punëve të jashtme Ivo Andriq, që ishte dora e djathtë e kryeministrit. Andriqi ka qene nje personalitet perfid, i qetë, i ditur, autoritativ, i cili ka ditur t’iu përshtatet kushteve e rrethanave ideologjike, politike dhe regjimeve. Me këto veti, si shkrimtar i afirmuar dhe me pozitën e lartë diplomatike, ka pasur ndikim në marrëdëniet ndërkombëtare të Jugosllavisë së asaj kohe.

Në fillim të janarit 1939, ministri jashtëm i Italisë, Glaceano Çano, që ishte dhëndër i Musolinit, bëri një vizitë në Beograd. Në bisedime të hapta e të fshehta me kryetarin e Qeverisë jugosllave, M.Stojadinoviqin, në Beograd dhe në Belje, Çano kishte shtruar idenë dhe propozimet e Italisë për copëtimin e Shqipërisë midis Italisë e Jugosllavisë. Stojadinoviqi i ngazëllyer nga nga ideja për ndarjen e Shqipërisë, në lokalitetin “Belje” kishte organizuar një  “terevenkë” (aheng dëfrimi) për nderë të ministrit Italian, me femra të bukura serbe; ashtu qejfli,  vet kishte hipur mbi tryezen e bukës për të mbajtur një fjalë përshëndetëse, por tryeza ishte rrëzuar bashkë me kryeministrin korpulent, të cilit i kishin rënë ushqimet përmbi! Pas kësaj bisede me ministrin Italian, Stojadinoviqi kishe kërkuar nga Andriqi të përgatitë një analizë të rrethanave dhe mundësive për realizimin e propozimit Italian. Andriqi e kishte punuar me shumë zell analizën e tij,  dhe ia kishte dorëzuar kryeministrit më 30 janar 1939. Atë analizë dikush e quan “Përkujtues zyrtar”, “Aide memoire”, “Elaborati i Andriqit”, apo vet kryeministri e ka quajtur “Referati i Andriqit, 30.I.1939”. Vetëm katër ditë më vonë, më 3 shkurt 1939, një zyrtar tjetër i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, Ivan Vukotiq, i kishte paraqitur Qeverisë “Përkujtuesin”, projektin e tij, për copëtimin e Shqipërisë midis Jugosllavisë e Greqisë, si domosdoshmëri për ta evituar rrezikun e depërtimit të Italisë në Ballkan! Por, edhe përkundër frikës së depërtimit Italian në lindje të Adriatikut, ,  nga urrejtja patologjike që kishte ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë,  në funt të projektit të tij Vukotiqi  kishte shtuar:  Megjithatë, më mirë një dritare italiane në Ballkan, se një shtëpi shqiptare” (!) , duke aluduar që të mos lejohet shtet i pavarur shqiptar në Ballkan!

Elaborati i Andriqit është mbajtur fshehtë deri në vitin 1977, kur për herë të parë është publikuar në  revistën kroate “Casopis za suvremenu povjest” (Revistë për historinë bashkëkohore), me komentet e redaktorit Bogdan Krizhman. Publikimi i atij Elaborati shkaktoi “cunami” polemikash midis funksionarit të lartë serbo-boshnjak Rodolub Çollakoviq, dhe redaktorit të revistës kroate, B.Krizhman. Çollakoviqi orvatej ta mbronte autoritetin e Andriqit, duke mohuar pjesëmarrjen e tij në procesin e nënshkrimit të Paktit për bashkimin e Jugosllavisë boshtit  trepalësh “Romë-Bërlin-Tokio”, më 25 mars 1941. Por, siç thotë populli, “nuk mund të mëshihet mizdraku në thes”, as Çollakoviqi e “çollakët” e tjerë, nuk mund ta pastrojnë figurën e Andriqit nga ndotja raciste dhe naciste që ia ka bërë ai vetvetes. Ato vërtetojnë se Ivo Andriq,  përveç elaboratit racist që ka hartuar kundër shqiptarëve, në cilësi të ambasadorit të Jugosllavisë në Gjermaninë naciste, më 25 mars 1941, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të instrumenteve për bashkimin e Jugosllavisë Paktit trepalësh, në Pallatin “Belvedere” të Vjenës, pakt të cilin e ka nënshkrua kryetari i Këshillit të Ministrave të Qeverisë së Jugosllavisë, Dragisha J. Cvetkoviq. Andriqi ka marrë pjesë edhe në drekën solemne të cilën e ka shtrua Hitleri me atë rast. Paktin e nënshkruar për bashkimin e Jugosllavisë boshtit Romë-Berlin-Tokio, juridikisht kurrë nuk e ka anulua askush, ndërsa praktikisht e ka prishur puçi ushtarak me 27 mars 1941, i nxitur kryesisht nga përkrahja dhe paraja britanike për kreun e puçistëve, me në krye gjeneralin Simoviq. Për këtë do shkruajmë një herë tjetër.

Përmbajtja e Elaboratit të Andriqi

Elaboratin e tij Andriqi e ka shkoqitur në 10 kapituj, të shkruar në mënyrë shumë të kondensuar, analitike dhe të qartë, me tituj: 1) Lufta Ballkanike dhe Shqipëria; 2) Ndarja e sferave të interesit në Shqipëri midis Serbisë e Greqisë; 3) Pakti i Londrës dhe Shqipëria; 4) Shqipëria në Konferencën e Paqes; 5) Okupimi Italian i Shqipërisë pas Luftës dhe tërheqja definitive pas dështimit në Vlorë; 6) Shqipëria para Konferencës së Ambasadorëve; 7) Pakti i Romës, Pashiqi, Musolini dhe Shqipëria; 8) Pakti i Tiranës dhe gjendja të cilën ai e krijoi; 9) Pakti i miqësisë italo-jugosllave, i 25 marsit 1937; 10) Ruajtja apo ndryshimi i satus-quos.

Në kapitullin e parë, Andriqi arsyeton depërtimin e ushtrisë serbe dhe okupimin e pjesës veriore të Shqipërisë, deri në Tiranë e  Durrës (15 nëntor 1912), me të drejtën e Serbisë për dalje në det, sipas Marrëveshjes së fshehtë të lidhur më 29 janar 1912, midis Serbisë e Bullgarisë. Më tutje, në këtë kapitull, Andriqi elaboron se si u krijuar Shqipëria autonome, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (20 dhjetor 1912), duke i dhënë Serbisë (vetëm) të drejtën ekonomike të daljes në detin Adriatik, dhe se me gjithë kundërshtimet e Malit të Zi e të Serbisë, Konfererenca (më 20 mars 1913) me dhunë  ia dha Shkodrën  Shqipërisë, ndërsa forcat serbo-malazeze u detyruan të tërhiqen, por Serbia kurrë nuk e humbi shpresën e daljes në det. Në vazhdim (kapitulli 2), tregon se si në bazë të një Marrëveshje të fshehtë midis Greqisë dhe Serbisë (19 maj 1913), i kishin ndarë sferat e interesit në territorin e Shqipërisë, si kërkesa të tyre maksimale, sipas të cilave, territori verior deri në derdhjen e lumit Seman në det dhe Devollit, do t’i takojë Serbisë, ndërsa pjesa në jug të kësaj vije  i takon Greqisë, që do ta realizonin në rast të ndonjë hallakame. Pretendimet serbe për daljen në det Andriqi i mbështetë edhe në parimet dhe dispozitat e Marrëveshjës së fshehtë të lidhur në Londër më 26 prill 1915, midis fuqive të mëdha: Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Rusia, sipas së cilës, Italia do ta merrte  në pronësi Vlorën e Sazanin, me një hapësirë të gjërë mbrojtëse (hindërlandin), ndërsa pjesën veriore e jugore t’i merrnin Serbia, Mali Zi dhe Greqia.  Në kapitullin më të gjatë të Elaboratit të tij (kapitulli IV),  Andriqi vazhdon me elaborimin e vendimeve të Konferencës së Paqes dhe Memorandumit të 9 dhjetorit 1919, dhe mandatin Italian për administrimin e shtetit shqiptar, gjë që Serbia/Jugosllavia e ka kundërshtuar ashpër, duke kërkuar korrigjimin e kufijve, Shkodrën, Luginën e Drinit dhe veriun e Shqipërisë, gjithnjë duke u bazuar në të drejta historike dhe ekonomike. Me qenë se nuk mund t’i realizojnë pretendimet e tyre, dhe nga rreziku që shihte për vete pas okupimit Italian të Shqipërisë (1920), Serbia me aksione të fshehta ose të hapura, dhe me para,  u përpoq të bëjë për vete krerët shqiptarë, për ta përzënë Italinë, në bazë të idesë për Shqipërinë e pavarur, dhe të parullës: “Ballkani - popujve të Ballkanit”.  Pas vendimit të Konferencës së Paqes (nëntor 1921) për njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë, dhe anëtarësimit në Shoqërinë e Kombeve, përpjekjet tona për korrigjimin e kufijve dhe marrjen Shkodrës me Luginën e Drinit, ishin të kota, thotë Andriqi në elaborimin e tij. Edhe tentimi (ynë) për themelimin e shtetit të pavarur të Mirditës, të cilin do ta mbronin forcat ushtarake të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, shkoi huq, pasi pushteti i Tiranës e shou atë lëvizje, ndërsa neve na akuzuan dhe gjykuan në Shoqërinë e Kombeve, shton Andriqi, në kapitullin 6 të Elaboratit të tij. Në kapitullin vijues, elaboron shkurt Marrëveshjen Pashiq-Musolini, të lidhur në Romë (janar 1924), për mospërzierjën në punët e brendshme të Shqipërisë, por kjo nuk e pengoi Italinë ta përkrahë kryengritjen e Nolit kundër Zogut, në qershor të vitit 1924, as Jugosllavinë ta përkrahë Zogun për t’u kthyer në pushtet (dhjetor 1924).
“Miqtë” tanë shqiptarë, me intrigat e tyre për ta mbajtur ose për të ardhur në pushtet, kërkonin ndihmën  herë nga Roma e herë nga Beogradi, duke premtuar besnikëri dhe bashkëpunim,  por në rastin e parë të volitshëm e ndërronin orientimin. Regjimi që ndihej i rrezikuar nga Italia, kërkonte ndihmën tonë, ndërsa ai të cilin ne donim ta rrëzonim, kërkonte ndihmën e Italisë.  I ndjeri Pashiq, përherë i udhëzonte përfaqësuesit tanë në Shqipëri, duke u thënë: “Ne duam Shqipërinë e pavarur, por një Shqipëri të dobët dhe të pakonsoliduar”. Kjo ishte gabim, sepse shteti i pakonsoliduar nuk mund të qëndrojë, prandaj  Ahmet Zogu në vitin 1926 kërkoi ndihmën e Italisë, dhe në vitin 1927 lidhi Marrëveshje ushtarake për 20 vjet, me ç’rast mori qindra miliona për të kryer punë publike dhe zhvillim ekonomik, iu nënshtrua Italisë sikur të ishte protektorat i saj. Dhe kjo gjendje na ka rrezikuar edhe neve, me aksione të ndryshme irredentiste në kufijtë tanë, ankohej Andriqi. Në kapitullin 9, elaboron ecurinë e lidhjes së Paktit të Miqësisë italo-jugosllave (25 mars 1937), me të cilin ishte përcaktuar njëfar “modus vivendi” italo-jugosllav në terrenin shqiptar, ashtu që Jugosllavia  do t’i respektonte interesat e Italisë  në bregdetin e Vlorës, dhe Italia të mos e rrezikonte kufirin jugor të Jugosllavisë, veçmas kufirin me Kosovën dhe me Malin e Zi. Dhe, kapitulli i fundit i Elaboratit të Andriqit merret me pyetjen hamletiane, që këtu e shtron: “Të mbahet apo të ndryshohet status-quoja”? Duke parë forcimin dhe involvimin e Italisë në politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë, Andriqi sheh rrezikun e depërtimit të Italisë në gjithë bregdetin lindor të Adriatiku, deri në Zarë, ku e kishte sovranitetin mbi një pjesë të territorit. Politika e Serbisë, thotë Andriqi,  gjithmonë ka proklamuar parimin e vet, edhe në luftën kundër Perandorisë Otomane, edhe kundër Monarkisë Austrohungareze: “Ballkani – popujve të Ballkanit”. Prania e një fuqie të madhe në Ballkan, paraqet rrezik për pushtime të mëtejme. Kështu, prania e Italisë në Shqipëri është precedent i rrezikshëm për neve, aq më tepër që me Paktin e Londrës, Italisë i është njohur e drejta e pronës në  Shqipërinë jugore, por  edhe në Dallmacinë veriore.

Ndarja e Shqipërisë

Duke vlerësuar të gjitha rrethanat e kësaj çështjeje, duhet të kemi parasysh se në çdo mënyrë duhet t’i shmangemi konfliktit me Italinë, qoftë të hapur apo të fshehtë.  Por, gjithashtu, duhet të mos lejojmë që vetëm Italia ta okupojë tërë Shqipërinë e të na rrezikojë në pikat tona më delikate, kah Boka e Kotorrit dhe Kosova. Nga gjithë ajo që kemi thënë më lart, për neve ndarja e Shqipërisë mund të vjen në konsiderim vetëm si një e keqe e domosdoshme dhe e pashmangshme së cilës nuk mund t’i kundërvihemi, dhe si një dëm i madh prej të cilit duhet të nxjerrim  fitim aq sa na jepet, do të thotë, prej dy të këqijave ta zgjedhim të keqën më të vogël.

Kompensimet tona janë shtruar në materialin e përpiluar para 20 vjetëve, kur shtrohej çështja e ndarjës së Shqipërisë. Maksimumin që asokohe kemi kërkuar, është kufiri që shkon me lumin e Matit dhe Drinit të Zi, që do të na jepte siguri straregjike për Malin e Zi dhe Kosovën. Gjithashtu, duhet siguruar ultësirat e Liqenit të Ohrit dhe Prespës, duke përfshirë Pogradecin dhe fshatrat sllave të Gollobërdës, dhe ato midis Prespës dhe Korçës.

Marrja e Shkodrës është me rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte të zhvillonim punime të mëdha hidroteknike dhe të fitonim tokë të plleshme bujqësore për të ushqyer Malin e Zi. Shqipëria Veriore në kuadër të Jugosllvisë na bënë të mundur krijimin e lidhjeve të komunikacionit midis Serbisë Veriore e Jugore me Detin Adriatik.

Me ndarjen e Shqipërisë, do të eliminohej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila, në situatë të re,  do të asimilohej më lehtë. Ne do të merrnim   edhe nja 200.000 – 300.000 Shqiptarë, por shumica e tyre janë të krishterë të besimit katolik, marrëdhëniet e të cilëve me Shqiparët myslimanë kurrë nuk kanë qenë të mira, theksonte Andriqi, duke u përpjekur të futë mikrobin e përçarjes fetare midis shqiptareve.   Kështu, edhe çështja e shpërnguljes së Shqiptarëve myslimanë për në Turqi do të zhvillohej në kushte të reja, pa ndonjë aksion të fortë për të na penguar.

* * *

Kështu e mendonte Ivo Andriqi zgjidhjen e çështjes shqiptare, duke ndarë e zhbërë shtetin e Shqipërisë, duke marrë territor e dalje në det, duke shpërngulë shqiptarët myslimanë për në Turqi, e asimiluar shqiptarët katolikë në pravosllavë, sikur ka bërë Greqia në Çamëri, para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Me gjithë këto koncepte e angazhime shoviniste, raciste e naciste, Andriqi është mbajtur për autoritet i pakontestueshëm dhe i perkëdhelur nga qarqet nacionaliste gjatë gjithë kohës së ekzistimit të Jugosllavisë, sikurse konsiderohet edhe sot në qarqet intelektuale dhe në popullin serb, pa asnjë grimë  brejtje të ndërgjegjës, por duke fshehur gjithë ato që Andriqi ka bërë para Luftës së Dytë Botërore, kur ishte në rrethin më të ngushtë të elitës shtetërore dhe intelektuale. Andriqi ishte një shkrimtar, intelektual dhe shërbyes i përdorshëm dhe i përshtatshëm edhe për regjimin e Jugosllavisë së vjetër, edhe për regjimin nacist (ku ishte ambassador në Gjermaninë naziste), edhe për regjimin komunist të Titos.  Ajo se Andriqi në rini të vet ka qenë anëtar i organizatës terroriste “Mllada Bosna”, apo më vonë anëtar organizatës së masonëve (të lozës së Dositej Obradoviqit), prej së cilës u përjashtua pas një afere dashurie (1926),  apo se ka qenë ambasador i Jugosllavisë borgjeze, në Gjermaninë naziste, deri  në bombardimin e Jugosllavisë, nuk e ka penguar Andriqin të bëjë jetë të rahatshme e të privilgegjuar gjatë gjithë kohës. Madje,  në vitin 1961 e mori edhe Çmimin Nobel për letërsi (për romanin “Na Drini cuprija”; Ura mbi Drinën), falë një letre miqësore që Rodolub Çollakoviqi, serb i Bosnjes, shkrimtar dhe funksionar i lartë, nënkryetar i qeverisë dhe ministër i arsimit të RSFJ-së, ia kishte dërguar mikut të tij, sekretarit të Akademisë Mbretërore të Suedisë, me të cilën e lavdëronte dhe luste atë të ndikonte që “Nobeli” t’i jepej Andriqit! Është “pikëpyetje” e madhe, se a do t’i jepej ai Çmim, sikur të dihej për Elaboratin e tij nacionalist e racist kundër një populli e një shteti fqinj. Po edhe ndoshta do t’i jepej, duke marrë parasysh se edhe vet Çmimi Nobel është themeluar për një zbulim (dinamit), që i ka shkaktuar njerëzimit fatkeqësi e viktima të panumërta, sikur që Andriqi pretendonte t’i shkaktonte popullit dhe shtetit shqiptar. Natyrisht, pasi u zbulua Elaborati dhe fytyra e tij e vërtetë, pas vdekjes së tij, në Kosovë u kërkuar që nga programet shkollore  të letërsisë, të heqen veprat e Andriqit, dhe këtë i pari e kërkoi Ibrahim Rugova, në cilësi të kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora