Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Për Kadri Manin, të gjithë drejtorët e burgjeve ishin fashistë

| E shtune, 02.06.2018, 08:39 PM |


Fletëza jete

PËR KADRI OSMANIN, TË GJITHË DREJTORËT E BURGJEVE ISHIN FASHISTË

Nga Adil FETAHU

Kadri Osmani, njëri nga veprimtarët e çështjes kombëtare, për shkak të veprimtarisë së tij politike, kishte rënë në kundërshtim me regjimin e atëhershëm dhe ishte dënuar me 9 vjet burg*). Në fillim dënimin e kishte vuajtur nëpër disa burgje të qarqeve tjera, por më së shumti në Prishtinë dhe në Mitrovicë. Ishte transferuar edhe nëpër disa burgje e shtëpi tjera ndëshkuese jashtë Kosovës**). Një kohë kishte qëndruar edhe në burgun e Lublanës, në Slloveni. Aty kah mbarimi i vitit 1980, Kadri Osmani transferohet në Kosovë. Askush nga drejtorët e burgjeve të këtushme nuk shprehte dëshirë as gatishmëri për ta pranuar. Thuhej se ishte person i papërshtatshëm. Nuk hezitova, menjëherë e pranova, ashtu që Kadri Osmanin e sollën në Burgun e Qarkut të Mitrovicës. Pasi ky burg ende nuk ishte ndarë nga paralelja e Smrekonicës, vendqëndrimin e kisha në Smrekonicë.

Kadri Osmanin, sipas shkresës së Burgut të Lublanës, e kishin kthyer për arsye se atje, në lokalet e aktiviteteve të lira, e kishte thyer rendin shtëpiak. Në realitet, në arsyetimin e kësaj shkrese, shkruante se Kadri Osmani, një të diele të caktuar, në orët e pasditës, kur në kohën e transmetimit të lajmeve nga Radiotelevizioni i Kosovës, nga të dënuarit e kombësive tjera, nuk i ishte lejuar që t’i dëgjonte lajmet në  gjuhën shqipe, ky ishte ngritur dhe pa e pyetur askë i ishe afruar televizorit dhe e kishte lëshuar TV Prishtinën. Të dënuarit e tjerë menjëherë kishin reaguar dhe përsëri e kishin ndërruar programin. Kadriu përsëri i ishte afruar televizorit, mirëpo reagimi nga shumica e të dënuarëve kishte qenë i madh. Kadriu, pasi e vëren situatën e elektrizuar, të burgosurve tjerë u kishte thënë: Unë çdo ditë jam duke e përcjelë programin në gjuhën tuaj, edhe ju duhet të keni durim e respekt që njëherë në javë, dhe atë vetëm një gjysëm ore, t’i dëgjoj lajmet në gjuhën time shqipe…! Por, edhe pas kësaj lutjeje, Kadriu nuk ishte përfilluar nga të dënuarit e tjerë dhe nuk e kishin lejuar ta shikonte programin fare. Kadriu nuk kishte reaguar më. Ngadalë ishte tërhequr jashtë objektit, e kishe gjetur një dru – stupc, fshehurazi kishte hyrë në sallën e televizorit dhe me disa të rëna të fuqishme, televizorin e kishte bërë copë e grimë. Pastaj aty kishte kërkuar t’i qëronte hepaspet edhe me ata të cilët më së shumti kishin reaguar, mirëpoo, për fatin e tij të mirë, ata nga salla shpejteshpejtë kishin ikur, kush si kishte mundur…

Pas disa ditë qëndrimi në burgun e Mitrovicës, në mes gardianit Muhamet Tupella dhe Kadri Osmanit kishte ndodhur një zënë. Raportin për këtë zënkë e mora po atë ditë. Duke e njohur Kadriun, më tepër nga thëniet e drejtorit të Burgut të Prishtinës dhe të drejtorëve të burgjeve tjera, menjëherë e thirra dhe e mora në pyetje gardianin Tupella. Së bashku me komandant Riza Latifin, i kërkuam deklaratë me shkrim.

Që nga shkuarja ime për drejtor në Burgun e Qarkut të Mitrovicës, ky ishte kërbaçi (shufra e gomës) i parë që ishte përdorur ndaj një të burgosuri, sidomos ndaj të burgosurve politik. Gardianin Tupella menjëherë e suspendova dhe ia lash komisionit disiplinor ta shqyrtojë rastin e tij. Bisedova me komandantin e Shërbimit të Sigurimit të Institucionit, Riza Latifin, që menjëherë ta bëjmë një bisedë edhe me Kadri Osmanin. Më parë, përmes mbikqyrësit  të burgut të Mitrovicës, kërkuam një deklaratë me shkrim nga Kadriu, me qëllim të kompletimit të dokumentacionit për komisionin disiplinor. Mirëpo, Kadriu nuk kishte pranuar të shkruante kurrëfar deklarate, as të bashkëpunonte për ndriqimin e këtij rasti.

Posa u nisëm për në Mitrovicë, komndanti Riza Latifi, meqë kishte një respekt ndaj Kadri Osmanit, ma tërhoqi vërejtjen që të isha i kujdesshëm, sepse si duket edhe me nerva kishte probleme, prandaj ai di edhe të ofendojë. Poashtu, më tregoi se më parë, kur Kadri Osmani kishte qëndruar në këtë burg, gjatë marrjes në pyetje nga drejtori i mëparshëm Sherafedin Ajeti, pasi Kadriu nuk i kishte duruar fyerjet që ia kishe bërë Sherafedini, ai e kishte kapur një saksi me lule dhe kishte tentuar ta godaste drejtorin. Në këtë bisedë, unë nuk i dhash të drjtë Sherafedinit për fyerjet e  bëra.

Sipas deklaratës së garidanit Tupella, shihej se ky në kontrollimin e mëngjesit, dhomën e të dënuarëve e kishte gjetur të pa pastruar. Gjithnjë sipas deklaratës së  tij, gardiani iu kishte drejtuar jo vetëm Kadri Osmanit, por edhe nja 3-4 të dënuarëve tjerë, me fjalët, si në mahi: - Pse bre, pisa, nuk e keni pastruar dhomën? Kadri Osmani menjëherë ishte ngritur në këmbë dhe iu kishte drejtuar gardianit: -  Kujt po i thua pis, ti je vet pis i pisave! Gardiani i drejtohet Kadriut, duke i thënë: - Mos u turr, mbylle gojën! Kadri kishte kërkuar nga që gardiani vet ta mbyllte gojën dhe të mos fëlliqte. Siç thuhej (në deklaratën e gardianit), Kadriu kinse i afrohet gardianit, e ky pa menduar fort e nxjerr kërbaçin, tenton ta godas, mirëpo, në mbrojtje e sipër, kërbaçi i gomës e kishte goditur edhe në faqen e Kadriut.

Ky qe edhe shkaku i suspendimit të gardianit. Unë dhe Rizai hymë në zyrën e kujdesitarit. E thirrëm Kadri Osmanin. Kadriu hyri në zyrë dhe fare nuk na përshëndeti. Pasi e përshëndeta unë, ai më tha: - Unë nuk përshëndetëm me fashitët. Unë nuk regova, e luta të ulej. Ai përsëri m’u përgjegj: - Me fashistë nuk ulem!  Unë megjithatë u tregova shumë i qetë dhe përsëri i thash: Po më vjen keq që ti të qëndrosh në këmbë, ndërsa unë e komandanti ulur. Kadriu m’u përgjegj: - Sikur t’u vinte keq, nuk do të më kishit shkaktuar lëndime.  E pyeta se a ka mundësi t’ia shihja lëndimin  që kishte, por ai m’u përgjegj: -Fashistëve s’kam pse t’ua tregoj. E vërejta se  çkado që të kërkoja nga Kadri Osmani, ai e refuzonte dhe tërë kohën na quante fashistë. E ndërrova temën. E pyeta: - Kadri, çka ke të kryer prej shkolle? Ai u përgjegj: - Shkollën e lartë pedagogjike, gjuhën dhe letërsinë shqipe.  Unë vazhdova: - Qenkemi kolegë, ndërsa iu m’u përgjigj: - Unë me  një fashistë kurrë koleg nuk mund të bëhem. – Edhe unë kam punuar në arsim, e kam kryer pedagogjinë, ia ktheva unë, ndërsa ai m’u përgjigj: - Po, po shihet, pedagogjia me pendrek. Pas kësaj iu drejtova me këto fjalë: Dëgjo Kadri, kjo pedagogji nuk ta dëshiron të keqën. Personalisht, së bashku me komandantin, kermi ardhur të bisedojmë për këtë çështje. Nga ti po  kërkojmë të na tregosh, ose me shkrim të na njoftosh, si ka ndodhur puna e përdorimit të kërbaçit; gardianin e kemi suspenduar, mirëpo komisionitiI nevojitet edhe deklarata jote. Kadriu, që deri në ato momente nuk dëshironte të na shikonte në sy, u kthye kah ne. Por, as unë as komandati nuk vërejtëm se në faqen e tij ekzistonte ndonjë shenjë lëndimi. Ai në mes tjerash tha: - Drejtor (jo shoku drejtor), unë kam pasur punë me 9 drejtorë të tjerë, të cilët, të gjithë kanë qenë fashistë. Ti je drejtori i dhjetë. As ti nuk je më i mirë se të tjerët. Nuk dëshiroj të jap kurrëfar deklarate, as me gojë  dhe as me shkrim, me lejoni të largohem. Në fund, përsësi i thash: Kadri, ndihma jote më është e nevojshme, jo vetëm ndaj këtij gardiani që është sjellë keq ndaj teje, por edhe ndaj guardianëve të tjerë, për marrjen e masave të duhura kundër veprimeve të këtilla. Kadri nuk deshi të fliste më. Unë e përshendeta, ndërsa ai doli nga zyra pa na përshëndetur.

Nga Kadri Osmani i kam marrë edhe dy letra. Në ato letra tregonte dobësitë që mund të vëreheshin në Burgun e Qarkut të Mitrovicës, sidomos kritika të mëdha i jepte doktoreshës, Radica Jevtiqit, e cila nuk dëshironte të mësonte as edhe vetëm një pershëndetje ose disa fjalë për komunikim të nevojshëm në gjuhën shqipe. Poashtu, e kritikonte se përveç ndonjë apaurini, ajo nuk dinte të jepte barëra tjera.  Nga ato dy letra, kuptova se Kadri Osmani ishte mjaft objektiv. Të gjitha ato që i shkruante, ishin të vërteta.

____________

I tërë teksti është marrë nga libri i autorit Fahri S. Buçinca: “Si e menaxhova Burgun e Smrekonicës”, fq.54-58. Autori i librit ka qenë drejtor shumëvjeçar i Burgut të Mitrovicës dhe atij të Smrekonicës, në periudhën 1980 – 1990, dhe mbahet mend për menaxhim të mirë, për përmirësim dhe humanizim të kushteve  në burg, dhe sjellje korrekte me të burgosurit, ndonëse ishte në një periudhë të ndërlikuar politike e të sigurisë për shqiptarët.

*) Kadri Osmani, në tri gjykime që ka pasur, është dënuar me 25 vjet burgim, dhe prej tyre i ka vuajtur 17 vjet.

**) Kadriu ka vuajtur dënime  burgimi në: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Beograd, Pozharevac, Nish, Leskovc, Maribor, Zagreb e Lubjanë.

Nga shkrimi i mësipërm, shihet se Kadri Osmani kurrë nuk është nënshtruar as është frikësuar edhe në kohët dhe në kushtet më të rënda e të rrezikshme në të cilat është gjetur.