Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Valon Jashari: Në kujtim të një Deklarate gjysmake

| E merkure, 23.05.2018, 07:23 PM |


Në kujtim të një Deklarate gjysmake të Konçulit

Tani që po bëhen rreth dy dekada që nga nënshkrimi i Deklaratës së Konçulit më 20 maj 2001, shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë janë në një gjendje politike shumë të rënd me forma të spastrimit etnik që po përdor shteti serb.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që u zhvillua gjatë viteve 1999-2001, zë një vend të veçantë të historisë së popullit shqiptar. Ajo rradhitet një nga luftërat që është bërë  përpjekje për çlirmin e kësaj treve shqiptare që me shekuj padrejtësisht është akoma nën robëri. Kjo luftë e rreshtoi këtë territor dhe popullatë shqiptare përkrah popujve që edhe gjatë shekullit XXI, janë të robëruar dhe bëjnë përpjekje për lirinë e tyre.

Kryengritja shqiptare e viteve 1999-2001, përfundoi me një Deklaratë-Marrëveshje gjysmake për shkak se nuk arriti të shëndrrohej në një kryengritje të përgjithshme gjithëpopullore, dhe si e tillë mbeti më shumë e mbi Malësisë së Preshevës dhe Malësisë së mbi Bujanocit, gjegjësisht nën zonën e pesë kilometërshit të Zonës Toksore të Sigurisë. Megjithatë, edhe pse nuk hapëroi me kohën që të sendërtojë objektivat themelore atë për çlirim dhe bashkim me Kosovën, ajo shënoi një hap cilësor para drejtë arritjes së ngritjes në një shkallë më të lartë vetëdijes politike e kombëtare edhe tek popullata shqiptare në Kosovë Lindore. Si kryengritje e detyroi pushtuesin serb që të ulet edhe me presionet ndërkombëtare në tryezë të bisedimeve dhe t’u bënin disa lëshime, edhe pse më vonë nuk u realizuan as përsafërmi këto të drejta që ia kishte garantuar me këtë Marrëveshje-Deklaratë gjysmake. Mëgjithatë, këto kërkesa ishin shumë largë aspiratave të dëshiruara të popullatës shqiptare, edhe pse në mënyrë shumë të izoluar por, kryengritja arriti të nxirrte në pah çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si një problem ndërkombëtar. Lufta në Kosovë Lindore u provokua nga shteti serb me idetë hegjemoniste dhe barbare ndaj popullatës shqiptare autoktone, në rrethanat që u krijuan lindi nga gjiri i popullit Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, UÇPMB-ja, duke u ngritur në luftë kundër agresorit serb që rrezikonte qytetrimin shqipëtar në këtë rajon dhe ekzistencën e tij.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit u organizua dhe u udhëhoqë nga shtresat më të shtypura të asaj shoqërie shqiptare, pa përjashtuar çdo shtresë shoqërore që dha kontributin e merituar në fusha të caktuara, por problem që duhej zgjidhur dhe nga karakteri çlirimtar i saj, më në fund nuk u arrit objektivi, që synonte çlirimin e vendit dhe ribashkimin e këtij territori me Kosovën. Por, në faza të ndryshme të kësaj lufte që kishte divergjenca të mëdha brenda strukturave të kësaj lufte, megjithatë ato gjithsesi nuk arritën të ndryshojnë karakterin e luftës çlirmitare, dhe ky objektiv mbeti i pandryshuar deri në fund të luftës, orjentimi bazë i luftës, objektivi dhe qëllimi kryesor i saj, luftë kundër pushtuesit serb, dhe çlirimin dhe bashkimin e saj me Kosovën. Strukturat udhëheqëse të kësaj kryengritje çlirimtare qysh në momentet fillestare të fillimit të kësaj kryengritje hasën në vështirësi operacionale si, bashkërendim të forcave, unifikim në mes tyre dhe përpilim të një platforme politike çysh në fazën fillestare. Kjo natyrisht u shoqërua edhe me mosvendosmërinë më të madhe sa i përket kërkesës bazike të kësaj kryngritje atë të luftës çlirimtare, por në vetë atë platformë politike që u projektua kjo ide u konvertua në një luftë për të drejta.

Në këtë luftë populli shqiptar bëri sakrifica mbi mundësitë dhe fuqitë që kishte, por ato ia vlenin të bëheshin për një çështje madhore që i mohohej liria. Kjo luftë çlirimtare që u zhvillua rradhitet në kuadër të luftërave për çlirim dhe bashkim me trungun e saj etnik, Kosovën-Shqipërinë, por kurorëzimi i saj, nuk u arrit dhe iu mohua e drejta historike këtij populli shqipëtar edhe në këtë rast historik. Në këto kushte në rast se nuk do të ishte kjo kryengritje çlirimtare padyshim se shteti serb do të arrinte qëllimin rreth spastrimit etnik të kësaj popullate autoktone shqiptare. Lufta çlirimtare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për çlirimin dhe bashkimin e saj me Kosovën, nuk mund të zhvillohej jashtë ndikimit të faktorit ndërkombëtar të kohës.

Shtrirja e ndikimit Amerikan dhe Europian në Ballkan sidomos me ndërhyrjen e luftës së Kosovës dhe niveli i ngritjes së demokracisë dhe rënia e mbetjeve artificiale të dhunshme siç ishte Jugosllavia, përcaktuan fatin e rrethanave politike të kohës. Të bindur tanimë përfundimisht se kjo mbetje artificiale me emrin “Jugosllavi” po shkonte drejt shembjes së pashmangshme, si dhe forcimi i ndikimit ndërkombëtar, në këto rrehtana si lëvizjet kombëtare çlirimtare, ashtu edhe proceset politike rajonale, nuk mund të zhvilloheshin në mënyrë të pavarur dhe jashtë ndikimit të vullnetit të faktorit ndërkombëtarë, në këtë rast Fuqive të Mëdha si përcaktuese e politikave globale të kësaj kohe. Ashtu edhe kjo lëvizje ishte bërë pjesë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Zgjidhja e çështjes në këto rrethana në këtë pjesë ishte përcaktuse në një shkallë të konsiderueshme nga këto marrërdhënie ndërkombëtare. Kjo lëvizje çlirimtare kishte varur shumë shpresat tek bashkësia ndërkombëtare gjegjësisht tek mundësia e ndërhyrjes së NATO-së në këtë pjesë, që padyshim në një pjesë të rrethanave e paralizoi edhe veprimet operacionale të kësaj ushtrie.

Në këtë mënyrë, lufta e UÇPMB-së mbeti e mbyllur brenda kufijëve që operonte pa ndonjë komunikim direkt me ndonjë aleat, por u bë pjesë përbërëse e komunikimeve me palën ndërkombëtare vetëm atëherë kur ato shprehnin interes dhe nevojë apo edhe kur i obligonin me kushte. Vetëm me një mbështetje të drejtëpërdrejtë ndërkombtare sikurse ishte në luftën e Kosovës, kjo luftë mund të merrte përmasat e një lufte me një ndikim ndërkombëtar dhe në këtë aspekt do të arrinte edhe qëllimin e saj.  Zhvillimi i situatës në një vend kaq të vogël, por strategjik, në rrethanat e krijuara të mëvonshme nisi të tërheq vëmendjen e opinionit ndërkombëtar. Nuk ka dyshim se marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare ishin komplekse dhe në ecurinë e tyre ndikonin faktorë, synime e ideologji të ndryshme, të cilat shfaqeshin dhe në konceptimin e në gjykimin e ndryshëm të mjaft çështjeve që lidheshin me bashkëpunim ndërmjet tyre, por edhe me zgjidhjen e problemeve konkrete që dilnin në këtë kuadër. Pikërisht këto shpesh u bënë burim mospajtimesh.

Pranimi nga kryengritësit dhe subjektet politike shqiptare i një Deklarate të Konçulit më 20 maj 2001, e cila as nuk ishte marrëveshje, ishte në thelb një kompromis i pashmangshëm, një lëshim i detyruar, i imponuar kryesisht nga rrethanat ndërkombëtare, dhe ato të brendshme, pasi që vetë UÇPMB-ja ishte defaktorizuar në fazën përfundimtare kjo shihet se u nënshkrua vetëm nga pala shqiptare dhe ajo ndërkombëtare kurse jo ajo serbe. Ky defaktorizim i vetë UÇPMB-së, bëri  që edhe pala ndërkombëtare gradualisht të distancohej dhe rrjedhimisht nuk do të ishte një garanci për zbatimin e asaj Deklarate të Konçulit për demobilizim i pranuar nga UÇPMB-ja. Udhëheqësit e kryengritjes nuk e shtronin fare për zgjidhje dhe obligim këtë çështje, dhe nga momenti i nënshkrimit u shpërndanë nëpër shtëpitë e tyre dhe askush nuk u morr me atë Deklaratë të Konçulit.

Kryengritja e vitit 2000-2001 shënoi hapa të rëndësishëm drejt ngritjes së çështjes shqiptare në këtë trevë. Ajo nxori në shesh dobësinë e shtetit serb që po ushtronte si vazhdimësi e politikës antishqiptare, nxorri para botës problemin e Kosovës Lindore. Kryengritja shqiptare në Kosovë Lindore gjithashtu ndikoi pozitivisht sa i përket edhe vetëdijësimit të popullatës shqiptare që kërkesate tyre të kërkohen në të gjitha format.  Por ajo tregoi gjithashtu se shteti serb dhe bashkësia ndërkombëtare nuk do ta kishin të lehtë, që edhe në shekullin XXI, të mënjanonin çështjen shqiptare të Kosovës Lindore  nga të gjitha kombinacionet që do të ofroheshin për politikën rajonale. Kryengritja çlirimtare e viteve 2000-2001, përbëjnë një faqe të re të historisë së popullit shqipëtar, një ngritje të vetëdijes kombëtare në një shkallë më të lartë. Nga qëllimet që kishte çlirimtare, nga luftimet që zhvilloi luftarake dhe veçanërisht nga rrjedhojat e tyre, kjo kryengritje zënë një vend të rëndësishëm në historinë e popullit shqiptar. Ajo kishte si objektiv kryesor në fillim çlirimin dhe bashkangjitjen e Kosovës Lindore me Kosovën, por në fazat e më vonshme në pamundësi të realizimit të objektivit për të cilën po luftonte u përqëndrua për të drejta më të larta të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Plotësimin e programit kombëtar kjo lëvizje shqiptare, e kishte të vështirë të  realizonte, të përcaktuar sidomos pas themelimit të Këshillit Politik që edhe e përpiloi Platformën Politike të kësaj lufte. Kështu kjo përpjekje çlirimtare do të përmbushte aspiratat kombëtare të shqiptarëve të Kosovës Lindore po që se edhe rrethanat ndërkombëtare do të ishin në favorin e tyre, por megjithatë i bëri ballë rrezikut serb për spastrimit-shpërnguljes së popullatës shqiptare nga këto treva shqiptare dhe do t’i mundësia në instancë ndërkombëtare që me përkrahjen e tyre të kenë të drejta më të avancuar.

Më 20 maj Piter Feith në Konçul të Bujanocit arriti që të bindë udhëheqësit e UÇPMB-së, që të nënshkruajnë Deklaratën e Demilitarizimit e cila u konsiderua edhe si forma definitive e cila më vonë para opinionit u plasua si “Marrëveshje e Konçulit” e që në fakt nuk ishte e tillë, por,  ishte një tendencë e disa shkurtëpamësve dhe klasës politike që e plasuan për qëllime të tyre në opinion këtë term për qëllime personale politike, si një mjet për të konsideruar se në këtë luftë është “triumfuar”, e që në fakt ishte, vetëm një Deklaratë gjysmake, edhe atë e nënshkruar vetëm nga pala shqiptare dhe ajo ndërkombëtare kurse ajo serbe nuk e kishte nënshkruar. Kjo Deklaratë është nënshkruar nga pala shqiptare e UÇPMB-së, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare, kurse ajo serbe nuk e nënshkroi, edhe pse vetëm deklarativisht u zotua që do të zabtonte paqën në rajon edhe pse një gjë të tillë nuk iu përmbajtën as 24 orë pas nënshkrimit.

Valon Jashari: *Historian, ish-veteran i UÇPMB-së,dhe ish-Kryetar i “Lëvizjes së Lirisë”, Lëvizje që vepron në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe aktivist për të drejtat e shoqërisë shqiptare.