E marte, 19.03.2024, 03:18 AM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Rilindasi 'i Llapit' Jashar Erebara

E hene, 21.05.2018, 08:16 PM


RILINDASI  “I LLAPIT”,  JASHAR EREBARA

Nga Adil FETAHU

Biografi e shkurtër

Jashar Erebara bënë pjesë në galerinë e  figurave më të shquara të rilindasve tanë të periudhës  së fundit,  periudhë kjo më e bujshme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në gjysmën e dytë të shekullit 19 dhe dekadën e parë të shekullit 20, por Jashari vazhdoi punën deri në okupimin e Shqipërisë nga Italia (1939), ndërsa jetën e vështirë të mëpastajme e përfundoi në vitin 1953. Jashari u lind në Podjevë, në vitin 1872. I ati, Sadik Fejzullahi, ishte nëpunës I postës së ushtrisë turke në Podjevë. Në shumë shkrime tjera mund te gjendet shënimi, se ai lindi në Dibër, por e vërteta është se ai lindi në Podjevë, dhe ketë e vërteton ai vet, në një letër që ia dërgon Ilaz Agushit (tetor 1910), me ç’rast i kishte dërguar disa abetare (“Abece shqype”), Erebara ndër të tjera porositë: “…Kisha me ju lutë që disa copa mi qoni në vendlindjen teme” (e kishte fjalën për Podjevën,a.f.). Në vitin 1877 familja transferohet prej Podjeve, në Mostar, ku i ati caktohet zëvendësdrejtori i postës së atyshme.  Gjatë kohës sa qëndroi në Mostar, Jashari e kishte mësuar gjuhën serbe/boshnjake, gjë që i ndihmoi për më vonë, kur u muar me gazetari dhe në vitin 1902 në Beograd e themeloi dhe botoi gazetën “Albania”, që botohej në gjuhën shqipe dhe në atë serbe. Pas pavarësimit të Serbisë (1878) dhe pushtimit të Mostarit, familja e Jasharit u shpërngul në Dibër. I ati vdiq i arratisur në male, vëllai (Zeneli) emigroi, ndërsa nëna (Hana) dhe motra (Fatimja)  vdiqën nga turberkulozi. Kështu, Jashari si fëmi i mbetur jetim vendoset në shtëpinë e  dajës, Sejfulla Erebara. Prej këtu edhe merr mbiemrin Erebara (në rrethin e Dibrës është një fshat me toponim Erebara). Në Dibër e kryen shkollën fillore turke, dhe e mëson gjuhën turke, të folur e të shkruar. Krahas turqishtes, mësuesit ua mësonin edhe shqipen, “madje edhe me harfe arabe”. Prej Dibrës shkon në Manastir, ku e kryen gjimnazin me sukses të dalluar. Si nxënës të dalluar, Gjerasim Qiriazi e dërgon për studime në Stamboll, ku u njoh me Sami Frashërin e rilindas tjerë dhe u angazhua në aktivitetin për shkollë dhe arsim në gjuhën shqipe, që zhvillonte Lëvizja Shqiptare. Me porosi të Samiut, në vitin 1891 shkon në Elbasan, ku zhvillon aktivitet të dendur. Me rekomandim të Nikolla Naços, në vitin 1892 Erebara shkon në Bukuresht, regjistrohet në Shkollën Normale dhe vendoset në konviktin e asaj shkolle, për t’u përgatitur për mësues. Aty njihet me Mihal Gramenon, Asdrenin,  Kristo Luarasin, Dervish Himën, Jani Lehovën, e tjerë. Nisi të botojë artikuj në gazetat rumune, në mbrojtje të çështjes kombëtare.  Në Bukuresht Erebara studjoi drejtësinë, dhe gjatë qëndrimit atje botoi shumë shkrime në gazetat rumune, me të cilat trajtonte çështje me rëndësi nga fusha e arsimit dhe kulturës por edhe çështje politike kombëtare. Veç kësaj, emri e Erebarës do të gjendet në shumë dokumente të rëndësishme të kohës, krahas emrave të rilindasve më të njohur.

Aktiviteti publik e patriotik i Jashar Erebres

Jashar Erebara përkrah rilindasve tjerë të kohës së tij,   në kontakte  e bashkëpunim me personaliete të njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare, si: Nikolla Naço, Mihal Grameno, Ibrahim Temo, Dervish Hima, Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Mit’hat Frashëri, Bajram Curri, Nikollë Ivanaj, Mehmet Frashëri, Gjergj Qiriazi, Hamdi Ohri, Luigj Gurakuqi, Pandeli Evangjeli, Thoma Avrami, Vëllëzërit: Sami, Naim e Abdyl Frashëri, Dervish Biçaku, Naum Sotiri, Visar Dodani, Hoxhë Kadriu, Bedri Pejani, Shahin Kolonja, Mitrush Kuteli, At Gjergj Fishta, Jani Vreto, Kristo Meksi, Hil Mosi, Vasil Zagrafi, Çerçiz Topulli, Toma Çami e veprimtarë tjerë, përmes shoqërive, klubeve, degëve të tyre, gazetave e revistave, kuvendeve e kongreseve të ndryshme, zhvilloi një aktivitet të ngjeshur në fushën e arsimit, publicistikës, botimeve, përpilimit të peticioneve, kërkesave, memorandumeve, dhe aktivitete tjera diplomatike e politike, në të mirë të bashkimit dhe pavarësisë së Shqipërisë etnike.

Gjatë qëndrimit në Bukuresht, si nxënës i Shkollës Normale të Shoqërisë “Drita”, e pastaj edhe student i drejtësisë, Erebara u shqua për zgjuarsinë, mendjemprehtësinë, atdhedashurinë dhe guximin e tij, prandaj tërhoqi vëmendjen e shumë patriotëve tjerë. Sa ishte në Normalen e Bukureshtit, Erebara  (qershor 1892 ) i shkruante një grupi  të shokëve në Elbasan: “…Ne këtu gjindemi mirë. Tani kemi edhe konviktin. Këtu po punojmë ditë e natë, po përgatitemi për punë të mëdha. Ju lutem shumë na i nisni disa djem qi munen  me msue n’kit shkollë… I juaji Jashar Erebara”. Letra të tilla dërgoi edhe në Kosovë, Dibër, Kumanovë e gjetkë, me qëllim që në Shkollën Normale të arrinin sa më shumë djemë, për t’u aftësuar për mësues, por ardhjen e tyre e pengonin organet turke dhe intrigat e propaganda e kishës greke. Ishte shumë i angazhuar në fushën arsimit: sigurimin e mësuesve, hapjen e shkollave, sigurimin dhe përhapjen e librave, madje edhe në hartimin e tyre. Rezultate të veçanta arriti në lëmin e publicistikës; botimin e shkrimeve në gazeta e revista të ndryshme, nxjerrjen e gazetave. Sa ishte në Bukuresht, bashkë me Dervish Himën nxorën gazetën “Indipendente Albania” (Pavarësia e Shqipërisë), në gjuhën rumune. Dolën vetëm dy numra të asaj gazete, por në to u botuan artikuj me rëndësi, që informonin opinionin për problemet dhe përpjekjet e shqiptarëve për pavarësi. Për shkak të akivitetit të tij, dhe ndoshta edhe më tepër për konsideratën që Rumunia kishte ndaj Turqisë,  në shkurt të vitit 1902, organet e përzunë nga Rumunia. Ishte kjo një situatë e pavolitshme për Erebarën, por me sugjerimin e disa atdhetarëve, shkoi në Beograd, ku nxori lejën dhe më 28 qershor 1902, filloi botimin e gazetës “Albania”, në gjuhën shqipe dhe serbe, ndërsa disa shkrime botoheshin edhe në frengjisht, italisht dhe rumunisht. Gazeta botohej me moton: “Shkipnija e shkiptarëve”. Ishte ajo gazetë e karakterit politik, shoqëror, kulturor, letrar dhe informativ. Dolën gjithësejt 44 numra të asaj gazete, deri në vitin 1906, kur Erebara u detyrua të largohej nga Beogradi, për shkak të rrethanave të padurueshme për të qëndruar më aty. Në gazetë u botuan shkrime të autorëve shqiptarë, serbë, kroatë, rumunë, maqedonë. Gazeta shpërndahej falas, me qëllim që të lexohej sa më tepër. Në një takim që pati Erebara me ministrin e jashtëm serb (Spalkoviq), më vonë, pas largimit nga Beogradi, ky i fundit i kishte thënë: “Gjithnjë na ke luftue, edhe në kohën e qëndrimit tënd në Beogad si dhe kur ike tue na shajtur nëpër fletoret e kroatëve të Kroacisë dhe në Bosnje… Neve e dimë se në Kosovë s’kemi serbë, por Kosova na duhet dhe do ta marrim me luftë, sepse duem të bshkohemi me Malin e Zi, që t’i presim hovin Austro-Hungarisë, të mos zbresë në Selanik”.

Pasi largohet nga Beogradi, Erebara shkon në Kumanovë dhe emërohet nëpunës i statistikave të komunës (1908). Tashmë ishte në një ambient të dominuar nga shqiptarët, ku zhvillon një aktivitet të ngjeshur arsimor e kulturor. Pas konsultave me Hasan Prishtinën, Dervish Himën, Fehim Zavalanin, Nuçi Naçon, Ibrahim Temon, Nexhip Dragën etj, aty e formoi Klubin kuturo-arsimor të Kumanovës (1909). Në hapjen e Klubit morën pjesë shumë personalitete të shquara, ndër të cilët ishin edhe Bajram Curri, Salih Gjuka, Ilaz Agushi, Qemal dhe Emin Kumbara, Ajdin Draga, Rrok Berisha etj. Në hapjen e Klubit, Erebara u foli të pranishmëve, duke theksuar: “…Kombi jonë është në rrezik. Shkollat e hueja po na bajnë shumë të kqija…Për me mujt me jau ndalë turrin këtyre të kqijave e nisum ta bajmë këtë klub shqiptar. Qëllimi ynë është të çelim shkolla e ta mësojmë popullin në gjuhën tonë. Kjo është dëshira e çdo shqiptari, dhe këtë dëshirë duhet ta mbushim”. Klubi u bë qendër me rëndësi,  për ngritjën e ndërgjegjës kombëtare, aktiviteteve të shumta arsimore-kulturore, organizimin e kurseve për mësimin e gjuhës shqipe, për përgatitjen e mësuesve, etj. Me angazhimin e Erebarës, shpejt u themeluan degë të klubeve edhe në Kaçanik, Ferizaj, Mitrovicë e Podjevë. Nga të gjitha anët i arrinin letra përkrahje. Në një letër të dërguar  në muajin prill 1909,  Ilaz Agushi i shkruante Erebarës: “Shumë i ndershmi mik, punën qi je tue ba meriton ma t’madhin respekt. Çorrave po jau hapë sytë,  atyre që ranë në gjumë po  jau nxjerr gjumin dhe kështu po jau kthen ymytin për jetë. Të lutem shumë, shtrije shkollën tane edhe prej nesh…Ta dhashtë Zoti shnetin e kofsh faqebardhë…”.  Ndërsa në letrën që ia kishte dërguar  Shoqëria “Vdekje a Liri” (16 qershor 1909), pos tjerash, thuhej: “I ndershmi atdhetar, qe prej shumë kohe po ju dëgjojmë emrin tuaj që po punoni pa pushim për të vleftin atdhe. U gjatëjetojmë fort dhe u falemi nderës për dëshirën që keni shfaqur për Shqipninë e dashtun. Kombi s’ka për t’ harrua kurrë punët e lartësisë suaj dhe shprehim besimin që këto kohë të vështira do të jenë të pakta, se duke pasur Shqipnia shtylla si ju, shpejtë do t’i arrijmë qëllimet…Zotëria juaj atje me trimni e me punë, neve këtej me fjalë e me përpjekje, shprehim besimin që …do ta mbarojmë…”.

Në vitin 1911  botoi abetaren, të njohur si  “Abeceja” e Erebares, që ishte një sintezë e abetareve tjera të botuara më heret prej të tjerëve. Në vitin 1911 e 1912, në Shkup nxori gazetën “Shkupi”, e para gazetë shqipe në trevat e Kosovës e të Maqedonisë. Në vitin 1913 Erebara ishte pjesë e Qeverisë së Ismail Qemalit, ndërsa më 1914 në Qeverinë e Durrësit. Në vitin 1916 ishte në postin e komisarit qeveritar të Bashkisë në Prishtinë, dhe për shkak të aktivitetit në Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës, pushteti bullgar e internoi 18 muaj në Karllovc. Më vonë, prej 1924 – 1939, ishte deputet i Dibrës në Parlamentin e Shqipërisë, ku angazhua posaçërisht për trajtimin ma të mirë të refugjatëve Kosovarë të ikur në Shqipëri. Ekzistojnë më se 700 letra këmbimi të Erebarës me personalitete të njohura brënda e jashtë atdheut.

Emri i Jashar Erebarës, njërit nga rilindasit e periudhës së fundit të rilindjes sonë kombëtare,  i bënë nderë Llapit e Podjevës (ku u lind), dhe gjithandej ku ka vepruar brënda e jashtë atdheut, gjithë kombit shqiptar. Ai pati jetë të vështirë, me batica e zbatica, por tejet dinamike dhe të frytshme. Dha kontribut të çmueshëm, por nga fundi i jetës së tij, në vend se të çmohej e nderohej sikur e meritonte,  ai u përbuz e diskriminua nga regjimi komunist i Shqipërisë, sa që vdiq në varfëri të skajshme, dhe në varrimin e tij ( më 24 qershor 1953) morën pjesë vetëm 5-6 anëtarë të familjes më të ngushtë.

Për rilindësin Jashar Erebara është shkruar e do të shkruhet. Kurdo e nga kushdo që shkruhet për Rilindjen tonë kombëtare të periudhës së fundit dhe për ndërtimin e shtetit shqiptar, nuk mund të anashkalojë emrin dhe kontributin e tij. Vepra e tij do të kujtohet me admirim. Emrin e tij e mbajnë e duhet ta mbajnë  shkolla, institucione e rrugë gjithandej trojeve shqiptare.  Një mongografi mjaft të kompletuar për Jashar Erebarën e ka shkruar (tash i ndjeri) Dr.Abdullah Vokrri, një bashkëvendas i Erebarës, nga Podjeva. Edhe një rrugë e qytetit të Podjevës (Besianës) e mbanë emrin – Jashar Erebara.



(Vota: 13 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora