Saturday, 17.11.2018, 02:49 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Psycho, një roman largpamës

Sunday, 20.05.2018, 12:20 PM


Psycho, një roman largpamës

Nga Elvi Sidheri

Kur nis të lexosh romanin Psycho të shkrimarit Ilir Muharremi, gjëja e parë që të bie në sy është thellësia në të cilën përnjëherë zhytet lexuesi porsa kapërdin faqen e parë të këtij libri.

Do pranuar se termi “Psycho” qysh në titull ta ofron një sintezë të vetë përmbajtjes së librit, duke shërbyer si udhëzues mjaft i mprehtë për vijimin e lexueshmërisë së këtij romani, dhe qëllimisht edhe titulli është lënë në versionin anglez, për të ushtruar një efekt më të fuqishëm mbi kërshërinë e lexuesve, një element ky tepër me vend në mbarëvajtjen e këtij romani.

Por, sakaq do të ishte diçka tejet e cekët që thelbi i këtij libri të përmblidhej veç në titullin e tij, sado magnetik të jetë ai.

Vetë romani përshkohet nga një gjuhë e thiktë, nga pasazhe të tëra që depërtojnë mes amullisë të shoqërisë kosovare, mes dekadave dhe dokeve e shprehive shqiptare, mes dritëhijeve ekzistenciale të narratorit, përmes një stili vegues dhe një qëndrimi sfidues ndaj shumë rregullsive të letrave shqipe gjer në ditët tona.

E qysh këtu shfaqet vetë guximi i këtij libri. Te synimi i jetësuar më së mirë nga pena dhe mendja e autorit për të gjetur dhe shfrytëzuar çdo mënyrë e secilin shteg të imagjinatës së tij krijuese, për të rrëzuar murin e radhës të autocensurës letrare shqipe, përherë duke shtruar njëkohësisht një udhë të re që arrin ta përçojë lexuesin në kapitullin e mëtejshëm jo vetëm të këtij romani, por edhe të kurajës ngadhënjyese të lirisë themeltare të mendjes së shkrimtarit.

Merita e autorit, mënjanë cilësisë dhe krijueshmërisë së vlerësueshme në shtjellimin e këtij romani atipik, qëndron jo vetëm në risinë e mirëpritur që i sjell lexuesit falë një romani të tillë, por edhe në zbërthimin e kthjellët që ai i bën nuancave më të errëta të shoqërisë.

Është një lloj psikologjie letrare, e shpërfaqur me një gjuhë aspak të drunjtë, por gjithaq edhe qëllimisht të çeliktë sa i përket dukurive që autori përshkruan nëpër faqet e këtij libri.

Gjithçka vërtitet përreth tërë skajshmërive të së ashtuquajturës “përditshmëri normale”, të shoqërisë tonë, që normale ka veç emrin dhe përçapjet për t’i mveshur ndonjë mbështjellje normaliteti mungesës së moralit, shthurjes, insitinkteve shtazarake, lakmisë së shfrenuar, kurvërisë femërore e mashkullore, rrënimit të shpirtit njerëzor dhe djerrinës emocionale ku pluskon prej kohësh shoqëria jonë në këtë kënetë të helmatisur.

Dhe ky boksier i përshkruar me kaq vërtetësi të mirëfilltë në këtë roman, të jep përshtypjen sikur me grushtin e tij të hekurt mëton faqe pas faqeje të godasë e dërrmojë çdo normë falsiteti ku kridhet shoqëria jonë pashërueshëm.

Pija, seksi, shtytjet epshore, joshjet dehëse, gotat e zbrazëta, lekët nën dorë, karrierat e stisura nga favore të mugëta, shndërrohen në këtë libër deri në një kanibalizëm aspak metaforik apo retorik, që nuk është asgjë tjetër veç një impulsi kafshëror që e shtyn njeriun drejt ekstremit, pasi shoqëria ia ka shteruar forcat me pafytyrësinë dhe ligësinë e saj.

Prandaj ky libër do të zërë vendin e merituar në bibliotekën tuaj, bashkë me ngarkesën e origjinalitetit që ia karakterizon çdo faqe, mendim e ngjarje.

Lexim të këndshëm.

 



(Votes: 2 . Average: 3/5)

Write Your Comment
Comment: