E enjte, 28.03.2024, 10:05 PM (GMT)

Mendime

Islam Lauka: Kërcenimi rus ndaj Kosovës

E diele, 20.05.2018, 12:22 PM


KËRCËNIMI RUS - KËRCËNIMI I JASHTËM KRYESOR NDAJ KOSOVËS

-Kumtesa  "Kërcenimi rus - kërcenimi i jashtëm kryesor ndaj Kosovës"e mbajtur nga doktor i shkencave politike, Islam LAUKA, diplomat e pedagog, më 17 maj 2018, në Prishtinë , në Simpoziumin shkencor ndërkombëtar, "Pavarësia e Kosovës dhe sfidat e shtetndertimit" organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës. –

Nga Dr. Islam LAUKA

Këto ditë, Komiteti Kombëtar i Politikës së Jashtme të SHBA-së dhe Instituti Amerikan Lindje-Perëndim botuan një material me titull, “Koha për të vepruar në Ballkanin Perëndimor” dhe nëntitull, “Të ndërpritet rrëshqitja e Kosovës drejt një konflikti të ngrirë”.

Pyetja që shtrohet është: si është e mundur që, 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe tetë vjet, pas mendimit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se ajo nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, institucione studimore serioze të na klasifikojnë si një vend “që po rrëshqet drejt një konflikti të ngrirë”?

Përgjigja e kësaj pyetjeje duhet kërkuar tek një konfluencë faktorësh, me natyrë të brendshme dhe të jashtme, tek specifikat e rastit të Kosovës dhe kompleksiteti i situatës gjeopolitike në ndryshim, në rajon, Europë dhe botë.

Kjo kumtesë nuk merret me të gjithë këta faktorë, por vetëm me njërin prej tyre, atë që njihet si ndikim i të tretëve në Ballkan dhe në Kosovë.

Analistë, studiues, diplomatë dhe politikanë, vendorë e ndërkombëtarë, midis këtyre faktorëve, përmendin: ekstremizmin fetar, terrorizmin, krimin e organizuar ndërkombëtar, Rusinë, Turqinë, Kinën, etj.

Shumica e tyre, si kërcënim kryesor ndaj Kosovës, vlerësojnë terrorizmin. Kështu e vlerëson edhe Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Kosovës. Ky qëndrim është në të njëjtën linjë me atë të aleatëve tanë strategjikë, që nga viti 2001, kur Kullat Binjake në New York u sulmuan nga Al Kaeda.

Kosova është pjesë e Aleancës Globale kundër terrorizmit; ajo i është bashkuar Strategjisë kundër terrorit të OKB-së (2006); ka miratuar “Strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm”; ka miratuar një sërë ligjesh të brendshme kundër terrorizmit, përfshirë penalizimin e shtetasve kosovarë që marrin pjesë në luftëra jashtë vendit, si dhe planveprimin për integrimin e personave të radikalizuar.

Pavarësisht sukseseve të arritura, si kufizimi dhe, dy tre vitet e fundit, ndërprerja e plotë e rekrutimit të qytetarëve kosovarë, si luftëtarë në konfliktet e jashtme, dënimi i disa ekstremistëve, etj, përsëri, terrorizmi mbetet kërcënim serioz për Kosovën.

Por klasifikimi i tij si i tillë nuk u jep përgjigje pyetjeve: përse Kosova nuk është anëtarësuar në Interpol dhe Europol, aq më tepër që përfshirja e saj në këto dy struktura do t’i kontribuonte shumë rritjes së efektivitetit të luftës kundër terrorizmit. Më tej, përse Kosova dështoi që të anëtarësohet në UNESCO? Përse ajo nuk anëtarësohet në Këshillin e Europës? Së fundi, përse ka dy tre vite që, thuajse, është bllokuar procesi i njohjes së Kosovës si shtet i pavarur e sovran, ndërkohë që, ndonëse episodik, ka filluar procesi i kundërt, ai i çnjohjes.

Pa mohuar dobësitë në punën e institucioneve tona që merren me politikën e jashtme dhe të sigurisë, mungesën e vëmendjes së duhur të aleatëve tanë perëndimorë për forcimin dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit kosovar, shkaku i jashtëm kryesor për ngecjen e Kosovës dhe rrezikun e “rrëshqitjes së saj drejt një konflikti të ngrirë”,në gjykimin tim, është faktori rus.

E keqja është se ka paqartësi të theksuar në elitën politike të Prishtinës rreth asaj se çfarë përfaqëson në vetvete faktori rus për Kosovën. Dikush flet për rrezik rus, një tjetër për sfidë. Në fakt, ai përbën një kërcënim ndaj pavarësisë së Kosovës, jo kërcënim dosido, por përbën kërcënimin numër një ndaj interesave themelore të saj.

Megjithatë, në strategjinë e Sigurisë së Kosovës, të hartuar në vitin 2010 dhe në Analizën e Rishikimit të Sektorit të Sigurisë, të vitit 2014, Rusia nuk përmendet fare as si rrezik, as si kërcënim. Në këtë logjikë, një ndër drejtuesit më të lartë shtetërorë të Kosovës e mohon ekzistencën e kërcënimit rus. Një tjetër drejtues, gjithashtu i lartë, e pranon se ka presion rus ndaj Kosovës, por, kryesisht, në media.

Paqartësia rreth këtij problemi ështe e dukshme edhe në radhët e asaj që njihet si ekspertizë, midis studiuesve, analistëve dhe ekspertëve. Të ftuar, para pak kohësh, në emisionin “Rubikon”, me temë “Rreziku që vjen nga Rusia” (rreziku dhe jo kërcënimi”), njëri prej përfaqësuesve të ekspertizës kosovare ndikimin rus e kufizoi në Veriun e Kosovës, deri në Ibër. Nje tjetër u shpreh i bindur se “nuk ka agjenturë ruse që mund të ndikojë tek shqiptari i Kosovës” (këtë bindje ai nuk e kishte për shqiptarët e Shqipërise). Dhe për ta thjeshtëzuar deri në banalizim kërcënimin rus, në informacionin e përgatitur me këtë rast, nga redaksia, u theksua se më të kërcënuarit në Kosovë janë 3 udhëheqësit e saj kryesorë, Presidenti, Kryeministri dhe Kryeparlamentari, nëpërmjet rrezatimit nga maja Pançiç e malit Kopaonik.

E vërteta e thjeshtë eshtë se Kremlinit nuk i intereson kush e drejton Kosovën. Ajo që e shqetëson Moskën është projekti i Kosovës së pavarur dhe sovrane, modeli i lirisë që ofron ky projekt kundër shtypjes e diskriminimit, kundër dhunës, autoritarizmit dhe diktaturës.

Për Kremlinin, Kosova është një element i rëndësishëm i ballafaqimit të Rusisë me Perëndimin. Duke goditur Kosovën, Rusia godet SHBA-në dhe aleatët tanë perëndimorë.

Ajo përbën një element të rëndësishëm të strategjisë ruse për të ndikuar në dinamikat rajonale dhe europiane, me qëllim të destabilizimit të situatës në Ballkan dhe në Europë. Gjithashtu, Kosova përbën një element shumë të rëndësishëm për Moskën, në funksion të politikës së saj të brendshme për “bashkimin rreth flamurit” dhe forcimin e kohezionit kombëtar.

Qëndrimet e Rusisë ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë

Rusia është kundër normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe nënshkrimit të marrëveshjes, juridikisht të detyrueshme, midis tyre. Një ndër drejtuesit kryesorë të partisë në pushtet, “Rusia e Bashkuar”, Sergei Zheleznjak, i ka kërkuar Beogradit që të heqë dorë, sa më shpejt të jetë e mundur, nga iluzioni i marrjes së “disa vendimeve të shpejta kompromisi për çështjen e Kosovës, si sakrificë e radhës në rrugën e intergrimit të Serbisë në Bashkimin Europian”. Sipas tij, për interesat e serbëve në Kosovë dhe Metohi është i domosdoshëm statusi i konfliktit të ngrirë, afatgjatë.

Rusia këmbëngul që na bazë të çdo marrëveshjeje a kompromisi, duhet të qëndrojë rezoluta e KS 1244. Presidenti Putin e ka paralajmëruar Beogradin që të mos ngutet. Ministri i Jashtëm, Lavrov, ka ripërsëritur se në çështjen e Kosovës, Moska mbron, jo aq Serbinë, se sa rezolutën 1244. Ndërkaq, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zaharova, ka deklaruar që rezoluta 1244 nuk pushon së vepruari sepse kështu i teket dikujt.

Siç dihet, kjo rezolutë mban vulën ruse, sidomos në nenin që sanksionon mbetjen e Kosovës në përbërje të ish-Jugosllavisë.

Nuk ka asnjë garanci që Rusia do të jepte pëlqimin e saj për ulësen e Kosovës në OKB, nëse Serbia do ta jepte këtë pëlqim, paraprakisht. Gjasat janë që për dhënien e pëlqimit prej saj, Moska të kërkojë një çmim rreth të cilit ajo të bëjë pazar me fuqitë perëndimore.

Skenari i zbatuar në veriun e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë së saj, është hartuar nga Kremlini dhe ka ngjashmëri me skenarët e hapësires post -sovjetike të viteve ’90 (në Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë). Në qoftë se Asociacioni i Komunave Serbe merr funksione ekzekutive, siç kërkojnë Moska dhe Beogradi, ekziston rreziku që ky rajon, gradualisht, të kthehet në një entitet të ngjashëm me konfliktet e ngrira në ish -hapësirën sovjetike.

Rusia vazhdon t’i përmbahet pikëpamjes se Kosova përbën shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar dhe shërben si precedent për të gjitha lëvizjet separatiste në botë. Është për t’u shënuar që në Perëndim asnjë nga këto lëvizje nuk i referohet rastit të Kosovës, ndërkohë që Rusia i konsideron si pasojë e drejpërdrejte të precedentit Kosovë shpalljen e Abhazisë dhe Osetisë së Jugut, si dhe aneksimin e Krimesë.

Rusia është kategorikisht kundër krijimit të ushtrisë së Kosovës, duke e “argumentuar” këtë me rezolutën 1244 që, sipas Moskës, ndalon çdo prani ushtarake në Kosovë, me përjashtim të KFOR-it. Lidhur me dialogun Kosovë- Serbi, Ministri i Jashtëm Lavrov, ka deklaruar se, nëse e ftojnë aty, Rusia nuk do te qëndrojë duarkryq, duke siluruar përpjekjet e udheheqësve të Kosovës për të përfshirë Uashingtonin në formatin e bisedimeve.

Instrumentet e politikës dhe diplomacisë ruse kundër Kosovës

Për realizimin e objektivave të saj strategjike kundër Kosovës, Rusia si fuqi e madhe përdor një numër instrumentesh. Midis tyre, vend qëndror zë ajo që studiuesit amerikane, Kristofer Uolker dhe Xhesika Ludvig, në një shkrim të tyre, të kohëve të fundit, në revistën “Foreign Affairs”, e quajtën “fuqi e mprehtë” (sharp poëer). Thelbi i saj është shfrytëzimi i informacionit të rremë për qëllime të ulëta. Më konkretisht, fuqia e mprehtë është lufta informative që zhvillojnë shtetet autoritare, si Rusia. Teknologjia kibernetike e bën atë të shpejtë, të lirë dhe të paidentifikueshme. Ja disa nga shembujt që dëshmojnë për manipulimin e perceptimit të realitetit të Kosovës, nëpërmjet lajmeve të rreme, shtrembërimit të fakteve dhe shpifjeve, të përhapura, kryesisht, nëpërmjet kanalit televiziv “Russia Today” dhe sajtit të interenetit “Sputnik News”:

- Koalicioni PAN është “koalicion i pistoletave”.

- Plani “B” i Kosovës: nëse deri me 10 shkurt 2018 ajo nuk anëtarësohet në OKB, atëherë do të bashkohet me Shqipërinë.

- Për shkak të mosmarrëveshjes për demarkacionin, Kosova dhe Shqipëria do t’i shpallin luftë Malit të Zi.

- Shqiptarët e Kosovës planifikojnë programe kundër bashkëqytetarëvë të tyre serbë.

- Sulmi kimik në Sollsberi kundër agjentit të dyfishtë Skripali është një inskenim i britanikëve, ashtu siç ishte Reçaku një inskenim i shqiptarëve.

Në përhapjen e të pavërtetave për Kosovën, një rol tejet aktiv luan Instituti i Sllavistikës në Moskë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Rusisë, nëpërmjet botimit të shkrimeve dhe librave të bashkëpunëtorëve të tij, Elena Guskova, Anna Filimonova, Peter Iskenderov etj. Sipas bashkëpunëtorëve të këtij Instituti, shqiptarët janë pjesë e Internacionales së Terrorit; Shqipëria e Madhe dhe radikalizmi islamik janë dy kërcënimet më të rrezikshme ndaj paqes dhe stabilitetit në Ballkan; detonator i konflikteve në Maqedoni dhe lindje të Preshëves, janë forcat ekstremiste dhe terroriste nga Kosova; në bazën amerikane Bondsteel stërviten terroristët kosovarë; kriminaliteti tek shqiptarët është gjenetik, etj.

Por burimi kryesor i dezinformacionit dhe hedhjes baltë mbi Kosovën mbetet presidenca ruse dhe vet Presidenti V.Putin, Ministria e Jashtme, në mënyrë të veçantë, kreu i saj, S.Lavrov dhe Zëdhënësja e këtij dikasteri, Maria Zaharova. Ka patur raste që kjo e fundit, në të njëjtën konferencë shtypi ka bërë tre deklarata për Kosovën, secila më negative se tjetra. Problemi është se propagandën e saj kundër Kosovës, Rusia e zhvillon, duke shfrytëzuar praninë e saj si fuqi e madhe në organe dhe forume të larta, ndërkombëtare dhe lokale, si Këshilli i Sigurimit, UNESCO, OSBE, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, etj. Në Këshillin e Sigurimit ajo nuk mjaftohet vetëm me propagandë, por, duke shfrytëzuar mekanizmin e vetos, vendos për Kosovën. Krahas vetos së hapur, shpesh, ajo përdor “veton e fshehtë”, në prapaskenë, në mbledhje të mbyllura, për të bllokuar, ose ndryshuar në kah negativ, përmbajtjen e dokumenteve që kanë të bëjnë me Kosovën. Kështu ka ndodhur në vitet 1998-1999, si dhe gjatë procesit të statusit të Kosovës 2005-2007. Sa i takon propagandës, mjafton të citojmë pjesë nga fjalimi i përfaqësuesit rus në Këshillin e Sigurimit, ambasadorit Nebenzia, me 2 shkurt të këtij viti: “Krahina ka potencial konfliktual serioz”, “Po bëhen sulme të vazhdueshme mbi shtëpitë dhe pasuritë e sërbëve të Kosovës”, “ka zjarrvënie të qëllimshme, dëme materiale, akte vandalizmi dhe përpjekje për të vënë dorë mbi pronën e Kishës Ortodokse Serbe”.

Për fat të keq, rrëfimi rus mbi Kosovën, fitoi në UNESCO, duke bërë që të dështojnë përpjekjet tona për t’u anëtarësuar në këtë organizatë; në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës, nëpërmjet miratimit të raportit të Dik Martit, një projekt i nxitur dhe i sponsorizuar nga Moska; në hapësirën ish-sovjektike, ku veç shteteve balltike, tashmë pjesë e Perëndimit, asnjë prej 12 republikave të tjera, të dala nga Bashkimi Sovjetik, nuk e ka njohur Kosovën.

Midis instrumenteve të tjerë që Rusia shfrytëzon kundër Kosovës është edhe “fuqia e butë” (soft power). Në shtator të vitit të kaluar, Misioni Humanitar rus, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi me Zyrën e Kosovës në Beograd, për të ndihmuar serbët në Kosovë.

Nëpërmjet UNESCO-s Moska ka ofruar një fond prej 2 milionë dollarësh për restaurimin e disa objekteve të kultit ortodoks në Kosovë. Kisha ruse, në mënyrë periodike, ofron ndihmë për Kishën Ortodokse serbe në Kosovë. Por kur keto “ndihma” shoqërohen me deklaratat e Patriarkut rus, Kirill, se “Kosova është tokë e shenjtë serbe”, atëherë nuk kemi të bëjmë me “fuqi të butë” por me “fuqi të mprehtë”, ku Kisha vihet në shërbim të politikës ditore të Kremlimit.

Sugjerime:

Për institucionet e Kosovës:

Duhet vetëdijësuar që bota e sotme perëndimore nuk e ka kohezionin e vitit 1999, as atë të vitit 2008. As Rusia nuk është më ajo e mëparshmja. Është bërë më agresive dhe më autoritare.

- Ka ardhur koha që, në përshtatje me situatën e rë të krijuar, të përcaktohet hierarkia e interesave themelore të shtetit të Kosovës dhe hierarkia e kërcënimeve ndaj këtyre interesave. Në strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të Amerikës, Rusia vlerësohet si një ndër kundërshtarët më të egër të SHBA-së, ndërsa në Ligjin e Kongresit amerikan të vitit të kalaur për kundërveprimin ndaj kundërshtarëve të Amerikës, Rusia rreshtohet krahas Iranit dhe Koresë Veriore. Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, M.Palmer e cilëson Rusinë si kërcënimin më të madh ndaj vendeve ballkanike. Ndërsa, profesori i njohur i Harvardit, J.Naj, vlerëson se terrorizmi është problem serioz, por nuk është kërcënimi më i madh me të cilin përballemi. Ai është fryrë tej mase. Në këtë kontekst, institucionet tona duhet të hartojnë strategjinë e re kombëtare të sigurisë, në të cilin të fiksohet qartë që Rusia përbën kërcënimin e jashtëm kryesor ndaj Kosovës.

- Fuqizimi i ekspertizës vendore për t’iu kundërvënë luftës informative të Rusisë kundër Kosovës. Nuk është normale që Ministria e Jashtme e Kosovës të mos ketë një specialist për Rusinë, njohës të gjuhës ruse. Nuk është normale që deklaratat e përjavshme të Ministrisë së Jashtme të Rusisë, ku sulmohet egërsisht Kosova, të mbeten pa përgjigje nga institucionet tona shtetërore. Mungesa e specialistëve që njohin Rusinë ndjehet edhe në institucionet tona kërkimore e shkencore. Me këtë shpjegohet fakti që botimeve të shumta të Institutit të Sllavistikës kundër Kosovës nuk u jemi përgjigjur, qoftë edhe me ndonjë botim modest tonin. Akuzave të pathemelta të këtij Instituti për terrorizmin me fytyrë shqiptare, mund t’u përgjigjeshim me fakte të pamohueshme për karakterin terrorist të vetë shtetit rus, i cili, gjatë Luftës së Dytë Botërore ka terrorizuar popuj të tërë, duke i debuar në “krematorium mbi rrota” për në Siberi; që gjatë viteve ’90 kryeqytetin çeçen Grozni e ktheu në “Hiroshimën e Kaukazit”, që, dy -tre vitet e fundit në Siri shkatërroi qytete të tëra muslimane, si Alepo; që vret kundërshtarët e vet politikë me armë kimike , në mes të ditës, etj.

- Në kuadrin e forcimit të pavarësisë energjetike të Kosovës, të bëhet lidhja e saj me gazsjellësin TAP dhe të bashkëplotësojë nevojat ne këtë fushë me Shqipërinë.

- Të forcohet bashkëpunimi i shërbimit inteligjent të Kosovës me shërbimet analoge të vendeve partnere.

Për Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës:

- Krahas shtimit të shqetësimit për kërcënimin rus në Kosovë, të shtohet edhe angazhimi perëndimor për përballimin e këtij kërcënimi.

- Të ruhen sanskionet ekonomike ndaj Rusisë dhe të shihet mundësia e shtimit të tyre, si një ndër masat më efektive për ndryshimin e sjelljes agresive të Rusisë.

- T’i ofrohet Kosovës perspektivë më e qartë euro-atlantike, pasi formula e përdorur në strategjinë e zgjerimit të BE-së “sapo ta lejojnë rrethanat”, e shtyn integrimin europian të Kosovës për në kalendat greke.

- Çdo strategji perëndimore kundër ndikimit negativ të Rusisë në Kosovë dhe në Ballkan duhet të fillojë nga Beogradi.

- Në progres-raportet vjetore për vendet e Ballkanit Perëndimor, të futet një pikë se si po punohet për t’iu kundërvënë kërcënimit rus.

- Të ruhet prania ushtarake amerikane në Kosovë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora