E merkure, 24.04.2024, 07:05 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: 20 Maji - Dita e Jetimave

E diele, 20.05.2018, 01:23 PM


Nga Fritz RADOVANI:

20  MAJI – DITA  E  JETIMAVE

17 JANAR 1468 ASHT DITA QË SHQIPNIA EROPJANE E TË MADHIT HERO GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT, MBETI JETIME PA BABË…

E ndoshta, kjo asht arsyeja që edhe pse kanë kalue 550 vjetë askush nuk u kujdes per Te!

Jetime e shkreta e Nanës… Çka hoq me kenë... Po, kurr me u rritë as në Trojet e veta!

E çdo ditë nade pa dalë drita, e kurrkund tue shkrepë rrezja e diellit, ndiheshin nga të gjitha anët ulurimat e ujqve grabitës që na rrethonin e sejcili, veç shkyente një dash, e nuk i shihej boja deri në perëndim të diellit, kur edhe Shqipet braktisnin çerdhet e veta.

Vetem ndonjë rubë e zezë që derdhej mbi xhubleten shekullore kalonte nder zallishtat e bardha si biluri e ngarkueme me buljera të ujit të akullt t’ atyne burimeve prrallore.

Aty këtu një tjeter stajanicë me drue të ngarkueme vraponte me gatue kakinin e nxehtë.

Burrneshat vraponin nder male me ua çue burrave buken e freskët e pak duhan sa me mbytë merzinë e atyne ditëve të pashpresë... U thyen edhe Kryqat nder shenja pushimi!

Andej bregut të prronit ku vlonte kanga e vallja nder ditë të Pagzimit një djali, apo kur njena batare nuk priste tjetren tue u shkrepë nder darsma e gëzime martesash, bash nder ata shtigje nuk të sheh syni tjeter veç ndonjë Frat të ngulun në hu, me zhgun të shkyem prej sorrash e orrlash që bijnë si zgjeta pingul me ua nxjerrë sytë. E gjaku shkon rrëkajë!

O Vllazen e Motra, kurr nuk të ban keq komshija kur në voter të ka hy tradhtija!

U vra Dedë Gjo’ Luli me djelm’ e far’ e fis... U vra Luigj Gurakuqi e mbas Tij bash Miku i votres Bajram Curri në pabesi...E pse?! – Pse Flamuri i Kastriotit gati ishte mykë...

Asht e vështirë me jetima me ba konak! Njeni thumbit e tjetri patkonit... Askush nuk i priste prej një matjanit, madje edhe i pashkollë, bjellogardistët m’ atë anë Taraboshit!

E nder Malet e Bjeshkve të Nêmuna, fëmijtë jetima të bamë turrë per me i vra...

Jetimat thonë nuk kanë fat! E këte thanje mjer kush e provon... I troket sa një derës e sa një tjetres por, sa komshija i sheh ftyren e paqeshun kurr në jeten e saj, e percjellë deri tek portaria e me gjysë goje i thotë: “Do të mendoj edhe dishka per Ty, po sot nuk kam!” E dera shkapetet aqsa zagart e shtëpisë vazhdojnë me leh derisa të erret nata.

Mjer kush e provon kenjen jetim në vorfni e me anmiq kojshi!

Ndoshta ndokush nuk e di, ose edhe e ka harrue atë kohë kur Nana zgjohej pa dalë drita e vraponte me i marrë jetimave një shishe qumësht, e me i nisë nder shkolla. Atje ata jetima do të mësonin se “ti mbete jetim pse Baba ishte tradhtarë, Ai ju iku turqve”!!

Ju iku Shqiptarëve!.. Nuk vonoi e ju iku edhe jugosllavëve, grekëve, italianëve, rusëve e besa edhe kinezëve... E shkreta Shqipni tue trokitë nder dyer pa shula, të hapuna ditë e natë per një kafshatë bukë të thatë, si thonin pleqtë: “Tue hanger bar e tue ecë mbi ar”!

Rrnonin dhe jetonin në vorfni se “një fjalë goje, e shndrronte në skllav.” Jetimat mbetnin edhe pa familje, pa fëmijë, e disa edhe pa varre! E “lufta e kllasave” vazhdonte me korrë pa pyet fare ke këputë kosa e gjaksorit katil... Po, mos u ngutni thotë njeni “se nuk keni pa asgjë ende...”, e zgerdhihet tue pritë “rilindjen” perballë kopshtit luleve... Lule ku qeveritarët tanë knaqin synin, mendjen, fantazinë e qeverisjes dhe mbi të gjitha Xhepin, ata xhepa deri dje të shpumë e të shkymë... Po sot nder ma të mbushunit n’ Europë, në saje të “vllezerve të gjakut turq”, miqve të baballarëve jugosllavë, “dashamirsëve” grek dhe draperxhinjëve marksistë moskovit, që vazhdojnë rritjen e numrit jetimëve në Botë.

Gjakmarrjes nder Malet tona po ia zen vendin “kopshti i luleve të jetimave”!

Marrakotja e aromës së atyne “luleve” vrastare po shkatrron një Shqipni të tanë...

E ndoshta dikush pyet: “Po si do të shuhet Emni i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut”?!

Ashtu si dikur... Kur mbi Shqipen Dykrenare jetime ishte një “yll pa dritë”.

Trashigimtarët e pushtuesve shekullor ia kishin marrë doren vrasjeve të djelmëve e vajzave jetime që i zente mesnata tue qendisë nen driten e qirit, mbi pelhuren e kuqe të tezgjahut Shqipen e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!

I dermisheshin duert tue ngulë gjylpanën ma shpesh në mish të vet, se në coh të kuqe!

Po gjaku i Atyne duerve të njoma t’ Atyne jetimeve nuk e njolloste Flamurin e Shqipnisë, se bash kur therja i shponte zemren, buzqeshte e vazhdonte kangen e mësueme qyshë fëmijë prej Nanës, Asaj Nanës së perjetshme.., që i pat këndue i madhi At Gjergj Fishta:

Porsi fleta e Ejllit Zotit

Po rrehë Flamuri i Shqypnis,

E thrret t’ bijt e Kastriotit...

E thrret t’ bijt e Kastriotit... Me u mbledh tok ... Per me ju urue Diten Tuej...

Të dashtun dhe të shtrenjtë jetima!



(Vota: 8 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora