Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ryzhdi Baloku: Sejdi Berisha - Peizazh i jetës sime

| E diele, 20.05.2018, 11:08 AM |


DOLI NGA SHTYPI LIBRI ME POEZI

“PEIZAZH I JETËS SIME” I AUTORIT SEJDI BERISHA

Nga Ryzhdi Baloku

Këto ditë doli nga shtypi libri më i ri i krijuesit Sejdi Berisha me titull "Peizazh i jetës sime", i cili është i tridhjetenënti me radhë, ndërsa i tetëmbëdhjeti me poezi.

Në këtë vëllim poetik prej 148 faqesh, autori i ka radhitur 93 poezi të përzgjedhura, të cilat i ka sistemuar në një njësi sipas renditjes tematike të një kronologjie që i përgjigjet edhe përmbajtjes së tyre.

Pas leximit të vëmendshëm të vargjeve nga kjo vepër me poezi, mund të themi se titulli i librit korrespondon bukur si një binjak edhe me jetën e këtij poeti, i cili në muajin qershor do ta festojë ditëlindjen e tij të radhës.

Këtë vepër poetike autori e fillon me një shkrim të titulluar "Në vend të parathënies", në të cilin shkruan: "Qysh në vegjëli, por edhe gjithnjë, tërë jetën jam përpjekur që njerëzve t’ua bëj jetën të lumtur, me aq mundësi e fuqi që kisha dhe që kam edhe tani. Kjo ishte dhe ka mbetur thesari, kënaqësia, ushqimi im shpirtëror dhe pasuria ime më e madhe, të cilat gjëra, më duket se i kam përjetësi, mu si shtatoren e atij njeriut i cili nuk ekziston, por që botën e sodit nga një lartësi që askush nuk e sheh,...".

Për të na bërë sa më të qartë mesazhin e kësaj vepre, më tutje po në këtë shkrim autori vazhdon mendimin e tij dhe thekson: "...duke qenë i vetëdijshëm dhe i etur tej mase, në këtë formë vendosa t'i shtroj dhe t'i radhis në vargje disa nga ndijimet e mia për botën e njeriun, por edhe për respektin që kam ndaj njeriut...

Ndoshta, do t’u pëlqejë, ndoshta do t’u provokojë shumëçka brenda këtij libri. Sido që të jetë, në këtë mënyrë m’u duk se e laj edhe një borxh që kam ndaj procesit të lezetshëm, të përgjegjshëm dhe të ngrohtë, por ndoshta edhe të çuditshëm, që quhet jetë! Megjithatë, unë prapë, njerëzve u kam shumë borxh, sepse, etjen e kam shokun i cili nuk më lë rehat, nuk më lë të qetë, që ta bëj ashtu si duhet bile asnjë sy gjumë...!

Këtu e mbështes edhe madhështinë dhe qëndresën e jetës sime, të krijimtarisë sime... ".

Autori Sejdi Berisha, këtë vepër poetike e nis me poezinë  "Unë dhe Zef Serembe në Brazil... ", për ta përmbyllur këtë rrugëtim poetik me poezinë me titull "Amanet pasardhësit tim".

Me tematikën e pasur dhe të larmishme, me gjuhën e zgjedhur poetike, me semantikën shumështresore, dhe me mesazhin që e përçojnë, këto poezi i prezantojnë lexuesit një botë të pasur artistike, por edhe meditative për njeriun, për jetën dhe botën që na rrethon.