E merkure, 24.04.2024, 11:23 AM (GMT+1)

Mendime

Idriz Zeqiraj: Dorëheqja e klanorëve të LDK-së

E marte, 08.05.2018, 07:10 PM


MË E PAKËTA, KËRKIM-FALJA DHE DORËHEQJA E KLANORËVE TË LDK-SË

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Pas shuarjes të Presidentit Rugova, karrieristët nismuan formimin e klaneve. Dhe, klani, për ta mbizotëruar partinë, shkaktoi ndarjen e LDK-së. Rrjedhoja e pritshme, LDK-ja në opozitë. Asnjë mësim nga ndarja, sepse bashkimi i sërishëm, rrezikonte klanin, tashmë, të konsoliduar në LDK-e.

Kuvendi i 7-të u shqua për të panjohura. Kontrabandimi i kreut të LDK-së, suprizoi dhe shokoi anëtarësinë. Kryetari i ri, goditjen e parë ia dha themeluesit të LDK-së, Dr. Ibrahim Rugovës. Në vend të zgjedhjeve, Isa Mustafa emëroi Këshillin e Përgjithshëm dhe Kryesinë e LDK-së. Pra, nostalgjiku i komunizmit, u kthye në bazë, plot 20 vjet prapa, në sistemin zgjedhor monist. Kryesisë klanore horrake, iu shtuan edhe disa horrakë të rinj. Heshtën, turpshëm, të gjithë!

Në Kuvendin e 8-të, dogma satanike komuniste u begatua. Tashmë, jo vetëm në LDK-në Qendër, por edhe në bazë, dëgjeneroi sistemi zgjedhor demokratik. Në shumë Degë dhe Nëndegë votimi i fshehtë demokratik, u zëvendësua me atë aklamativ komunist, ngritje dore! Bilëz, në Kuvendet "Zgjedhore" të disa Degëve, u tha hapur se "po shkojmë në Kuvendin e 8-të Zgjedhor, për ta rizgjedhur Isa Mustafën kryetar të LDK-së!" Dhe, duke zgjedhur Isën, ata zgjidhnin edhe vetën. Kjo ishte kontrata e tyre, sa kundra-demokratike, aq edhe e turpshme!

Në Degën e tij, Isa Mustafa, nuk u fut në votim, sepse do të "digjej", ashtu si ndoca klanorë të tij. Ky ishte gabimi fatal që bënë aspiruesit e reformave në LDK-e. Inatçori Isë, finok i shkollës kineze, nuk u tregua fare mirënjohës, për këtë privilegj, të bërë ndaj tij. Përkundrazi, i goditi, turpshëm e pamëshirë, -en bloc-, bëmirësit, duke i lënë jashtë strukturave vendimmarrëse të LDK-së. Një qerim  hesapësh, sa i poshtër, aq edhe cinik, sepse, ata, të paktën, ishin rugovas të pa hile dhe ishin rritur e madhuar me LDK-në e tyre. Rrjedhimisht, Isa Mustafa nuk e kishte legjitimitetin e delegatit dhe nuk mund të kandidohej as për Këshill të Përgjithshëm, as për Kryesi dhe, aq më pak, për kryetar!

Përzgjedhja seleksionuese, e bërë nga pjesa aktive e SHIK-ut në LDK-e, arriti të eliminojë edhe anëtarë të Kryesisë të Degës të LDK-së në komunë, që me vota kishte zënë vend të dytë, pas - bartësit të listës -, pra, kryetarit të komunës, ndonëse mbulonte fushatën zgjedhore për LDK-në, në gjysmën e fshatrave të komunës. Mjaftoi që ai nuk do ta votonte Isa Mustafën. Këtë e konfirmon edhe njëri nga Nënkryetarët e LDK-së të Qendrës, kur thotë se "kishim punuar aq shumë në përzgjedhjen e delegatëve, për ta vazhduar statusquonë, sa që edhe po të hynte Isa në votim të fshehtë, në Kuvendin e 8-të "Zgjedhor", do të fitonte". Vetëkuptohet, SHIK-u vepronte brenda LDK-së, sepse me Isën kryetar, Hashimi bëhet president, bëhet edhe amortizimi i akuzave për krimet makabre të "komandantëve", argatë kriminelë të Hashimit. 

Mërgata dënoncoi SHIK-un në Kryesinë e LDK-së 

Kryetarët e Degëve të LDK-së në Gjermani, Zvicër, në shtetët e Beneluksit, përkatësisht, Qazim Bajgoraliu, Shefqet Dibrani, Kujtim Hajdaj, ishin kundër rikandidimit të Isa Mustafës, për kreun e LDK-së, sepse në të gjitha veprimet e tij, përgjatë mandatit të parë, ishte dora e SHIK-ut.

Kryetarët e cituar, mendimin e tyre e shprehen hapur, ashtu siç janë edukuar me demokracinë evropiane, duke arsyetuar bindshëm:

1) Isa Mustafa kishte premtuar, bujshëm, reformat në LDK-e. Në vend të reformave, konsolidoi klanin e tij dhe "harroi" reformat;

2) Kishte premtuar luftimin e krimit të organizuar, SHIK-un. Por, e heshti premtimin dhe u vu në shërbim të SHIK-ut;

3) Humbi, radhazi, zgjedhjet lokale dhe qendrore, përfshi edhe fiaskon personale, të pësuar në garë, për kryetar të komunës të Prishtinës;

4) E vazhdoi dhe e thelloi anashkalimin, linçimin, përjashtimin e kuadrit të përkushtuar të Presidentit Rugova, nën pretekstin se "kanë simpatizuar akademik Dacin".

Natyrshëm, si delegatë të Kuvendit të 8-të Zgjedhor të LDK-së, në debatin rreth raportit 4 (katër) vjeçarë, pra, në mes të dy Kuvendeve, ata do të ishin konkret, në referimet e tyre të hapura dhe të sinqerta:

a) Do të denonconin veprimtarinë konspirative të SHIK-ut, brenda strukturave vendimmarrëse të partisë;

b) Në bazë të analizave të bëra, do ta shtronin pyetjen: Si u katapultuar në krye të LDK-së, njeriu, i cili, bashkë me shefin e tij, ishin kundërvënë Presidentit Rugova dhe LDK-së;

c) Kritikë e refuzues do të ishin edhe për klanin e kryetarit, duke sjellur fakte se, këta shërbëtorë të shumë padronëve, duhet të japin llogari për rrënimin e LDK-së, duke kërkuar stopimin e karrierizmit të tyre, të dyshimtë dhe neveritës;

d) Dhe, mbi të gjitha, ata nuk do të lejonin shkatërrimin e sistemit zgjedhor demokratik, në Kuvendin e 8-të Zgjedhor të LDK-së, të krijuar me aq mund e sakrifca nga Dr. Ibrahim Rugova me shokë, madje, në rrethana të një pushtimi të egër serbo-sllav. Delegatët e Mërgatës, do ta mbronin, me çdo çmim, votimin e fshehtë, për të gjitha strukturat e partisë: Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë, Kryetarin dhe Komisionet përkatëse. Dhe, rrjedhimisht, klani, tashmë, i dyshuar për shumëçka, as nuk do të arrinte të kandidohej, për asnjërën nga strukturat e cituara;

e) Prania në sallën e Kuvendit, e delegatës nga Dega e LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvalla, denoncimi nga ajo i kalkulimeve manipulative të kryetarit dhe klanit të tij, do t`i trimëronte të rinjtë reformatorë, të pykuar, keqas e cinikisht, nga klanorët, duke stopuar rrethin vicioz, në konspiracionet e tyre errtake, natyrshëm, gjithnjë në dëm të LDK-së.

Isa Mustafa me klanin e tij, kishte vendosur vazhdimin e një mandati tjetër, tërësisht, të paligjshëm, duke shpërfillur e shkelur, pacipërisht, të gjitha rregullat demokratike. Rrethi vicioz i kryetarit lansoi gënjeshtrat e shpifjet kundër LDK-së të Mërgatës, sidomos, të dy Degëve me të mëdha, pararojë, Gjermanisë e Zvicrës:

1) Nuk kemi marrë ftesë, për të asistuar zgjedhjet në Degën e LDK-së në Gjermani!? Por, dolën bllof, sepse u dokumentua ftesa në LDK-në Qendër, Kosovë. Pastaj, u justifikuan se "ftesat dhe letrat e kryetarit, nuk i lexojmë, i shlyejmë pa i lexuar, sepse ai është kundër rikandidimit të Isa Mustafës me klanin e tij";

2) Sekretari i LDK-së kërkoi të gjithë dokumentacionin zgjedhor të Nëndegëve dhe të Degëve të LDK-së në Gjermani. Dokumentacioni i kërkuar u plotësua dhe me dosjen në dorë, tashmë, kryetarja e zgjedhur me konkurrencë dhe votim të fshhtë, Donikë Gërvalla, së bashku me 5 (pesë) anëtarë të Kryesisë, të ardhur enkas nga Gjermania, sipas terminit të bërë, me sekretarin Ismet Beqirin, u paraqitën në selinë e LDK-së, në Prishtinë. Por, zotëriu në fjalë nuk erdhi, për ta marrë në dorëzim dokumentacionin e kërkuar. Kryetarja Gërvalla kërkoi, përmes shefës të zyrës, të vijë njëri nga 23 anëtarët e Kryesisë, madje, cilido qoftë syrësh. Megjithatë, askush nuk erdhi, sepse kishin vendosur, muaj më parë përjashtimin tonë në Kuvendin e 8-të. Kryetarja Donikë shumëzoi dosjen voluminoze, me formatin A4 dhe ua përcolli të 23 anëtarëve të Kryesisë Qendrore;

3) Në ditën kuvendore, klani ishte në ethe. Ata hynë në Hotelin "Emerald", si minjtë, nga një deriçkë anësore, pa u vënë re. Delegatët e Gjermanisë dhe të Zvicrës,  u bllokuan nga rojet e porositura nga kryetari e klani i tij, ke dera hyrëse e Hotelit të përmendur. Nga 9 (nëntë) delegatët e Gjermanisë, 6 (gjashtë) syrësh, ishin familje dëshmorësh, me afri gjaku, hiç më pak se: baba, vëlla, xhaxha!!!

4) Vendimi për përjashtimin e delegatëve nga Dega e LDK-së, në Gjermani, u muar në bazë të një - SMS-si -, të dërguar, më sakt, të porositur nga klani, se, gjoja, zgjedhjet në këtë Degë nuk janë berë të rregullta. Për çudë, personi në fjalë, jo vetëm që nuk ka qenë i pranishëm në asnjë Kuvend zgjedhor të Nëndegëve, por, as në Kuvendin Zgjedhor të Degës. Veç kësaj, ai nuk është as anëtar i LDK-së prej 7 vitesh!!! Ja, me ke merren horrakët e klant horrak?! Turp e ndot- - do të thoshte miku im i ilegalës, Kadri (Os)Mani, (ndjesë pastë!)

Kuvendi ishte një farsë zgjedhore: u ndalua debati, u refuzua konkurrenca, u votua "alla komuniste"! E gjithë struktura vendimmarrëse e LDK-së u emrërua. Si e tillë, u barazua me organet e dhunshme të pushtuesit, të cilat i përjetoi Kosova pas suprimimit të Autonomisë, për një dekadë radhazi. Isa Mustafa, me klanin e tij, për të vazhduar mandatin e dytë, krejt të paligjshëm, veproi harbutërisht, duke i paligjësuar edhe të tjerët, pjesa e madhe e të cilëve do të fitonin, pra, do të ligjësoheshin, edhe me votim të fshehtë.

Konventa e LDK-së, me pjesëmarrjen e Këshillit të Përjithshëm, ishte një organizim formal, maskaradë. Dega e LDK-së në Gjermani, dërgoi kryetaren e saj, Donikë Gërvallën, për pjesëmarrje të ligjshme. Asaj, si të gjithë delegatëve tjerë, i ishte dorëzuar materiali përkatës për Konentën. Por, në momentin kur po shestonte drejt hyrjes, në hollin e sallës u ndalua. Pas reagimit të saj gojor, u tërhoq zvarrë, nga badiguardët e Isa Mustafës! Dhe, kjo i ndodhi vajzës të Heroit Jusuf Gërvalla, veprimtarës më të madhe, për çështjen e Kosovës, në Eropë dhe botë, Donkë Gërvallës!!

Kjo ngjarje skandaloze, indinjoi jo vetëm anëtarësinë e LDK-së në Mërgatë dhe Kosovë, por, të gjithë Shqiptarinë në Etnikumin shqiptar. Skenari, i projektuar nga SHIK-u, veprues brenda strukturave vendimmarrëse të LDK-së, u zbatua në mënyrën më të vrazhdë dhe, skajshëm, rrugaçërore.

Pas të gjitha këtyre prapësive e poshtërsive, të hafijeve të SHIK-ut, aktivë në vendimmarrjet e LDK-së, më e pakëta e klanit aktual, do të ishte kërkim-falja LDK-së të Mërgatës, anëtarësisë, simpatizantëve dhe elektoratit të LDK-së, duke e shoqëruar me dorëheqjen e menjëhershme, nga mandati i dhunshëm, që vazhdon Isa Mustafa me klanin e tij. Me asgjë tjetër nuk mund të zvetnohet, sjella monstrume e uzurpatorëve dhe përtokësve të LDK-së, dikur, zëmadhe të Presidentit Ibrahim Rugova.



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora