Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Dedaj: Liri Belishova dhe katarsisi i diktaturës

| E marte, 08.05.2018, 07:54 PM |


LIRI BELISHOVA DHE KATARSISI I DIKTATURËS

NGA NDUE DEDAJ

Nuk ishte e rastit që mediat i kushtuan vëmendje ikjes së Liri Belishovës, po se ajo la pas një profil njerëzor të admirueshëm dhe një mesazh të munguar, ndjesën politike. Ne i mësojmë përditë fëmijët në shkolla t’i kërkojnë falje njëri-tjetrit për gjera të vogla, për një fjalë të pamenduar, për bullizmin e shfaqur nga ana e tyre, si dhunim i tjetrit. Iu kërkojmë të rriturve të falin gjaqet dhe mirë bëjmë. Por as nuk ka ndodhur e as do të ndodhë dhe për do kohë të kërkojë falje politika, pushteti për mbrapështitë që ka bërë e bën mbi këtë popull. Aq më tepër këtë nuk e bën diktatura, e cila përfaqësohej nga zyrtarë të lartë në të gjithë piramidën partiake dhe shtetërore. Është thënë sa herë se vetëm Liri Belishova kërkoi ndjesë për diktaturën e djeshme dhe askush tjetër. E para gjë që mund të thuhet pas kësaj është se me një lule nuk vjen pranvera dhe e dyta, kërkon falje ajo që duhet t’i kërkonin falje për goditjen jo vetëm politike që i bëri ai regjim, “shokët” dhe “shoqet” e saj të Byrosë Politike. Duke i ikur Lirisë si individ, ia vlen të trajtohet sjellja shqiptare e pasdiktaturës, duke filluar nga njerëzit e ish-nomeklaturës së djeshme e të tjerë. Në këtë konteks, bie në sy se “gjyshet” e diktaturës, Nexhmije Hoxha dhe Vito Kapo, nuk i heqin asnjë presje asaj që ka ndodhur nën pushtetin e bashkëshortëve dhe të atyre vetë. Për to, siç e kanë treguar intervistat e dhëna, Liri Belishova ishte një revizioniste e lidhur me sovjetikët, që deshi t’i bënte keq Enverit, Hysniut etj. Asnjë fjalë të mirë ndaj saj, qoftë dhe kortezie, lë pastaj ndjese, paçka se ajo kishte qenë shoqe e tyre e shkollës në Institutin Femëror “Nana Mbretneshë”, antifashiste dhe pjesëmarrëse e LANÇ si ato, me postin më të lartë që kishte arritur deri atëherë ndonjë grua në Shqipëri etj. Qoftë dhe vetëm për këtë kapitull të përbashkët të jetës së tyre mund të thuhej diçka vlerësuese rreth figurës së saj. E ndershme do të ishte të thuhej dhe më shumë, se ajo më pas qe një grua që nuk u përkul përballë dikaturës së gjatë, që u dënua e përsekutua politikisht, me një dramë të rëndë familjare, siç ishte sëmundja e rëndë dhe humbja e së bijës, Drita Çomos etj. Historia e Partisë që mësohej në shkolla ishte e mbushur me faqe të tëra rreth qendrimeve të saj antiparti, a thua se ajo kishte qenë një hijenë që kishte dashur të shkatërronte atë që vetë ndërtoi me idealizëm që nga koha e Luftës.

Ky qendrim “sektar” në demokraci ndaj Lirisë, të ngjashëmve të saj dhe vetë sistemit komunist të dështuar nuk është thjeshtë i disa “gjysheve” apo “gjyshërve” të diktaturës, por vija ku ndahen dhe sot dy kampet: mbrojtësit e dukshëm e të padukshëm të ish-regjimit komunist me kundërshtarët e tyre, ndonëse jo në një përballje si ajo e djeshmja, me armë. Vetëm kështu mund të shpjegohet fakti që prej vitesh si pa e kuptuar “sabotohet” rikthimi në identitet i ish-burgut politik të Spaçit, për të cilin seriozisht duket se janë të interesuara vetëm disa shoqata jo-komuniste dhe organizma të huaja. Në këtë kundrajë analistë të ndryshëm e kanë parë dhe “rezistencën” e disave për të mos e rindërtuar si muze kampin e të internuarve në Tepelenë. Mirëpo a ka logjikë që, në një shoqëri të hapur, diktatura gjysmëshekullore të mos dëshmohet në radhë të parë përmes “monumenteve” të saj të krimit? Po sjellim sërish në vëmendje të lexuesit një shembull të bërë aq mediatik kohët e fundit, atë të dy grave nga Selita e Mirditës, Gjelë dhe Mrikë Gjikolaj, që nga anonime befas u bënë të njohura në të gjithë vendin, për faktin se pas 55 vitesh kishin shkuar në ish-kampin e Tepelenës për të zhvarrosur dy vajzat e tyre të vogla vdekur në internim. Mjafton rasti i atyre dy vogëluesheve që ai kamp të kthehet në një qendër e kujtesës kombëtare, ani se sot nuk ka asnjë gjurmë, pos vizatimeve mjeshtërore të piktorit dhe poetit Lekë Përvizi, që e kishte përjetuar vetë në rini tmerrin e atij vendinternimi, ku ishin mbledhur të gjithë ish-krerët e Shqipërisë parakomuniste, Gjomarkajt, Mirakajt, Përvizët etj. Ato dy gra të moshuara janë shumë më tepër se dëshmi e vetëvetes dhe historive të tyre personale. Ato qenë të salvuarat e një fisi të tërë të përskutuar në Selitë, Gjikolajve, që ishin dhe krerët e bajrakut, internuar në Tepelenë ngaqë burrat e tyre kishin dalë kundër regjimit dhe ishin në mal në arrati. Më tej, ato janë vetëm dy nga mijëra gra shqiptare gjithashtu të ndëshkuara politikisht, me fëmijë, vëllezër e motra, kunetër e kunata, vjehërrí etj. Nuk ishin të dëgjuara si Liri Belishova, ishin gra pa ndonjë lidhje me politikën dhe nuk kishte kurrëfarë arsyeje që ato t’i përlante rrebeshi i diktaturës. Për të gjitha këto, më e pakta, a nuk e kanë merituar një “më fal” nga njerëzit e ish-kupolës komuniste? Na ka qëlluar të flasim me të huaj për këtë temë dhe ata nuk e kuptojnë se si mund të rrojnë në “harmoni” të përsekutuar e përsekutorë, pa u bërë drejtësi ligjore (e jo shpagim) për çka që ka ndodhur në komunizëm. Përkundrazi, sa herë bie fjala për diktaturën, përsekutimin e pashembullt, me shifra dhe fakte të panumërta, ngrihen zërat mbrojtës që si kundërpeshë rreshtojnë arritjet e vendit në atë kohë, duke na quajtur të njëanshëm nëse nuk do përmendim dhe punët e mira që janë kryer në atë përiudhë historike të shqiptarëve. Doemos, do të shënohen si arritje të popullit “vullnetar” apo të pakpaguar, po dhe të qeverisjes së kohës, një varg veprash bonifikuese, industriale, energjetike, hekurudhore, shëndetësore, arsimore, universitare, akademike etj., por këto nuk mund të mbulojnë frikën e përditshme dhe të përjetshme të njeriut nën atë regjim, depersonalizimin e tij nga shteti dhe “oktapodi” shumëkëmbësh i dhunës, ndjekjen dhe përndjekjen e intelektualëve që ishin diplomuar në Perëndim e të tjerë, duke ngritur në pedestal “njeriun e ri”, që nuk ishte tjetër, veçse një robot i Partisë. Për të kuptuar se sa anti-intelektuale ishte udhëheqja politike e asaj kohe, mjafton të shohësh përqindjen e pranimeve dhe antarësisë së Partisë, që për intelektualët në bazë dhe në institucione ishte as 1 përqind?! Vetëm në ushtri ishin anëtarë Partie nga kapterët e thjeshtë të magazinave te oficerët madhorë, të graduar politikisht e të zhgraduar ushtarakisht.

Po çfarë ka ndodhur gjithë këto vite? Ka folur vetëm Liri Belishova, Rrahman Parllaku apo Bedri Spahiu e rrallë ndonjë tjetër, si me thënë të goditurit e atij regjimi, por kanë ikur në atë jetë pa publikuar asnjë rresht anëtarët e KQ dhe të Byrosë Politike, sekretarët e parë e funksionarë të tjerë të lartë, ndërkohë që janë mbushur vitrinat plot me kujtime të drejtuesve të ndërmarrjeve ekonomike, kooperativave bujqësore, oficerëve të thjeshtë të ushtrisë, nëpunësve të djeshëm të rangjeve të ulëta, që për vetë pozicionet e tyre inferiore në administratën e shtetit nuk mund të dëshmojnë asgjë thelbësore për dikaturën. Kështu “gjyshërit” e diktaturës e kanë marrë atë me vete, me idenë që të mund të shpëtohet sa më shumë nga biografia e tyre. Ata nuk iu bënë gjithë këto vite asnjë “lëshim” nacionalistëve atdhetarë, që më në fund t’iu “jepnin” hakun, domethënë t’ua njihnin meritat që patën dhe ata në luftën kundër pushtuesit fashist. A thua se e vërteta do të varrosej bashkë me betimin e tyre për të mos lëshuar pe nga vija marksiste-leniniste e regjimit.

Por historia nuk mund të mbulohet. Nuk e bëri dot këtë as regjimi paraardhës i Zogut, gjithashtu i ngarkuar më barrën e disa vrasjeve politike të bujshme, gjer varjen në litar në Shkodër të ndonjë prifti si Dom Gjon Gazulli, ish-deputet. Askush nuk kërkoi falje as për këto gjëma, as trashëgimtari i Mbretit, Leka I, as ministrat e Oborrit, as funksionarë e politikanë të tjerë të lartë mbretërorë. Shqiptarëve nuk u është kërkuar falje as për plot tragjedi që u janë shkaktuar atyre nga politika dhe qeverisjet kinse demokratike të pas 90-s, që nga “2 prilli”, trazirat e 97-s e 98-s, “Otranto”, “21 janari”, “Gërdeci” etj., pa folur për abuzimet sistematike me pushtetin, si blerja e votës, korrupsioni shkatërrues, ndërtimet e paligjshme, zaptimi i tokave e trojeve, degradimi mjedisor, kanabizimi etj. Duam apo nuk duam, kemi një problem të madh politiko-moral të pakallur, që dhe pse kulmon me diktaturën, shtrihet përgjatë një shekulli, në një formë a në një tjetër. Nëse nuk u trajtua asnjëherë në rrugë ligjore, të paktën të mos mungonte ana njerëzore. Por jo, faljen ne vazhdojmë ta kultivojmë veç te fëmijët, a thua se ajo është një mësim për ta e jo dhe për të rriturit, duke harruar se fëmijët na shohin si sillemi e jo se çfarë iu themi…

PANORAMA, 4 maj 2018