Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Petrit Aliaj: Kush e pengon Bashkimin?

| E hene, 07.05.2018, 02:40 PM |


KUSH E PENGON BASHKIMIN E SHQIPËRISË ME KOSOVËN ?

Nga Petrit Aliaj

A e dinë vëllezërit tanë në Kosovë se lëvizja për ç’lirimin e kombit Shqiptar nga zgjedha       turke si edhe formimi i shtetit shqiptar lindën në Kosovë në qytetin e Prizrenit,atje ku u bë edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Jo rastësisht  ata që u përleshën në  demonstrata me rezistencën e pandalur të popullit shqiptar të Kosovës kundër sundimit serb, u shtypën me dhunë nga policia e u burgosën .

Në kërkesat e demostruesve,gjithmonë dominonte parulla “Kosova-Republikë”  “E duam flamurin kombëtar” “Duam bashkimin e trojeve shqiptare” e të tjera.

Këtyre kërkesave të ligjshme të popullit shqiptar të Kosovës,udhëheqja jugosllave aso kohe iu përgjigj me dhunë,derisa një ditë u mbush kupa... Ndërsa në Shqipëri me rënien e diktaturës,parrullave liri demokraci dhe,e duam Shqipërinë si gjithë Europa u ka dalë boja prej vitesh..

Të gjithë kemi votuar e dëshiruar për të ndërtuar shtetin e së drejtës si një armik i hapur i sundimit të ligjit e në antitezë me të ,ne po përballemi me shtete të korruptuara të cilat pjellin veç varfëri,diskriminim e pabarazi sociale, mos arsimim e injorancë,papunësi e imoralitet,humbje të personalitetit e integrimin e krimit me nxizjen e heshtjes.

Vetëm një qorr partiak,politikan ose tregtar interesash që ka zënë vend në foltoren e popullit e bën tregti me serbin,grekun e turkun,nuk ka nevojë për flamurin kombëtar.Këta shitës të interesave kombëtare nuk kanë nevojë as për gjuhën kombëtare,sepse flasin serbokroaten,një pjesë greqisht e të tjerë turqisht .. Pra shkurtimisht;interesat e tyre në ndarjen e fitimeve janë flamuri dhe ideali i pasurimit e jo gjuha dhe bashkimi kombëtar. Atëhere pse pengohet lëvizja e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës.Perse nuk e heqim murin e “Berlinit”Kosovë-Shqipëri ?

Ministri i Shqipërisë për diasporën Majko ka shpjeguar se;” bizneset nuk lejonë hapjen e kufirit me Kosovën e bizneset na thonë “prit, kujdes, mos hap kufirin, se më duhet mua konçesioni atje, mos ma hap kufirin se më ul mua çmimin e mallrave, nuk më duhet mua politika,..Pavarësisht se duket sikur po qeveris politika, gjithmonë e më tepër rregullin po e vendos biznesi.

Sikur ta vendoste në fokus të interesave ia kisha bërë hallall, por ngandonjëherë vendimmarrja nën lobingun e biznesit është për të qarë hallin dhe nëse ka një pamje të ulët të keq trajtimit që biznesi po i bën politikës është mos lënia e lëvizjes së lirë të njerëzve mes Shqipërisë dhe Kosovës, është në nivelin e krimit”.(07.01.2018.Emisioni Përballë.R.T.SH)

Duke ju kthyer kujtesës me reprezaljet që nisi makina ushtarake serbe për të shtypur protestat e për të vrarë ëndërrën e madhe e të përherëshme në Kosovë,morën rrugën mijëra të rinj të cilët organizuan një ushtri të rregullt(U.Ç.K) për ruajtjen e nderit,dinjitetit,gjuhës,flamurit ,familjes e identitetit shqiptar,tokës amë nga pushtimi serb. Të gjithë ata që veshën uniformën e luftëtarit u betuan përpara flamurit kombëtar me krenarinë e ligjëshme për të mbrojtuar jetën me fjalët;“Unë , ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre .Do të jem përherë ushtarë besnik, luftëtarë i denjë i lirisë,vigjilent, guximtar dhe i diciplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t`i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim , le të ndëshkohem me ligjet më të ashpëra të luftës dhe nëse tradhtoj , qoftë i humbur gjaku im . Betohem, betohem , betohem.”

Lind pyetja. Kush e ka shkelur betimin? Kush e ka tradhtuar atë ? Kush duhet të ndëshkohet për mos mbajtjen e këtij betimi e gjakun e derdhur në luftën për çlirim.Ku janë patriotët ?

.Patriotizmi nuk ka nevojë për brirë që të duket .Ai është baza e moralit”e nuk tregohet me kravatën e kuqe e plisin në kokë.me hartat e shqipërisë së madhe e as me të kënduarit “Xhamadani vija vija,është Kosova është Shqipëria”ose me refrenet “O sa mire me qënë shqiptar “

Patriotizmi i vërtetë kushton zotërinj. Kushton më shumë se U.Ç.K-ja e liria. Patriotizmi i vërtetë është besnikëria ndaj popullit tënd, përbetimi për flamurin ,gjuhën e trojet ..

-Edhe në preambulën e kushtetutës së Shqipërisë shkruhet konkretisht ;

Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit, vendosim këtë Kushtetutë.        Duke iu referuar kësaj kushtetute,kryeministri E.Rama u shpreh me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës në seancën e posaçme në kuvendin e saj se ; “Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë” 

Sigurisht kujt nuk i shkonte për shtat ky propozim sepse ju prekeshin interesat e shfaqën edhe kundërshti të cilën e quajtën si përçarje të Kosovës me Shqipërinë .Lexuesi ti gjykojë vetë ….e të mos flasim më edhe për tradhëtinë e shkrirjes së  UÇPMB.(Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc)

Lufta mbaroi .Filloi rindërtimi I Kosovës,dhe ata që kishin ardhur nga diaspora u kthyen përsëri në shtëpitë e tyre,ndërsa disa të tjerë prehen në tokën mëmë . --Fitimtarët i varën uniformat e tyre e morën me vehte me dekoratat që merituan mbasi Kosova nuk kishte nevojë më për ushtri e kështu në vitin 1999 ata filluan dorëzimin e armëve .

U.Ç.K-ja u fut në albumin e kujtimeve të çdo familje të prekur nga lufta e në çdo përvjetor ne urojmë,këndojmë e kujtojmë të rënët ndër beteja. Po sot ? Sot e kësaj ditë duket qartë se ata që qeverisin,janë edhe peng mbajtës për ndryshimin e kushtetutës,mbasi nuk u duhet ushtria,demarkacioni, Presheva,Bujanovski,Medvegja e Trepshja etj. Duket qartë se dëshira për bashkim me Shqipërinë është ftohur. Liderët e Kosovës kanë kohë që nuk flasin më për bashkim kombëtar e ky qëndrim vihet re ndjeshëm edhe në ftohjen e ndjenjave nacionaliste tek populli. Sigurisht ata janë më të qetë në qeverisje me praninë e forcave të NATO-s,dhe ato Amerikane. Ndërsa kur flasim për këshilltarët Europianë të cilët janë të ndarë më dysh për shkak të konjukturave të tyre të brëndëshme por edhe si rezultat i rritjes së rolit të Rusisë dhe  mbështetjes së saj pro Serbe,kjo Europë(B.E) po vendos kushte të cilat rrezikojnë integritetin territorial në Kosovë duke mos folur për 17mijë km katror që Greqia i ka rrëmbyer Shqipërisë.                                                                                                            Me zhvillimet e fundit të lëshimeve të bëra nga elita Kosovare me Malin e Zi e Sërbinë po vertetohet se këta nacionalistë me ardhjen e tyre në pushtet kanë nisur të “avullojnë”e kanë mbyllur gojën ,janë të shpërqëndruar e të stepur për faktin se bashkimin me Shqipërinë e shikojnë edhe si një rrezik të lirisë së tyre ekonomike,minimizim e pushtetit dhe koston e bashkimit.

Ngritja e zërit të protestave kundër kësaj gjëndje të pa pranueshme,të këtij organizimi shtetëror që i ngjan principatave feudale të mesjetës ku na la sundimi otoman,e sigurisht edhe Europa është zgjimi i ynë .

Disa ditë më përpara me disa miq të mij nga Gjermania ,Zvicra,Kosova e Italia,morëm rrugën për në Athinë në një takim bashkëpunimi e lobimi me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Greqi për tu bashkuar në qëllime e veprime konkrete kundër shpërfilljes shtetërore për të kontribuar në proçeset politik bërëse e zhvillimin ekonomiko-shoqëror të shqiptarëve.

Sigurisht në rrugëtimin tonë na u desh të kalonim kufirin Itali –Shqipëri ;Shqipëri-Kosovë ,Kosovë-Maqedoni dhe Maqedoni-Greqi. E anasjelltas.

Në të gjitha pikat kufitare kaluam lehtësisht ,qetësisht,pa rrallë e pa pyetje .E jo rastësisht në të gjitha këto kalime na përshëndetën shqip.Vetëm në pikën kufitare Shqipëri-Kosovë kishte rrallë autoveturash e kamionësh nga të dy krahët si një absurditet i mos marrëveshjeve ndërshtetërore,ku edhe na pyetën ,na kontrolluan pashaportat,dokumentat e makinës e na shikonin në sy sikur të mos ishim shqiptarë. Dikush duke pritur në rrallë e lidhi këtë parregullsi me mungesën e kulturës dhe të respektit që tregojnë policia dhe doganierët në të dy krahët …por jo,kjo është rezultat i asaj që pjell një shtet burracak i cili po na bën të na përzihen zorrët e barkut nga paftësia e ligësia.Ora e një kombi të cilivizuar ka mbetur pa u kurdisur që më 1913 duke festuar një paradoks me dy pavarësi .A ka ardhur koha që ne shqiptarët të kthehemi në identitet ?

.. çonju shqiptar o prej gjumit çonju. Të gjithë si vëllazën me nji besë shtrëngoni. Mos shikoni kisha e xhamija. Feja e shqiptarit është Shqiptaria.