E premte, 19.04.2024, 12:28 AM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Elegji për lumenjtë tanë

E enjte, 03.05.2018, 08:22 PM


ELEGJI PËR LUMENJTË TANË

NGA NDUE DEDAJ

Nuk ka forum mjedisor që mblidhet në Lezhë dhe nuk ligjëron për Drinin thekshëm, për faktin e trishtë se “Drini i Lezhës” nuk është më një lumë, por një kanal i madh, që nuk rrjedh, por vegjeton mes leshterikëve. Nuk është prej gjysmë shekulli një lumë i qarkullueshëm, që përtërin e pastron veten, përkundrazi në atë gjendje që është, ndot mjedisin. Kot nuk thonë që një ujë që nuk ecën, nuk pihet! Jakov Xoxa sikur e kishte parandjerë rrezikun më kohë, me “Lumin e Vdekur”, që tash nuk i përket vetëm letërsisë, të kaluarës myzeqare, por të sotmes gjithandej Shqipërisë. Drini e mori teposhtën që kur u ndërtua hidrocentrali i Vaut të Dejës dhe nuk u lejua më që në krahun e Lezhës të rridhte asnjë pikë ujë, duke e kaluar të gjithin nga Shkodra, duke bërë që njëri qytet të ishte i nënës dhe tjetri i njerkës. Ndërkohë që me mundësitë që ofron sot hidroteknika Drini do të ishte bërë një lumë lundrueshëm në pjesën e tij fushore. Si për të mos e harruar lumin emblematik të shqiptarëve, një grup intelektualësh të bujqësisë pranë Bashkisë së Lezhës boton gazetën “Drini” me problematika të mprehta social-ekonomike, agrare e hidroteknike të rajonit e më gjerë. “Pa Drinin do të vdesin një ditë dhe lagunat e mrekullueshme te Kunës dhe Vainit”, thërrasin specialistët e mjedisit, aq më tepër që deti po përparon drejt tokës, duke gllabëruar sot e nesër sipërfaqe të majme të saj. Se çfarë mund të bëjë deti i “papërgjegjshëm” e tregon plazhi i Patokut që është zhdukur i tëri në një hark të shkurtër kohor, edhe për faktin se derdhja e lumit Mat aty është nga më të shformuarat, duke përlarë tokën në të dy anët nga Miloti në Patok. Fjalën i papërgjegjshëm për detin qëllimisht e vumë në thonjëza, për të treguar se i tillë në të vërtetë është njeriu që ka barrën ta miradministrojë këtë pasuri natyrore. Ai e ktheu Lanën në një “lumë të vdekur” të tranzicionit, ashtu siç po ai më pas e shndërroi në një perlë mjedisore të denjë për një kryeqytet.

Vetëm ne ia njohim vetes të drejtën për shfytyrimin e natyrës, duke i trajtuar lumenjtë si kanale, që mund t’ua ndërrosh rrjedhën sipas vullnetit të oligarkive të ndryshme, gjithnjë me bekimin e pushtetit. Askush nuk mund ta përligjë faktin që sot lumi Fani i Vogël në 25 kilometra gjatësi nga Repsi në Rrëshen nuk është më lumë, ka mbetur vetëm shtrati i tij i thatë, pasi uji është devijuar me anë të një tuneli, në Fanin e Madh, për llogari të hidrocentralit të Qafë-Mollës, ndër më të mëdhenjtë e vendit, një konçesion turk. Edhe kur duam të bëjmë ndonjë të mirë në dobi të lumenjve e liqeneve, si duket nuk është e thënë të na ecë. Kështu pista e biçikletave përreth liqenit të Belshit u mbulua nga ujë, ngaqë ishte llogaritur më poshtë se niveli i tij. Edhe punimet mbrojtëse të një përroi në Kavajë u shembën pa u bërë viti, duke i bërë specialistët të thonë se bashkitë e vogla nuk e kanë kapacitetin teknik për të bërë vepra të tilla.

Problemi më i madh i lumenjve nuk janë vetëm gërryerjet për inerte, por dhe plehrat që nisin nga Alpet e përfundojnë në Adriatik, duke shkuar deri në Kep të Rodonit, që është një nga vendet turistike e historike. Bukur që aty u hoqën plehrat, gjatë një aksioni me pjesëmarrjen e vetë ministrit të Mjedisit, por puna është të parandalohen që te “burimi”, aty ku nis ndotja, nga një shishe plastike, a një dorë kockash pas një dreke të shijshme me mish keci. Ashtu siç është një lemëri ndotja e liqenit të Fierzës në Kukës, ko mbetjet vërshojnë që nga Kosova pa “doganë”. Kronikat televizive japin protestën e banorëve të Shkozetit, kanali i ndotur i të cilit është kthyer në kërcënim për jetën e tyre. Ka sigurisht dhe shembuj pozitivë, por që ende nuk janë mbizotërues. Bashkia dhe prefektura e Dibrës, në javën e pastrimit të lumenjëve, pastruan lumin e Bellovës, përndryshe i Llixhave, në gjatësinë nga Rapdishti në Dohoshisht me duar dhe me mjete të rënda. Nuk mund të jetë vetëm sezoni turistik për ta pastruar territorin e vendit. Çeshtja është krijimi i kulturës qytetare për të qenë të gjithë, i madh e i vogël, shërbetorë të mjedisit. Dhe natyrisht problemi që zien prej kohësh, në të gjitha ligjërimet lokale e kombëtare, është betonizimi/hidrocentralizimi i lumenjve, që po i shtie ata në tokë për së “gjalli”, një e nga një, ditën për diell, në sy të të gjithëve. Si një “mallkim” që nuk mund ta ndalë askush. Me sa duket as Europa. Revista “Monitor” publikon një reportazh mbi lumin e Valbonës, që tregon “statusin” e ri të luginës së famshme, atë të betonizimit të lumit për të prodhuar energji elektrike. Vërtet Migjeni ka kërkuar që të ketë dritë mbi male, por jo në këtë mënyrë, duke zhdukur peisazhin, korijet, pemët, lëndinat, krojet, domethenë atë që është indentiteti alpin.

Lumenjtë e vendit nuk i kishim qelibar as dje, përkundrazi jo pak prej tyre qenë ndotur nga dambat e fabrikave dhe uzinave të bakrit, kromit, bitumit, puset e naftës etj., duke ngordhur peshqit dhe helmuar bimët në ara. Humbja tragjike e burimeve ujore mund të kuptohet dhe nga një fakt i “vogël” i së kaluarës. Shumë vite të shkuara, në emër te realizimit të planit të mineralit me çdo çmim, shpërthimi i minave në thellësitë e nëntokës së një miniere shterri ujin e disa krojeve, duke i lënë jo vetëm bashtinat përreth të thaheshin, po dhe vetë punëtorët e minierës pa ujë të pijshëm. Sot miniera nuk është më, as bakri që “çante” bllokadën, ama janë banorët e një brezi tjetër, që nuk e dinë se vendi i tyre kishte qenë fort i begatë me ujëra, por pati hyrë atje poshtë “kulshedra” që shpërthnete çdo ditë si një tërmet duke i lënë ata pa pikën e ujit! Kjo nuk është një legjendë dhe nuk ka ndodhur vetëm në një minierë, por gjithandej nëpër Shqipëri, ku duke dashur të vëmë vetullat, kemi nxjerrë sytë... Janë lumenj që na vijnë që nga kohërat e largëta ilire, arbërore, çka do të thotë se nuk na përkasin vetëm neve. Të parët tanë na i sollën të paprekur dhe ne duhet t’ua përcjellim atyre që do të vijnë. Lumënjtë kanë “shpirt” dhe ashtu të shpirtëzuar na vijnë në mitologji, gojëdhana, përralla, poezi, nga vjersha e famshme noliane “Anës së lumenjve” gjer te poema bashkëkohore e poetit Skënder Buçpapaj, “Shkumbini”: “Lumi im i parahershëm/ Lumi im i përjetshëm”.

Nisur nga fakti që lumenjtë, liqenet, detet janë jo vetëm pasuri kombëtare, por dhe botërore, po të na dëgjohet fjala, do të kishim propozuar që ndër kushtet kryesore të vendit tonë për t’u pranuar në BE të ishte marrëdhënia “njerëzore” me natyrën. Se, po u ec kështu, kur njeriu shqiptar të kthjellohet një ditë, nuk do të ketë se ku të bëjë plazh, rafling, vozitje me varka etj., pasi lumenjtë do të kenë “vdekur” të gjithë dhe natyra pa to do t’i ngjante një shkretëtire.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora