E marte, 16.04.2024, 07:27 PM (GMT+1)

Mendime

Florim Zeqa: Sistemi presidencial forcon shtetin

E hene, 30.04.2018, 08:07 PM


Kalimi në sistemin presidencial, forcon sovranitetin e shtetit!

Shkruan: Florim Zeqa

Sistemi Presidencial dhe zgjedhja e presidentit të shtetit drejtëpërdrejt nga populli (ide e kamotshme e presidentit historik Ibrahim Rugova) do t'u jepte fund bllokadave paszgjedhore dhe mënyrës së kontrabandimit të postit të presidentit të shtetit nga partitë politike.

Reforma e ashtuquajtur zgjedhore e filluar në vitin 2010, e bllokuar nga qeveritë e kaluara dhe e harruar së fundmi nga pushtetarët aktualë duhet të ri-inicohet nga deputetët e kësaj legjislature për të shpëtuar vendin nga katandisja e mëtutjeshme.

Ndryshimi i Kushtetutës, përkatësisht ligjit dhe akteve nënligjore që mundësojnë reformën e mirëfilltë zgjedhore për kalimin nga sistemi parlamentar në atë presidencial, përveqse imperativ i ngutshëm kohorë, ka si mbetur e vetmja zgjidhje për nxjerrjen e vendit nga kolapsi i një sistemi të dështuar qeverisës 19 vjeçarë

Ngjashëm, sikurse zgjedhja e presidentit nesër, zgjedhja e kryetarëve komunal me votë të drejtëpërdrejtë nga populli, është modeli më i mirë i kalimit në sistemin presidencial.

Sistemi presidencial paraqet çelësin e evitimit të ngërçeve politike dhe krizave artificiale paszgjedhore të paraqitura në mënyrë serike në Kosovën e pasluftës!

Sistemi presidencial automatikisht krijon premisat e dy blloqeve të forta parazgjedhore, respektivisht bipolarizimin e skenës politike, gjegjësisht krahun e djathtë dhe të majtë apo krahun e qëndres së djathtë kundrejt krahut majtist (social, socialdemokrat, pse jo dhe komunist të qëndres së majtë).

Përderisa në sistemin parlamentar mundësia e manipulimit me zgjedhjet është jashtëzakonisht e madhe, në sistemin presidencial zvogëlohet në minimum ajo mundësi, pasi vota e sovranit (qytetarit) është vendimtare në përcaktimin e kaheve qeverisëse të vendit.

Sistemet presidenciale janë forma të paraqitjes së demokracisë reprezentative që dallohen nga sistemet e regjimit parlamentarë, pasi që tek këto forma fuqia politike mbi anën ekzekutive nuk paraqitet nga parlamenti por nga presidenti i shtetit të pavarur i cili është (do të jetë) edhe komandant suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

E veçanta e sistemit presidencial është zgjedhja e presidentit nga ana e popullit. I zgjedhuri e lidhë në vete funksionin e kryetarit të shtetit dhe të kryetarit të regjimit dhe nuk mund të shkarkohet nga këto detyra nga ana e parlamentarëve, pasi nuk ka veto parlamentare në këto sisteme qeverisëse.

Presidenti edhe pse nuk ka të drejtë iniciative për nxjerrjen e ligjeve, e ka të drejtën e vetos kundër parashtrimit të ligjit nga ana e parlamentarëve. Asnjë anëtarë i anës ekzekutive nuk ka drejtë të i takojë anës legjislative të sistemit në të njëjtën kohë.

Presidenti është fuqiplotë në anën ekzekutive dhe kontrolluese të institucioneve shtetërore.

Modeli francez i sistemit presidencial, i përshtatshëm për Kosovën

Parlamenti i Francës është legjislaturë dydhomëshe e formuar nga Asambleja kombëtare (Assemblée Nationale) dhe Senati. Deputetët e Asamblesë Kombëtare zgjedhen me votë për një mandat 5 vjeçar. Asambleja ka fuqi që të shpërbëjë kabinetin, kështu që shumica në Asamble vendosin për zgjedhjen e Qeverisë.

Senatorët zgjedhen nga një komision zgjedhor për një mandat 6 vjeçar , dhe gjysma e ulëseve vendosen me zgjedhje çdo 3 vjet. Fuqitë legjislative të Senatit janë të kufizuara; në një mosmarrëveshje midis dy dhomave, Presidenti i Francës, i cili njëkohësisht është dhe President i Shoqëris Franceze, i zgjedhur nga populli, me shumicën e tij.

Po që se në përzgjedhjen e parë, kandidatët nuk e arrijn shumicën, atëherë për përzgjedhjen e dytë nxirren vetëm kandidatët që kanë fituar shumicën nga përzgjedhja e parë.

Presidenti është kryetar i shtetit, është gardian i kushtetutës dhe e siguron aktivitetin e punëve publike dhe kontinuitetin e shtetit nëpërmjet fjalës gjykuese të tij.

Presidenti në marrëveshje me kryetarin e këshillit  të ministrave (kryeministrin) dhe kryetarin e parlamentit (kryeparlamentarin)- mund të shpërbëjë parlamentin. Presidenti është kryekomandant i forcave të armatosura, kryeson marrëveshjet dhe kontratat ndërkombëtare dhe në raste të gjendjes së jashtëzakonshme është me fuqi plotë në gjitha aspektet pa kufizim.

Funksionimi i parlamentit në sistemin presidencial

Modeli francez i sisteminit presidencial qeverisës, i adaptuar për rrethanat e Kosovës do të ishte model i suksesshëm, i cili do të garantonte stabilitet politik dhe mirëqeverisje të vendit.

Përfaqësimi në parlament bëhet sipas fuqisë elektorale, e jo si deri më tani (me kontrabandim të deputetëve në Kuvend). Kompetencat ekzekutive i merr presidenti bashk me politikën e jashtme, ndërsa kryeministri merret më shumë me çështjet e brendshme organizative, si; Ministrinë e Punëve të Brendshme, pastaj Ministrinë e Arsimit, të Shëndetësisë, Kulturës , etj.

Sistemi presidencial garanton më shumë stabilitet qeverisës dhe pavarësi më të madhe për institucionet e pavarura në vend; si bie fjala; sistemin e drejtësisë (pavarësimin e plotë të prokuorive dhe gjykatave,...si dhe ajo çka është më kryesorja garanton pavarësi më të gjërë të institucioneve shtetërore edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare, gjegjësisht përfaqësitë diplomatike të akredituara në vendin tonë.

Republika Parlamentare, dështim i demokracisë

Sisemi parlamentar, gjegjësisht Republikat parlamentare nuk janë treguar të suksesshme në zgjidhjen e krizave politike paszgjedhore shkaku i polarizimit të skajshëm të skenës politike.

Probleme të kësaj natyre janë shfaqur dhe po vazhdojnë të manifestohen kriza të thella paszgjedhore edhe në shtetet më të zhvilluara si; Gjermania, Italia, etj,...e të mos flasim për Kosovën me një demokraci të brishtë paralamentare.

Jo vetëm për zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejt nga populli, por edhe për shumë arsye të tjera, legjislatura aktuale e Kuvendit të Republikës së Kosovës e ka për detyrë të themelojë një komision të pavarur (jasht) parlamentar, të përbër nga ekspert të fushës juridike për të ridizajnuar kushtetutën e vendit konformë kërkesave të kohës, për çuarjen para të proceseve demokratike dhe përmbylljen e sovranitetit të shtetit me formimin e ushtrisë-Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Kushtetuta aktuale e bazuar në të ashtuquajturën "Pako e Ahtisarit", është bërë pengesë serioze e formimit të ushtrisë dhe pengesë e vendimarrjes në Kuvend. Ndryshimi i ligjit, përkatësisht rregullimi i një ligji për heqjen e votës së dyfisht (vetos) të serbëve në parlament, i cili i largon përfundimisht vargonjët serb nga qafa e Kosovës.

Për më shumë se kaq, përfundimisht Kosova, "De Jure" dhe "De Facto" e merr formën e shtetit sovran, me organizimin e ri të Sistemit Presidencial në njërën anë dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës në anën tjetër, shteti ynë do të bëhej partner i fuqishëm politik dhe ushtarak i Aleancës Veriatlantike, përkatësisht NATO-s dhe SHBA-së, si garantuesin më të fuqishëm të lirisë dhe pavarësisë së shtetit tonë.

Përfundimisht, sistemi presidencial i qeverisjes së vendit, do ta nxirrte Kosovën nga "çarku i mbyllur" politik. Kjo, përveqse do të pamundësonte kontrabandimin e postit të presidentit nga partitë politike vendore, do të pengonte edhe ndërhyrjet e tmerrshme nga jashtë, siq ishte rasti i zgjedhjes së presidentes përmes zarfit në vitin 2011, dukuri kjo e paprecendent në vendet e lira dhe demokratike!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora