E merkure, 24.04.2024, 05:27 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Ai fitoi!

E diele, 29.04.2018, 01:07 PM


Nga Fritz RADOVANI:

INSTITUTI  PEDAGOGJIK  SHKODER

ME  29 PRILL 1967, ORA 17.00…

AI  FITOI !

Ditë e paharrueshme në historinë e qytetit të Rozafës së thinjun.

Ashtu ndodhi, si kishte parashikue At Mëshkalla. Atë ditë u organizue një mbledhje e Frontit të Lagjës “Tre Heronjë”, në Institutin Pedagogjik Shkoder, për “demaskimin” e veprimtarisë fetare të klerikut At Pjetër Mëshkalla. Kishte tri a katër ditë që binte në sy një grup rojesh, që silleshin rreth shtëpisë së Tij. Mbasdite Ai doli nga shtëpia rreth orës 16.45’, me mërrijtë në mbledhje në orën e caktueme qysh në mëngjez. Dy civilë të Sigurimit e pyesin: “Në mbledhje je nisur?” dhe, Ai i përgjegjet –“Po!”-. Bashkë me disa të tjerë Ai hyni në Institut, ku përgjithësisht të gjithë ishin me ftesa. Në sallë nuk hyhej lirisht, aty zakonisht hynin të zgjedhunit dhe të “porositurit” që do të flisnin si dhe duertrokitësit e njohun ndër këto mbledhje të Gjenocidit të vertetë.

Hymja e At Mëshkallës në sallë u kuptue nga heshtja që ra aty, po edhe nga ata që ishin jashtë në rrugë, mbasi në altoparlant u dëgjuen fjalët: “Qetësi, shokë, ...qetësi!”. Foli drejtuesi formal i asaj mbledhje Luigj Shala, sigurisht, i zgjedhun nga Partia, dhe mbas tij vazhduen diskutantët e përzgjedhun në të gjithë Shkodrën, me lexue diskutimet e fyemjet e përgatituna nga mendjet e “ndritura” të pseudointelektualëve, që punonin me ditë të tana për këto mbledhje. Mbledhja drejtohej nga një presidium i përbamë nga Luigji, Vat Deda, Arif Gashi dhe Palok Kraja, që mbajti edhe referatin e hymjes. Filluen mbas tij diskutimet e zjarrta kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste edhe At Mëshkalla. Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu Jup Kastrati. Ky ishte i porsazgjedhuni “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjes së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luejtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue edhe librat e artikujt që ka kopjue e botue në emnin e vet.

Mbas tij e mori fjalën mjeku Ramiz Hafizi që u mundue me shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por At Mëshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli, së cilës në fund të diskutimit i shtërngoi dorën dhe e përgëzoi Shefik Osmani, për fjalët e “bukra” që shprehi në drejtim të At Mëshkallës. U “duartrokitën” edhe diskutimet e Luçije Gerës, Dedë Kullës, Mandica Jovani  etj. Nga salla u ndigjue zani i Vasil Kafesë dhe Xhemal Dinit, që pyeti At Mëshkallën: “Ti i ke shkrue Kryeministrit për Inkuizicionin, çka ke dashtë me thanë?” - At Mëshkalla, me qetësinë e Tij, iu përgjegj: “Shif fjalorin se ka shumë kuptime, ti merr cilin të duesh!”...

Asht kërkue me folë aty edhe mjeku Kolë Pepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kanë pranue. Mark Temali, kur asht kërkue me i dorëzue diskutimin Halit Isufi (drejtor i Gjimnazit), ai nuk e ka marrë se: “E kam pasë mësues At Mëshkallën dhe nuk mund të flas kundër Tij, sepse, nuk nderoj figurën e mësuesit me folë në këte moshë kundër mësuesit tem”. Për të dy Xhemal Dini, sekretar i Komitetit të Partisë, ka njoftue Degën e Mbrendshme: “Me pasë në kujdes qendrimin e tyre...”.

Për me formulue akuzën ndër këto mbledhje u jepej fjala edhe klerikëve, që nesër me thanë: “E dëgjuat se çfarë tha kundër Pushtetit? Ne nuk arrëstojmë njeri pa fakte!”, dhe kështu u veprue aty edhe me  At Mëshkallën. Kryetari i dha të drejtën e fjalës.

Ai doli para auditorit dhe porsa iu afrue podit të konferencierit, tha këto fjalë:

?“Ah, sa mirë që po më jepet rasa me folë njëherë para popullit me altoparlanta!

Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që po flas prej një vendi ku kam mundësi me iu drejtue popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe. Qellimi em ka kenë gjithmonë i mirë...me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!... Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Muslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një ZOT, jemi të një gjaku sepse, jemi të gjithë Shqiptarë... Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça e nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini servile e hipokrite, që nesër nuk do t’ju durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafët, e një ditë ka me ju hangër kryet... Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni...

Unë e kuptoj mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vu fëmijëve para me hangër, sepse të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës... Kjo asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të shtetit, kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij... Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi...

Ju i përgjithësoni veprimet, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por ju harroni se shka jeni tue ba në Shek.XX... Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri Feje e ndërgjegje....Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija... Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot  këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!” (Teksti asht marrë nga z. Nikolin Muzhani 1991).

U ndigjue një za nga salla, ishte “shoku” Xhemal Dini: “Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” – At Mëshkalla Ju përgjegj: “Digjeni edhe ju që sonte, se ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e forcohet!

Shqiptarët nuk e djegin Ungjillin, këte e them si Shqiptar që jam, mbasi kur kam le kam pasë vetëm një emën, ky ishte emni SHQIPTAR, se linda nga prind Shqiptarë. Mbasi u pagëzova me emnin Pjetër, më quejtën edhe Katolik, pra, ma parë jam kenë Shqiptar, mandej kam marrë Sakramendet tjera dhe u bana Ushtar i Krishtit dhe i Papës, Mëkamësit të Krishtit në tokë. Emni i parë që kam marrë në këte tokë dhe e kam mbajtë me nder, asht kenë emni Shqiptar dhe derisa të vdes do të jem SHQIPTAR!

Unë i përkas  Popullin tem, se ai me njeh mirë dhe e di sa kam ba unë për té, por ai  mos harroni se ju njeh mirë edhe ju!”...

Nga vendët e para u çue në kambë xhelati i njohtun i Sigurimit Xhevdet Miloti (që ishte edhe Shef i Seksionit Katolik në Degën e Punve të Mbrendëshme të Shkodrës), e tue u ngërdheshë i vuni prangat. Parase të hynte At Mëshkalla në gjips të Sigurimit që priste tek dera, Xheudet krimineli e shtyni me shqelm...

Mbas Gjetsemanit përsëri Kalvar,.... Kalvar i pafund ishte për Klerin Katolik Shqiptar rregjimi komunist! Çohej e rrëzohej, gjakosej, dërmishej e pështyhej, rrahej e torturohej, varrosej për sëgjalli, mbytej e pushkatohej, tretej nëpër zallishta e shkurre me coftina. Fluturonin në qiellin e zymtë korba e sorra me copa mishi, zhguni e veladoni në skjep, e askush në Botë nuk mori një “leckë” me Ua fshi fëtyrën e pastër këtyne Martirëve kaq të mëdhaj, të këtij Populli kaq të “vogël”!

Shikonte Europa... e bante sehir! Ndokush... edhe zgërdhihej!..

Pak ditë para se të arrëstohej At Mëshkalla, shkoi në një familje dhe porsa hyni në atë shtëpi, plaka që po mbante një nip të vogël (L.K.L.) në dhomë, i tha: “Qyqja, mor Padër, nuk di si flet kështu kundër këtyne, sa mirë nuk ke frikë... Sa trim je !?...”

– Ai ju përgjegj: “Unë nuk jam trim, po unë po të pyes dishka, ba me ardhë dikush e me të thye shtëpinë dhe me kërkue me të marrë djalin e vogël, shka ban ti?” –“Prite Zot!...”-tha plaka- “as unë nuk e di shka baj për këtë djalë!...”

–“E pra, kështu asht edhe puna eme, komunistët duen me më marrë Krishtin, që unë e kam në shpirt e në zemër, unë nuk do t’ ua lëshoj për sëgjalli!”.

Kësaj fjalë Ai i qëndroi deri në fund...

***

30 prill 1967, ora 08.00. Oficeri pyetës asht Llambi Jegeni, asistues Skënder Myftafaraj. Në kontrollin që u ba në shtëpinë e tij asistoi oficeri kriminel Dhimitër Shkodrani. Arrestimi dhe kontrolli i shtëpisë u ba me urdhën të prokuror Faik Minarollit.

19 korrik 1967. Ditë e nxehtë si ditët e korrikut në Shkodër, që me gojën e popullit thirrëshin “djegagurë”, pra me plasë edhe guri nga nxehtësia. Hapet gjyqi dhe jepet vendimi me 10 vjet heqje lirije, punë të detyrueshme dhe konfiskim të pasunisë...

At Mëshkalla iu afrue mikrofonit, rregulloi koletin e këmishës dhe tha fjalën e fundit:

“Ju më dënoni sa të doni mbasi mue nuk keni shka më bani. Unë prapseprap do të dal sepse ju, shpejtë keni me mbarue mbasi shoshojnë keni me hanger e aty, asht fundi i juej. Feja e Krishtit nuk mbaron kurr!” (Dosja 4191|1 Arkivi M. M. Tiranë, 1998).

Prof. Arshi Pipa shkruan për At Mëshkallën: “...Por, 25 vjet burg ndër burgjët staliniste, peshojnë ndoshta edhe ma randë në kandarin e martirizimit, se pushkatimi”.

At Pjeter Mëshkalla ia mbërrijti asaj ditë që pat profetizue ma parë.

Ai  pa me sy shka paralajmëroi. Diktatorët me të vërtetë hangrën kokat e njeni tjetrit dhe Atij nuk patën shka me i ba.

Ai dhe Ideali i Tij FITOI !

Melbourne, Prill 2018



(Vota: 13 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora