E enjte, 28.03.2024, 04:25 PM (GMT)

Kulturë

Suzana Kuqi: Aborti ...

E diele, 14.09.2008, 06:50 PM


Suzana Kuqi
Suzana Kuqi

Aborti ...

Po të kthej kokën prapa shoh mjaft turra drush ku kam djegur shpirtin tim për gabimet që kam bërë. I kam ndezur , jam përcëlluar në to e pastaj janë fikur e unë ngadalë jam ngritur e kam shëruar plagët e mia.Nuk i kam ulëritur qiellit, nuk kam shkelmuar dallgët e jetës nga dhimbja që kam provuar. Duke gabuar mëson shpejt të mjekosh plagët e tua... Por... më ka ngelur një, një turrë drush që digjet ende e më mundon , e me kalimin e kohës jo vetëm që nuk është shuar, por ka momente që flakët e saja ngrihen aq shumë sa më mbulojnë e më zënë frymën... aborti...Ato flakë jo vetëm djegin, është i çuditshëm zjarri i druve të shpirtit, ato flakë edhe flasin, ndoshta nuk kanë nevojë të ulërasin , ulëret shpirti im, ato pëshpërisin me tinguj ajri e më thonë se ... kam shkelur ligjin e jetës, kam shkelur mbi paktin e krijimit që natyra e Zoti kanë bërë me gruan, kam shkelur mbi dashurinë për jetën...
Shumë gra kanë abortuar në kohën time. Shumë gra që justifikoheshin se atë kohë nuk kishin me se i ushqenin fëmijët e shumtë me ato rroga që nuk dilnin as për të mbajtur frymën. Shumë fshatare e punëtore të cilat provokonin aborte në mënyra primitive e ku rrezikonin të linin kokën , pasi shteti nuk i lejonte por nuk bënte asgjë për parandalimin e shtatzanive të padëshëruara, sepse i duheshin skllevër për të ndërtuar socializmin e ushtarë për t'a mbrojtur.Aq i bënte atij se si do t'i rrisje. Por unë...
Nuk di se si mu fiksua se nuk e doja atë fëmijë, e kur një gruaje i fiksohet një gjë...Asnjë arësye e justfikueshme, vërtet fëmija im i parë ishte ende i vogël , por ky nuk është justifikim. Thonë është djalli që të shtyn, e mund të justifikohem edhe unë me të.Por nuk ishte djalli, sepse nëse ai vepron, duhet të veprojë në magjinë e shpirtit tim. Por unë e kisha mbyllur atë, e kisha fshehur e kyçur diku thellë dhe e mbajta mbyllur atje kur bëra atë marrëveshje me gjinekologen e maternitetit që njihja, ajo e trokitur në derë të maternitetit pas orës së mesnatës.Dhe mbylla sytë e mij e ato të shpirtit kur u shtriva në atë shtrat e ua dorëzova atë embrion atyre hekurave të mprehta e gëlltisja rënkimet e dhimbjes fizike tek më shkeputnin nga trupi atë copë të mishit e të jetës sime... me mendimin që të mbaronte sa më shpejt e të shkoja pranë mrekullisë me fytyrë engjëlli që më priste në shtëpi... Pa menduar se ç'mrekulli kisha lënë të vdiste aty...Kur u ngrita e mpirë nga shtrati dhe me këmbët që mezi më mbanin , gjinekologja më thirri :
- Ja tek është, shikoje.. .
Dhe unë pashë në një fund legeni të ndyrë, aq të ndyrë sa mund të përdorej për të pështyrë në të, diçka të vogël, një copë mishi të përgjakur e cila dukej si një qershizë e vogël, e destinuar të hidhej e të shkarkohej në nevojtore.Fruti i dashurisë e trupit tim... U ktheva me rrëmbim e dola jashtë, nuk doja t'a shihja , doja të ikja të rrëmbeja në krahë vajzën time e ... të harroja... E çuditëshme edhe kjo punë e shpirtit , kur don të harrosh një gjë , e harron për momentin, ose janë gjëra që të bëjnë aq keq po t'i mendosh sa vetë ai për t'u mbrojtur , i ul qepenat e nuk të len të shikosh...

Erdhi dhe fëmija i dyte, ishte djale. Këtë herë asnjë fiksim, mendimi se duhen dy fëmijë , ishte më se i mjaftueshëm .Janë gjëja më e bukur që mund t'i ndodhë një gruaje, që e plotëson shpirtërisht e fizikisht atë. Hera herës tek i shihja aq të mrekullueshëm, e ndjeja atë gëzim e lumturi që më dhuronin ato doçka e buzë të vogla, ato cicërima të ëmbla të pafajshme e njëkohësisht inteligjente që i kanë vetëm fëmijët, përfytyroja një të tretë ndërmjet tyre. Dhe në mënyrë te pavullnetshme i bëja pyetjet vehtes : si do të kish qenë ajo mrekulli, kish qenë djalë apo vajzë, në ç'ngjyrë do t'i kishte sytë, po flokët... po zërin a do t'a kish po aq të ëmbël sa të motrës apo vëllait... Si do të ndihesha unë kur të më përkëdhelnin edhe një palë doçka të tjera, e dy buzë të vockëla do të më cicëronin e do të më ceknin lehtë faqen... E diçka më sëmbonte zemrën, diçka e mprehtë, e dhimbshme, torturuese. por më kalonte shpejt, nuk kisha kohë për gjëra të tilla , jeta të merr në vrullin e saj ...
Ishte një shtatzani tjetër ... dhe isha e gëzuar.
Mendimi se e doja medoemos këtë fëmijë ... e doja dhe pikë. Kur ja thashë tim shoqi , më pa në sy e nuk më foli.Nuk kish nevojë të fliste , flisnin sytë e tij, ishin të mbushur me ankthin e frikës se mos ndërroja mendje. Nuk kisha dashur t'a bëja abortin e parë... edhe se nganjëherë e marr inat që nuk këmbënguli më shumë , të më kishte mbyllur në dhomë, të më kishte lidhur atë natë...C'them dhe unë, ka perëndi të më lidhë mua ... të lidhë një grua...
Nuk do ta harroj lumturinë e atyre javëve, brenda qenies sime rritej një fëmijë, mishi e gjaku im, shpirtin do t'ja dhuronte Zoti, e Zoti do të mendonte për fatin e tij. Vajza me djalin , kishin atë moshë ku magjia e bukuria e shpirtit dhe e qenies së tyre shpërthente nga çdo pore e tyre e më mrekullonte . Isha bërë e ndërgjegjëshme se për gruan , për nënën, nuk është e vërtetë ajo thënie se njeriu nuk ngopet me para, ajo pjesë e shpirtit të saj që dashuron marrëzisht jetën nuk ngopet dot me fëmijë...Ditën i lija rrugë të lirë fantazisë, natën përkëdhelja lehtas barkun tim, ai ishte aty dhe i pëlqenin përkëdhelitë e mia, e dija se ai i ndjente e i kërkonte ato, kërkonte atë siguri e ngrohtësi që vetëm dora e nënës din të t'a japë, e unë isha e lumtur që ja dhuroja atij, atë lumturi që ndjen një grua kur jep dashuri...ashtu siç din t'a dhurojë vetëm ajo...Nuk bëja veç se ëndërroja ditën ...
Lumturia nuk zgjati shumë. Dhimbje të forta barku e mesi që më linin pa frymë e gati sa nuk më rrëzonin rrugës. Vizita tek mjeku çoi në një abort të dytë. Pozicioni i embrionit nuk ishte normal, ose më mirë nuk siguronte peshë e zhvillim të fëmijës.Frika e lindjes së një fëmije jo normal , në një botë të pamëshirëshme edhe për normalët...Frika se do të lexoja në sytë e tij mendimin e qortimin ,se do të kish qenë më mirë për të të mos kish lindur fare...
Dhe shkova në klinikë, u shtriva mbi atë shtrat e mbylla sytë, por këtë herë nuk mbylla dot sytë e shpirtit, e ngrita në të Triorën time, gjykova veten për ç'kisha bërë më parë. Mund të thoja thjesht se ishte dënimi që më kish dhënë Zoti , dhe e mbyllja aty këtë arësyetim, mund të thoja se shte koinçidencë e shëmtuar por... sido që t'a rrotulloja nuk e hiqja dot fajin prej vetes. Per mua ajo që më kish ndodhur i kish rrënjët aty në shpirtin tim, kisha vepruar si një "shtrigë e keqe", kisha shkelur një herë mbi ç'ka ka më të shtrenjtë për shpirtin e një gruaje, dashurisë për jetën e magjia ime ishte kthyer kundër meje,duke dënuar ç'ka kisha të shtrenjtë. Ishte ndoshta nënvetëdija ime... Nuk e di por kur dola e dera e klinikës u mbyll pas meje, unë vura drurin e parë për të ngritur turrën e druve... Ditët në vazhdim gjendja ime u përkeqësua, jo fizikisht, fizikisht organizmi im e kish përballuar mirë atë ndërhyrje, por ai boshllëk që më kishte lënë ai fëmijë , e ai tjetri përpara këtij , mendimi se jeta ime do të vazhdonte me këtë boshllëk , ishte torturues...
Pastaj nuk ishte vetëm kjo. Ndërgjegja, ajo pjesë e shpirtit , e cila na kontrollon në çdo hap që bëjmë, më thosh se nuk kisha vepruar drejt që kisha dëgjuar doktorin. Kush më garantonte, kush mund të ishte aq i sigurtë se nuk mund të ndodhin mrekulli, ai fëmijë mund të ishte normal. Ai perceptim që kisha ndjerë gjatë atyre netëve , të asaj qënie që kërkonte dashuri, për mua ishte provë se ishte e etur për jetën, e dukej sikur më ishte lutur të mos e vrisja. Pra , kisha gabuar, edhe një herë kisha shkelur mbi atë pakt të "shtrigës" , kisha bërë krim, isha bërë "shtrigë e keqe " .E për mua nuk kishte asnjë justifikim, turra e druve ishte gati dhe unë i vura flakën me dorën time...
I shërova plagët e mia, këtë herë më me vështirësi e në dukje u shëruan dhe flakët me kohë u platitën. Mendova se e kalova edhe këtë herë , nuk kam frikë nga ferri ku mund të më syrgjynosin të gjitha fetë e botës. Ferri rihapet sërish me avancimin në moshë e afrimin e atij limiti fizik të riprodhimit . Mendimi se fizikisht nuk mund të kesh më fëmijë, ai cak ku natyra të heq çdo lloj mundsie ,të bën të mendosh dhe analizosh atë pjesë të jetës që ka pasur të bëjë me këtë.E kush tha se dy fëmijë janë më se të mjaftueshëm për të mbushur jetën e shpirtin e një gruaje ? Nganjëherë kur fantazia merr rrugë pa të të pyetur, a ata ëngjëj që ti ke bërë të ngrihen në qiell , zbresin poshtë marrin forma njerëzore,tek i sheh me sytë e mëndjes tek fëmijët e tu, tek të gjitha vajzat e djemtë tek kalojnë rrugës, tek i sheh se sa të bukur janë, kur sheh shkëlqimin rinor në ata sy e ato buzëqeshje rrëzëllitëse tek i gëzohen dritës së diellit e çdo gjëje të bukur mbi tokë...Tek i shoh me sytë e mendjes e mendoj se ua kam hequr këtë mundësi, se kam qenë aq egoiste e nuk u kam falur jetën e dashurinë time prej nëne, atëherë flakët më mbulojnë , e unë nuk ulëras nga dhëmbjet që më shkaktojnë,i varros ulërimat në thellësi te shpirtit tim , ato ulërima nuk janë të denja të dalin jashtë, do të ndyenin qiellin e pastër, se janë ulërima të një shtrige të keqe, të asaj gruaje që ka shkelur mbi gjënë më të shenjtë që i ka dhuruar Zoti e natyra, të dhuntisë së saj për të dhuruar jetë ... e dashuri...
 
E kur mendon se në mesjetë, shumë gra të pafajshme janë djegur mbi turrën e druve sepse përgatisnin me bimë të ndryshme porcione për parandalimin e shtatëzanive të padëshëruara... e janë quajtur "gra - shtriga"...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora