| E premte, 20.04.2018, 07:19 PM |
Kisha dhe xhamia e Tuzit ruajnë simbolikën e bashkëjetesës fetare
Nga Gjekë Gjonaj
Malësia mburret me atë që të tjerët e quajnë tolerancë fetare, por që në fakt është diçka më e madhe se tolerancë: është bashkëjetesa midis qytetarëve të besimit myslimanë dhe të krishterë. Për malësorët feja gjithmonë ka pasur kuptimin e paqes, mirëkuptimit, solidaritetit dhe humanizmit. Ata edhe në këtë kohë, kur shumë vlera janë zbehur dhe kanë humbur diomethënien e mëparshme, duhet të qëndrojnë të bashkuar në vlerën e bashkëjetesës fetare.
Nëse ka ndonjë qytezë ku bashkëjetesa fetare në trevat shqiptare në Mal të Zi me vite të tëra ka gjetur mishërimin e vet, ky është Tuzi, kryeqendra e Malësisë. Jo më kot, shqiptarët ( malësorët) e besimit të krishterë dhe myslimanë prej vitesh në këtë qytezë të vogël funksionojnë si vëllezër të një gjaku, të një gjuhe dhe të një trashëgime të përbashkët kulturore. Dhe kjo gjen shprehje në terren. Në qendër të qytezës ndohet xhamia e Tuzit, një monument i vyer i trashëgimisë së kësaj qytezë. Dhjetra metra larg saj në dalje të qytezës ndodhet Kisha e Shna Ndout, po ashtu një vlerë e posaçme historiko-kulturore e së kaluarës.
Në kohën kur unë isha nxënës i gjimnazit të Tuzit kam parë diçka të pazakontë, që nuk e kisha parë ndonjëherë më parë. Aty asokohe prifti hynte në xhami dhe hoxha futej pa asnjë hezitim në kishë. Kjo nuk ishte fotografia e vetme që shfaqte tolerancën ndërfetare në këtë qytezë. Prifti i kishës katolike të Tuzit Patër Gjergji dhe hoxha Rexhep Lika ishin miq të mirë. Një miqësi e krijuar ndërmjet tyre tregon se toleranca fetare gjithmonë ka qenë për cdo lakmi. Miqësia dhe respekti i ndërsjellë e kanë bërë gati të padukshëm faktin se ata predikojnë besime të ndryshme fetare. Pikërisht kjo tolerancë fetare më ka mrrekulluar gjithmonë sa kam jetuar në Malësi.
Këto të dy objekte kulti bashkëjetojnë qindra vjet në harmoni të plotë. Falë tyre Tuzi njihet si trevë me bashkëjetesë fetare, e cila i ka rrënjët prej krijimit të këtyre dy objekteve fetare. Prej atëherë e deri më sot ka patur gjithnjë mirëkuptim dhe harmoni. Kështu ka qenë, kështu duhet të jetë edhe në të ardhmen. Ato për momentin ruajnë simbolikën e bashkëjetesës fetare dhe janë shembull i gjallë jo vetëm i tolerancës por edhe i bashkëveprimit. Janë dy nga shembujt më origjinalë dhe më konkretë të bashkejetesës fetare në këtë hapësirë shumë të vogël. Qytetarët e kësaj qytezë thonë se kjo është vërtetë një pasuri për ta.
Kisha dhe xhamia e Tuzit, sikurse edhe të gjitha objektet tjera të kultit në Malësi, gjithmonë funksionuan si qendra baritore , duke qenë në shërbim të fesë që përfaqësojnë. Domethënë janë përdorur për t’u ardhur në ndihmë besimtarëve dhe fesë së tyre. Për fat regjimi komunist nuk i shatërroi as nuk i prishi këto objekte fetare, të cilat gjithësesi kanë rëndësi historike dhe shërbejnë për të identifikuar periudha të veçanta të historisë së trevës.
Të dy këto objekte fetare, ku predikohet feja,paqja, harmonia mes njerëzve, atdhetarizmi dhe gjithçka në dobi të individit dhe shoqërisë, janë një oazë paqe e qetësie, të cilat i zhysin besimtarët në një atmosferë devotshmërie, përkujitmi e lutjeje. Prandaj ato duhet t’i mbrojmë, t’i ruajmë , e pse jo edhe t’i valorizojmë si vlera turistike për turistët vendas dhe të huaj. Ka ardhur koha që të kultivojmë më shumë dashuri ndërmjet vete pavarësisht përkatësisë fetare dhe të mos lejojmë që aspekti politik të ngurtësojë zemrat.