E premte, 19.04.2024, 02:57 AM (GMT+1)

Mendime

Gjekë Gjonaj: Kisha dhe xhamia e Tuzit

E premte, 20.04.2018, 07:19 PM


Kisha dhe xhamia e Tuzit ruajnë simbolikën e  bashkëjetesës  fetare

Nga Gjekë Gjonaj

Malësia mburret me atë që të tjerët e quajnë tolerancë fetare, por që në fakt është diçka më e madhe se tolerancë: është bashkëjetesa midis qytetarëve të besimit myslimanë dhe të krishterë. Për malësorët feja gjithmonë ka pasur kuptimin e paqes, mirëkuptimit, solidaritetit dhe humanizmit. Ata  edhe në këtë kohë, kur shumë vlera janë zbehur dhe kanë humbur diomethënien e mëparshme,  duhet të qëndrojnë të bashkuar në vlerën e bashkëjetesës fetare.

Nëse ka ndonjë qytezë ku bashkëjetesa fetare në trevat shqiptare në Mal të Zi    me vite  të tëra ka gjetur mishërimin e vet, ky është Tuzi, kryeqendra e Malësisë. Jo më kot, shqiptarët ( malësorët) e besimit të krishterë dhe myslimanë prej vitesh në këtë qytezë të vogël funksionojnë  si  vëllezër të një gjaku, të një gjuhe dhe të një trashëgime  të përbashkët kulturore. Dhe kjo  gjen shprehje në terren. Në qendër të qytezës   ndohet  xhamia e Tuzit, një monument i vyer  i trashëgimisë së kësaj qytezë.  Dhjetra metra  larg  saj në dalje të qytezës ndodhet Kisha e Shna Ndout, po ashtu  një vlerë e posaçme historiko-kulturore e së kaluarës.

Në kohën kur unë  isha nxënës i gjimnazit të Tuzit  kam parë  diçka  të pazakontë, që nuk e kisha parë ndonjëherë më parë. Aty asokohe prifti hynte në xhami dhe hoxha futej pa asnjë hezitim në kishë.   Kjo nuk  ishte  fotografia e vetme që shfaqte  tolerancën  ndërfetare në këtë qytezë. Prifti i kishës katolike të Tuzit  Patër Gjergji  dhe hoxha Rexhep Lika    ishin miq të mirë. Një miqësi e krijuar ndërmjet  tyre  tregon se toleranca fetare  gjithmonë ka qenë për cdo lakmi. Miqësia dhe  respekti i ndërsjellë e kanë bërë gati të padukshëm faktin se ata predikojnë besime të ndryshme fetare. Pikërisht kjo tolerancë fetare më ka mrrekulluar gjithmonë sa kam jetuar në Malësi.

Këto   të dy objekte kulti  bashkëjetojnë  qindra  vjet në harmoni  të plotë. Falë tyre  Tuzi njihet si  trevë me  bashkëjetesë fetare, e cila i ka rrënjët  prej krijimit të këtyre dy objekteve fetare. Prej atëherë e deri më sot ka patur gjithnjë mirëkuptim dhe harmoni.  Kështu ka qenë, kështu  duhet të jetë edhe në të ardhmen. Ato   për momentin ruajnë simbolikën e  bashkëjetesës fetare dhe  janë shembull i gjallë jo vetëm i tolerancës por edhe i bashkëveprimit.  Janë  dy nga shembujt më origjinalë dhe më konkretë të bashkejetesës fetare në këtë hapësirë shumë të vogël. Qytetarët e kësaj qytezë  thonë se kjo është vërtetë një pasuri për ta.

Kisha dhe xhamia e Tuzit, sikurse edhe të gjitha objektet tjera të kultit në Malësi, gjithmonë funksionuan si qendra baritore , duke  qenë  në shërbim të fesë që përfaqësojnë. Domethënë   janë përdorur për t’u ardhur në ndihmë besimtarëve dhe fesë së tyre. Për fat  regjimi komunist  nuk  i shatërroi as  nuk i prishi këto objekte fetare, të cilat gjithësesi  kanë rëndësi historike dhe shërbejnë për të identifikuar periudha të  veçanta  të historisë së  trevës.

Të dy këto objekte fetare, ku predikohet feja,paqja, harmonia mes njerëzve, atdhetarizmi dhe gjithçka në dobi të individit dhe shoqërisë,   janë një oazë paqe e qetësie, të cilat  i zhysin  besimtarët në një atmosferë devotshmërie, përkujitmi e lutjeje. Prandaj  ato duhet t’i mbrojmë, t’i ruajmë , e pse jo edhe  t’i valorizojmë si vlera turistike për turistët vendas dhe të huaj.  Ka ardhur koha që të kultivojmë më shumë dashuri ndërmjet vete pavarësisht përkatësisë fetare dhe të mos lejojmë që aspekti politik të ngurtësojë zemrat.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora