E enjte, 28.03.2024, 08:23 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Si e shiti Enver Hoxha dhe PKSH Kosoven

E diele, 19.10.2008, 01:18 PM


Dokumente arkivorë zbardhin qëndrimet e PKSH-së për Kosovën. Plani i Titos për të përplasur partizanët shqiptar me nacionalistët kosovar dhe përse Enveri nuk shkoi në Prishtinë

Enveri “e mbante mirë” me serbët kundër Kosovës

Hoxha “harroi” të ngrinte çështjen e trojeve shqiptare në takimin me Titon në vitin 1946

Nga Luan Kondi

Përse pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë dhe kush është qëndrimi i komunistëve shqiptar për këtë çështje që nga themelimi i partisë? E vërteta se përse u dënua Marrëveshja e Mukjes, ku, për herë të parë, u shtrua problemi i Shqipërisë etnike… Cila ishte influenca jugosllave në Partinë Komuniste dhe roli i Dushan Mugoshës dhe Miladin Popoviçit në politikën shqiptare për të sabotuar çështjen kombëtare shqiptare. Si e justifikoi ish-udhëheqësi jugosllav, Tito, futjen e njësive partizane shqiptare në Kosovë dhe trevat e saj, duke synuar t´i përplasë me forcat nacionaliste shqiptare që vepronin aty? Përse Enver Hoxha donte ta kishte mirë me jugosllavët dhe kush ishte arsyeja që në takimin me Titon, në vitin 1946, ai nuk e përmendi fare çështjen e Kosovës dhe çfarë shkruajti shtypi serb i kohës? Arsyet që Enveri e vizitoi të gjithë Jugosllavinë në vitin 1946, duke përjashtuar “çuditërisht” vetëm Prishtinën dhe mohimi që ai i bëri trojeve tona në Jugosllavi, në Paris. Zbardhen kështu së fundi një sërë dokumentesh arkivore të pabotuara më parë që tregojnë për qëndrimin e komunistëve shqiptar ndaj Kosovës gjatë viteve të luftës dhe pazaret që ata, për interesa të ndryshme, kanë bërë me jugosllavët në kuriz të Shqipërisë etnike dhe veçanërisht për trojet që do t´i bashkëngjiteshin më pas Federatës Jugosllave.

Shteti i ri i pavarur shqiptar, i shpallur më 28 Nëntor 1912, që në ditët e para të tij, u ndesh me problemin jetik të njohjes ndërkombëtare dhe më pas atë të sigurimit dhe të mbrojtjes së tërësisë territoriale të tij. Treva të tëra shqiptare, fillimisht, gjendeshin të pushtuara nga forcat ushtarake shoviniste serbe e malazeze në Veri dhe greke në Jug. Do të ishin fuqitë e mëdha, ato që do të merrnin në dorë zgjidhjen e çështjeve më të qenësishme të shtetit të ri. Në bazë të traktatit të paqës, të 30 majit 1913, Turqia, siç thuhet, u besoi Fuqive të Mëdha (Gjermanisë, Austrisë, Francës, Anglisë, Italisë, Rusisë) detyrën e caktimit të kufijve të Shqipërisë dhe të gjitha çështjet lidhur me të.

Kur Shqipërisë i morën Kosovën

Për këtë qëllim mblidhet Konferenca e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha për t’u dhënë rrugëzgjidhje çështjeve të lindura nga mundja e Perandorisë Osmane në Luftën e Parë Ballkanike. Konferenca e Ambasadorëve, e cila i filloi punimet me 17 dhjetor 1912, nën kryesinë e përhershme të ministrit të Jashtëm anglez, Eduard Grej, u bë arenë e përplasjes së interesave kontradiktore. Shtrimi e diskutimi i çështjeve u shoqërua me debate të ashpra. Me 22 mars 1913, u vendosën përfundimisht kufijtë veriorë. Nga trungu i Shqipërisë u shkëputën Kosova dhe tokat shqiptare në Maqedoni, të cilat dënoheshin të kalonin nën zgjedhën e re serbo-malazeze. Për këtë qëllim, Konferenca e Ambasadorëve krijoi dy komisione ndërkombëtare; njërin për kufijtë me Malin e Zi dhe Serbinë dhe tjetrin për kufirin me Greqinë. Fuqitë e Mëdha po luanin lojërat e tyre për interesat e tyre afatgjata dhe jo në interes të të voglit e të dobtit. Këtë e tregojnë qartë Traktati i Shën Stefanit, Traktati i Versajës, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, apo Protokolli 1915 mbi copëtimin e territoreve shqiptare. Çështja e Kosovës, Sanxhakut dhe Metohisë nisën të dalin përsëri në horizont me pushtimin e Shqipërisë nga Italia. Musolini e përfshin Kosovës në territoret e zotëruara nga trupat e tij. Udhëheqja e PKSH e dënoi pushtimin fashist të Kosovës, si një akt agresioni dhe nuk bëri as përpjekjen më të vogël për t´i shpjeguar popullit shqiptar situatën e re që ishte krijuar në këtë mënyrë nga fatet e ndryshme të luftës. Këtu duket edhe varësia e komunistëve shqiptarë ndaj shokëve të tyre serbë, fakt ky që indirekt flet për influencen e politikës serbomadhe në Ballkan.

Mbledhja themeluese e PKSH “harroi” çështjen kombëtare

Partia Komuniste Shqiptare, që ditën e lindjes, më 8 nëntor ´41, lindi si parti jo gjithkombëtare, pasi varrosi nuk kishte në programin e saj çështjen kombëtare. Çështjes shqiptare në Kosovë e vise të tjera shqiptare në Jugosllavi, por edhe gjithë çështjes nacionale, asaj të coptimit të trojeve shqiptare, iu vu vula që në mbledhjen themeluese të PKSH, më 8 nëntor 1941, kur të gjithë pjesëmarrësit në mbledhje u pajtuan me bazat ideologjike e organizative të dhëna nga sërbët Miladini e Mugosha, të cilat u përcaktuan ekzakt në Rezolucionin e themelimit të partisë së komunistëve shqiptarë. Dhe pikërisht, detyra e katërt e bazave organizative të partisë përcaktonte qartë: “Me anë të aksioneve, sabotimeve, demonstratave, grevave, duhet që të përgatitet populli politikisht dhe ushtarakisht për kryengritjen e armatosur, duke përfshirë në këtë luftë të gjithë forcat patriotike dhe antifashiste. Në asnjë rrethanë nuk lejohet që të harrohet rreziku, që vjen nga ndikimi i nacionalizmit”. Nga detyra katër e bazave organizative të partisë, po veçojmë fjalinë e fundit të saj: “Në asnjë rrethanë nuk lejohet që të harrohet rreziku, që vjen nga ndikimi i nacionalizmit”, dhe kjo u miratua nga të gjithë pjesëmarrësit në mbledhjen themeluese të PKSH, që më 8 nëntor ´41. Mukje, për herë të parë ngrihet problemi i Kosovës
Në gusht të vitit 1942, për të parën herë do të kujtoheshin shqiptarët për trojet e tyre të mbetura jashtë kufirit aktual shtetëror në veri të Shqipërisë, ato të Kosovës dhe Sanxhakut. Kjo mbledhje, është e para ku takohen forcat politike shqiptare në një kuvend për të diskutuar çështjen kombëtare. Qëllimi i mbledhjes ishte; krijimi i Komitetit të Shpëtimit Kombëtar dhe i Shqipërisë etnike. Megjithatë, Komiteti Qendror i PKSH, nën presionin e përfaqësuesve jugosllavë që vepronin pranë komunistëve e denoncoi Marrëveshjen e Mukjes si tradhti, dhe spostoi ngadalë Ymer Dishnicën, nënshkruesin e marrëveshjes. Megjithatë për hir të vërtetës, dokumente të mëvonshëm tregojnë se Enver Hoxha dhe disa anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë hezituan përreth dy ditë që ta dënonin Marrëveshjen. Më pas, Svetozar Vukmanoviç Tempo dhe shokë të tjerë jugosllavë, që kishin përkrahje brenda PKSH, më në fund fituan mbi Enver Hoxhën, i cili më pas e dënoi Marrëveshjen e Mukjes si akt tradhtie. Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç u shprehën totalisht kundër marrëveshjes së Mukjes. Mugosha do të thoshte: “Ky bashkim i forcave shqiptare është i papranueshëm. Tashmë, ne po forcohemi nga dita në ditë dhe shumë shpejt do t´i sulmojmë në mënyrë të pamëshirshme. Ne kurrë nuk do t´i lejojmë të bashkohen dhe kurrë nuk do të lidhemi me këta qenër. Dhe pastaj, ç´është kjo Shqipëri etnike! Le të përpiqen dhe ta bëjnë nëse ua mban”. Optimizmi për dakordimin e arritur në Mukje do të ishte shumë i shkurtër, pasi të dërguarit e Titos urdhëruan Enver Hoxhën ta denonconte atë si tradhti. Hoxha dhe përkr-ahësit e tij, të mbetur në minorancë u dorëzuan pa bërë aspak rezistencë. Këtu nis edhe konflikti i armatosur mes komunistëve dhe nacionalistëve. Mugosha dhe Popoviç po bënin ligjin në Shqipëri. “Shoku Tempo” ishte gjendej atëherë në Shqipëri posaçërisht për këtë çështje. “Ne e diskutuam çështjen me anëtarët e Komitetit Qendror dhe studiuam të gjitha mundësitë, situatën dhe gjithçka tjetër dhe përfundimisht vendosëm të hidhnim poshtë Shpalljen dhe të mos e njihnim krijimin e Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë, apo rolin e tij si organi më i lartë në luftën çlirimtare. Ne vendosëm të mblidhnim konferencën pa vonesë dhe të zmadhonim Komitetin Qendror…”, thuhet në një dokument të PKSH, nxjerë së fundi nga arkivi. Serbët do të ishin prezent edhe në Konferencën e Labinotit, në tetor 1943, madje ata jepnin udhëzime të drejtpërdrejta. Të gjitha çështjet, që kishin të bënin me qëndrimin ndaj forcave nacionaliste, organizimin e forcave të armatosura dhe punën e partisë, ndikoheshim nga interesat serbe. Pas kësaj, udhëheqja e Ballit Kombëtar botoi Manifestin e vet me titullin “Rruga e drejtë dhe rruga e gabuar”. Në këtë manifest thuhej: “Është e qartë për popullin se kjo parti, që udhëhiqet nga Sale (Dushan Mugosha) dhe Miladin me shokët e tyre, po përgatitet të na japë një diktaturë dhe terror në vend të lirisë së premtuar, do të na japë shkatërrim në vend të progresit…”. Atëherë shqiptarët nuk kishin dyshime për rolin e të dërguarve serbë në Shqipëri. Por, prapaskenat e Dushanit dhe Miladinit ishin aq finoke, saqë as Enver Hoxha, as ndonjë anëtar i Komitetit Qendror të PKSH nuk mund ta ndalonin të keqen. Komunistët u kapën në rrjetën e serbëve, të cilët ishin mjeshtër të mbaruar për ta përkulur Enver Hoxhën ngado që ata dëshironin dhe kishin arritur t´i lidhnin duart me fijet sekrete, të cilat i kishin fillimet e tyre më 8 nëntor 1941, në një shtëpi të thjeshtë në Tiranë. Enver Hoxha ishte plotësisht i ndërgjegjshëm se pa “vëllezërit e tij” serbë nuk do të kishte mundur të ngjiste shkallën e partisë dhe të kapte postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të PKSH. Kjo ishte arsyeja se pse udhëheqja komuniste shqiptare nuk mund ta thoshte fjalën e vet për sa u përket çështjeve të veta të brendshme, kur fatet e vendit po vendoseshin dhe nuk mund të kundërshtonte planet serbe për vendosjen e ardhshme të territoreve shqiptare në Jugosllavi.

Divizionet shqiptare në territoret e Kosovës, Metohisë, Sanxhakut dhe kurthi i Titos

Nga fundi i luftës, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë jugosllave ftoi disa njësi të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare shqiptare të shkonin e të ndihmonin partizanët jugosllavë në Kosovë, Metohi dhe Sanxhak, që të shporrnin divizionet gjermane. Fakt është se një numër shqiptarësh etnikë ( Veçanërisht bajraku i njohur i kryezinjve) në ato rajone ishin bashkuar me forcat gjermane, të cilat i shihnin si shpëtimtarë të tyre prej zgjedhës serbe dhe bashkimin me trungun. Udhëzimet dhe ftesa për këtë lëvizje masive të trupave shqiptare drejt Jugosllavisë erdhi nga Beogradi; kjo ishte një lëvizje pa precedent nga ana e serbëve, të cilët për shekuj me radhë kishin kultivuar mitin “Kosova djepi i qytetërimit serb”. PK e Jugosllavisë kishte siguruar të gjithë garancitë nga PKSH se gjithçka do të shkonte siç ishte parashikuar. Madje, Tito e dinte shumë mirë se çfarë po bënte, ndaj dhe lejoi njësitë e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare shqiptare të bashkëvepronin plotësisht dhe të vëllazëroheshin me njësitë partizane jugosllave në rajon. Tito, gjithashtu, ndërmori këtë hap të rrezikshëm thjesht për arsyet strategjike të koordinimit të operacioneve të luftës në Ballkanin Perëndimor. Ai kishte plane të rëndësishme për të ardhmen e Jugosllavisë si lojtar parësor në Ballkanin e pasluftës. Udhëheqja jugosllave po llogariste çdo gjë me kujdes. Ajo kishte marrë çdo siguri nga udhëheqja komuniste shqiptare, dhe se prania e njësive të ushtrisë në territorin e Jugosllavise nuk do të përmbyste situatën dhe nuk do të krijonte probleme për të ardhmen. Tito po llogariste që të përdorte praninë e forcave shqiptare në Kosovë me qëllim që të krijonte një situatë konfliktuale ndërmjet kosovarëve që ishin bashkuar me forcat gjermane dhe me partizanët shqiptarë, të cilët në fakt punonin në favor të tij. Po ashtu ekzistonte një marrëveshje e heshtur mbi të ardhmen e Kosovës dhe Metohisë ndërmjet jugosllavëve dhe komunistëve shqiptarë.

Vizita e Enver Hoxhës në Jugosllavi në qershor 1946 dhe çfarë shkruanin gazetat serbe

Nga viti ´44 deri në vitin ´48, varësia e Komitetit Qendror të PKSH ndaj udhëheqjes komuniste të Beogradit u rrit. Në atë kohë çdo shqiptar do të kishte pritur që kreu i PKSH të shfrytëzonte takimin e tij me Titon për të ngritur të paktën pak çështje thelbësore të lidhura me statusin e ardhshëm të territoreve të banuara nga shqiptarët në Jugosllavi (në tokat e tyre në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit, Malësi, Anë e Malit dhe Maqedoninë Perëndimore e kudo tjetër). Enver Hoxha duhej të kishte pyetur Titon se çfarë mendonte ai për të ardhmen e shqiptarëve të Kosovës, që kishin kontribuar aq shumë në krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912 dhe padrejtësisht ishin lënë jashtë atij shteti, për të cilin ata kishin kontribuar për ta krijuar. Hoxha në librin e tij “Titistët”, pretendon të ketë ngritur çështjen e së ardhmes së Kosovës. Madje, atje thuhet se Tito i është përgjigjur se problemin i Kosovës nuk mund të ngrihej për momentin, sepse, sipas tij, do të trazonte serbët. Tito nuk e kishte në plan të diskutonte Kosovën me Enver Hoxhën. Që këtej, i vetmi rast zyrtar për Enver Hoxhën që të ngrinte çështjen e Kosovës me “shpirtin vëllazëror ndërkombëtar” me udhëheqësin jugosllav nuk u shfrytëzua. Beogradi diktoi dhe Enver Hoxha u bind. Enver Hoxha e kishte kuptuar se e ardhmja e pozicionit të tij si timonier i Komitetit Qendror të PKSH dhe i Shtetit të ri shqiptar vendosej në Beograd. Ai priti rastin që të paraqiste veten. Në intervistat që Hoxha ka dhënë për mediat serbe gjatë vizitës së tij në Jugosllavi më 30 qershor 1946 citohet: “Është e pamundur të imagjinosh rezistencën e popullit të vogël shqiptar kundër armikut pa luftën e popujve jugosllavë”. Hoxha e poshtëroi popullin e tij para personit serb, pasi këta të fundit e kishin ndihmuar të rrinte në udhëheqjen e PKSH. Ish-drejtuesi i shtetit komunist nuk mund të mohonte përpjekjen që Miladini dhe Dushani i dhanë atij, që të vinte në krye të PKSH dhe Shqipërisë për qellimet e tyre. Hoxha u dorëzua pa kushte para Titos dhe në një farë mënyre ai ra në gjunjë para Titos. Madje, këtë e kanë vërtetuar edhe shumë njerëz që e kanë shoqëruar atë në vizitën e parë zyrtare në Bled të Jugosllavisë”. Deklarata të së njëjtës natyrë, si ato që Enver Hoxha bëri në Bled, gjenden të shumta ne shtypin shqiptar të vitit 1947-1948, apo raportet e shumta të misioneve jugosllave në Tiranë. Udhëheqësit shqiptarë heshtën për fatin e Kosovës. Historiografia shqiptare është e heshtur për marrëveshjen që u firmos në Beograd më 1948. Enver Hoxha preokupohej vetëm për sigurinë dhe ruajtjen e pozitës së tij. Çmimi me të cilen ai arrinte atë që dëshironte nuk kishte rëndësi për të. Preokupimi mbizotërues për të ishte ruajtja e pushtetit, të cilin e fitoi duke tradhtuar bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, duke filluar me Qemal Stafen, Nako Spirun, Tuk Jakovën dhe duke mbaruar me Sejfulla Malëshovën, vetëm në pak vite pas luftës. Pa u marrë me lidhjet sekrete mes Enver Hoxhës dhe të dërguarve të serbëve në Shqipëri, për shkak se dokumentet e asaj periudhe ishin në duart apo kujtesën e personave në fjalë, ekzistojnë momente kritike në karrierën e “udhëheqësit legjendar” të Shqipërisë në periudhen e shkurtër të ndikimit jugosllav, kur ai ishte kukull në duart e komunistëve serbë. Viktimat e indoktrinimit serbo-hoxhian janë shumë. Më shumë viktima do të gjenden mes diasporës shqiptare, e cila ëndërron për një shtet shqiptar të fortë, megjithëse nën një diktator mizor, për hir të përmbushjes të idesë utopike të ndjekjes të një të ardhmeje të lumtur për Kosovën që ekzistonte vetëm në mendjet e tyre të shtrembëruara.

Plenumi i Beratit

“Historia e Partisë së Punës së Shqipërisë” (volitshëm botuar vetëm 30 vjet pas themelimit të saj më 8 nëntor 1941), i lë hapësirë të mjaftueshme Plenumit famëkeq të Beratit. Është fakt se të dërguarit serbë ishin të pranishëm dhe e vunë në skenë këtë ngjarje të rëndësishme. Me sa duket, ata zotëronin shënime stenografike mbi ecurinë e Plenumit. Në një pohim të Enver Hoxhës thuhet: “Jo vetëm që kurrë nuk kam patur ndonjë avantazh, duke u shoqëruar me Alija (Miladin Popoviç), por kam vuajtur për shkak të tij, sepse ai më ka mbajtur larg punës me organizimet e tij ordinere jopolitike”. Për sa u përket dobësive të tij në përmbushjen e detyrave të partisë si sekretar i Komitetit Qendror të PKSH, Enver Hoxha, pohon: “Unë nuk isha në gjendje të organizoja mitingje, sepse pozicioni i rëndësishëm që kisha (si sekretar i Komitetit Qendror) kërkonte aftësi të veçanta dhe përgatitje të veçantë. Unë nuk isha thjesht një shok partie”. Përçartje interesante dhe gjysmëpohim i pazotësisë së tij. Dhe më tej shokët e tij i vunë në gojë fjalët e mëposhtme: “Prandaj u detyrova të shtyja mbledhjet… unë nuk kujtoj të kem propozuar ndonjëherë të mbahet një mbledhje teorike, sepse ishte e vështirë për mua ta bëja një gjë të tillë. Edhe tani unë nuk jam në gjendje të bëj një detyrë të tillë. Unë nuk thirra mbledhje të tilla, jo sepse u shmangesha detyrave të mia, por sepse nuk jam në gjendje të bëj një punë të tillë”. Kështu Enver Hoxha pohoi tri herë rresht se ai ishte i paaftë të udhëhiqte PKSH. Gjatë “muajit të mjaltit” me Titon ai përsëriti se pa Jugosllavine e lavdishme dhe pa Titon e madh lufta e popullit shqiptar do të kishte qenë një hiç.

Enver Hoxha mohon Kosovën në Koferencën e Paqes në Paris

Në Konferencën e Paqes në Paris, gusht 1946, Enver Hoxha do të deklaronte: “Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë, Jugosllavisë”. S’ka komb tjetër në Evropë, si ai shqiptar, i coptuar në ato përmasa sa kufij politikë ka vetveten. Politika zyrtare e partisë-shtet komunist, po ashtu dhe historianë, kanë shkruar mjaft për politikën antikombëtare të fuqive të mëdha për coptimin e Shqipërisë. Dhe gjithnjë, me të drejtë, shkaku i kësaj tragjedie të madhe kombëtare është kërkuar në synimet shoviniste të qeverive të vendeve fqinje, si edhe në politikat antishqiptare që përgatiteshin e merrnin jetë në Kancelaritë Perëndimore. Dhe asnjëherë e në asnjë rast nuk ka ndonjë vështrim historik, sado të shkurtër, për të parë edhe së brendshmi, nga vetvetja, për të kërkuar ndonjë përgjegjësi në faktorë politikë shqiptarë, të pozicionuar përkundër interesave kombëtare, e për ta shprehur më açik, të qenit të ndokujt mbështetës për coptimin e trojeve shqiptare. “Ju në atë kohë a e mendonit çështjen e bashkimit me Shqipërinë të popullsisë shqiptare që banonte në Jugosllavi?...”. Është një nga pyetjet që publicisti grek Benakis i bënte Ramiz Alisë, dhe bashkë me përgjigjen e tij, edhe refleksione tona që vinë ndesh me autorin, Alia.

Pas prishjes me Jugosllavinë

Pas prishjes me Titon, në vitin 1948, që ndodhi menjëherë pas letrës publike të Informbyrosë, Enver Hoxha mohoi rolin dhe kontributin e Dushanit dhe Miladinit sa herë që i jepej rasti. Ai mohoi Titon më 1948, Hrushovin më 1961 dhe Mao Ce Dunin më 1977 dhe i ekspozoi ata si armiq të komunizmit më të njëjtën furi dhe vrull siç mbrojti Stalinin gjatë gjithë jetës së tij. Ai mohoi çdo gjë rreth “vëllezërve të tij komunistë”, por ai harroi se ka dokumenta arkiva që dëshmojnë për qëndrimin indiferent të tij dhe shtetit që drejtonte ndaj vetë çështjes kombëtare. Partia e Punës, Enver Hoxha, por edhe historiografia gjithnjë kanë kritikuar Titon, i cili nuk e mbajti fjalën e dhënë se çështja e Kosovës do të zgjidhej pas luftës. Edhe në këto vite, nga Alia pranohet se “për Partinë Komuniste Shqiptare ekzistonte çështja e shqiptarëve që jetonin në Jugosllavi, të Kosovës e viseve të tjera, por kishim bindje se me udhëheqjen e Jugosllavisë së re antifashiste mund të diskutohej e të zgjidhej drejt edhe ky problem i trashëguar nga historia”. Historiografia marksiste-leniniste, por edhe historiografia zyrtare bashkëkohore, kanë parë dhe stigmatizuar vetëm njërën anë, atë të politikës antikombëtare të partisë e shtetit jugosllav në qëndrimin ndaj çështjes së pazgjidhur të Kosovës dhe përpjekjeve për ta bërë Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë. Dhe nuk mund të vihet në dyshim kjo e vërtetë historike. Veçse problemi ka dhe anën tjetër të medaljes, që asnjëherë nuk trajtohet, atë të qëndrimit të Partisë Komuniste Shqiptare ndaj çështjes së Kosovës, dhe intergrimit të Shqipërisë në Federatën Ballkanike. Pra jugosllavët gjetën në vendin tonë truall të përgatitur mirë për realizimin e planeve të tyre antikombëtare ndaj Shqipërisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora