Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Itinerari i paharruar në përvjetorin e 100

| E shtune, 14.04.2018, 07:17 PM |


Itinerari i paharruar në përvjetorin e 100-të

Nga Entela Binjaku

Rumania, vendi që ndodhet në jug-lindje të Evropës Qëndrore, ka një sipërfaqe që e rendit atë në vëndin e 80-të në botë dhe në vëndin e 13-të në Evropë. Si popullsi, Rumania është vendi i 43-të në botë dhe i 9-ti në Evropë. 55% e popullsisë jeton në qytete ndërsa 45% e saj në zonën rurale. Rumania kufizohet me pesë shtete, fqinji i gjashtë është Deti i Zi. Prej vitit 1990 data 1 dhjetor është caktuar si dita kombëtare e Rumanisë. Kjo ditë përfaqëson festimin e Bashkimit të Madh në Alba Iulia, në vitin 1918, kur u votua bashkimi i Transilvanisë me Rumaninë, çast historik në të cilin u bashkuan të gjithë rumunët ne një shtet dhe u realizua bashkimi shtet-komb rumun. Tashmë kanë kaluar  100 vjet dhe viti 2018 përbën për  rumunët një çast feste dhe nderimi për kujtimin e të parëve që ju përkushtuan vendit. 27 marsi i vitit 1818 ka hyrë në kalendarin e datave historike të vendit dhe tashmë njihet si Festë Kombëtare. Kjo datë përkon me bashkimin e Rumanisë me Besarabinë. Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij viti dhe të kësaj date Ministria për Rumunët Jashtë Vendit (MpRJV) organizoi aktivitetin me titull: “Itinerari i 100 vjetorit për gazetarët nga komunitetet historike”. Ky itinerar takimesh dhe shkëmbimesh u mbajt nga data 26-30 mars 2018 në Bukuresht dhe për këtë Ministria ftoi 30 gazetarë nga komunitetet historike jashtë kufijve të vendit.  Programi bënte pjesë në aktivitetet për festimin e qindvjetorit i përfshirë në kapitullin “Politikat për diasporën” të  programit qeverisës 2018-2020. Në këtë itinerar morën pjesë gazetarë nga Republika e Moldavisë, Ukrainës, Serbisë dhe Shqipërisë të cilët u takuan me përfaqësues të autoriteteve qëndrore dhe vendore nga Bukureshti dhe nga qarku i Argeshit si dhe me eksponentë të rëndësishëm të mass-medias vendase. Programi përfshinte vizitat në “Radio Romania International”, në Televizionin Shtetëror Rumun (TVR) dhe në Agjencinë Kombëtare të Shtypit “Agerpress” ku mes të pranishmëve u ndanë përvoja dhe praktika të mira profesionale. Dita e parë e itinerarit nisi me  pjesëmarrjen në Mbledhjen Solemne të Parlamentit të mbajtur në 27 mars 2018 kushtuar 100 vjetorit të bashkimit të Rumanisë me Besarabinë.  Në këtë seancë të jashtëzakonshme ku gjendeshin aktorët kryesorë të politikës së vendit, senatorë e deputetë, përfaqësues të klerit e të familjes mbretërore, kryeministri i qeverisë së Moldavisë etj., u përshendetën edhe gazetarët pjesëmarrës. Për këtë e gjithë salla u ngrit në këmbë dhe i nderoi duke duartrokitur gjatë. Një nga çastet kulmore të këtij takimi ishte leximi i tekstit të “Deklaratës Solemne të Parlamentit për Festimin e Bashkimit të Besarabisë me Shtetin Amë, Rumaninë në 27 mars 1818”. Përfaqësuesit e mediave nga komunitetet historike patën takime dhe shkëmbime mendimesh me drejtuesit e dy dhomave të Parlamentit në “Sallonin e Bardhë” të Senatit. Në një takim ku morën pjesë anëtarë të dy komisioneve parlamentare të rumunëve në diasporë dhe anëtarët e komisionit të politikës së jashtme në Parlamentin rumun, të pranishmit ndanë shqetësime dhe propozime për projekte në dobi të komuniteteve që përfaqësonin. Në fjalën e saj Ministrja Intotero u shpreh se: “media në gjuhën rumune është një nga lidhjet me të rëndësishme që ka diaspora rumune me identitetin e saj kombëtar. Përmes botimeve dhe emisioneve në gjuhën nënë rumunët kanë mundësinë të mbeten të lidhur me vlerat kombëtare, ndërsa gazetarët e diasporës janë ndër partnerët më të afërt që mund të kemi në rrugëtimin e promovimit. Objektivi ynë, i të gjithëve, është të ruajë dhe të promovojë idenë e përkatësisë në rumanitet, për të promovuar imazhin e Rumanisë, për të edukuar brezin e ri në kuadër të respektit për vlerat rumune”.   Në vijim të takimit me ministren  Itodero pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen edhe me punën në mjediset e vetë Ministrisë ku ajo është titullare. Dita e mërkurë nisi me vizitën në formën e një ëorkshopi në Shoqatën Kombëtare të Televizioneve ku duhet të theksohet takimi me një ndër gazetarët e njohur të TVR-së, Marian Voicu. Suprizë ishte takimi me përfaqësuesit e Rumanisë në Eurovizion, grupin “The humans” të cilët edhe interpretuan live një fragment nga kënga e tyre me titull “Goodbye”. Vizita në studiot e TVR-së i njohu të pranishmit me punën e këtij televizioni. Studioja nga ku ishte transmetuar lajmi historik dhe kronika për rënien e regjimit komunist ishte një ndër çastet mbresëlënëse të kësaj vizite. Mesdita e së mërkurës shënonte një vizitë në “Pallatin Viktoria” ose i njohur ndryshe si Pallati i Qeverisë. Në këtë vizitë u bë edhe çelja e programit “ARC 2018” për kampet për të rinjtë rumunë të komuniteteve  në diasporë. Në mesditë dy ministret e kabinetit qeveritar rumun, ministrja e Rinisë dhe Sportit dhe Ministrja për Rumunët Jashtë Vendit, firmosën edhe aktin e marrëveshjes për realizimin e këtij edicioni të 10-të këtij programi. Këtë çast e nderoi me fjalën e saj edhe vetë kryeministrja e Rumanisë, znj. Viorica D?ncil? e cila në fjalën e saj shprehu mbështetjen e qeverisë rumune për këtë program duke i përshëndetur dhe ndarë me të pranishmit gëzimin e një projekti të tillë. Në dallim nga vitet e tjera programi “ARC 2018” synon të rrisë numrin pjesëmarrësve me 50 përqind, nga 2000 në 3000 pjesëmarrës. Programi  zhvillohet në qarkun Neamt nga 25 qershori në 30 korrik me pesë seri pjesëmarrësish prej shtatë ditësh, dhe nga 26 qershori deri në 28 gusht në Tulcea me nëntë seri pjesëmarrësish në programe prej shtatë ditësh. “ARC” është pjesë e programit qeverisës 2018-2020 dhë bën pjesë në pilonin “Edukim - Nicolae Iorga” i përfshirë në planin vjetor të veprimit të vetë Ministrisë për Rumunët Jashtë Vendit. Përveç rritjes me 50 përqind të përfituesve, një tjetër element i ri në këtë edicion është çelja e edicionit dimëror, edhe ky në kontekstin e një viti festiv. Qëllimi i programit “ARC” është: ndërgjegjësimi për përkatësinë në identitetin kulturor rumun; Thellimi i njohurive mbi kulturën dhe qytetërimin rumun; Lehtësimi i ndërveprimeve midis qytetarëve dhe atyre me etni rumune të shteteteve të ndryshme; Zhvillimi i aftësive për të folur gjuhën rumune; Lidhja e pjesëmarrësve me vlerat e trashëgimisë kulturore rumune; Promovimi i imazhit të Rumanisë tek rumunët jashtë vendit. Ky program ju drejtohet nxënësve, të rinjve, studentëve të ndodhur në vendet kufitare dhe në Ballkan: Serbi, Bullgari, Hungari, Ukrainë, Republika e Moldavisë, Shqipëri, si dhe rumunëve në diasporën e lëvizshme në shtete si: Itali, Spanjë, Francë, Belgjikë, Gjermani, Austri, Britani e Madhe, Kanada, Greqi, SHBA, Kanada etj.  Këto kampe ndërkombëtare që bashkojnë nxënës, të rinj, mësues rumunë nga të gjithë cepat e botës lidhin përmes aktiviteve ndërvepruese dhe i afrojnë  pjesëmarrësit me kulturën, traditat dhe vlerat rumune. Në një nga takimet e realizuara në Radio Romania morën pjesën Drejtori i Përgjithshëm dhe Presidenti i “Radio Romania”, këshilltari për menaxhimin dhe anëtari i Këshillit të Administrimit të Shoqërisë së Radiove Rumune, Menaxheri i “Radio România Actualit??i” dhe Sekretar i Përgjithshëm i “Radio România Interna?ional”. Në këtë takim u trajtuan tema që lidheshin me situatën e shtypit rumun në rrethinat kufitare dhe mundësitë e bashkëpunimit mes mass-medias nga këto vende dhe Rumanisë.   Në këtë itinerar pjesëmarrësit e projektit të MRPjV që mbështet shtypin jashtë kufijve, patën një takim me drejtoren e përgjithshme të agjencisë shtetërore “Agerpress”, Claudia Nicolae. Të pranishmit diskutuan mbi teknikat e mass-medias aktuale, përparimin e tyre dhe mbi mënyrat për maksimizimin e ndikimit të informacionit. Edhe në këtë takim u vu theksi tek rëndësia e  praktikave  të mira të  gazetarisë.  Në këtë takim u ndoq një material video per  dokumentarin “Bashkimi i Madh-Rumania në 100 vjetor” që “Agerpress” e kishte lansuar në muajin shkurt në kontekstin e festimit të kësaj ngjarjeje. Ky dokumentar është pranuar edhe si pjesë e edukimit të nxënësve rumunë nëpër shkolla. Të nesërmen përfaqësuesit e mediave në gjuhën rumune në Serbi, Ukrainë, Shqipëri dhe Republikën e Moldavisë bashkë me sekretarin e shtetit Saramet mbajtën një takim- përballje me anëtaret e anëtarët së administratës publike dhe lokale në Qarkun e Argesit në prani të përfaqësuesve të tyre në Parlamentin rumun.  “Curtea de Arges” ka një simbolikë të lidhur fort me këtë 100 vjeçar. Vizita kishte për synim  përjetimin e e të pranishmëve me lidhjen shpirtërore historike dhe kulturore rumune duke u bërë partnerë në rrugëtimin e njohjes dhe ruajtjes së ndjenjës së përkatësisë në kulturën rumune si dhe të imazhit të vendit.  “Curtea de Arges” me të cilën Nicolae Iorga identifikonte vetë Rumaninë njihet edhe si vend i kulturës shpirtërore të popullit rumun. Ky destinacion i rëndësishëm edhe pelegrinazhi i besimtarëve  njihet edhe si nekropoli mbretëror ku prehen edhe eshtrat e familjes mbretërore rumune. Ndërkohë sipas të dhënave të Censusit në Republikën e Shqipërisë, të publikuara në datën 13 dhjetor 2012, në vendin tonë  prej 2.800.138 banorësh egzistojnë 8.266 arumunë (0.3% e totalit të popullsisë brenda). Ndërsa sipas Atllasit Demografik të Shqipërisë (viti 2003), studimet e bëra midis viteve 2000 - 2002 nga qëndra e Studimeve Gjeografike të Akademisë të Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me një Institut gjerman dëshmojnë se  numri i arumunëve është 139.065. Lidhur me situatën e komunitetit arumun në Shqipëri me Ligjin nr. 96/2017 për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë, miratuar më 13 tetor 2017 arumunëve u është dhënë statusi zyrtar si pakicë kombëtare.  Duke filluar nga viti 1993 Rumania ka ofruar bursa studimi të rinjve arumunë nga Shqipëria në të gjitha nivelet e studimit. Për shembull për vitin universitar 2016 – 2017 u ofrua një total prej 105 bursash nga të cilat u fituan 70. Këtë vit në kampet verore që do të mbahen në Rumani nga 25 qershori-28 gusht në 14 seri me nga 7 ditë, ku do të marrin pjesë 2700 fëmijë dhe në edicionin dimëror ku do të marrin pjesë 300 pjesëmarrës mund të jenë pjesë edhe fëmijët nga Shqipëria, pjestarë të komunitetit arumun. Fëmijët dhe të rinjtë e komunitetit arumun në Shqipëri kanë qenë pjesëmarrës në të 9-ta edicionet e programit “ARC” ku cdo vit kanë marrë pjesë 30 pjesëmarrës.

Ky program mbështetet nga partnerët që janë zotuar për zbatimin e tij, konkretisht nga Ministria e Rinisë dhe  Sportit, misionet diplomatike të Rumanisë, organizatat dhe shoqatat e rumunëve që do të rreshtohen edhe këtë vit përkrah Ministrisë për Rumunët Jashtë Vendit.