E enjte, 28.03.2024, 07:26 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Dëngla

E enjte, 12.04.2018, 08:50 PM


Dëngla

Nga Elvi Sidheri

Jo për gjë, por fundja shpesh është nevoja të pasurojmë leksikun e gjuhës tonë të shtrenjtë, veçanërisht në përditshmëri, me fjalë të çmuara, si edhe kjo që shpërfaqet në titullin e këtij shkrimi.

Thënë kjo, më nevojitet të shtoj se synim i këtij shkrimi nuk është leksiku i gjuhës shqipe, por dukuria në fjalë katërcipërisht.

Për ç’dëngla bëhet fjalë pra?

Janë të shumta, do të mund të përdorej kjo fjalë edhe për të shqipëruar frazën më të njohur të viteve të fundit, shprehjen “Fake News” që dëgjojmë rëndom anembanë, me apo pa kuptim.

Gjithësesi, m’u fanit fjala e bukur shqipe “Dëngla”, kur sot (jemi më 11 prill), faktikisht më tepër nga reagimet në rrjete sociale se për tjetër arsye, kuptova se qenkësh dita e vdekjes së Merhumit, alias shokut Enver.

Epo mirë, “chi se ne fotte” do të thoshin fqinjët tanë italianë, ditë e shënuar na qenkësh kjo sidoqoftë, një diktator më pak, një paranojak më pak, një kryerrënues i Shqipërisë më pak, në shoqëri të mirë të HaxhiQamilëve, EsadPashëve, apo Sulltanëve e bimbashëve 500 vjeçarë që e lanë Shqipërinë dhe shqiptarët në tokën e askujt të ekzistencës së papërcaktuar mes Lindjes, Orientit, Azisë së Vogël dhe Perëndimit, Europës së qytetëruar ku si popull, ADN e histori përkasim, por nga ku jemi shkëputur (rrëmbyer) përdhunshëm prej kaq shekujsh, e ku nuk po arrijmë dot pavarësisht kaq shumë përpjekjesh.

Por, sikundër shkrova më sipër, vate merhumi, qau vegjëlia, ndoca gjindje edhe shkulën flokë, çorrën mollëza nga dëshpërimi, klithën e piskatën, në atë transin kolektiv që pashmangshëm e përfshin një popull të dhunuar prej dhjetëvjeçarësh nga një regjim, sistem e person (udhëheqësi timonier i pagabueshëm, largpamës e i pacënueshëm tipik për vendet post-feudale, aq më tepër post-anadollake si Shqipëria e rënë në kthetrat e regjimit enverist për gjysmë shekulli).

Iku diktatori, iku njëkohësisht edhe trau që mbante kampin kolektiv të përqendrimit, vendbanimin e vetëm të 3 milionë shqiptarëve që jetonin në atë gulag masiv stalinist të implantuar në mes të Europës.

Fundja, kur një populli të tërë, i sajojnë si vendgjallim veç një burg të madh në formë shteti prej 28 mijë kilometrash katrorë, të rrethuar me tela me gjemba ndanë të cilëve rrinë gati me gishtin në këmbëz mijëra ushtarë Kallash-mbajtës (edhe ata të ngratët, po aq të burgosur sa gjithë banorët e tjetër të këtij lageri shfarosës me trajta shtetërore), atëherë e ngrata gjindje mësohet me të keqen, dhe sigurinë makabre që të ofron frymimi mes mugëtirës së shtypjes dhe izolimit.

E kur i ngarkoi mushkat për në Varrezën e Dëshmorëve merhumi, këtij populli të burgosur (edhe pse ndonjëherë pa vargonj fizikë, por padyshim me plot syresh mendorë), i mungoi pika e referimit, qoftë edhe në të keqen më të skëterrshme si në këtë rast kaq të denjë për analizat më shteruese të fushës së psikopatologjive.

Për t’iu kthyer fillit të idesë së këtij shkrimi, si kujtohem për datën e vdekjes së merhumit (që thoni ju lexues të nderuar, edhe fjala merhum ka një kuptim, dhe nuk i është mveshur kot nga populli ish diktatorit, duke ardhur nga turqishtja, si shumë fjalë me këtë konotacion, dhe duke patur kuptimin “i vdekuri”) shikoj në internet ç’thuhet për të.

Burimi i parë është Wikipedia, dhe ja hyrja e artikullit përkatës për shokun Enver:

“During his 40-year-rule, he focused on rebuilding the country, which was left in ruins after World War II, building Albania's first railway line, eliminating adult illiteracy and leading Albania towards becoming agriculturally self-sufficient. However, detractors criticize him for a series of political repressions which included the establishment and use of forced labor camps, extrajudicial killings and executions that targeted and eliminated anti-communists, a large amount of which was carried out by the Sigurimi secret police.”

Që në shqip do të ishte:

“Gjatë sundimit të tij 40 vjeçar, ai u përqendrua në rindërtimin e vendit, që ishte rrënuar pas Luftës së Dytë Botërore, duke ndërtuar të parën hekurudhë të Shqipërisë, eliminuar analfabetizimin te të rriturit dhe udhëhequr Shqipërinë drejt shndërrimit në një vend të vetëmjaftueshëm bujqësor. Megjithatë, kritikët e tij e akuzojnë atë për një sërë represionesh politike që përfshinin ngritjen dhe përdorjen e kampeve të punës së detyruar, vrasjet joligjore dhe ekzekutimet që shënjestronin dhe eliminonin antikomunistët, një pjesë e madhe e të cilave do të kryheshin nga policia sekrete Sigurimi.”

Duket sipas shprehjes së njohur “As mish, as peshk” apo jo?

Sikur të qemë duke folur për një ndeshje futbolli, ku arbitri ka dhënë një penallti të dyshimtë, dhe ku secila palë nga mendimin e vet, ndërkohë që një vëzhgues i paanshëm, bën këtë analizë përmbledhëse, duke dalë në përfundimin amorf (veçanërisht nëse nuk e ka pikën e idesë nga futbolli) se të dyja palët acarohen kot dhe se ndoshta arbitri ka vepruar me ndërgjegje të pastër, duke u nisur nga qëllimet më të mira.

E përsëris, kjo është faqja historike e Wikipedia-s në anglisht, pra padyshim më e lexuara nga të katërta anët e botës sa herë që dikush për kërshëri, për nevojë studimesh apo për çfarëdo analize, rreket të mësojë gjithçka për Enver Hoxhën.

Dhe si ta lexojnë këtë pasazh të turpshëm hemafrodit (ishte diktator posi, i plasi të gjithë në kampe pune të detyruar, i rropati Spaçeve e Tepelenave, vrau kë mundi pa gjyq, por ndërkaq ndërtoi hekurudha se!!! Edhe i rrasi fushave bujqësore ata banorë që nuk i pushkatonte apo që nuk i internonte katundeve apo djerrinave!! Hë se nuk ka qenë burrë aq i keq tjetri!!) lëçitësit botërorë në gjuhë angleze, do të zbulojnë perla të tjera për merhumin tonë, duke rënë në një relativizim çnjerëzor të figurës së diktatorit tonë.

Ka gjë më përçmuese për kujtesën e viktimave të regjimit vallë?

Sesa përdhosja e flijimit të tyre, e vuajtjeve dhe mundimeve të tyre?

A mund të bëjmë ndonjë gjë për ta ndryshuar këtë realitet dhe për t’i zhbërë sadopak këto “dëngla” fyese, këtë profanim që i bëhet botërisht kujtesës tonë të 45 viteve diktaturë të mishëruar nga figura e merhumit?

Ka sigurisht. Pikësëpari nevojitet që ne vetë të mos harrojmë ç’ishte regjimi monist dhe ç’pasoja la. Pastaj ka mënyra për t’iu imponuar edhe Wikipedia-s, që jo rrallë shquhet për mufka të tilla, veçanërisht për propagandë të fuqishme antishqiptare sipas orekseve të shumëkujt, duke tenduar, veçanërisht në versionin në gjuhën angleze, të vendosë të dhëna historike tërësisht të njëanshme e të pavërteta lidhur me historinë tonë.

Mjafton të shihen të dhënat për Gjergj Kastriotin dhe familjen e tij, në anglisht, dhe do të shikoni pafund “dëngla” serbofile, me prirje të qarta për ta nxjerrë jo vetëm nënën e kryetrimit arbëror, por edhe vetë familjen fisnike Kastrioti, si gjasme serbe.

Më pas, ka shumë gjëra të tjera; këto ditë për shembull ishte përvjetori i Betejës së Koshares, fitores më të madhe të UÇK ndaj ushtrisë serbe, shembjes së kufirit shqiptaro-shqiptar, ndërsa në Wikipedia anglisht, kjo betejë përshkruhet 100% si në versionin serbisht, sipas “dënglave” serbe, duke folur për heroizma të paqena serbe dhe pseudo-fitore të jugosllavëve në këtë ditë madhore për luftën e Kosovës për liri.

E kjo është vetëm maja e ajsbergut të këtyre dënglave.

“Beware” pra. Jini të kujdesshëm, nga “dënglat” e mirëfillta dhe sidomos nga relativizimet, qofshin për merhumin, apo edhe për tërë merhumët e tjerë të historisë tonë, që në këtë këndvështrim, pavarësisht 1001 të zezave, çoç na paskëshin qenë edhe burra të mirë!

Kujdes njerëz!



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora